Print

Titulli: I uritur për ndihmë (pjesa 2)

Bibla shpesh e lidh agjërimin me lutjet për ndihmë në pika kthimi në jetën e një njeriu, apo në kohë krize ekstreme. Po ashtu Bibla tregon se kur njerëzit janë të etur për ndihmë, Perëndia i dërgon ndihmën e Tij. Lidhja jonë me Perëndinë është personale dhe aspak mekanike. Kështu që s’ mund ta përdorim lutjen dhe agjërimin si një mënyrë për të shtypur butonin e Perëndisë që të marrim atë që duam. Perëndia nuk është një makineri shitjeje, ndaj agjërimi dhe lutja nuk do ta detyrojnë Perëndinë automatikisht të bëjë atë që duam ne. Por për shkak se Perëndia është personal, sa më me ngulm t’ia kërkojmë diçka, aq më shumë vëmendje i kushton ai. Sa më shumë ngulmojmë në lutje për të kërkuar ndihmën e tij, aq më shumë i kushton ai vëmendje lutjeve tona.

Agjërimi i devotshëm nuk është një teknikë për të manipuluar Perëndinë. Është një përgjigje ndaj vetë ftesës së Perëndisë. Agjërimi  i mbushur me lutje, është i pëlqyer prej Perëndisë, është mënyra e duhur për të kërkuar ndihmë. Bibla tregon histori të vërteta të njerëzve të cilët patën nevojë të dëshpërueshme për ndihmë në kohë krize, dhe siguruan ndihmën e Perëndisë përmes agjërimit, dhe lutjes. Përshkrimi i librit të Ezdrës, për udhëtimin e rrezikshëm të popullit të Izraelit është një histori e tillë.

“I kemi sytë tek Ti”

Një tjetër histori vjen nga koha e Jozafatit, i cili mbretëronte në Judë disa shekuj para kohës së Ezdrës. Mbreti Jozafat i besonte Perëndisë dhe drejtonte popullin e tij me drejtësi dhe urtësi. Por disa drejtues armiqësorë prej vendeve fqinje, u bashkuan dhe bashkuan ushtritë e tyre për një sulm kundër Jozafatit dhe popullit të tij.

Atëherë Jozafati u tremb dhe filloi të kërkojë Zotin, dhe shpalli një agjërim në gjithë Judën. Kështu ata të Judës u mblodhën për të kërkuar ndihmën e Zotit, dhe nga të gjitha qytetet e Judës vinin për të kërkuar Zotin.

(2 Kronikave 20:3-4)

Ndërsa po agjëronin dhe kërkonin ndihmën e Perëndisë, mbreti u lut:

“O Zot, Perëndia i etërve tanë, a nuk je ti Perëndia që është në qiell? Po, ti sundon mbi të gjitha mbretëritë e kombeve, në duart e tua janë forca dhe fuqia dhe nuk ka njeri që mund të të rezistojë.”

O Perëndia ynë, a nuk do t’i dënosh ata? Sepse ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh; nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tona janë drejtuar te ti”.

Tani tërë burrat e Judës, me fëmijët, bashkëshortet dhe bijtë e tyre, rrinin më këmbë përpara Zotit. (2 Kronikave 20:6,12-13)

Perëndia i pa tërë ato familje të cilat po shpresonin për ndihmën e tij, Ai pa numrin e madh të pushtuesve dhe armët e tyre të tmerrshme dhe vendosi të ndërhyjë. Fryma e Perëndisë foli përmes një profeti dhe tha:

“Mos kini frikë, mos u tronditni për shkak të kësaj shumice të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë. Nesër hidhuni kundër tyre…sepse Zoti është me ju”. (20:15-17)

Kur mbreti Jozafat dhe populli i tij dëgjuan këtë, ata adhuruan Perëndinë. Ditën tjetër ata dolën për tu përballur me armikun, e shkuan duke kënduar: “Kremtoni Zotin, sepse mirësia e tij zgjat përjetë”.” (20:21) pastaj ndodhi diçka. Pushtuesit papritur sulmuan njëri-tjetrin. Në vend që të sulmonin popullin e Perëndisë, këto ushtri masakruan ushtarët e tyre.

Në kohën kur Jozafati dhe populli i Judës shkuan në fushëbetejë, nuk kishte mbetur asgjë veç trupave të pajetë të armikut dhe një pirg me armë, plaçkë dhe sende të çmuara, sa që iu deshën tri ditë për t’i mbledhur. Ajo çka fillimisht u duk si një kërcënim i tmerrshëm për popullin e Judës, në fund i bëri ata më të pasur. Perëndia u dha atyre atë fitore, kjo ndodhi shumë kohë para se dikush të guxonte t’i sulmonte sërish. Ata kishin aq shumë nevojë për ndihmë dhe, Perëndia i bekoi ata.

Agjërimi dhe lutja sollën paqe dhe begati. Historia tregon për kohë të tjera kur agjërimi shpëtoi një komb prej pushtimit.

Në vitin 1756 Britania e madhe u përball me një pushtim të pashmangshëm, dhe mbreti i Britanisë ftoi popullin për një ditë solemne në agjërim dhe lutje. Predikuesi i njohur, Xhon Uesli shkroi në ditarin e tij, “Dita e agjërimit ishte një ditë e lavdishme. Çdo kishë e qytetit ishte mëse plot, dhe serioziteti solemn mbulonte tërë fytyrat e njerëzve. Me siguri Perëndia e dëgjoi lutjen dhe do të kemi qetësi edhe për shumë kohë.” Pushtimi nuk ndodhi.

Sot, ne jemi bërë aq modernë dhe të sofistikuar sa që pak prej nesh do të kishin menduar agjërimin dhe lutjen ndaj Perëndisë për të mbrapsur sulmin dhe parandaluar konfliktin. Disa drejtues në të kaluarën mund të kenë qenë tepër të shpejtë për të barazuar kauzën e Perëndisë me kauzën e tyre, por disa ishin më të shpejtë për të pranuar se ata nuk dinin si të ndalonin gjakderdhjen dhe fatkeqësinë, dhe e kishin më kollaj të thërrisnin njerëzit në agjërim dhe në lutje. Për shembull, gjatë luftës civile në Amerikë, Presidenti Abraham Linkoln bëri një ftesë për agjërim dhe lutje katër herë të ndryshme. Ai nuk pohoi se Perëndia ishte në anën e tij, apo se kuptonte tërë qëllimet e Perëndisë. Ai thjesht donte që njerëzit të shprehnin dëshpërimin e tyre, për atë luftë të tmerrshme që po shkatërronte mijëra njerëz në të dyja palët.  Po në ditët tona a shpall agjërim një qeveri kur përballet me një probleme? A ka ndonjë drejtues që ashtu si Jozafati t’i thotë Perëndisë: “Ne nuk dimë se çfarë të bëjmë por sytë tona janë tek ti.”

Kam dëgjuar për një rast në qeverinë amerikane kur ajo u kërcënua prej terrorizmit dhe sulmit ushtarak, ajo shpalli rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe masa më të rrepta sigurie por nuk bëri ftesë publike për agjërim. Përballë AIDS- it dhe epidemive të tjera, qeveria mund të shpërndajë prezervativë por nuk shpall një agjërim zyrtar. Kjo do të ishte e padrejtë politikisht.

Unë pyes veten se sa shpesh ne si kombe, kisha dhe individë përballemi me probleme që Perëndia mund t’i kthejë në bekime nëse thjesht i lutemi që Të ndërhyjë. Unë pyes veten se sa shumë gjëra të këqija do të ktheheshin në të mirën tonë, sikur vetëm të agjëronim e të luteshim. Nëse nuk jemi të etur për ndihmën e Perëndisë, Perëndia nuk ka për ta dërguar atë. Sikurse e thotë edhe Bibla, “Ju nuk keni sepse nuk kërkoni.” (Jakobi 4:2)

“Për një kohë si kjo”

Gjatë kohës së perandorisë persiane, judenjtë u kërcënuan me shfarosje. Një njeri me influencë me emrin Haman, i dyti pas mbretit të Persisë, i urrente judenjtë dhe dëshironte t’i shfaroste ata. Hamani arriti të merrte autorizimin e mbretit për dekretin që thoshte se judenjtë ishin armiq të perandorisë dhe, caktoi një datë për t’i vrarë të gjithë ata. Kur ky lajm u shpërnda në tërë perandorinë, ” pati një keqardhje të madhe për Judenjtë, me agjërime, me të qara dhe vajtime.” (Esteri 4:3)

Ndërkohë, mbretëresha vetë ishte hebreje, por këtë fakt nuk e dinte as mbreti e as Hamani. Mardokeu, kushëriri i mbretëreshës Ester, e nxiti atë ” të shkonte te mbreti për ta lutur me të madhe dhe për të ndërhyrë pranë tij në favor të popullit të tij” (Esteri 4:8) Mbretëresha u përgjigj se kjo do të ishte tepër e rrezikshme. Për një arsye të vetme, po të zbulonte identitetin e saj, ajo vetë do të ishte në shënjestër të dekretit. Më keq akoma, kishte një ligj strikt, që thoshte se: nëse dikush viziton dhomën e mbretit, pa qenë i ftuar, ai person duhet të vdesë. Një mbretëreshë mund të vritej po aq lehtë sa çdo njeri tjetër, dhe mbreti nuk e kishte thirrur atë prej më shumë se një muaj.  Një përjashtimi ndaj dënimit me vdekje, nëse shkoje pa ftuar, do të ndodhte vetëm në rastin kur mbreti do të shtrinte skeptrin e tij të artë në favor të atij personi.