FRENIMI YNË NDAJ HIRIT
Sikurse e dini, HIRI është diçka e panjohur për natyrën tonë njerëzore mëkatare. Po, kështu është. Në këtë botë të rënë nuk është diçka e natyrshme që gjërat të funksionojmë me HIR. Thjesht lexo gazetat dhe do të shikosh se si gjithçka funksionon në mungesë të plotë të Hirit. Fjala HIR nuk përmendet askund.
Pse dhuna etnike vazhdon të ekzistojë për vite me radhë e dekada në kaq shumë vende të botës? Sepse të dyja palët mundohen të jenë ata që do t’i venë vulën gjithçkaje. Askush nuk dëshiron që ta mbyllë ciklin e hakmarrjes. Sepse për ta mbyllur duhet HIR. Në rast se ti e vret mikun tim, edhe unë do të vras mikun tënd, ndoshta një më shumë apo dy, thjesht për të treguar se jam unë që i kontrolloj gjërat. Kjo dhunë e pakuptimtë ushqehet me një gjendje që e quajmë: MUNGESA E HIRIT.
Por MUNGESA E HIRIT është diçka që gjendet jo vetëm në vendet me histori lufte. MUNGESA E HIRIT është gjendja në të cilën janë shumë prej marrëdhënieve tona personale.
A ju kujtohet se çfarë ndodhi para disa vitesh, kur tetë shkencëtarë iu nënshtruan një eksperimenti izolues dy vjeçar në një biosferë në Arizona. Të gjithë këta ishin shkencëtarë të përkryer. Ata kishin kaluar më parë nëpër testime psikologjike rigoroze. Ishin përgatitur sa më mirë. Të gjithë hynë në këtë eksperiment në dijeni të sfidave. Por brenda disa muajve, bio-nautët, sikurse u quajtën, u ndanë në dy grupe kundërshtare me nga katër persona, dhe kaluan muajt e fundit të eksperimentimit pa i folur fare njëri-tjetrit. Ata jetuan në një gjendje që e quajmë mungesa e hirit.
Ne notojmë në një botë ku HIRI mungon kaq shumë sa që thjesht i pranojmë gjërat ashtu siç janë. Kështu ka qenë që prej rënies së njeriut të parë në mëkat. Fundja fare, njerëzit nuk e falin njëri- tjetrin në mënyrë të natyrshme. Ata nuk i lenë pas mëritë.
Ndonëse ne e mendojmë hirin si diçka shumë të bukur, ka plot njerëz të tjerë që e shohin hirin si diçka tepër shpirtërore( që i takon një bote tjetër) dhe nuk mund të funksionojë në shoqërinë tonë. Dhe kështu sugjerimi se Perëndia funksionon në bazë të hirit bie ndesh me parimet e botës. Në fakt, le të jemi të sinqertë. Njerëzve mëkatarë mungesa e hirit ju duket diçka normale, ndërsa hiri ju duket diçka e padrejtë. Po kjo është fjala e saktë: e padrejtë. Shumë prej nesh kanë probleme me hirin sepse iu duket i padrejtë.
Më lejoni ta ilustroj këtë me një histori të Xhefri Dahmer (Jeffrey Dahmer). Ndoshta e ke dëgjuar si emër. Xhefri Dahmer ishte një vrasës në masë shumë i njohur. Ai vrau shtatëmbëdhjetë djem të rinj. Por nuk e la me kaq, ai madje kreu veprime kanibalizmi.
Në intervistën që i bënë pas arrestimit, ai pranoi se nuk kishte asnjë arsye që e shtyu të bënte këtë. Ai thjesht hyri në këto akte të rëndomta dhune. Disa veprime të vogla ligësie çuan drejt veprimeve më të mëdha të ligësisë dhe në fund e shtynë drejt vrasjes dhe më keq akoma drejt kanibalizmit.
Xhefri Dahmer u dënua me burgim të përhershëm. Pas disa vitesh pas hekurave, Dahmerin e rrahu për vdekje me një shkop, shoku i qelisë.
Por a e dini se disa muaj para se të vritej, Dahmeri u bë i krishterë?! Në një intervistë që u regjistrua shumë javë para vdekjes së tij, Dahmeri tha se ishte pagëzuar dhe qysh atëherë kishte filluar të lexonte tërë kohës materiale rreth besimit. Kapelani i burgut pohoi se Dahmeri ishte një prej njerëzve më besnikë në takime.
Po, unë e di se disa njerëz e pranojnë besimin në burgje për disa arsye që duken jo shumë fisnike. Vetëm Perëndia e njeh integritetin apo vërtetësinë e besimit tonë. Por unë dua të theksoj se shumë njerëz nuk mbetën të kënaqur kur dëgjuan për fjalët e Dahmerit. Në fakt, ata shpresonin se regjistrimi e Dahmerit NUK ISHTE e vërtetë. Përse? Sepse shumica e njerëzve besojnë se një person duhet të marrë faljen e Perëndisë vetëm kur e meriton.
Tani kemi mbërritur në thelb të problemit. Hiri në vetvete është skandal. Pse e them këtë? Sepse HIRI duket kaq i PADREJTË. Është E PADREJTË që Xhefri Dahmer (Jeffrey Dahmer) të mos përballet me zjarrin e ferrit për atë që bëri. Hiri e ngatërron konceptin që kemi për drejtësinë. Hiri ngatërron konceptin tonë për një lojën e ndershme. Qëllimi ynë nuk është të sjellim fjalën hir pranë dikujt që kryen krime të neveritshme. Po sikur, po sikur, hiri të lejojë që ata të mos i nënshtrohen plumbit të merituar të drejtësisë hyjnore për krimin e kryer?!
Le ta pranojmë se kështu do të tentojmë, që të PËRMIRËSOHEMI mbi hirin. Ne do të heqim qafe ekstremet turpëruese të hirit. Ne do ta mbajmë HIRIN, për njerëzit e mirë, njerëz si vetja jonë. Ne do ta bëjmë hirin për njerëzit që e FITOJNË! Po thellë brenda vetes themi, kështu duhet të jetë, HIRI I PERËNDISË DUHET FITUAR. Kjo është e vetmja mënyrë për të mbajtur larg mbretërisë së Perëndisë kriminelët! Kush është ai që dëshiron të zbulojë se në banesat qiellore do të jetë fqinj me një ish të burgosur, apo vrasës, apo shantazhist që ka hyrë në Hirin e Perëndisë. Ti thua: “Jo nuk mund të rri pranë tyre! Ndaj vendosim të tregojmë hir për njerëzit që e meritojnë! Sepse duam që ta shpëtojmë Perëndinë prej planit të Tij ekstrem të shpëtimit. Perëndi, me siguri Ti nuk e ke seriozisht! Ti ndoshta nuk dëshiron realisht të ofrosh ungjillin e hirit. Zot, ne duam të të shpëtojmë nga kjo që po bën! Por çfarë zbulojmë? Se në përpjekjet tona për të përmirësuar hirin, ne veç e kemi shkatërruar atë.
SI PUNON PERËNDIA?
A ka mundësi që Perëndia të punojë në një mënyrë kaq të çuditshme dhe të padrejtë? Si ka mundësi që kjo mënyrë operimi na duket e çuditshme neve, por nuk i duket Perëndisë? Atëherë kontrollo edhe një herë fjalët e Palit te letra e Romakëve, kapitulli 4.
Atje Pali ngre një rast studimi për një njeri të Perëndisë, me emrin Abraham. Ai është Ati shpirtëror i të gjithëve ne. Atëherë përmes shembullit të tij, do të kuptonim shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh i mirë sa duhet për Perëndinë.
Tani e vërteta është, se Abrahami bëri shumë gjëra fisnike. Ai e fshehu në zemër zërin e Perëndisë dhe udhëtoi drejt tokës që i tregoi Ai.
Ai e shpëtoi nipin e tij Lotin prej vdekjes së sigurt në qytetin e Sodomës. Ai i ofroi dhurata shumë të mira kryepriftit Melkizedek. Abrahami bëri shumë gjëra të mëdha. Në kohën e Palit ka pasur njerëz të cilët kanë thënë se pikërisht gjërat e mira që Abrahami bëri e bënë atë të drejtë para Perëndisë.
Por e vërteta është se Abrahami veç të mirave, bëri shumë gabime. Ai u mundua të shpëtonte kokën e vet duke i ofruar gruan faraonit, si një argëtim më shumë në haremin e tij. Ai u mundua të merrte në dorë kontrollin e jetës së vet, për të përmbushur premtimet e Perëndisë, duke marrë si grua të dytë shërbëtoren e tij, duke e futur nw telashe familjen. Pra kur e shohim nga afër, as Abrahami, ati i besimit tonë, nuk ishte i mirë sa duhej për Perëndinë.
Pra si e mbajti Abrahami marrëdhënien e tij me Perëndinë? Po Pali thotë se marrëdhënia e Abrahamit me Perëndinë bazohet në hir, në hirin hyjnor, kështu e pranoi besimin Abrahami.
Perëndia i dha një premtim për të ardhmen. Abrahami e besoi. Perëndia i premtoi një bir. Abrahami besoi se përmes tij e gjithë bota do të bekohej. Abrahami besoi.
Së fundi, Perëndia dha premtime që do të realizoheshin me ardhjen e Birit të Perëndisë, Jezus Krishtit. Abrahami besoi.
Ti e pyet Palin “kaq ishte?” “Po kaq”, përgjigjet Pali.
“Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo ju llogarit Atij për drejtësi.” Abrahami i besoi premtimit që erdhi veç prej HIRIT, dhe ai zuri vendin e tij si fëmijë i Perëndisë! Dhe Abrahami nuk bëri asgjë tjetër veç, REAGIMIT ndaj premtimit. Bindja buroi prej hirit dhe jo anasjelltas.
Dhe në rast se kjo vlejti për Abrahamin, atin e gjithë besimtarëve, atëherë është po aq e vërtetë edhe për ne. Atëherë kjo është një mundësi e hapur për të gjithë, të gjithë mund të bëhen të drejtë para Perëndisë, përmes hirit, me anë të besimit. Kombësia jote nuk ka rëndësi, as statusi yt social, as reputacioni, apo sa i mirë i je, apo sa keq është katandisur jeta jote. Në rast se këto gjëra do të kishin rëndësi, atëherë hiri nuk do të kishte më rëndësi!
Është hiri mahnitës që na shpëton: hir që Perëndia e shfaqi për ne kryqin e Kalvarit. Ky hir fundja fare është shfaqur në një Shpëtimtar, që dha jetën e tij për njerëzit që ishin larguar prej Perëndisë. Dëgjo se çfarë thotë Pali te Romakëve 5:8 ” Por Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” Perëndia nuk priti derisa të bëheshim të mirë sa duhet.’ Ndërkohë që ishim ende armiq të Perëndisë, shkruan Pali, Krishti na pajtoi me veten.
Kjo na përul. Kjo largon çdo shpresë tonën se mund të shpëtohemi vetë( sh i p. përmes asaj që bëjmë). Hiri i Perëndisë që duket skandal është shpresa jonë e vetme.
HIR PËR TU PËRBALLUR ME VETEN DHE PERËNDINË
Para pak kohësh, një miku im pastor, në Nju Jork, Xhim Van Tholen zbuloi se kishte kancer. Zbulimi i kancerit nuk është diçka e pazakonshme. Por ky pastor ishte në mes të tridhjetave kur kanceri agresiv e goditi dhe e largoi prej foltores së predikimit për një kohë të gjatë. Trajtimet e kimioterapisë rezultuan pjesërisht të suksesshme. Kur Xhimi iu kthye predikimit, e dinte se ishte drejt fundit të jetës.
Predikimi i parë pas kthimit të tij titullohej: “Befasuar prej Vdekjes”. Në atë predikim ai tregoi se ishte i frikësuar. Por jo prej kancerit. As prej vdekjes. Xhimi kishte frikë të takohej me Perëndinë. Ndoshta mendon, si ka mundësi që një pastor ka frikë të takohet me Perëndinë? Arsyeja e vetme ishte ajo që Xhimi e quajti, skandali i hirit. Skandali i hirit, thotë se unë nuk mund të BËJ asgjë për tu drejtësuar me Perëndinë. Skandali i hirit thotë se dashuria e Perëndisë NUK MUND të fitohet. Jo, as prej një predikuesi. Asgjë nuk mund të bëjë ty të drejtë para Perëndisë, as bërja e një shkolle biblike, apo pastorimi i kishave. As të pasurit e titullit pastor, nuk do të japë ty notën kaluese për te Perëndia.
Xhimi tha: unë mendoja se do të kalonin vite para se të takohesha me Perëndinë. Por ja që nuk më ka mbetur edhe shumë kohë. Veç disa muaj. Unë do ta takoj Perëndinë shumë shpejt. Dhe nuk kam kohë mjaftueshëm për të zhbërë gabimet e mia, dhe për të ndrequr shtrembërimet dhe për të pastruar jetën time. Jo. Për herë të parë në jetën time, unë kam nevojë të predikoj HIRIN dhe jo vetëm ta besoj por edhe të prehem në të, të varem në të, ta vë gjithë jetën time mbi të.
Xhimi nuk e bazoi jetën te thirrja, sakrifica apo veprat e tij të mira, por në hirin e Perëndisë. Xhimi nuk kishte zgjidhje tjetër.
Po kështu edhe ne. E dini se çfarë tha Xhimi pak para se të vdiste: “Hiri i Jezus Krishtit na mbart përtej çdo mëkati, divorci, apo shqetësimi që kemi.”
A jemi të mirë sa duhet për Perëndinë? Unë nuk jam. As ti. Dhe nuk do të jemi kurrë. Por nuk ka problem. As për Perëndinë dhe as për botën ku fjala HIR është vendimtarja. Amen