Në fillim të martesës sonë, gruaja ime dhe unë, kalonim një kohë të mirë miqësie duke gatuar bashkë ndonjë vakt. Ne gatuanim diçka që nuk e kishim bërë më parë, apo nuk e kishim dëgjuar më parë!
Ky ishte veç justifikimi për të kaluar më shumë kohë bashkë, për të qenë me njëri tjetrin.
Tana përgatiste ndonjë ëmbëlsire të veçantë për mua. Më kujtohet se si ajo më sillte ëmbëlsira në tavolinën time të punës, teksa përgatitesha për projektet e mia. Këto ëmbëlsira ishin mënyra e saj për të me thënë “të dua”.
Shumë vite pas martese, një mbrëmje, ne të dy u kthyem të rraskapitur nga puna. Fëmijët ishin të uritur. Tana mendoi që të hanim diçka të ngrohtë, dhe më pyeti a mund të kujdesesha unë për ushqimin. Por unë shkova në dyqan dhe bleva diçka që përgatitej shpejt, salsiçe dhe vezë. (Hahahh) Tani qe mendoj më duket se jam treguar paksa egoist. Isha i gatshëm të bëja diçka për të, por që nuk do të më lodhte shumë.
E solla këtë shembull jo pa qëllim, sepse dua të të pyes ty: Si mendon ku shkon romanca pas martese?
Zjarri i pasionit të parë dhe kënaqësia që do të jemi me te është kaq konsumues sepse kalojmë shumë kohë dhe energji duke menduar çastin që do të takojmë personin që duam. Dëshirojmë fort që të rrimë me të, sepse dimë se jemi bërë për njëri tjetrin, ajo për ty dhe ti për atë.
Pas disa vitesh pyesim: Po ku shkoi gjithë ai pasion?
Shumë prej nesh i njohin mirë marrëdhëniet jetësore, aq sa të kuptojmë se ky nivel pasioni nuk do të dominojë gjithmonë marrëdhënien. Por sigurisht që mund të presim që të një pjesë e tij të zgjasë përgjithmonë, apo jo?
Sot dua që të flasim për romancën dhe intimitetin, përfshi këtu edhe intimitetin seksual sipas qëllimit që Perëndia e projektoi.
Po kështu dua t’ju kujtoj se ky nivel intimiteti ruhet për tu praktikuar në brenda marrëdhënies martesore. Por të gjithë ne, qofshim të rinj a të moshuar, të martuar apo beqarë, ata që dëshirojnë të martohen por edhe ata që dëshirojnë të rrinë beqarë, mund të jenë pjesë e nxitjes së mendimit për intimitetin e duhur dhe të perëndishëm. Kjo vlen veçanërisht përballë kulturës sonë me një këndvështrim shumë të shtrembëruar dhe egoist.
Sikurse e shohim në kapitullin 2 të Zanafillës, qëllimi i perëndisë është të shijojmë plotësisht martesën dhe çdo raport me njerëzit e tjerë. Lumturia dhe ngushëllimi që ndiejmë në praninë e të tjerëve, tërheqja që ndiejmë ndaj një personi kur hyjmë në një marrëdhënie romantike, janë te rëndësishme për ne, si pjesë e të qenit njeri.
Nëse detyra jonë në jetë do të ishte ruajtja e një martese të shëndetshme, shijimi i plotë i saj dhe i marrëdhënieve të tjera, atëherë të gjitha këto do te na plotësonin apo kënaqnin shumë.
Faktikisht, ekzistojnë të gjitha llojet e mundshme të shqetësimeve që i zënë frymën romancës në një martesë të shëndetshme dhe të themeluar mirë. Bill dhe Lynne Hybels shkruajnë diçka për pasionin në martesë, në librin e tyre shumë praktik, “Të përshtatshëm për njeri tjetrin” ( Fit to be Tied). Para së gjithash, paraja bëhet shqetësimi kryesor pas martese.
Kur dalin në takime njohjeje, partnerët mund të jenë më te shkujdesur financiarisht, sepse jetojnë në shtëpinë e prindërve, apo ndajnë qiranë me shokët apo shoqet dhe, shpenzimet janë më të vogla.
Ndërsa në martesë është ndryshe, kur vjen koha për të paguar kredinë, faturat e pajisjeve të dobishme në shtëpi, blerja e pelenave, apo zëvendësimi i lavatrices që u dogj, blerja e një buqetë të madhe trëndafilash nuk është më një dhuratë romantike, por një shpenzim i kotë parash!
Së dyti, kur arrin moshën madhore rritet edhe numri i përgjegjësive. Partnerët jo vetëm mundohen që të përshtaten për jetën së bashku, për fillimin e një pune të re, ngritjen e një biznesi, zhvillimin e karrierës, përgatitjen e ushqimit, larjen e enëve, korrjen e barit të oborrit, shërbesën si drejtues apo plak në kishë. Po kështu shoqërimi i fëmijëve në kopsht, shkollë apo kurset e ndryshme që kanë nuk të le ty si çift shumë kohë për romancë!
Së treti,(dhe kjo ka lidhje të drejtpërdrejte me kohën), nuk na ka mbetur më energji për romancë. Mendo një familje e re që ka shumë punë. Pasi ke larë gjithë enët, pasi ke ndihmuar fëmijët me detyrat e shtëpisë, dhe i vë në shtrat për të fjetur, të ka mbetur pak energji,aq sa për te shtypur telekomandën, para se të ketë zënë gjumi në divan!
Së katërti, disave prej nesh, kjo mund t’i duket e vështirë të ruajnë një romancë të shëndetshme për shkak të asaj që Bill Hajbells e quan një jetë që jetohet për arritjen e një qëllimi apo detyre.
Një djalë ia hedh sytë një vajze, e cila ia ka rrëmbyer zemrën, kështu që ai bën të pamundurën që t’ja fitojë zemrën.
Ai le mënjanë çdo gjë tjetër që e shpërqendron dhe fokusohet në këtë qëllim, që i ngjan më shumë një gare mes ngulmimit të tij dhe kundërshtimit të saj.
Por pas një mundimi të gjatë, caktohet data e dasmës, fillon planifikimi, më pas organizmi dhe kështu u krye dhe kjo punë. Fantastike!
Tani lëvizja e radhës është si të arrijmë një ngritje në detyrë. Dhe kështu ajo mbetet pas duke pyetur veten se çfarë i ndodhi djalit që më donte aq shumë?
Një skenar tjetër është ky, kur një çift përqendrohet në fillimin e një familje, dhe pasi fëmija vjen në jetë, burri kupton se roli i gruas si bashkëshorte është eklipsuar nën identitetin e saj si nënë!
Menjëherë, duket sikur gjithë vëmendja dhe dashuria shkon tek ngatërrestari i vogël, që vjen rrotull nëpër shtëpi këmba dorazi, duke qarë ose duke u ankuar!
Sikurse e thashë pak më parë, ne të gjithë presim që të ndodhë një farë ‘ftohje” në vitet e para të martesës. Por sa e cekët do të jetë marrëdhënia jonë në martesë nëse nuk ka mbetur më romancë dhe intimitet! Për fat të keq ky çift përfundon duke jetuar jetë të ndara. Hajbells e përshkruan atë shumë mirë: “ndjenjat bëhen veç kujtime… [dhe] partnerët bëhen si shokë dhome, me të cilët ndajmë dhomën e gjumit për një natë.” Kjo duket shumë e tmerrshme për ata që e presin me padurim të martohen, ndërsa për ne që tashmë kemi bërë betimet martesore ajo është tmerrësisht e njohur.
Edhe njëherë dua t’ju kujtoj, se po shikojmë sot planin e Perëndisë për martesën, duke shqyrtuar martesën e parë dhe themelore, që gjendet në kapitullin dy të zanafillës vargjet (18-25). Sikundër e përmenda më lart, ne jemi krijuar për të pasur shoqëri.
Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm, edhe Perëndia kështu mendon; ky ishte vrojtimi i tij pas krijimit të Adamit.
Në fakt, në gjithë krijimin nuk përshtatet askush me njeriun. Midis gjithë krijesave që Perëndia kishte krijuar nuk u gjet asnjë shoqëri e përshtatshme.
Ne kemi nevojë për shoqëri. Ne kemi nevojë për një ndihmës të përshtatshëm.
Ne jemi krijuar për të jetuar në shoqëri me të tjerët, pa ta nuk mund të jetojmë plotësisht jetën tonë. Dhe ndërsa kuptojmë se për njeriun nuk është mirë që të jetë vetëm, duhet ta them menjëherë se, kjo nuk përjashton mundësinë që një beqar të ketë jetë të shëndetshme. Ju kujtohet, apostulli Pal, jetoi gjithë jetën e tij si beqar. Ai tha se qëndrimi si beqar, ishte një dhuratë me shumë përfitime për mbretërinë e Perëndisë. Por si Pali ashtu edhe të gjithë njerëzit, qofshin këta beqarë apo të martuar, kanë sërish nevojë për komunitetin, dhe mbështetjen e një miqësie intime, që realizohet vetëm kur je në miqësi me të tjerët.
Kjo është arsyeja përse jemi krijuar dhe jemi ngritur mbi themelin e familjes. Familja është një komunitet i vogël, i synuar për të rritur që prej lindjes kur jemi të pambrojtur, deri në pavarësinë e plotë në bashkëveprimin tonë me të tjerët. Por që burri të arrijë intimitetin më të ngushtë mes qenieve njerëzore, është krijuar gruaja.
Për gruan, jepet burri.
Në fillim, pasi Adami kërkoi në gjithë krijimin, Perëndia tha: edhe një herë unë do të bëj një krijim të ri, një fillim të ri. Dhe kështu prej brinjës së burrit, u krijua gruaja. Fjala që përdoret në origjinal në hebraisht përkthehet “brinje”. Methju Henri (Mattheë Henry), një studiues i njohur i Biblës, ne shekullin e 18-të, e pa si kuptimplotë faktin se pikërisht për krijimin e gruas u përdor një pjesë e brinjës së trupit të burrit.
Ai shkroi: “ajo nuk u bë prej kokës, që të jetë mbi të, as nga këmbët, që të shkelet prej tij, por prej brinjës së tij, për të qëndruar si partnere krah tij, nën krahun e tij; që të jetë e mbrojtur, pranë zemrës së tij, që të duhet prej tij.” Burrë e grua janë dy krijesa, por të bëra prej të njëjtit mish. Ata u krijuan veç e veç, por u krijuan për të qenë gjithmonë bashkë.
Pra Perëndia bëri kirurgjinë e nevojshme, dhe u krijua gruaja. Një lexim i shpejtë i kësaj pjese gjithmonë më ka lënë në mendje skenën kur Adami zgjohet prej gjumit, dhe gjen një grua që është qëndron shtrirë dhe plotësisht zhveshur dhe i thotë atij: “Hej c’kemi! Gëzohem shumë që të takoj!”
Por një lexim më i vëmendshëm i këtij teksti zbulon një skenë tjetër. Këtu e shohim se Perëndia sillet si Babai i nuses.
Adami u zgjua dhe e gjeti gruan përpara tij. Ata nuk u lanë që të gjenin njëri tjetrin vetëm. Ajo u soll tek Adami prej vetë Zotit, Krijuesit të të dyve.
Adami vështroi dhe pa se ajo ishte shumë e mirë. Sërish, me një lexim të shpejtë, marrim një vlerësim shumë formal dhe serioz, që iu bë Adamit: “Po, Zot. Unë shikoj. Se tani ajo është kockë e kockave të mia…” Unë mendoj se përkthimi këtu nuk e përfshin të gjithë kuptimin.
Adami, sapo kishte bere një sërë intervistash, me çdo kafshë të tokës. Të siguroj që nuk zgjati disa minuta, por ndoshta disa orë, pa dhënë asnjë rezultat! Adami i rraskapitur nga lodhja, duhet të bëjë një sy gjumë.
Pasi zgjohet, Perëndia vjen dhe i thotë : “Dua të të prezantoj me dikë. Ndërsa Adami përgjigjet: “Më në fund! Kjo është kockë e kockave të mia, mishi i mishtit tim.” Ah po, Zoti është i mirë!
Pikërisht atje vendoset një marrëdhënia e besëlidhjes që vjen për të drejtuar gjithë historinë njerëzore. Kjo është ekskluzive, nuk do të ketë tjetër si ajo! Kjo është e plotë, (burri le familjen e tij, njerëzit më të afërt për të). Lidhja me gruan do të jetë e qëndrueshme.
Kjo besëlidhje unike në këtë marrëdhënie, është vulosur prej Perëndisë, kjo është një besëlidhje që vetëm Perëndia mund ta krijojë, sepse ata do të jenë një mish i vetëm. Brenda saj ka një element krijues dhe seksual, një lidhje ekskluzive. Nga kjo lidhje, dy persona bëhet një i vetëm.
Veç kësaj jetët e tyre ndërthuren dhe kjo është një mrekulli, dy njerëz bëhen një. Vetëm Perëndia mund ta bëjë këtë.
Secili prej tyre mbetet një person me vlerë. Deri në këtë pikë nuk flitet për lindje fëmijësh. Ajo ende nuk ka marrë emrin “Eva”, që do të thotë nënë. Në fillim, gruaja vlerësohet për atë që është, dhe jo për atë që ajo bën. Po kështu edhe Adami vlerësohet si një person me vlerë në marrëdhënien e tyre.
Dhe ata ishin shumë të lirshëm në praninë e njëri tjetrit. Kjo vlen jo vetëm për anën fizike sepse të dy ishin të zhveshur lakuriq, dhe nuk i vinte turp. Por edhe për gjithçka tjetër, ata ndiheshin mirë, në anën emocionale, sociale, dhe shpirtërore. Asgjë nuk mund të hynte në mes të tyre. Kjo është edhe mënyra se si kuptohej martesa në Dhjatën e Vjetër; ky është edhe vullneti i Perëndisë për martesën.
Pra çfarë mund të themi për intimitetin tonë? A është e mundur edhe tani që ti kthehemi zjarrit të pasionit, të kthehemi nga thëngjij të shuar në zjarre flakërues?! Po. Por ne duhet të vendosim një themel të qëndrueshëm.