Hir madhështor
Në Bibël, në librin e Jonës, tregohet një histori mahnitëse agjërimi shoqëruar me mëshirën. Ninive ishte qyteti më i madh në atë kohë, por ligësia e tij arrinte deri në qiell. Qyteti po shkonte drejt ditës së gjykimit. Ninive ishte kryeqyteti i perandorisë Asiriane. Ninive ishte plot me idhuj dhe magjistarë. Njerëzit ishin perversë dhe imoralë. Njerëzit e Ninives ishin të ashpër dhe të dhunshëm ndaj njëri- tjetrit, dhe ata ishin mizorë ndaj kombeve të tjera. Perandoria e drejtuar prej Ninives, pushtoi dhe plaçkiti qytetet e kombet, torturoi, masakroi, e skllavëroi mijëra njerëz. Ninive ishte aq agresiv dhe i dhunshëm sa që u quajt “qyteti i gjakut” (shiko Nahumi 3:1-4) Perëndia vendosi të mos toleronte më ligësinë e Ninives. Ai dërgoi profetin Jona në Ninive për të predikuar mesazhin e gjykimit.
Jona nisi të futet në qytet në një ditë rrugë dhe duke predikuar tha: “Edhe dyzet ditë dhe Ninive do të shkatërrohet”.
5 Atëherë Niniveasit i besuan Perëndisë, shpallën një agjërim dhe u veshën me thes, nga më i madhi deri te më i vogli nga ata.
6 Kur lajmi i vajti mbretit të Ninives, ai u ngrit nga froni, hoqi mantelin e tij, u mbulua me thes dhe u ul mbi hi.
7 Me dekret të mbretit dhe të të mëdhenjve të tij, shpalli dhe përhapi pastaj në Ninive një urdhër që thoshte: “Njerëzit dhe kafshët, kopetë dhe tufat të mos kërkojnë asgjë, të mos hanë ushqim dhe të mos pinë ujë;
8 por njerëzit dhe kafshët të mbulohen me thes dhe t’i thërresin me forcë Perëndisë; secili të kthehet nga rruga e tij e keqe dhe nga dhuna që është në duart e tij.
9 Ku ta dish në ktheftë Perëndia, në u pendoftë dhe lëntë mënjanë zemërimin e tij të zjarrtë, dhe kështu ne nuk vdesim”.
10 Kur Perëndia pa atë që bënin, domethënë që po ktheheshin nga rruga e tyre e keqe, Perëndia u pendua për të keqen që kishte thënë se do t’u bënte dhe nuk e bëri. (Jona 3:4-10)
E rëndësishme ishte që banorët e Ninives u penduan. Shmangia e ushqimit dhe e rrobave të shtrenjta, ishte më pak e rëndësishme se sa keqardhja e dëshira për ndryshim. Por trupi nuk është i ndarë nga shpirti. Agjërimi i tyre ishte shprehje fizike e ndryshimit shpirtëror të zemrës së tyre. Një shpirti të pikëlluar nuk i bën zemra të gëzojë. Pendimi dhe agjërimi shkojnë bashkë. Njerëzit e Ninives u penduan dhe agjëruan dhe Perëndia i fali ata. Sa fort e dëshiron faljen? Sa fort je i etur për ta marrë atë? Sa fort dëshiron që Perëndia të ketë dhembshuri për ty. A je me të vërtetë i etur për mëshirë? Mos e thuaj thjesht me fjalë këtë. Vërtetoje me fjalë. Mos u shpërqendro prej festave apo vakteve të rregullta. Përkushtoje veten në një kohë agjërimi për të shprehur trishtimin tënd për mëkatin, dhe për të kërkuar hirin, faljen e Perëndisë dhe një jetë të re. Teksa e bën këtë, besoji Zotit dhe lutu me besim” O Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar. ” (Psalmi 51:17)
Agjërimi pas konvertimit
Agjërimi për të kërkuar falje dhe ripërtëritje ka vlerë kur e njeh Perëndinë për herë të parë, dhe pasi të kesh besuar në Jezusin, mund të ndodhë vazhdimisht që të agjërosh për të kërkuar falje dhe hir prej Perëndisë. Agjërimi ia vlen të bëhet jo vetëm në kohën e konvertimit( pra kur beson te Jezusi) por edhe më pas.
Perëndia i urdhëroi Izraelitët e Dhjatës së Vjetër të lenë mënjanë një ditë të përvitshme , duke e quajtur Dita e Shlyerjes së fajit, në hebraisht quhet Jom kipur. Priftërinjtë do të ofronin sakrifica për mëkatet e njerëzve, duke synuar sakrificën më të madhe, Jezusin i Cili fshin mëkatet tona.
Në këtë ditë të përvitshme të Shlyerjes së Fajit Perëndia urdhëroi: “Ti duhet të mohosh veten.” (Levitiku 16:29,31; 23:27,29; 29:7). Një formë e agjërimit apo vetë mohimit është pjesë jetësore e kërkimit të shlyerjes së mëkatit dhe restaurimit të marrëdhënies me Perëndinë.
Me ardhjen e Jezusit dhe të Besëlidhjes së re, sakrificat e kafshëve nuk janë më të nevojshme, po ashtu as caktimi i një dite të përvitshme agjërimi për të kërkuar hirin e Perëndisë. Por parimi mbetet, dhe hera herës, është e shëndetshme të agjërosh dhe të kërkosh mëshirën e Perëndisë me një intensitet të veçantë, veçanërisht në raste kur faji i një mëkati të veçantë të rëndon mbi shpinë.
Ndoshta po mendon, “ Nuk do të lutem për mëshirë, as nuk do të rri pa ngrënë. Nuk ndihem mirë kur nuk ha, dhe është poshtëruese të thuash se jam fajtor për ligësi. Në thelb unë jam njeri i mirë, dhe nuk lejoj askënd të më bëjë të ndihem keq.” Por ki kujdes kur thua se je mirë dhe se nuk ke nevojë të përulesh para Perëndisë. Bibla thotë se nëse pohojmë se jemi pa mëkat ne e mashtrojmë veten dhe e bëjmë Perëndinë gënjeshtar. (1 Gjoni 1:8,10) për sa kohë mendojmë kështu nuk kemi për të qenë asnjëherë mirë me Perëndinë.
Por nëse vijmë te Zoti me përulësi dhe të etur për praninë e Tij, Ai do të na mirëpresë me dashuri dhe do të bëjë të ndihemi mirë në shoqërinë e Tij. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” (1 Gjoni 1:9) ” …dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. ” (1 Gjoni 1:5) Ndaj edhe sikur të vish për herë të parë te Krishti, e të duhet t’i kërkosh falje për tërë mëkatet e jetës, apo të jesh ndjekës i Jezusit prej një kohe të gjatë, ti sërish ke nevojë për faljen e Perëndisë përditë. Perëndia pret që ti të kërkosh hirin e Tij. Agjërimi është një mënyrë për të kërkuar Atë me një intensitet të veçantë.
Të kërkosh falje për të tjerët
Ndonjëherë dëshirojmë fort të marrim falje jo vetëm për vete, por edhe për një grup të madh njerëzish. Nëse je pjesë e një bashkësie lokale, që dikur ishte e fortë në besim dhe shenjtëri por tani familjet po degradohen, dhe mes jush po shtohet epshi, lakmia dhe zënkat, atëherë mund të ndodhë që bashkësia jote të përjetojë gjykimin e Perëndisë.
Ndoshta e tërë bashkësia juaj duhet të caktojë një kohë për agjërim dhe lutje. Ndoshta drejtuesit mund të ftojnë për një kohë të veçantë agjërimi tërë kishën.
Por edhe sikur drejtuesit të mos e shohin të nevojshme këtë, edhe sikur tërë bashkësia të jetë në përgjumjen e mëkatit, ti vetë mund të agjërosh dhe t’i lutesh Perëndisë që të falë ato mëkate dhe ta kthejë bashkësinë tek vetja, kur shikon se një bashkësi apo një denominacion ka nevojë për ringjallje dhe transformim. Ndoshta ky transformim nuk ndodh njëherësh tek të gjithë. Mund të fillojë me një person, apo një grup njerëzish që e shohin mëkatin ashtu si është dhe duan fort që e vërteta e Perëndisë, të ndriçojë sërish. Nëse e do me të vërtetë kishën tënde, lutu dhe agjëro përpara Perëndisë për të. Lutu Atij që të ketë hir dhe të sjellë ndryshim në kishë.
Disa njerëz që shkojnë në kishë, të alarmuar prej zhvillimeve të këqija në kishë apo shoqëri, janë bërë aktivistë apo lobsitë. Ata fillojnë grupe të reja dhe botime për të luftuar tendencat e paperëndishme, dhe ata mundohen të mobilizojnë votat e tyre për të fituar mbështetje politike, për hir të së drejtës. Ndonjëherë ky aktivizim është i mirë, madje është detyra jonë ta bëjmë. Por nuk mjafton vetëm kjo. Lobimi me njerëz të tjerë nuk është aq i rëndësishëm sa lobimi me Perëndinë. Bërja e përpjekjeve nga ana jonë nuk mund të sjellë një ndryshim aq të fuqishëm sa lutja. Në rast se një shoqëri apo një kishë është nën gjykimin e Perëndisë, atëherë tërë veprimtaritë tona nuk do vlejnë, nëse ato nuk përfshijnë agjërimin dhe lutjen ndaj Perëndisë dhe që Ai të tërheqë gjykimin e tij dhe të derdhë hir dhe transformim.
Ndonjëherë ne duhet të kërkojmë hirin e Perëndisë jo vetëm për ne si individë, por për kombin që i përkasim. Në kohën e Mojsiut, Izraelitët mëkatuan ndaj Perëndisë duke bërë vicin e artë për të adhuruar. Perëndia i tregoi Mojsiut se ishte aq i zemëruara sa donte t’i shkatërronte të gjithë. Çfarë bëri Mojsiu para zemërimit të Perëndisë? Sikurse Mojsiu i tha më vonë popullit: ” Pastaj u shtriva përpara Zotit, si herën e parë, dyzet ditë dhe dyzet net me radhë; nuk hëngra bukë as piva ujë për shkak të mëkateve që kishit kryer, duke bërë atë që është e keqe për sytë e Zotit, për të provokuar zemërimin e tij. Sepse unë kisha frikë nga zemërimi dhe nga tërbimi me të cilët Zoti ishte ndezur kundër jush, aq sa dëshironte shkatërrimin tuaj. Por Zoti edhe këtë herë më dëgjoi.”(Ligji i Përtërirë 9:18-19) Ky agjërim dyzetë ditor ishte mbinatyror, sepse Perëndia e mbajti gjallë Mojsiun në mënyrë të mrekullueshme, pa ushqim e pa ujë. Asnjëri prej nesh nuk do të rezistonte aq gjatë pa ushqim dhe pa ujë. Por parimi mbetet se në kohë mëkati të tmerrshëm dhe nevoje të dëshpërueshme për falje, agjërimi duhet të shoqërojë lutjet e faljes, dhe kjo formë ndërmjetësimi mund të sjellë ndryshim tek shumë njerëz.
Shpresoj të ketë sfiduar ky material ta shohësh lutjen ndërmjetësuese me prioritet. Sepse Perëndia i përgjigjet lutjes së sinqertë. Mos harroni të na ndiqni herën e ardhshme për vazhdimin e kësaj teme. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!