Print

Titulli: I uritur për liri 1

Nëse dëshiron të shkosh në ushtri, ti duhet të kalosh trajnime bazë, dhe kjo mund të jetë e vështirë. Nëse je në ushtri dhe dëshiron të bashkohesh me njësinë e operacioneve speciale, trajnimi është akoma më i vështirë. Trajnimi për këto njësi elitare, zgjat shumë muaj, dhe përfshin shumë sfida ekstreme. Një prej mundimeve më të mëdha është ajo që disa e quajnë  Java e Ferrit. Java e ferrit zgjat mbi pesë ditë, në të cilat ti fle në total katër orë. Ti duhet të vraposh distanca të mëdha, të durosh motin e keq, apo ujin e ftohtë për periudha të gjata,  të notosh nën pesëdhjetë metra thellësi pa marrë frymë, të qëndrosh pezull mbi ujë, me duart dhe këmbët e lidhura, dhe të zvarritesh përmes vendeve me eksploziv përreth teje. Kur je i lodhur dhe sapo ke rënë në shtrat për të fjetur, dikush të zgjon papritur dhe të detyron të stërvitesh sërish, kësaj here më shumë. Vetëm personeli ushtarak  më i vendosur tenton të hyjë në këtë njësi ushtarake dhe për ata që guxojnë rezultati është që, katër në pesë persona e lënë këtë njësi para se të kenë mbaruar trajnimin.

Ata që e çojnë deri në fund trajnimin, dhe bashkohen me njësinë operative janë padyshim njerëzit më të vendosur dhe më të rrezikshëm në botë. A janë ata vetëm gjigantë me muskuj? Jo, ata  zakonisht janë me përmasa e trup mesatar. Sigurisht që ata janë të fortë dhe në formë të mirë fizike, por ajo që i dallon me të vërtetë këta persona është forca e tyre mendore. Teksa kufiri shtyhet akoma më tej, ata zbulojnë se mund të bëjnë gjëra që më parë i mendonin të pamundura. Ata e shtyjnë trupin e tyre të vazhdojë edhe kur janë të uritur, dhe të vdekur për gjumë. Përmes këtij trajnimi të vështirë, ata mësojnë t’i thonë “jo” dëshirave të tyre dhe të vazhdojnë çfarë kanë nisur pavarësisht të tjerave. Ata fitojnë siguri se mund ta realizojnë misionin e tyre pavarësisht motit të keq, armiqve më të këqij, mungesës së gjumit, ushqimit, dhe ngrohtësisë, apo ndjenjës së mjerimit.

Kjo pamje na tregon se çfarë do të thotë trajnim në perëndishmëri. Nëse ti i thua “jo” vetes, nëse ngulmon përballë vështirësive, nëse mund të përballesh me presionin dhe sulmet prej armikut, atëherë mund të kesh sukses në misionin që Perëndia të jep ty. Por nëse dominohesh prej dëshirave dhe instinkteve të tua, apo nëse të mungon vendosmëria dhe forca për të mposhtur sfidat, ti nuk do të jesh pjesë e fitores së Jezusit mbi të ligun dhe Satanin. Për të ndjekur drejtimin e Jezusit pa hequr dorë, duhet të kesh perëndishmëri.

Perëndishmëri do të thotë që jeta e Perëndisë sundon mbi jetën tënde; është karakteri dhe fuqia e Perëndisë që vijnë tek ti si dhuratë e tij. Kur Fryma e Shenjtë të jep atë dhuratë, nuk është thjesht diçka që ti e ke, por diçka të cilën ti e ushtron dhe e zhvillon. Sa më shumë e ushtron, aq më shumë liri fiton përtej limiteve të tua të vjetra, aq më i aftë bëhesh për të zgjeruar lirinë e dhënë prej Perëndisë,  kundër forcave skllavëruese të të ligut.  Në agjërim ti i thua jo dëshirave të tua natyrore për ushqim, kjo është pjesë e të ushtuarit në perëndishmëri.

Agjërimi mund të duket, si diçka shumë larg lirisë, por e vërteta është se ai mund të ndihmojë shumë për lirinë. Ne priremi të mendojmë se liria nuk na shtyn asnjëherë të bëjmë gjëra që nuk duam t’i bëjmë, por shpesh liria më e madhe vjen kur je në gjendje të bësh gjëra që  nuk të pëlqen t’i bësh, apo që besoje se nuk mund t’i bëje.

Liria përfshin aftësinë për të vepruar bazuar në zgjedhjet e formuara prej urtësisë, në vend që të veprosh si një skllav i nxitjeve e dëshirave, forcave dhe presioneve që ne nuk mund t’i kontrollojmë. Për të forcuar karakterin tënd dhe zgjeruar lirinë, konsidero praktikën e agjërimit.

Mendo për ata që trajnohen për një njësi operative speciale. Po të ishe duke parë burrat në trajnim, ti mund të mendoje se disiplina e tyre ekstreme ishte e kundërta e lirisë. Por e vërteta është se këta burra të trajnuar rigorozisht dhe shumë të disiplinuar janë të lirë të arrijnë gjëra që njerëzit më pak të disiplinuar as nuk i ëndërrojnë se mund t’i bëjnë. Kështu është edhe me agjërimin. Të qëndrosh pa ushqim për pak kohë dhe t’i rezistosh oreksit tënd, mund të duket si legalizëm dhe jo si pavarësi, si mjerim dhe jo si liri. Por agjërimi mund të ndihmojë të arrish atë që ke menduar se ishte e pamundur, dhe të çlirojë që të bëhesh ashtu si Perëndia dëshiron.

Sa të lirë jemi ne?

Le të jemi të sinqertë. Shumë prej nesh nuk janë shumë të lirë. Ne mund të kemi njëfarë lirie politike, e ndoshta nuk kemi dikë që na kërcënon me vdekje nëse nuk pajtohemi me të, por realisht sa të lirë jemi? Shumë shpesh jemi skllevër të dëshirave të forta të brendshme , ose kontrollohemi prej rrjedhës së ngjarjeve jashtë nesh. Nga brenda ne ngecemi në dobësitë tona, te zakonet dhe varësitë personale që duket sikur nuk mund t’ i ndryshojmë. Nga jashtë, ne ndiejmë sistemin rreth nesh që na detyron të hyjmë në një kallëp të caktuar, dhe kuptojmë se jemi të vetëm kundër fuqive të mëdha që nuk mund t’i përballojmë.

Ne nuk kemi fuqinë e karakterit për të fituar lirinë prej skllavërisë sonë të brendshme dhe, nuk kemi fuqinë dhe autoritetin për të zmbrapsur forcat jashtë nesh që na sulmojnë vazhdimisht. Nëse nuk kemi fuqi, nuk kemi as liri. Jemi në kurth. Për të qenë fitimtar, e për të shijuar më shumë liri, ne kemi nevojë të drejtojmë zakonet tona të brendshme dhe t’i themi “jo” dëshirave tona. Për këtë kemi nevojë për gjallërinë dhe forcën e Frymës, që të mposhtim fuqitë përtej nesh; fuqinë e Satanit dhe fuqinë e botës që na mban rob të mëkatit e të frikës.

Kjo lloj force dhe lirie mund të gjendet në Jezus Krishtin. Shumë njerëz janë çliruar prej sjelljeve dhe varësive  mëkatare duke e pranuar Krishtin në jetën e tyre. Nëse ende nuk e ke njohur Jezusin dhe nuk ke Frymën e tij brenda teje, atëherë kjo është nevoja jote numër një. Sa më mirë ta njohësh Zotin dhe të qëndrosh nën drejtimin e Tij, aq më e madhe do të jetë liria jote.

Por edhe sikur ti të besosh në Jezusin, ti mund të përjetosh ende disfatën dhe skllavërinë në jetën e përditshme. Ti dominohesh prej dëshirave të tua të brendshme dhe prej rrethanave të jashtme.  Ti nuk mund ta kundërshton tundimin apo t’i thuash jo instinkteve dhe dëshirave, dhe të mungon forca për të përballuar dhimbjen, presionin, dhe pikëllimin. Ti ndoshta je duke vajtur në kishë, e thua gjëra të bukura për Jezusin, por ti nuk je duke jetuar fitoren dhe lirinë e Jezusit. Ti je duke jetuar në disfatë dhe skllavëri.

Mund të ketë arsye të ndryshme për këtë, por ja një mundësi që mund ta shqyrtosh. Ndoshta problemi yt është se ke pak trajnim për të ndjekur Jezusin dhe pak praktikë në vetë disiplinim nën drejtimin e Frymës së Shenjtë të Perëndisë. Nëse nuk mund t’i thuash jo alkoolit apo drogës, nëse nuk mund t’i thuash jo pornografisë dhe epshit, nëse nuk mund t’i thuash jo zemërimit dhe vrullit të tërbimit, nëse nuk mund t’i thuash jo gënjeshtrës  dhe nuk rri dot pa marrë shtegun e kundërshtimit, atëherë praktika e agjërimit mund të jetë mënyra se si Fryma e Shenjtë, të trajnon në vetëkontroll dhe të aftëson t’i thuash jo nxitjeve mëkatare. Nëse je i etur për liri, besoji Jezusit dhe shqyrto agjërimin dhe pjesë të trajnimit që Ai siguron për ty. Jezusi thotë, “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”. Pra, nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë.” (Gjoni 8:31-32, 36)

Këtu më duhet të ndahemi. Do te vazhdojmë temën tone herën e ardhshme. Deri atëherë mire u dëgjofshim!