Ju rikujtoj moton me të cilën u ndamë herën e kaluar. “Të krishterët jetojnë në botë, por nuk janë të kësaj bote.” Në botë, por jo të kësaj bote—kjo është motoja e çdo ndjekësi të Jezusit
Kjo vlente për të krishterët në kohën e Diognetit. Në ato ditë, abortimi i foshnjave të palindura, ishte diçka e zakonshme, madje edhe braktisja e të sapolindurve të padëshiruar. Por të krishterët ishin ndryshe. Ata nuk shkatërronin fetuset, dhe kur gjenin foshnja të braktisura prej prindërve, ata i merrnin në shtëpi. Në atë shoqëri ishte normale të shkoje nga një partner seksual tek tjetri, e të kaloje sa nga një martesë tek tjetra. Por të krishterët ishin ndryshe. Sipas letrës së Diognetit, ata ndanin bashkë të njëjtën tryezë por shtratin martesor nuk e ndanin me të tjerë. Shumë njerëz adhuronin perandorin si të ishte Zot, madje mos adhurimi i tij ishte i rrezikshëm. Por të krishterët ishin ndryshe. Ata thoshin: “Jezusi është Zot.” Ata adhuronin vetëm Perëndinë.
Megjithëse ata ishin ndryshe prej fqinjëve të tyre, të krishterët vazhdonin të jetonin në të njëjtat qytete si jo të krishterët. Ata vazhdonin të punonin përkrah tyre. Ata vazhdonin të ishin si ata në veshje dhe në tradita. Dhe për shkak se ata qëndronin pranë tyre, e për shkak se ngjanin me ta në shumë mënyra, ndryshimi bëhej më i dukshëm për njerëzit që i njihnin ata, dhe kjo i mërziste më shumë.
Të krishterët ishin kaq ndryshe nga të tjerët, megjithatë ishin të përfshirë në botë, kështu që njerëzit nuk mund t’i shpërfillnin ata apo të ndiheshin rehat. Duhet të reagonin. Ata u ndjenë të kërcënuar që të jetonin mes njerëzve që dallonin nga ata, kështu që ose i kundërshtuan të krishterët, ose u bënë ata vetë të krishterë. Pati shumë vrasje, por edhe njerëz që besuan në Krishtin. Në të vërtetë, dukej se ndërsa vrasjet po shtoheshin, edhe besimtarët e krishterë shtoheshin.
Letra dërguar Diognetit thotë: “A nuk i shihni që janë të ekspozuar para bishave të egra që i detyrojnë ata të mohojnë Zotin, e megjithatë janë të pamposhtur? A nuk e shihni se sa më shumë ndëshkohen ata, aq më shumë shtohet pjesa që mbetet? Kjo nuk duket si puna e një njeriu të vetëm: kjo është fuqia e Perëndisë!” Ja se çfarë ndodh kur të krishterët jetojnë si kripë dhe dritë në botë, por nuk janë si bota, kur tregojnë se janë ndryshe, megjithatë shoqërohen me njerëzit e tjerë jo të krishterë.
Gjithmonë e më shumë njerëzit shohin veprat e tyre të mira dhe lavdërojnë Atin e tyre qiellor. Njerëzit pohojnë: “Kjo nuk duket si vepër njeriu: kjo tregon fuqinë e Perëndisë!”
Drita e Perëndisë
Në fund dua t’ju them se çfarë do të thotë të ndriçosh dritën e Perëndisë. Të ndriçosh dritën e Perëndisë, në atë mënyrë që njerëzit të tërhiqen drejt tij. Arsyeja e vetme pse Jezusi mund t’i quajë ndjekësit e Tij drita e botës, është për shkak të asaj që është vetë Jezusi. Jezusi thotë “ Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: `Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.’ (Gjoni 8:12) “Perëndia është dritë” thotë Bibla “dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë” (1 Gjoni 1:5) Kur të krishterët jetojnë si drita e botës, ata i tregojnë njerëzve dritën e Perëndisë që gjendet në Krishtin.
Letra dërguar Diognetit është një shembull se si ndodh kjo. Të jetuarit si i krishterë, jep një mundësi për tu treguar të tjerëve për Perëndinë që ata duan. Letra dërguar Diognetit nuk përshkruan vetëm se si janë të krishterët, por edhe vazhdon të shpjegojë pse ata jetojnë kështu.
Ky nuk ishte një sistem i thjeshtë opinionesh njerëzore, [shkruhet në letër]
por realisht Perëndia vetë, Krijuesi i plotfuqishëm dhe i padukshëm, ka dërguar prej qiellit dhe e ka vendosur mes njerëzve, Krishtin, i Cili është e vërteta dhe e ka vendosur fort atë në zemrat e tyre. Perëndia nuk dërgoi një shërbëtor apo një engjëll nga qielli, siç mund ta kenë menduar disa… por ai dërgoi pikërisht Krijuesin dhe Modeluesin e të gjitha gjërave… ndaj të Cilit janë nënshtruar të gjitha gjërat.
A e bëri këtë për të ushtruar tiraninë, apo për të frikësuar dhe terrorizuar ata, sikurse mund ta mendojë dikush? Në asnjë mënyrë! Ai veproi me mirësi dhe përulësi të bindur.
Ai e dërgoi atë, ashtu si një mbret dërgon birin e tij që po ashtu është mbret. Ai e dërgoi atë si Perëndi, por edhe si njeri. Ai e dërgoi atë si Shpëtimtar, duke kërkuar të na bindë, por jo të na detyrojë për diçka, sepse dhuna nuk ka vend në karakterin e Perëndisë. Ai e dërgoi për të na fituar ne, jo të marrë hak mbi ne, Ai e dërgoi për të na dashur, jo për të na gjykuar.
Letra më pas tregon se çfarë bëri Perëndia në kryqin e Krishtit.
Ai mori mbi vete barrën e mëkateve tona. Ai dha të vetmin Bir si shpengim për ne, të shenjtin për të paudhët, të pafajin për të pabesët, të drejtin për të padrejtët, të pakorruptueshmin për të korruptuarit, të pavdekshmin për ata që janë të vdekshëm. Sepse çfarë gjeje tjetër veç drejtësisë së Tij do të mund të mbulonte mëkatet tona? E kush tjetër veç birit të Perëndisë, mund të na shfajësonte ne njerëzit e këqij dhe të pa perëndishëm. Çfarë shkëmbimi i bukur! Ky është një veprim i pa gjurmueshëm! Që paudhësia e shumë njerëzve, duhet të fshihej në të vetmin Person të Drejtë, dhe që drejtësia e Njërit duhet të shfajësojë shumë shkelës(mëkatarë)!
Perëndia bëri dy gjëra. Së pari na bindi që natyra jonë ishte e paaftë për të fituar jetë, dhe prandaj ai zbuloi Shpëtimtarin i Cili mund të na japë jetë. Dhe pse? Pse e bëri Ai këtë? Sepse, thotë letra, Perëndia “deshi të na drejtonte tek besimi në mirësinë e Tij, ta vlerësonim atë si Ushqyesin, Atin, Mësuesin, Këshilluesin, Shëruesin, Urtësinë, Dritën, Nderin, Lavdinë, Fuqinë dhe Jetën tonë.” Me fjalë të tjera, t’i besojmë Zotit si gjithçka e jona.
Vetëm kur i besojmë këtij Perëndie në Jezus Krishtin, bëhemi ndryshe nga bota rreth nesh, dhe i duam ata që kemi pranë. Sikurse shkruan edhe letra drejtuar Diognetit:
Kur ti e ke fituar këtë njohuri, me çfarë gëzimi mendon se do të mbushesh? Apo, si do ta duash atë të Cilin të deshi ty i pari? Dhe nëse ti e do Atë, ti do të jesh një imitues i mirësisë së Tij. Dhe mos u çudit që një njeri mund të bëhet imitues i Perëndisë. Ai mund të bëhet, nëse është i gatshëm. Por lumturia nuk gjendet, duke sunduar mbi fqinjët, duke frikësuar më të dobëtit, a duke qenë i pasur, dhe duke shfaqur dhunë ndaj atyre që janë më të dobët se ti; sigurisht këto cilësi nuk do të bënin ty një imitues të Perëndisë. Këto gjëra nuk tregojnë se si është madhështia e Perëndisë. Ndryshe nga kjo, ai mbart barrën e fqinjëve të tij; Ai përdor çdo gjë të mundur , për ta ndihmuar një person; ai që merr atë që Perëndia i jep atij dhe ia shpërndan njerëzve në nevojë, bëhet perëndi për ata që marrin përfitimet e tij: Ai është imitues i Perëndisë. Më pas do të shohësh ndërkohë qe je në tokë, që Perëndia i qiellit, sundon mbi universin.
Letra drejtuar Diognetit tregon se kisha jetonte duke qenë kripë dhe dritë ato vite të para sipas shembullit të Jezusit dhe apostujve. Në shekujt që pasuan atë kohë, njerëzit që e quanin veten të krishterë shpesh kanë jetuar larg Krishtit dhe kanë qenë pjesë e problemit dhe jo pjesë e zgjidhjes. Shumë njerëz varin kryqe në qafë, por sa prej tyre mbartin kryqin? Shumë pohojnë se janë të krishterë, por nuk e njohin Krishtin, ose nuk shkëlqejnë dashurinë dhe mirësinë e Tij.
Por a nuk është e mrekullueshme kur ne njohim Jezusin si dritën e botës, kur dimë se Ai erdhi në dashuri dhe mirësi për të zëvendësuar dështimin tonë me pasuritë e Tij, dhe kur e imitojmë Krishtin dhe bëhemi të ngjashëm me Të me dëshirën tonë për të ndihmuar të tjerët, e për t’i fituar ata me anë të dashurisë.
Pra, miqtë e mi, besoi Jezusit, dritës së botës, dhe ji drita e botës, që të tjerët të mund të shohin Jezusin në ty. “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.”