Print

Titulli: I etur për mëshirë (pjesa 1)

A e di se çdo të thotë të jesh aq i shqetësuar sa të të ikë oreksi?  Ndoshta e ke përjetuar këtë kur: një njeri i dashur vdes dhe ti ndihesh kaq keq sa nuk mund të hash, as të flesh rehat ose kur martesa jote po rrënohet, dhe tashmë ka filluar të të pëlqejë shmangia e ushqimit. Ose kur ti humb punën ose biznesin dhe je shumë i mërzitur, aq sa nuk ha rregullisht.

Ushqimi është pjesë e rutinës normale, por në kohë krize, rutina shkatërrohet dhe të duket sikur ushqimi nuk ka rëndësi.

Shumë prej nesh e kanë humbur interesin për ushqimin kur diçka ka shkuar keq. Por a ke hequr dorë prej ushqimit ndonjëherë sepse ti vetë ke qenë shumë keq? A je ndier ndonjëherë aq i sëmurë për atë që ke bërë, kaq i turpëruar për gabimet e tua, kaq i frikësuar për pasojat, sa që nuk të hahej asgjë? A ke qenë ndonjëherë kaq i etur për falje, kaq i dëshpëruar që Perëndia të të japë një fillim të ri,  kaq i etur për hirin e tij, sa që nuk ke dëshirë të hash asgjë? A ke ndalur ndonjëherë hapat e tua, ke lënë punët e tua dhe disa fakte për të kërkuar mëshirën e Perëndisë. Agjërimi është një mënyrë për të pranuar se mëkati është serioz dhe se ne dëshirojmë mëshirën e Perëndisë më shumë se sa ai vakt që lëmë pa ngrënë. Agjërimi është një mënyrë për të thënë se që të mbijetojmë, kemi nevojë për faljen e Perëndisë dhe hirin e Tij transformues, më shumë se sa kemi nevojë për ushqimin.

Perëndia na shpëton, prej mëkatit me anë të pendimit dhe të besimit në Jezusin. Pendimi nuk ka të bëjë thjesht me të ndjerit keq, apo thënien e fjalëve “më fal”. Pendimi është shumë më tepër se sa një mendim në mendje apo një emocion në zemër. Të pendohesh do të thotë të urresh mëkatin me një neveri fizike, pendim do të thotë të largohesh prej mëkatit, në mënyrë që të gjesh kënaqësi te Perëndia. Agjërimi shpreh dhe forcon këtë neveri për mëkatin dhe përcjell dëshirën për një jetë të re. Ka shumë arsye të tjera dhe qëllime për të agjëruar, për to do të flasim në programet e tjera, sot do të flasim për agjërimin si një mënyrë për të shfaqur pendesë dhe kërkuar mëshirë.

Bibla i tregon individëve, komuniteteve fetare dhe tërë kombeve që të  ndërpresin punën e zakonshme dhe të privohen prej ushqimit kur kuptojnë se sa shumë e kanë fyer Perëndinë dhe kanë provokuar gjykimin e tij. Ka pasur raste kur ata ishin kaq të uritur për hirin e Perëndisë sa që për ta ushqimi nuk kishte rëndësi. Ata agjëruan për të shprehur fizikisht vuajtjen e dëshirat e tyre shpirtërore. Agjërimi i ndihmoi ata në ndërtimin e një jete të re dhe, agjërimi mund të na ndihmojë ne të ndërtojmë një jetë të re.

Pika e kthimit

Sauli i Tarsit ishte një farise krenar. Ai i urrente të krishterët dhe i përndiqte ata për t’i vrarë apo për t’i burgosur. Por atëherë Jezusi iu shfaq Saulit në një dritë verbuese dhe e ndaloi atë në gjurmët e tij. Në dritën e Krishtit, Sauli pa lavdinë e Jezusit dhe pa ligësinë e tij. Në fakt, kaq mund të shihte Sauli për atë kohë.

” Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.” (Veprat 9:9) Kjo ishte pika e kthimit në jetën e Saulit.

Gjatë atyre tri ditëve kur Sauli as nuk mund të shihte e as të hante, zemra e tij ishte e etur për mëshirë. Faji dhe ligësia e tij e goditën me tërë forcë. Ai ishte i etur të linte mënyrat e tij të vjetra për t‘ia filluar jetën nga e para. Në vend që të hante ai lutej. Tri ditë pas kësaj, Zoti i ktheu shikimin Saulin dhe gjallëroi shpirtin e tij. Sauli u bë apostulli Pal dhe predikoi ungjillin në shumë kombe.

Historia e takimit të Palit me Krishtin merret shpesh si shembull për të thënë se kur njeh Krishtin, pendohesh dhe fillon një jetë të re. Megjithatë, shpesh shpërfillim agjërimin tri ditësh të Palit. Ne shpërfillim lidhjen biblike mes agjërimit dhe pendimit. A ishte agjërimi i Palit thjesht një detaj i vogël i konvertimit të tij? Jo, pendimi dhe agjërimi shkojnë bashkë. Atë që Perëndia ka bashkuar askush të mos e ndajë. Pali agjëroi në një pikë kthimi në jetën e tij dhe agjërimi mund të ndihmojë ty nëse je dëshiron të ndryshosh diçka në jetën tënde. Nëse ke uri për mëshirën e Perëndisë, atëherë agjëro dhe lutu ashtu si bëri Pali.

Bibla flet për një ditë vlerësimi, ditën e Zotit, kur ne duhet të përballemi me Perëndinë në gjithë fuqinë dhe pastërtinë e Tij. Kur Perëndia të na konfrontojë, kush është aq i pamëkat, dhe aq i shenjtë sa meritojë miratimin e tij? Asnjëri prej nesh. Kush  është aq i fortë sa t’i rezistojë fuqisë së tij? Askush. Nëse Perëndia vjen dhe ne nuk jemi penduar ende, as nuk kemi gjetur falje, do të gjykohemi. Çfarë shprese ka atje për ne? Profeti Joel shkruan:

Po, dita e Zotit është e madhe dhe fort e tmerrshme; kush mund ta durojë? “Prandaj tani”, thotë Zoti, “kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime”.

Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja dhe kthehuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ai është i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe pendohet për të keqen që ka dërguar.

Kush e di, ndoshta kthehet dhe pendohet, dhe lë pas tij një bekim. (Joeli 2:11-14)

Dita e gjykimit është e tmerrshme por mëshira e tij është e madhe. Nëse ne e jetojmë jetën duke shpërfillur gjykimin që po vjen, Zoti nuk do të na kursejë. Ne do të ndëshkohemi përgjithmonë në ferr. Por nëse paralajmërimet e Perëndisë na shkundin, na ndalojnë në rrugën tonë, apo na kthejnë mbrapsht, ne mund të shijojmë mëshirën dhe dashurinë e Tij.

Nuk ka rëndësi se sa i keq ke qenë, nuk ka rëndësi sa larg ke shkuar drejt rrugës së ferrit, por nuk është asnjëherë tepër vonë për ty. “Prandaj tani”, thotë Zoti, “kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime.” Tërë atyre që pendohen dhe kthehen te Perëndia me agjërim dhe besim te Shpëtimtari, Perëndia premton në librin e Joelit, ” Dhe do të ndodhë që kushdo që do t’i drejtohet emrit të Zotit do të shpëtojë.” (Joeli 2:12,32) Besoji paralajmërimeve të Perëndisë, dhe prano premtimin e Tij. Prano mëkatet e tua. Besoji premtimit se përmes Jezusit, mund të marrësh shpëtimin dhe se Fryma e Shenjtë të jep një jetë të re. Kthehu tek Ai me agjërim. Mos vazhdo si zakonisht. Ndaloje ushqimin për një farë kohe. Mund të fillosh agjërimin për njëzetë e katër orë, ose për disa ditë, thjesht fillo të agjërosh e të kërkosh mëshirën e Perëndisë. Zoti, i Cili e shpëtoi Palin me anë të hirit të Tij të mahnitshëm mund të shpëtojë edhe ty. Sikurse Pali shkroi pasi Jezusi e shpëtoi atë ” Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. ” (1 Timoteu 1:15)

Këtu minutat tona mbaruan. Unë ju ftoj serish herën e ardhshme për të mësuar më shumë rreth temës së agjërimit: I etur për mëshirë. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!