I mirë sa duhet për Perëndinë?

Print

Titulli: I mirë sa duhet për Perëndinë? (pjesa 1)

Mendoj se je kureshtar të dish më shumë rreth asaj që u fol në hyrje të programit. Edhe unë për këtë dua të flas.

I MIRË SA DUHET

A të kujtohet ndonjë rast kur nuk ke qenë i mirë sa duhet për diçka? Ndoshta kur ishe në gjimnaz nuk ke qenë shumë i mirë në basketboll. Ti u përpoqe shumë për tu përmirësuar. Madje shkove edhe në kampe verore. Ndoshta praktikoheshe në fushë çdo natë. Ti mendove se një kosh i bukur do të bënte ndryshimin. Por kur u afishua lista e anëtarëve të skuadrës emri yt nuk ishte mes lojtarëve. “Më vjen keq”, tha trajneri “ por nuk ishe i mirë sa duhej”.

Ndoshta një rast tjetër mund të ketë qenë koha kur ti aplikove për bursë studimi në një universitet shumë të mirë. Notat i kishe shumë të mira. Po kështu edhe rezultatet e testit shumë të mira. Veç këtyre në kërkesën e aplikimit kishe renditur edhe veprimtaritë ekstra të kurrikulës shkollore. Ti mendove se mësuesi yt i preferuar kishte shkruar një letër rekomandimi të mrekullueshme. Por përgjigja që more brenda zarfit fillonte kështu: “Na vjen keq t’ju informojmë se. . .” Të tjerët ishin në radhë gati për të marrë paratë e bursës së tyre, ndërsa ti e merr atë zarfin e gris dhe e hedh në koshin e plehrave duke menduar me vete: “Nuk isha aq i mirë sa duhej!”.

Ndoshta e njëjta gjë mund të ketë ndodhur me punën e ëndrrave të tua. Ti e shkrove shumë mirë letrën e aplikimit. Mendove se intervistat shkuan shumë mirë. Por më pas filloi koha e pritjes dhe sa më shumë që prisje, aq më pak optimist bëheshe. Të paktën kompania pati mirësjelljen të njoftonte ty me një telefonatë dhe jo me një i-mejll.

“ E vlerësojmë shumë interesin tuaj”, tha i intervistuari kur telefonoi, por ne patëm shumë kandidatë të tjerë të shkëlqyer. Më vjen keq t’ju informoj se pozicioni i punës është plotësuar.” Ti nuk je i detyruar ta mendosh keq për veten, por teksa ul receptorin, mendon me vete: “Unë nuk jam aq i mirë sa duhet”.

E çuditshme. Ndonjëherë duket sikur kalojmë pjesën më të madhe të jetës duke e krahasuar veten me të tjerët dhe duke menduar a jemi në nivelin e tyre, a jemi në të njëjtën shkallë. Ne kalojmë shumë kohë duke menduar se a jemi “të mirë sa duhet”. Shpesh dalim në përfundime negative.

“Të mirë sa duhet”. Por ç’mund të themi për çështjet mes teje dhe Perëndisë? A je ti i mirë sa duhet? I mirë sa duhet për Perëndinë?

Ndoshta ti thua: “çfarë pyetje?! Kjo është diçka që as dua ta çoj nëpër mend. Si mund ta di se jam i mirë sa duhet për Perëndinë?” Me shumë mundësi kjo pyetje nuk të ngacmon fare sepse thua: “Unë jam një person i mirë. Unë bëj një jetë të mirë si kushdo tjetër. Në rast se Perëndia i vendos në peshore veprat e mia, del se kam bërë po aq të mira sa të këqija. Ma merr mendja, se jam i mirë sa duhet për Perëndinë, ose të paktën kështu shpresoj.

E KALUARA JONË E DHIMBSHME

Por a je i bindur për këtë? Në librin, “Gjuetari i balonave” (The Kiterunner), Kaled Hosejni (Khaled Hosseini) tregon historinë e një djali të vogël afgan me emrin Amir. Amiri ka një sekret. Ai ka një sekret të vogël e të tmerrshëm, për të kaluarën. Ky është sekreti i tradhtisë. Kjo tradhti ndodhi në një çast dobësie, kur ai e humbi guximin për të thënë jo. Bëhet fjalë për një tradhti që ai u mundua shumë ta largojë nga mendja. Por nuk mundet. Ky sekret i vogël por i ulët, e shoqëron atë nga pas përgjatë viteve. Në shpirtin e tij ka një njollë që ai nuk mund ta fshijë.

Amiri është një person që i vjen turp nga e kaluara. Dhe e vërteta është se shumë prej nesh e njohin këtë turp. Ne e kemi zakon të mburremi: “Mendoj se jam aq i mirë sa ti pëlqej Perëndisë. Por thellë brenda nesh e dimë se kjo nuk është e vërtetë. Në jetën time dhe në jetën tënde ka mëkate, që edhe ferrit do t’i vinte turp për to. Disa kujtime nuk do t’i zhdukeshin as me kalimin e kohës. Unë e di shumë mirë se i kam katranosur shumë gjëra.

Brenda meje e di shumë mirë se kur vjen puna te Perëndia, nuk ka arsye të mendoj se jam i mirë, dhe se e meritoj shpëtimin e Perëndisë.

Unë mendoj se shumë persona që e quajnë veten të krishterë luftojnë me këto ndjenja. Unë e di se të krishterët duhet të shohin përtej jetës së tyre për të kuptuar se janë të mirë sa duhet për Perëndinë.

Gjithsesi, zakonet e vjetra vdesin. Krenaria jonë dëshiron që të marrim meritat për vete dhe jo t’ia japim Perëndisë.

A është kjo ajo që ti do? Më lejo të të bëj një pyetje: Në rast se je i krishterë, a e shijon identitetin tënd?” E kam seriozisht. Nëse je i krishterë, a po e shijon besimin tënd?

Unë jam i sigurt se ka disa dëgjues sot që ndoshta janë çuditur prej kësaj pyetjeje dhe thonë: “Ta shijoj besimin e krishterë?!”. Sigurisht që unë nuk e shijoj besimin tim. Krishterimi nuk është diçka për tu shijuar apo jo? Ti thua, unë besoj se besimi është diçka që duhet duruar, pra është një barrë. Është një barrë që duhet transportuar. Në fakt, të qenurit i krishterë është kaq kërkues sa që thith gjithë gëzimin e jetës sime.

Për mua Krishterimi do të thotë gjithmonë më shumë, të arrish më shumë, sepse kostoja e dishepullizimit është kaq e lartë sa që nuk do ta arrij kurrë. Unë thjesht dështoj, dështoj, dështoj gjithë kohës.

Nëse edhe ty të ka ndodhur kështu më lejo të të bëj një pyetje tjetër. A do të doje të ishe i lirë? A do të doje të çliroheshe prej pyetjes torturuese: “A jam i mirë sa duhet për Perëndinë?”.

GËNJESHTRA QË BESOJMË

Në rast se kjo që përshkruam më lart është beteja jote, atëherë ka ardhur koha të përballesh me të vërtetën. Djalli është një mashtrues. Dhe ti ke rënë pre e një prej mashtrimeve të tij më të mëdha. Ti je bindur se: “Dashuria e Perëndisë duhet fituar”.

Po ti e beson atë. Edhe sikur të mësosh se nuk duhet ta besosh, në fakt ti e BESON. Dhe besimi i asaj gënjeshtre po të vjedh gëzimin dhe paqen që Perëndia dëshiron të përjetosh në ecjen tënde me TË. Do të flasim më shumë, se si ta lemë pas atë gënjeshtër, por tani po ju lë për pak çaste në shoqërinë e muzikës.

TË MAHNITUR PREJ HIRIT

Deri tani kemi folur rreth mënyrës se si shumë prej nesh pyesim veten a jemi të mirë sa duhet për Perëndinë.

Ne jemi ndalur te përpjekjet për ta fituar vetë favorin e Perëndisë. Dhe dolëm në përfundimin se nuk ka rëndësi se sa shpjet vrapojmë apo sa lart kërcejmë, me forcat tona nuk i arrijmë dot standardet e Perëndisë. Kjo nuk duhet të na habisë aspak. Sepse Shkrimet e pohojnë qartë këtë në letrën drejtuar Romakëve:

“Të gjithë kanë mëkatuar dhe kanë rënë nga lavdia e Perëndisë.”

Po të gjithë. Në rast se jemi të sinqertë me veten, zor se përmbushim standardet që vendosim vetë, e jo më të përmbushim standardet e Perëndisë. Pra çfarë duhet të bëjmë? Ekziston një e vërtetë për t’ju përgjigjur gënjeshtrës së djallit. Kjo është e vërteta e HIRIT.

Çfarë është hiri? Hiri është thjesht e kundërta e asaj që ti meriton të marrësh, pra hir do të thotë të marrësh diçka që nuk e meriton. Hir do të thotë të marrësh buzëqeshjen e Perëndisë, pikërisht kur meriton një vrenjtje vetullash.

Hir do të thotë të marrësh dashurinë e Perëndisë ndërkohë që duhet të merrje dënimin e Perëndisë. Hiri është favor hyjnor që ti nuk ke pasur të drejtë ta kishe apo ta merrje.

Për shumë prej nesh që kemi qenë nëpër qarqet e krishtera për një farë kohe, fjala hir nuk është diçka e re. Në fakt, ti sapo ke dëgjuar himnin më të njohur të kohërave. Ky himn është shkruar nga një skllavopronar i moshuar me emrin Xhon Njuton. Kënga e tij: ” ç’ hir madhështor” është historia personale e udhëtimit të tij me Perëndinë. Po njëkohësisht ajo ka qenë historia e miliona njerëzve të tjerë. Kjo e bën atë këngën më të dashur të kohërave.

E vërteta është se njerëzit kanë kënduar për hirin, kanë festuar për hirin, shumë kohë para se Xhon Njutoni të shkruante atë himn në vitet 1760. Njerëzit janë mahnitur prej hirit për mijëra vite. Por ka një problem. Njerëzit e kanë pasur të vështirë të BESOJNË se HIRI është i vërtetë.

Por pse kështu? Pse e kemi kaq të vështirë ta pranojmë hirin? Ndoshta sepse hiri e trondit ndjeshmërinë tonë fetare. Sinqerisht mendoj se duhet të merremi seriozisht me këtë pikë, sepse duke e frenuar hirin e Perëndisë po i hapim vetes telashe. Atëherë pse të mos ndreqim të menduarin tonë?