Esteri është personazhi ynë sot. Ajo kishte frikë se po të shkonte te mbreti në emër të popullit të saj, nuk do të realizonte asgjë, veç vrasjes së vet. Por kushëriri i saj i tha se nëse Esteri nuk do të bënte asgjë, ajo do të vdiste gjithsesi. Kjo ishte një mundësi, që ajo të hidhej në veprim. Mardokeu shtoi, “Përveç kësaj, kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?” (4:14)
Esterit iu mbush mendja të shkonte te mbreti, por nuk donte të shkonte vetëm. Ajo donte që Perëndia të shkonte me të. Ajo nuk donte të mbështetej vetëm tek sharmi i saj si femër, dhe nuk donte ta vendoste shpresën te fakti se mbreti mund të ishte në humor të mirë. Ajo donte që Perëndia ta ndihmonte, donte që Perëndia të prekte mbretin që ky të kursente jetën e saj dhe të popullit të saj. Kështu që Esteri i kërkoi kushëririt të saj që tu thoshte judenjve në kryeqytet që të agjëronin për të, të mos hanin, a pinin asgjë për tri ditë. Po kështu edhe ajo do të agjëronte me shërbëtoret e saj. “kur kjo të ndodhë”, tha ajo “Unë do të shkoj te Mbreti ndonëse është kundër ligjit. Nëse vdes, le të vdes.”
-Tri ditë pa ushqim, pa ujë. Ky është agjërim ekstrem, por ishte për një rrezik ekstrem. Po të dështonte mbretëresha, kjo do të thoshte vdekje për të dhe për tërë popullin e saj.
Njerëzit dëshironin fort ndihmën e Perëndisë dhe e morën. Perëndia bëri që gjërat të ishin në favor të tyre. Mbreti e shtriu skeptrin e tij të artë ndaj Esterit, madje premtoi se do t’i jepte asaj gjithçka që do kërkonte. Në fund të historisë, nuk u shfarosën judenjtë, por Hamani dhe të tjerët që donin të zhduknin popullin e Zotit.
“Inkurajimi i Shkrimeve”
Shembulli këtu është i qartë. Njerëzit e dëshpëruar agjërojnë dhe dëshirojnë ndihmën e Perëndisë, dhe Zoti e plotëson nevojën e tyre. Kur predikuesi Ezdra bën një udhëtim të gjatë dhe të rrezikshëm me njerëz të brishtë, përmes një territori të rrezikshëm, ata agjërojnë dhe Perëndia i sjell të sigurt në destinacionin e tyre. Kur mbreti Jozafat dhe vendi i tij përballen me ushtrinë pushtuese, ata agjërojnë dhe Perëndia e mposht armikun dhe i jep paqe popullit të tij. Kur mbretëresha Ester dhe populli i saj përballen me asgjësimin, ata agjërojnë dhe Perëndia i shpëton ata.
Në dritën e kësaj, çfarë duhet të bëjmë kur kemi nevojë për ndihmë? A e neglizhojmë agjërimin? A guxojmë të shpërfillim pikërisht atë gjë që ka prekur vazhdimisht Perëndinë për të ndihmuar popullin e tij? Nëse nuk i lutesh Perëndisë kur je në telashe, nëse nuk lutesh kur ke nevojë për ndihmë, atëherë mos u befaso nëse telashet vazhdojnë dhe ndihma nuk po të vjen. Perëndia thotë “Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh.” (Psalmi 50:15)
Historitë e Biblës për agjërimin dhe marrjen e ndihmës së Perëndisë nuk janë thjesht për njohuri por për zbatim, nuk janë thjesht për argëtim por për inkurajim. “Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.” (Romakëve 15:4) Perëndia na jep historitë e Shkrimit që kur të vijnë probleme të mëdha në rrugën tonë, nuk do të shkurajohemi, nuk do humbasim shpresën, por në vend të kësaj do të inkurajohemi, do të mbushemi me shpresën se Perëndia do të na ndihmojë, e do të na japë një të ardhme të shkëlqyer.
Ky lloj i veçantë agjërimi synon të zgjidhë mungesën e fuqisë që kompensohet duke iu lutur Perëndisë për fuqi. Agjërimi kërkon një ndryshim shumë të kërkuar, por jo prej burimeve të zakonshme por prej fuqizimit të jashtëzakonshëm nga Perëndia.
Ky lloj agjërimi mund të jetë i përshtatshëm gjatë një krize personale serioze si: konflikt martesor, tension midis prindërve dhe fëmijëve, një krizë financiare ku ti nuk ke çfarë të hash, apo një vend ku të rrish, apo nëse je nën kërcënimin e një krimi apo një të keqeje të madhe që lëkund sigurinë tënde. Lutu Perëndisë në ditën e shqetësimit, agjëro dhe kërko me ngulm ndihmën e Tij, dhe ti do të bekohesh në shumë mënyra, që përndryshe do t’i kishe humbur.
Është mirë të agjërosh për ndihmë në çështjet personale, por mos e lër vetëm në atë nivel. Kur Ezdra agjëroi, nuk e bëri vetëm për sigurinë e tij, por që tërë populli i tij të kishte një udhëtim të sigurt, Po ashtu populli u bashkua në agjërimin e tij. Mbreti Jozafat nuk agjëroi që ai vetë t’i mbijetonte pushtimit, por e bëri që kombi të kursehej dhe populli u bashkua në agjërim me të.
Kur mbretëresha Ester agjëroi, nuk agjëroi vetëm për vete, por që edhe populli i saj të mos vritej, dhe ata agjëruan bashkë me të. Me pak fjalë, agjërimi për të kërkuar ndihmë nuk është thjesht për individët por për popullin e Perëndisë si një komunitet.
Po cili është sot Populli i Perëndisë? Pas çastit muzikor kthemi për ta shpjeguar këtë.
Populli i Perëndisë sot nuk është as ndonjë vend i veçantë e as ndonjë grup i veçantë. Komuniteti i Perëndisë është kisha e Jezus Krishtit, tërë ndjekësit e Jezusit nëpër botë. Kur duket sikur kishës i mungon fuqia përballë sfidave, është koha që të krishterët të agjërojnë dhe të kërkojnë me ngulm ndihmë.
Të krishterët në Kore janë një shembull i shkëlqyer i asaj se çfarë ndodh kur populli i Zotit lutet dhe agjëron. Ndërkohë që disa të krishterë në disa vende të botës kanë qenë të dobët në lutje dhe kanë shpërfillur agjërimin, të krishterët koreanë kanë agjëruar vazhdimisht dhe janë lutur për më shumë fuqi prej Frymës së Shenjtë. Rezultatet kanë qenë mahnitëse. Vetëm disa dekada më parë, kisha në Kore, ishte e vogël dhe e përndjekur, por fuqia e Frymës së Shenjtë e bëri kishën të fortë. Perëndia i ka shtuar miliona e miliona besimtarë të rinj, kishës në Kore. Atje ka pasur një rritje marramendëse të kishës, dhe një ndikim më të madh të kishës në kulturën dhe kombin e Koresë Jugore. Para disa vitesh, prania e të krishterëve në komunitet ishte e dobët dhe vogël, por tani të krishterët koreanë kanë fituar pjesën më të madhe të vendit, madje po e përhapin ungjillin në kombe të tjera. Pikërisht këtë po bën fuqia e Perëndisë në përgjigje të lutjes dhe agjërimit.
Ata që janë drejtues në kishë, sikurse jam unë, duhet të mbështetën më shumë në fuqinë e Perëndisë. Kur Jezusi po fillonte shërbesën e tij publike , e para gjë që bëri ishte agjërimi.
Ai po gatitej për një përleshje me Satanin, dhe po kërkonte fuqi prej Atit të Tij, për të folur me fjalë të fuqishme, për të dëbuar demonët, për të bërë mrekulli të mëdha dhe për të sjellë mbretërinë e Perëndisë pranë njerëzve.
Nëse je drejtues kishe, kur është koha e fundit që agjërove dhe iu lute Perëndisë që t’i japë kishës së tij më shumë fuqi për të treguar lavdinë e Perëndisë dhe të fitojë njerëz për të? Kur ishte hera e fundit që bashkësia pyeti veten se pse nuk po besojnë më shumë njerëz në Krishtin, apo të shikojë më shumë njerëz të ngjashëm me Jezusin? Kur ke agjëruar dhe je lutur për përtëritje dhe ringjallje, për herë të fundit? Ne mund të kemi konferenca dhe plane strategjike, mund të prodhojmë versione të Biblës, që t’i përshtaten çdo interesi dhe grupmoshe. Ne mund të ofrojmë shërbesa adhurimi që t’i përshtaten çdo shije, por sa prej nesh po agjërojnë dhe po kërkojnë fuqi prej së larti? Nëse kisha ka një mungesë fuqie, ndoshta ka ardhur koha të ndalojmë së bëri gjërat me përpjekjet tona dhe thjesht t’i themi Perëndisë atë që mbreti Jozafat tha ndërsa po agjëronte: “Ne nuk e dimë se çfarë të bëjmë por sytë tanë janë tek ti.”
Agjërimi është i përshtatshëm për një bashkësi dhe për kishën më në gjerësi, kur ka ndonjë skandal apo mungesë pendimi, por po ashtu kur kisha duket jo efikase dhe e pafuqishme për të mposhtur pengesat dhe transformuar jetët. Perëndia ka burimet për të plotësuar çdo deficit, pavarësisht llojit me të cilin kishat po përballen sot: qoftë mungesë mësuesish të aftë, mungesë parash, mungesë shërimi apo të fuqisë transformuese.
Agjërimi është një mënyrë për të kërkuar me ngulm ndihmë Zotit dhe për të marrë bekimet e Tij.