Tek Mateu 5:13-16, Jezusi u thotë ndjekësve të Tij:
“Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t’u hedhur dhe ta shkelin njerëzit.
Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.
Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.
Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej”.
Jezusi po u flet të krishterëve të zakonshëm dhe po thotë diçka të jashtëzakonshme për ta. Ndoshta ti je i zakonshëm. Ti vjen nga një familje normale. Ti ke një punë normale. Dukesh normal. Edhe për nga zgjuarsia je normal. Nuk je më i zgjuar apo më i mirë se të tjerët, dhe nuk ke një punë me pushtet të lartë, apo një familje elitare. Je njeri i zakonshëm. Por nëse je ndjekës i Jezusit, ti je i jashtëzakonshëm! Ti je kripë: ti ruan një botë që pa ty do të prishej, dhe ti i jep shije një bote që pa ty do të shkonte keq e më keq. Ti je dritë: ti shkëlqen në një botë që do të ishte e errët pa ty. Ti mund të jesh i zakonshëm në shumë aspekte, por nëse je një ndjekës i Jezusit, atëherë ti je një person me një qëllim të jashtëzakonshëm në këtë botë.
Kur Jezusi flet për dritën dhe kripën, Ai po thotë diçka të madhe për ndjekësit e Tij, dhe po nënkupton diçka të zymtë për botën në të cilën jetojmë. Ai po thotë se bota, nëse lihet vetëm, priret drejt prishjes dhe errësirës.
Në kohën që Jezusi tha këto fjalë, kripa ishte ndër konservantët më të rëndësishëm. Në atë kohë nuk kishte frigoriferë që të mos lejonte prishjen e ushqimit. E vetmja mënyrë për të ruajtur mishin që të mos prishej, ishte ta lyeje me kripë. Kështu që kur Jezusi e fton popullin e Tij që të jenë kripa e tokës, po thotë se pa besimtarët bota do të shkonte mos më keq.
Por botës nuk i pëlqen t’i shohë gjërat kështu, apo jo? Bota pëlqen të thotë gjëra që janë të përparuara, që shikojnë përpara, arrijnë lart, dhe bëhen gjithmonë e më mirë.
Shumë njerëz i besojnë progresit, bindjes se me pak më shumë arsim, diplomaci, shpikje apo programe, jeta do të bëhet më e mirë.
Por sipas Jezusit, bota nuk ka një prirje natyrale drejt progresit dhe përmirësimit; ajo ka një prirje të natyrshme drejt prishjes dhe shkatërrimit. E kush mund ta mohojë se Jezusi ka të drejtë? Po mund të ketë përparim në shkencë dhe teknologji, por a do të thotë kjo se ka ndodhur një përparim në natyrë apo në gjendjen e botës? Jo, kjo thjesht do të thotë se luftërat janë më shkatërruese, do të thotë se divorcet janë më të shpeshta, aborti është i zakonshëm, varësitë janë më të këqija, familjet më konfuze, fëmijët më të abuzuar. E vetmja gjë që mund të parandalojë këtë lloj prishje është kripa e tokës, sjellja e mirë e të krishterëve të zakonshëm.
Kur Jezusi i quan të krishterët kripa e tokës, Ai nënkupton se bota në vetvete është duke u prishur. Po ashtu kur Jezusi i thërret të krishterët drita e botës, ai nënkupton se bota pa këtë dritë mbetet në errësirë. Sërish më duhet ta them, se botës nuk i pëlqen të mendojë kështu për veten. E kujt i pëlqen ta mendojë veten si i paditur, në errësirë? Të gjithëve do të na pëlqente të mendonim se jemi të shkëlqyer dhe të mirë informuar. Fundja fare, a nuk jetojmë në epokën e informacionit?
Po është e vërtetë, jetojmë në epokën e informacionit, por kjo nuk do të thotë se është epoka e së vërtetës, apo e urtësisë.
Ne kemi marrë informacione dhe të dhëna nga më të ndryshmet, por ku është e vërteta në gjithë këtë? Kush e di realisht se për çfarë shërbejnë ato? Kush e njeh realisht Perëndinë? Kush kupton problemet më të thella shpirtërore që shkatërrojnë njerëzit? Kush e di realisht, se si mund të kemi një marrëdhënie me Perëndinë? Kush di të jetojë realisht ashtu siç do Perëndia?
Ajo lloj njohurie nuk vjen nga një studio lajmesh, një agjenci reklamash a një faqe interneti. Vetëm kur Perëndia shkëlqen dritën e tij, vetëm atëherë largohet padituria dhe frika. Dhe si e shkëlqen Perëndia dritën e Tij? Përmes Jezusit dhe përmes atyre që e ndjekin Jezusin.
Të krishterët janë Shpresa e vetme për këtë botë! Ndoshta kjo të duket ofenduese, por nuk është ashtu. Unë nuk mund të quhem arrogant si i krishterë, kur kuptoj se kush dëshiron Jezusi që unë të jem. Përkundrazi kështu quhem i përulur. Zoti vendos mbi mua një përgjegjësi kaq të madhe, sa që nuk mund ta përmbush në fuqinë time. Çfarë ka në mua që pengon botën të mos prishet? Çfarë mund të bëj që të ndriçoj botën? Në veten time asgjë! Unë jam si çdo njeri tjetër. Unë nuk kam një superioritet të lindur krahasuar me të tjerët. Dritë dhe kripë unë bëhem vetëm kur Ai më jep mua shije dhe më bën të ndriçoj. Në krishterimin e vërtetë nuk ka vend për arrogancë.
Megjithatë pasi kemi thënë këtë, dua të shtoj se në krishterimin e vërtetë nuk ka pse të më vijë turp për identitetin tim. Unë nuk duhet të ndihem më i ulët se njerëzit e mëdhenj të kësaj bote. Unë nuk kam pse të frikësohem prej njerëzve të zgjuar dhe të fuqishëm që kundërshtojnë Jezusin. Një fëmijë i vogël që mund të këndojë “Jezusi më do” apo “Këtë pak dritë që kam” po tregon urtësi më të madhe se sa një profesor i shkëlqyer që nuk beson në Krishtin. Si i krishterë që jam nuk duhet të jem i ndrojtur për besimin tim, as të më vijë turp për Të. Unë mund të ngre kokën lart, ndërsa shikoj Shpëtimtarin tim. Unë ndihem shumë dinjitoz në identitetin tim të lartë dhe të shenjtë në Krishtin. Për shkak të Jezusit, unë jam kripa e botës! Unë jam drita e botës! Ky nuk është thjesht një opinion arrogant për veten time. Pikërisht këtë dëshiron Jezusi për mua.
Të ndryshëm por të përfshirë
Çfarë duhet për të qenë dritë dhe kripë? Dy gjëra duhen: të jesh ndryshe nga bota, dhe në të njëjtën kohë të jesh i përfshirë në botë.
Së pari, që të jesh dritë dhe kripë, ti duhet të jesh ndryshe. Kripa duhet të ketë shijen e saj. Nëse kripa nuk është e kripur, në të vërtetë nuk është kripë. Jezusi thotë se ajo nuk vlen për asgjë, dhe shumë mirë mund të hidhet poshtë. Në të njëjtën mënyrë, drita ndryshon nga errësira; nëse nuk ndryshon, atëherë nuk është dritë. Nëse e quan veten të krishterë, por realisht je si gjithë njerëzit e tjerë rrotull teje, dhe nuk ke asgjë ndryshe, atëherë nuk je fare i krishterë. Një i krishterë ndryshon shumë nga njerëzit e tjerë.
Por të qenët ndryshe nga të tjerët, nuk mjafton. Gjëja e dytë që duhet për të qenë dritë dhe kripë është të përfshihesh. Kripa nuk hyn në punë nëse qëndron në sirtar. Ajo duhet të dalë prej shishes së vet që të ketë vlerë. Po ashtu drita nuk bën punë kur fshihet nën një vazo. Drita ndriçon kur zbulohet dhe vendoset mbi një abazhur.” Kështu edhe juve”, thotë Jezusi, “lejoni që drita juaj të shkëlqejë para njerëzve, por ata mund të shohin veprat tuaja të mira dhe të lavdërojnë Atin tuaj në qiell.”
Le të shkëlqejë drita juaj! Ji ndryshe, megjithatë përfshihu! Duket diçka e thjeshtë, por kjo nuk do të thotë se është e lehtë. Gjithmonë ekziston tundimi të shkosh me rrymën, të bësh atë që bën bota. Ose prirjen tjetër, të formosh grupe të vogla njerëzish apo kolonish e zakonesh që kanë fare pak të bëjnë me të tjerët që nuk janë si ne. Kur je ndryshe nga njerëzit e tjerë e përsëri qëndron me ta, kjo mund të duket e çuditshme. Në fakt, mund të jetë vërtetë shqetësuese. Kjo mund të sjellë kundërshtime. Megjithatë, pavarësisht se sa shqetësuese mund të jetë, Jezusi pret që ndjekësit e Tij të jenë ndryshe nga bota, e megjithatë të përfshirë në botë. Letra dërguar Diognetit, të cilën e citova në fillim shprehet kështu: “Të krishterët jetojnë në botë, por nuk janë të kësaj bote.” Në botë, por jo të kësaj bote—kjo është motoja e çdo ndjekësi të Jezusit.