Print

Titulli: I uritur për liri (pjesa 2)

Shmangia e rreziqeve

Agjërimi mund të jetë një mënyrë e vlefshme për të kërkuar fuqizimin e Perëndisë për vetëkontroll dhe liri, por njëkohësisht mund të keqkuptohet apo të jetë e rrezikshme. Prandaj para se të shikojmë përfitimet, le të vërejmë së pari disa prej rreziqeve që duhen shmangur teksa dëshiron fort lirinë.

Një prej rreziqeve është të mendosh se trupi yt është i keq dhe fryma jote është e mirë dhe të mendosh se sa më i keq të tregohesh më trupin tënd, aq më i lirë do të jetë shpirti yt për shenjtërinë dhe perëndishmërinë. Është tejet e gabuar të mendosh kështu. Trupi njerëzor është një pjesë po aq e rëndësishme e krijimit të Perëndisë sa është fryma njerëzore, dhe mëkati e përdredh shpirtin aq shumë sa tundon edhe trupin.

Disa besime mësojnë se ” kur trupi është i keq, shpirti është i mirë.” Ata mësojnë se njerëzit më të shenjtë duhet të ndjekin skema të sakta agjërimi, duhet të shmangin ushqimet jo të shenjta tërë kohës, dhe të shmangin martesën dhe bashkimin seksual. Por Bibla thotë se këto mendime kundër ushqimit, martesës dhe trupit vijnë prej demonëve dhe “ gënjeshtarëve hipokritë” (1 Timoteu 4:1-2)

Perëndia krijoi ushqimin. Perëndia krijoi martesën. Perëndia krijoi trupin dhe dëshirat e tij, dhe qëllimi përfundimtar i Perëndisë për njerëzimin, nuk është të çlirojë shpirtrat tanë prej trupave, por të ngrejë trupat tanë që të jetojnë përgjithmonë ashtu siç ngriti trupin e Jezusit. Prandaj trajtoje trupin apo bekimet fizike, si gjëra të këqija. Falënderoje Perëndinë për ato. ” Sepse çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe asgjë s’është për t’u hedhur, nëse merret me falënderim, sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja. (1 Timoteu 4:4-5)

Përbuzja e trupit tuaj dhe keqtrajtimi nuk është një mënyrë për të forcuar frymën tuaj. Nëse dëshiron të jesh i lirë prej mëkatit dhe zakoneve të këqija,ti mund të agjërosh, por mos e bëj për të dëmtuar trupin tënd. Bëje për të ndihmuar Frymën. Agjërimi i bërë si duhet mund të jetë i shëndetshëm për trupin; nuk duhet bërë për të lënduar trupin. Kur grupet dhe drejtuesit fetare keqtrajtojnë trupin në shumë mënyra dhe pohojnë se kjo është për të pastruar shpirtin, mos i beso. ” Këto gjëra kanë ndonjë dukje diturie në devotshmërinë e zgjedhur vullnetarisht, në përulësinë e rreme dhe në trajtimin e ashpër të trupit, por nuk kanë asnjë vlerë kundër kënaqësisë së mishit. ” (Kolosianëve 2:23)

Agjërimi i përshtatshëm mund të ketë vlerë, për të na mësuar që t’i themi “jo” vetes dhe të kemi nën kontroll dëshirat tona të ndryshme, por kjo ndryshon shumë prej trajtimit të trupit në mënyrë të ashpër. Në kultura të ndryshme, ka pasur njerëz të cilët jo vetëm shkuan në ekstreme të rrezikshme me agjërimin por, po ashtu e rrahën veten, dhe u zvarritën derisa gjunjët iu bënë gjak, ose e varën veten në grepa për një farë kohe duke shpuar mishin e tyre. Ata menduan se shkaktimi i dhimbjes në trupin mund t’i pastronte ata prej mëkateve dhe mund t’ bënte ata më shpirtërorë.

Një trajtim kaq i ashpër i trupave tanë, është marrëzi dhe ligësi. Ai mohon mirësinë e trupit si krijim i Perëndisë dhe si tempull i Frymës së Shenjtë. Po ashtu dënon mjaftueshmërinë e dënimit të Jezusit dhe mundohet të fitojë miratimin e Perëndisë përmes vuajtjeve tona në vend që t’i besojmë sakrificës së Jezusit. Abuzimi me trupin tënd nuk i ndalon dëshirat e tua mëkatare, veçse e ofendon Perëndinë, Krijuesit dhe mohon Jezusin si Shpëtimtar. Nëse e përçmon trupin dhe i shkakton dhimbje për të pastruar ndjenjat e fajit, agjërimi më shumë dëmton se sa ndihmon.

Po kur ushtarakët kalojnë ushtrime të vështira si pjesë e trajnimit të tyre për njësinë e forcave speciale, a është qëllimi që të dëmtojnë trupin e tyre? Jo, ata nuk durojnë privimin e gjumit, apo vrapimet mizore a periudhat e zgjatura nën ujë, për të dëmtuar trupat e tyre.

Në fakt, po të trajtonin trupin e tyre kështu tërë kohës, ata do të sëmureshin dhe do të vdisnin. Testi ekstrem, është vetëm për një kohë të caktuar dhe për një qëllim të veçantë që ata të mposhtin disa kufij të caktuar dhe të përgatiten për të kryer në të ardhmen një mision në rrethana të vështira. Ky është një test i përkohshëm, nuk është një mënyrë jetese. Në të njëjtën mënyrë, një i krishterë mund të hyjë në një agjërim më të gjatë dhe më të vështirë për një arsye të veçantë, por kjo është veç e përkohshme, dhe duhet të jetë shumë e rrallë. Çdo model i rregullt agjërimi duhet të përfshijë agjërimin e shkurtër nga një deri tri ditë, për të mos hequr dorë prej një trupi normal e të shëndetshëm.  Ose nëse dëshiron të kesh një agjërim më të gjatë, atëherë bëj një agjërim të pjesshëm: ha tri vakte të shëndetshme në ditë, por hiq dorë prej ushqimeve më të pasura dhe trajtimeve të veçanta, për një periudhë të gjatë kohë.

Ne kemi parë disa paralele mes dy formave të të ushtruarit, atij ushtarak dhe ushtrimit në perëndishmëri, por ki parasysh se midis tyre ka ndryshime të mëdha. Përgatitja për sfida fizike ekstreme, të një misioni ushtarak të veçantë është shumë ndryshe nga ç’kërkohet për një mision shpirtëror. Agjërimi nuk duhet ta shtyjë asnjëherë trupin drejt disa ekstremeve, siç janë ushtrimet e njësive speciale ushtarake.

Një tjetër keqkuptim i rrezikshëm i agjërimit për liri, është kur ky ushtrohet për të kontrolluar vullnetin, përveç fuqisë së Jezusit dhe Frymës së Tij. Ti mund ta shtysh veten për të agjëruar për periudha më të gjata kohe, për të zhvilluar një vullnet më të fortë, e ndoshta të fitosh aftësinë për të kontrolluar dëshirat e tua për ushqimin. Por ky lloj vullneti nuk do të japë fitore mbi mëkatin apo të bëjë ty më të ngjashëm me Jezusin.

Hiri çlirues

Nënshtrimi i natyrës mëkatare është shumë më tepër se sa thjesht nënshtrimi i disa dëshirave trupore, dhe zgjidhja nuk është ndërprerja e forcës tënde të brendshme, por lidhja e saj me fuqinë e Perëndisë. Prano që të mungon fuqia për ta çliruar veten, dhe mbështetu mbi një fuqi më të madhe se sa e jotja- te fuqia e Perëndisë.

Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve,

12  dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë,

13  duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht,

14  i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.

(Titi 2:11-14)

Liria bazohet te hiri, jo te përpjekjet tona. Luftëtarët e lirisë së Perëndisë luftojnë kundër mëkatit, jo kundër trupit. Qëllimi përfundimtar nuk është thjesht të fitojnë vetë disiplinën por të bëjnë të mira pozitive dhe të përgatiten për shfaqjen e këndshme dhe të lavdishme të Jezusit. Atëherë ne do të shijojmë plotësisht,”lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë” (Romakëve 8:21) Frymët tona do të pastrohen plotësisht, trupat tanë do të ngrihen dhe lartësohen , atëherë nuk do të ketë më agjërim por vetëm festë, përgjithmonë festë në gëzimin e Jezusit.

Si mund të na ndihmojë agjërimi përgjatë kësaj rruge pastërtie dhe lirie që çon në lavdi? Ka mënyra të ndryshme në të cilat agjërimi, i bërë në fuqinë e hirit, dhe nxitjes së Frymës së Shenjtë, mund të na ndihmojë ne. Një mënyrë se si agjërimi na ndihmon të çlirohemi prej mëkateve, veçanërisht atyre kronike, apo mëkateve të vartësisë- është se agjërimi na ndihmon të fokusohemi te Perëndia si kënaqësia jonë më e madhe.

Tërë mëkatet mund të përmblidhen në dy mëkate bazë: mos mbështetja te Perëndia për të plotësuar dëshirat tona, dhe përpjekja për ta gjetur kënaqësinë diku tjetër dhe jo te Perëndia.(Jeremia 2:13) Pavarësisht nëse je maniak pas alkoolit apo punës, nëse ke dëshira të shfrenuara për seksin apo ushqimin, pas çdo varësie fshihet dëshira për të plotësuar zbrazëtinë brenda vetes, me diçka tjetër përveç Perëndisë.

Kur bëhesh i krishterë, ti beson te fakti se Jezusi është gjithcka që ke nevojë, se Ai është plotësia e Perëndisë që të është dhënë ty. Ti e pranon këtë me anë të besimit, dhe më pas kërkon që ky realitet të rritet përditë, jo vetëm në besimin tënd por edhe në përvojën aktuale. Agjërimi është një mënyrë për të ndërtuar këtë përvojë e për të hyrë plotësisht në këtë realitet. Në agjërim ti kërkon më shumë prej plotësisë së Perëndisë. Ti e shmang me dëshirë për njëfarë kohe ushqimin e preferuar apo të nevojshëm, me qëllim që të kërkosh gjënë më të rëndësishme: miqësinë me Perëndinë. Mbërthimi i varësisë dobësohet dhe kontrolli  i Perëndisë mbi dëshirat e tua forcohet më shumë, sa herë që i thua jo vetes dhe po Perëndisë, duke besuar se hiri i tij të pranon ty dhe mirësia e tij të kënaq.

Kaq për sot miqtë e mi. Do të doja shumë të flisja më gjatë me ju, por minutave tona u ka ardhur fundi. Mos harroni se do të vazhdojmë këtë temë herën e ardhshme në të njëjtën orë. Deri atëherë, kalofshi sa më bukur.