Jam i mahnitur

Print

Titulli: Jam i mahnitur (pjesa 2)

Davidi thotë në psalmin e tij: Perëndia më ka afruar kaq shumë pas vetes me dashurinë e tij, saqë unë nuk mund të shkoj askund larg pranisë së Tij, larg Frymës së Tij.

Ai e vë në provë këtë gjë, për të parë nëse mund të gjejë një vend ku kjo nuk do të ishte e vërtetë.

Ndaj Ai i vendos pohimet e Tij në analogji shpjeguese.

Ai po e provon veten: “Le të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë vend ku mund t’i shpëtojmë pranisë së Perëndisë.

Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.

Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,

edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.”

A e gjen veten në këtë psalm? A të duket përvojë e ngjashme me të tuat?

Një prej anëtareve të kishës sime po përballej me një rast të vështirë,  që ishte kancer i avancuar.

Ne bisedonim shpesh bashkë për shumë gjëra, një ditë biseda jonë iu kthye këtij psalmi. Kjo grua më tha se tashmë ky ishte bërë psalmi i saj i  preferuar.

Dhe më pas ajo shpjegoi:” A e di ti se çfarë bëj unë? Unë vendos emrin tim në këtë psalm. Kështu që unë lutem me fjalët: ‘ Kur ti vijë radha operacionit tjetër ti do të jesh atje. Dhe kur të jem në rikuperim t’i do të jesh atje. Kur të shtrihem për të bërë trajtimin me rreze, edhe atje dora jote e djathtë do të  më mbajë….”

Provoje edhe ti këtë duke thënë: Kur kaloj në altarin e martesës…. kur kam frikë nga gjëmimet natën… Kur kam ngecur në trafik… kur përballem me probleme të mëdha biznesi… kur kujdesem për fëmijët e mi… Kur luajmë me top… kur më duhet të eci në luginën e hijes së vdekjes, qoftë unë apo të dashurit e mi… edhe atëherë dora jote e djathtë do të më mbajë fort! E sheh se sa gjithë përfshirëse është kjo?

Pra le t’i kthehemi edhe një herë pyetjes sime se si të bën të ndihesh kjo?

Nëse nuk i beson këtij Perëndie, ose nëse po përpiqesh t’i largohesh atij, atëherë nuk të pëlqejnë shumë këto mendime.

Faktikisht, këto mendime mund të bëhen frikësuese. Pyet profetin Jona. E mban mend atë?

Atij nuk i pëlqente plani që Perëndia kishte në mendje për të; ai nuk donte të shkonte të predikonte në qytetin e Ninives. Prandaj ai shkoi në qytetin e Ninives, hipi në një anije, dhe lundroi në një tjetër drejtim me qellim që të shkonte larg prej Perëndisë.

Dhe ai zbuloi në mes të stuhisë se kjo gjë nuk do të funksiononte.

Ai nuk mund të largohej prej Perëndisë. Pyet Elian për shembull. As ai nuk e pëlqeu planin e Perëndisë. Kjo ishte e tepërt dhe shumë e vështirë për të, prandaj ai u drejtua për në shkretëtirë, dhe u ul nën një shkurre, nën panikun e depresionit, duke dashur që të vdiste.

Por edhe ai e zbuloi, se kjo nuk do t’i shërbente aspak për mirë. Ai nuk mund t’i shpëtonte as Perëndisë.

Por Davidi i mirëpriti këto fjalë. Ai mirëpriti atë që quhej “dhurata e mrekullueshme, e që përmblidhet në fjalët: Perëndia më njeh mua”, në të gjitha ulje ngritjet e jetës së tij personale. Nuk ka aspak kundërshtim për këtë ide.

Faktikisht, ai duket si një djalosh që shpërthen në britma gëzimi në çdo ndërrim drejtimi.

Dëgjoni disa prej pohimeve të tij shumë pozitive.

Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.” (v.6)

Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre.” (v.17)

Por kur ai mbërrin drejt fundit të Psalmit, ai thotë fjalë që duken pa vend derisa kuptojmë se ai po qëndron para Perëndisë që është i gjithë dijshëm dhe po i kërkon Atij që ta riformojë edhe një herë personin e tij. Po, Davidi, po i kërkon Perëndisë që ta bëjë atë një David të ri.

Ai është kaq i mahnitur prej kujdesit të Perëndisë, sa që kërkon që të jetë njeriu i Perëndisë në çdo aspekt, ta nderojë Perëndinë në gjithçka.

Më kujtohet kur dëgjova një leksion nga një i krishterë i përkushtuar, që dikur ka thënë: “Teksa rritem, dhe ndoshta po fitoj pak më shumë urtësi, i kërkoj Perëndisë gjithmonë e më shumë, që të më ndihmojë të dua atë që Ai do dhe të urrej atë që Ai urren.”

Kështu duhet të jetë. Kur ne kuptojmë se si Perëndia na ka afruar pranë vetes, se si ai na do, na mbron dhe na ka bërë të jemi sipas imazhit të tij, atëherë më shumë se gjithçka tjetër ai dëshiron që të jemi persona që dëshirojnë fort dhe me pasion të nderojnë Perëndinë.

Ne dëshirojmë të identifikohemi me interesat tona, shkakun e tij dhe jo shkakun tonë, kështu bëhemi edhe më të përkushtuar për të shërbyer për nder dhe lavdi të Tij.

Dhe kjo çon, nga ana tjetër, që t’i shohim të mposhtur armiqtë e Perëndisë.

Ne duam që të munden armiqtë që e kundërshtojnë emrin e Tij, apo ata që e quajnë emrin e tij profan, dhe dëmtojnë mbretërinë e Tij.

Po kështu ne dëshirojmë që të heqim gjithçka brenda nesh që kundërshton nderin dhe lavdinë e tij.

Ky është dorëzimi i plotë në të, apo jo! Dhe për këtë arsye ne jemi të gatshëm të bëjmë këtë lutje të vargjeve përmbyllëse të këtij psalmi:

Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme..” (v. 23-24)

Si mund të ndodhë kjo?

Mbase këto fjalë të habisin sot. Mbase ti nuk mund të përfytyrosh si ky njeri ndihet kaq mirë para një Perëndie që di gjithçka nga brenda dhe jashtë. Ndoshta ti nuk mund ta përfytyrosh se si ai u dorëzua plotësisht para Perëndisë që ai ta riformonte atë.

Dhe ja gjithçka ndodhet atje në atë psalm. Po, në sfond të këtij psalmi ka shumë gjëra, që kanë përgatitur zemrën e Davidit për këtë shpallje besimi.

Së pari Davidi ishte në dijeni të faktit se Perëndia ishte Krijuesi i Tij. Davidi e dinte se kush ishin prindërit e tij. Ai e dinte se Jeseu ishte babai i tij. Ai e dinte se kishte dalë nga barku i nënës së tij. Përvojat e tij  me prindërit i mësuan shumë gjëra rreth këtij procesi.

Por unë mendoj se Davidi ishte një djalosh që dëshironte të mendonte më thellë për këtë. Në një prej këtyre psalmeve ai flet për studimin e hënës dhe yjeve, të cilat i quan vepra e gishtërinjve të Perëndisë; dhe më pas ai reflekton për qeniet njerëzore që u bënë pak më të ulëta se sa qeniet qiellore.

Dhe tani në këtë psalm ai shkon pak më tutje, duke treguar se Perëndia i njeh të përbrendshmet e tij, ai e ka krijuar në barkun e nënës, e ka endur që nga krijimi i tokës, dhe Perëndia kishte parë trupin e tij të paformuar.

Tani njohuria e Davidit për anatominë dhe embriologjinë dhe zhvillimin e fetusit ishte shumë e kufizuar dhe duhet të ketë qenë shumë primitive. Por ai e kishte shumë të qartë se kjo ishte vepra e Perëndisë.

Perëndia e kishte krijuar atë; Perëndia e kishte formuar, dhe Perëndia e kishte endur. Ai e dinte kaq mirë këtë sa shpërthen në britma gëzimi; ” Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme….” (v.14) Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! ” (v.17).

Kam folur me disa studentë që u duket studimi i anatomisë njerëzore shumë mahnitëse dhe sfiduese.

Trupi njerëzor, me skeletin e tij të detajuar dhe të ndërlikuar, me mijëra kilometra enë gjaku, dhe sistemi nervor misterioz, mjafton për të nxjerrë një pohim mahnitës, teksa e vështron atë.

A e di se në trupin tonë ka 206 kocka? Të paktën 600 muskuj të ndryshëm dhe rreth 161000 km enë gjaku; dhe përafërsisht 72 km receptorë nervorë vetëm nën lëkurë.

Davidi mund të ketë ditur shumë pak për këto detaje, por dinte mjaftueshëm për ta parë veten si një kryevepër të mrekullueshme dhe mahnitëse të kryemjeshtrit.

Dhe kështu ai jep këtë përshkrim poetik të shtatzënisë dhe zhvillimit të fetusit.

Dhe ai e shikon këtë si një vepër të Perëndisë, por edhe si pjesë e planit të përjetshëm që Perëndia ka në mendje.

Nuk është habi që Perëndia interesohet vërtetë për ne, në dashurinë e Tij. Por në sfondin e këtij psalmi thuhet diçka që  Davidi nuk ishte në gjendje ta dinte, me përjashtim të premtimeve që i ngjajnë farës që Perëndia kishte mbjellë në të.

Atij i kishin thënë se pasardhësit e tij do të ishin në fronin e Izraelit, dhe se njëri prej pasardhësve të tij do të ishte Mesia, i cili do të shpëtonte popullin e Perëndisë prej mëkateve të tyre.

Por ai nuk e dinte se ky bir do të ishte Jezus Krishti; se ungjilli do të na tregonte historinë e lindjes së tij nga virgjëra Mari; sa që do të na mësonte për mbretërinë e Perëndisë, do të refuzohej, do të vuante dhe do të vdiste në kryqin e Kalvarit. Dhe mëkatet tona do të mbuloheshin prej sakrificës së tij dhe përmes ringjalljes prej së vdekurish, ne do të mësonim se përmes Tij kemi jetën e përjetshme. A mendon se Davidi kishte gjithë informacionin dhe dëshmitë që kemi ne në ungjill për shpëtimin me anë të Jezus Krishtit?!

Ti edhe unë kemi mundësinë ta dëgjojmë ungjillin dhe ta mësojmë atë.

Nëse siguria e Davidit për dashurinë e Perëndisë do të bazohej plotësisht tek mënyra se si ai e krijoi Davidin; sa më tepër duhet të kemi siguri ne, që dimë më shumë, se çfarë çmimi u pagua për ne në Kalvar.

Nuk është habi që Davidi gjeti shumë ngushëllim kur shpalli se: “Perëndia më njeh mua”.

Por nuk është çudi që ne të themi të njëjtën gjë, pasi kemi kuptuar se si ai na ka krijuar dhe na ka shpëtuar, përmes veprës së Birit të Tij, Jezus Krishtit.

Kohë më parë isha në plazh, duke bërë atë që gjyshërit bëjnë me nipërit e tyre. Po luaja me ta në rërë.

Ne e merrnim rërën me lopatë dhe më pas e hidhnim pak më tutje. Vepruam kështu derisa hapëm një gropë të madhe dhe e mbuluam prapë. Pasi mbaruam, po shikoja rërën. Mijëra thërrmija!

Në një lopatë të vetme, mund të mbledhë qindra mijëra thërrmija, ndoshta miliona në një lopatë të vogël.

Dhe më pas po mendoja me mendjen time, sa thërrmija rëre mund të ketë në këtë plazh të madh?

A mund të ketë atje miliarda, triliarda, kadriliona.

A mund të numërohen ato? Por çfarë mund të themi për të gjitha plazhet e tjera të botës?

Dhe më pas unë mendova për fjalët e Davidit:

” Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.” (v. 17-18)

Uau! Sa e mrekullueshme është! Perëndia më njeh mua!

“O  perëndi ti më njeh mua brenda edhe jashtë. Më njeh plotësisht.

Fakti që Ti më njeh, ndonjëherë më ngushëllon, ndonjëherë më frikëson, por gjithmonë është shumë larg aftësisë sime për të kuptuar.

A nuk është e mrekullueshme kjo?!

Prania e kudondodhur e Frymës tënde le të hetojë ndjenjat dhe mendimet e mia.

Më çliro prej asaj që mund të më lëndojë, apo shkatërrojë mua, dhe më udhëhiq në shtegun e dashurisë dhe së vërtetës.”

Në emrin e Krishtit. Amen