Kërkimi i suksesit
Agjërimi mund të ndihmojë grupet e njerëzve për të zbuluar drejtimin e Perëndisë . Po ashtu agjërimi mund të ndihmojë dhe individët të cilët kanë nevojë që Perëndia tu tregojë se çfarë të bëjnë. Në historinë e sotme shfaqet Nehemia, që kishte një problem. Ai mbante një pozitë të lartë qeveritare, si asistent personal i drejtuesit të perandorisë persiane. Por Nehemia ishte një jude në mërgim, dhe zemra e tij dhembte për popullin e atdheun e tij. Jeruzalemi ishte shkatërruar dekada më parë, dhe populli ishte në mërgim. Së fundmi një numër judenjsh ishin kthyer në atdhe por muret e Jeruzalemit ishin në rrënoja dhe njerëzit mbetën të çorganizuar. Ata kishin nevojë për drejtues politikë të talentuar. Nehemia mendoi se ai mund të ishte drejtuesi i duhur në këtë situatë, por ai tashmë kishte një punë dhe nuk ishte e lehtë të dilte prej saj.
Ai nuk mund të shkonte thjesht te shefi, mbreti i Persisë dhe të thoshte, “Jap dorëheqjen.” Kjo mund t’i sillte vdekjen. Mbretërit persianë, sundonin me pushtet absolut, dhe një lëvizje e gabuar do të ishte për të fatale. Si mendon çfarë duhet të bëjë Nehemia? A duhet thjesht të qëndrojë në punën e tij atje ku është, e të shpresojë që dikush tjetër të marrë drejtimin e situatës në Jeruzalemin e largët? Apo duhet t’i kërkojë mbretit lejë për tu larguar prej kryeqytetit persian, e të shkojë të marrë drejtimin e Jeruzalemit dhe të drejtojë një projekt rindërtimi?
Nehemia vendosi të agjërojë e të lutet. Ai e bëri këtë vetë. Nuk i kërkoi mbretit apo komandantëve të tjerë të agjëronin me të apo të bashkohen me të në një takim lutjeje. Ata i përkisnin një tjetër besimi dhe nuk besonin te Perëndia i tij. Gjithsesi ai mund të kërkonte vetë drejtimin e Perëndisë, që Ai të udhëzonte mbretin në një mënyrë të favorshme për të. Nehemia shkruan në kapitullin e parë vargjet 4-7,
Pastaj mbajta zi disa ditë me radhë, agjërova dhe u luta përpara Perëndisë të qiellit.
Dhe thashë: “Të lutem shumë, o Zot, Perëndia i qiellit, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që i qëndron besnik besëlidhjes dhe ke mëshirë për ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,
qofshin veshët e tua të vëmendshëm dhe sytë e tu të hapur për të dëgjuar lutjen e shërbëtorit tënd që tani ta drejton ty ditën dhe natën për bijtë e Izraelit,
shërbëtorë të tu, duke rrëfyer mëkatet e bijve të Izraelit, që ne kemi kryer kundër teje. Po, unë dhe shtëpia e atit tim kemi mëkatuar.
Jemi sjellë shumë keq me ty… (4-7)
Nehemia dëshironte nga Zoti drejtim për veten dhe prekje të zemrës së mbretit, por së pari duhet ta nderonte atë dhe të shprehte keqardhje dhe pendim për mëkatin. Teksa vazhdonte lutjen, Nehemia i kujtoi Perëndisë, premtimin që ky vetë kishte dhënë se do ta falte popullin po që se pendohej e kthehej tek ai. Më pas ai u lut specifikisht, “Jepi mbarësi shërbëtorit tënd” kur të përballet me mbretin dhe që ai të ketë qëndrim sa më të mirë për këtë çështje.
Ai ende nuk ishte i sigurt se kur duhet të fliste me mbretin. Ai ende nuk e dinte mirë se çfarë duhet të thoshte nëse i jepej rasti. Por ai ishte në dijeni për mundësitë dhe u mbështet në drejtimin e Perëndisë. Një ditë mbreti e pyeti atë, nëse kishte diçka që e shqetësonte. Perëndia i dha Nehemias fjalët e duhura dhe bëri që mbreti të pranonte kërkesën e tij. Sikurse Nehemia shkroi më vonë, “për shkak se dora e hirshme e Perëndisë ishte mbi mua, mbreti i plotësoi kërkesat e mia.” Perëndia hapi mundësinë që Nehemia të shkonte në Jeruzalem. Atje Ai bëri një detyrë të shkëlqyer për qeverisjen e popullit dhe drejtimin e punimeve për rindërtimin e qytetit.
Po ti a ndjek ndonjëherë qëndrimin e Nehemias? A agjëron ndonjëherë për të kërkuar drejtimin e Perëndisë, dhe lutesh që Perëndia të të japë ty sukses? Suksesi shpesh bazohet tek zgjedhja e mënyrës së duhur të veprimit, zgjedhjes së fjalëve të duhura në kohën e duhur. Po ashtu të lejosh Perëndinë të përgatitë rrethanat dhe njerëzit e tjerë të përfshirë, që të pranojnë fjalët e tua dhe të mbështesin veprimet e tua.
Ta jetosh jetën pa ndihmën e drejtimin e Perëndisë është njëlloj sikur të ngresh një avion pa karburant dhe pa sistem drejtimi. Pa fuqi ti nuk mund ta ngresh atë nga toka, dhe pa drejtim nuk mund të shkosh atje ku duhet. Por kur dora e hirshme e Perëndisë është mbi ty, Ai të jep sukses.
Të duash drejtimin e Zotit nuk do të thotë thjesht që Perëndia të të tregojë se çfarë të bësh, e ku të shkosh, dhe më pas të ndjekësh urdhrat e tij. Të duash drejtimin e Zotit do të thotë të duash të jesh me Të, e ta kesh Perëndinë pranë vetes tërë kohës. Do të thotë të mos duash të shkosh askund pa Perëndinë. Do të thotë që ti bësh të tuat prioritetet e tij, strategjitë e tij, vullnetin e tij, fuqinë e tij, e në fund të bësh tëndin, suksesin e tij. Me këto fjalë je në gjendje të thuash: “Për mua të jetuarit është Krishti.” (Filipianëve1:21) Të duash vullnetin e Perëndisë do të thotë të duash që Krishti të shkojë para teje e të përgatisë rrugën, Krishti të jetë pranë teje për të qenë miku yt dhe forca jote, Krishti mbi dhe përreth teje, për të të mbrojtur, Krishti pas teje, për të marrë çdo të mirë që ke bërë dhe ta themelojë e shumëfishojë atë edhe atëherë kur ti nuk je më atje.
Çfarë lloj shenjash?
Shpresoj që me materialin tonë të kemi bindur se kur përballesh me vendime të rëndësishme, ti duhet të agjërosh e të lutesh për drejtimin e Perëndisë. Por sërish ti mund të pyesësh, “Si e komunikon Perëndia se cilin vendim të marr? E zëmë se unë lutem dhe agjëroj. Si ta kuptoj se çfarë është duke më thënë Perëndia mua? Cilat janë disa prej shenjave që Ai dërgo?”
Bibla tregon për një kohë kur Perëndia foli në një zë të qartë apo kur ai drejtoi popullin përmes shenjave të qarta dhe mbinatyrore. Kur Perëndia shpëtoi Izraelitët prej skllavërisë dhe i drejtoi ata për në tokën e Premtuar, Bibla thotë se Perëndia i drejtoi ata në udhëtimin e tyre me anë të një reje të veçantë. Njerëzit mund të shikonin gjithmonë renë, ditën madje edhe natën, kur ajo shkëlqente si një zjarr. Marrja e vendimeve ishte e lehtë; njerëzit thjesht bënin atë që bënte reja. Sa herë që reja fillonte të lëvizte, njerëzit e ndiqnin. Kur ndalonte, ata ndaleshin dhe ngrinin çadrat e tyre. Ata qëndronin në vend për sa kohë që reja qëndronte, qoftë për një ditë, apo një muaj, a një vit. Dhe në çastin që reja lëvizte sërish, si gjatë ditës a në mes të natës, ata ngriheshin menjëherë dhe e ndiqnin. Ata e dinin ekzaktësisht kur Perëndia dëshironte që ata të lëviznin dhe se ku donte Ai që të shkonin. (Numrat 9:15-23)
Më pëlqen shumë kjo histori reale. Por unë sot nuk shoh ndonjë re të veçantë që të më drejtojë. Kur më duhej të zgjidhja degën e studimit, nuk dija se në cilin fakultet do të shkoja. Mirëpo sipër shtëpisë sonë nuk kishte asnjë re që të lëvizte drejt shkollës ku supozohej se duhet të shkoja. (Hahahaaa!)
Ma merr mendja ti je në të njëjtën situatë. Kur ti pyet veten nëse duhet të blesh një shtëpi të re apo të lëvizësh në një qytet tjetër, do të duhet ta bësh atë vendim pa drejtimin e ndonjë reje.
Një tjetër histori e Biblës na tregon se si Perëndia e drejtoi Palin në një prej udhëtimeve të tij misionare. Pali me shokët e tij donin të predikonin në një zonë të caktuar, por Fryma e Shenjtë i parandaloi ata. Ata u munduan të hynin në një tjetër zonë, por Fryma e Jezusit nuk i lejonte. Atëherë Perëndia i tregoi atyre ekzaktësisht se ku duhet të shkonin. “Gjatë natës Palit iu shfaq një vegim. I rrinte para një burrë Maqedonas, që i lutej dhe i thoshte: “Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo”. (Veprat16:9) Pali dhe miqtë e tij u drejtuan për në Maqedoni, duke dalë në përfundimin se Perëndia i kishte thirrur ata të predikonin ungjillin atje.
Sërish duket një histori mahnitëse por sa prej nesh kanë vizione mbinatyrore, që drejtojnë vendimet tona? Le të mos e përjashtojmë mundësinë e vizioneve, apo të themi se kjo ishte e mundur vetëm në kohët biblike. Katërqind vite më parë, pas vizionit të Palit, një ëndërr e ngjashme i erdhi një pastori britanik me emrin Patrik. Ai dëgjoi zëra në gjuhën irlandishte që e thërrisnin të shkonte në Irlandë, kështu që Patriku shkoi në Irlandë dhe pati një ndikim të madh atje. Është e mundur që Perëndia të komunikonte përmes këtyre vizioneve në çaste kyçe të historisë, por dhe pse janë të mira, këto vizione janë të rralla. Kur je duke pyetur veten për një punë apo për karrierën tënde, ndoshta nuk do të kesh vizione mbinatyrore, ku Perëndia të thotë çfarë duhet të bësh. Kur je para një vendimi se me kë të martohesh, ti ndoshta nuk do të kesh një vizion të atij personi, të veshur me vello nusërie apo kostum dasme, që të thotë: “ Unë jam personi me të cilin Perëndia dëshiron që ti të martohesh!”.
Perëndia nuk premton se do të sigurojë një re apo një vizion për të drejtuar popullin e Tij në çdo vendim. Por Perëndia ka premtuar se do t’i drejtojë ata që i besojnë Atij. Çështja nuk është a siguron drejtim Perëndia; sepse Ai siguron. Çështja është si? Si mund të drejtohem prej Perëndisë? Si mund të ndjek drejtimin e tij e të përjetoj bekimet e tij?
Zoti drejton shtigjet e tua, Ai jep shenja specifike. Flet përmes Biblës, rrethanave e miqve të tu. E ndonjëherë ta le ty në dorë vendimin. Për më shumë rreth kësaj do të flasim herën e ardhshme. Mos e humbisni!