Krishtlindja Judease

Print

Titulli: Krishtlindja Judease (pjesa 1)

Koha e Krishtlindjes është tepër e gëzueshme për shumë njerëz, por nëse je jude, Krishtlindja mund të duket pak e pakëndshme. Mund të të duket sikur është festa e dikujt tjetri, por jo e jotja. Krishtlindja është kudo përreth teje, ti nuk mund ta shmangësh atë, ndonëse nuk ndihesh pjesë e saj. Ti je i rrethuar prej një shumice njerëzish të cilët i japin rëndësi diçkaje, që për ty ka shumë pak rëndësi.

Në thelb të Krishtlindjes është lindja e Jezusit, dhe shumë njerëz të popullit jude, e shikojnë Jezusin si themeluesin e një besimi tjetër, –një besim për johebrenjtë. Për më tepër, në momente të caktuara të historisë, disa prej atyre njerëzve u kishin bërë gjëra të këqija judenjve në emër të Jezusit. Prandaj nëse je jude, si mund të ndihesh pozitiv për lindjen e Jezusit? A nuk do të ishte një tradhti ndaj identitetit tënd të festosh ditëlindjen e një feje për johebrenjtë? Dhe a nuk do të ishte një fyerje ndaj  trashëgimisë tënde, birësimi i të njëjtave bindje si ata që kanë qenë mizorë ndaj judenjve në të kaluarën?

Vetë ideja e një krishtlindjeje judease, ty mund të duket qesharake. Nëse je jude, është e kuptueshme që ti mund të ndihesh kështu për Krishtlindjen dhe Jezusin. Për çudi, kjo është një përmbysje e situatës së Krishtlindjes origjinale. Dy mijë vite më parë, kur Jezusi u lind, ishte më e lehtë për judenjtë se sa për paganët që të shkonin tek Ai. Nuk bëhej fjalë që judenjtë të hiqnin dorë prej trashëgimisë së tyre për të nderuar themeluesin e besimit universal si për judenjtë dhe jo judenjtë; kjo do të thoshte se johebrenjtë do të ndërmerrnin një udhëtim të gjatë drejt tokës së Izraelit në nderim të një foshnje judease.

Një prej historive më të famshme të Krishtlindjes në Bibël është historia e një magjistari, apo një njeriu të ditur. Këta dijetarë ishin johebrenj të cilët panë një yll të veçantë dhe bënë një udhë të gjatë prej vendeve të lindjes, për të arritur në Judë. Kur arritën në Jeruzalem, gjëja e parë që dijetarët thanë ishte:” Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur” (Mateu 2:2) Kjo foshnjë e sapolindur kishte rëndësi për njerëzit e tërë kombeve, por dijetarët e dinin që ky fëmijë kishte një vend të veçantë në kombin jude. A nuk është çudi, që sot mbi 2000 vite pasi dijetarët e largët, johebrenj, bënë një udhë të gjatë për të nderuar foshnjën Jezus si “Mbretin e Judenjve”, ne sot shohin me habi kur dikush na thotë se “Krishtlindja është e judenjve”. Çfarë dua të them me këtë, na ndiqni pas këtij çasti muzikor.

Mbreti i judenjve

Çfarë është Krishtlindja nëse nuk është Judease? Jezusi nuk kishte lindur në një familje johebrease; ai lindi në një familje hebrease. Ai ishte bir i një nëne judease, ai u rrethpre si jude kur ishte vetëm tetë ditësh, u rrit në një shtëpi judease, në një qytet jude, mori pjesë në një sinagogë  judease, dhe festoi festat në tempullin jude të Perëndisë, në Jeruzalem. Jezusi ishte jude kryekëput.

Kur dijetarët shkuan për të takuar foshnjën e sapolindur, ata nuk shkuan drejt një vendi johebre; ata u drejtuan për në tokën e Izraelit. Ata nuk udhëtuan drejt qytetint të Romës, apo Pekinit, a Nju Jorkut; ata shkuan së pari në Jeruzalem dhe më pas u drejtuan për në fshatin e Bethlehemit. Ata nuk po kërkonin banesën e një mbreti britanik, apo një mbreti armenas, apo një mbret rus. Ata pyetën:” Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur?”

 

Sot ne mund të bëjmë të njëjtën pyetje:”Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur?”Shumë portrete të Jezusit nuk duken shumë judease.  Shumë prej bisedave që bëhen për Jezusin nuk nxjerrin në pah prejardhjen e tij judease. Në mendjen e disa njerëzve një krishtlindje judease, duket si një okismaron. Lindja e Jezusit duket si një festë që duhet festuar prej johebrenjëve por jo prej judenjve. Shumë johebrenj harrojnë se Jezusi ishte jude dhe shumë judenj mendojnë se Jezusi nuk është aspak për Judenjtë. Por Krishtlindja shënon lindjen e një foshnje judease në një familje judease, duke përmbushur premtimet që Perëndia i bëri popullit jude.

Çfarë ndodhi që Krishtlindja u shndërrua në një ngjarje plotësisht jo judease? Si ka mundësi që e humbëm këtë detaj të rëndësishëm që Jezusi është mbreti i judenjve? Si  mund të bëhej Jezusi jo jude në sytë e kaq shumë njerëzve? Kur johebrenjtë nuk shohin natyrën judease të Jezusit, ata humbasin një realitet jetësor. Kur judenjtë nuk e mendojnë Jezusin si njërin prej tyre dhe mendojnë se duhet të shpërfillin lindjen e tij, ata po humbasin një prej judenjve më të rëndësishëm.

Ne kemi nevojë të festojmë një krishtlindje judease dhe të ri- zbulojmë një Jezus si një jude i sapolindur. Ne duhet të pyesim me një urgjencë të përtërirë:”Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur?”.

Në shkrimet që Perëndia i dha popullit jude gjendet një profeci e cila thotë: ” Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.”(Isaia 7:14) Emanuel është një fjalë në hebraisht që do të thotë “Perëndia me ne”, dhe Shkrimet e bënë të qartë se Emanueli fëmijë mund të jetonte mes judenjve dhe të ishte një bekim për popullin e Izraelit.

Në kohën kur lindi Jezusi, barinjtë judenj duhet të shkonin veç një stallë larg për të gjetur Jezusin, ndërsa dijetarët jo judenj duhet të bënin një rrugë shumë të gjatë deri në Judë që ta shihnin Atë. Pra për judenjtë ishte më e lehtë të shkonin për ta parë Jezusin, se sa për jo judenjtë. Megjithatë, sot, situata duket sikur është përmbysur.  Shumë judenj ndihen keq në kohën e Krishtlindjes, dhe Jezusi duket si njeri i panjohur për ta, ndërsa johebrenjtë e mendojnë Jezusin si njërin prej tyre dhe mund të mos shikojnë asnjë domethënie në faktin që Jezusi lindi jude.

Sidoqoftë Bibla, thekson se Jezusi ishte jude. Kur Jezusi lindi, dijetarët e quajtën atë “Mbret të judenjve.” Kur Jezusi u kryqëzua në një kryq prej ushtarëve romakë, mbi kokën e tij ishte vendosur një akuzë e shkruar kundër tij: KY ËSHTË JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE.” (Mateu 27:37) Jezusi u quajt “Mbreti i judenjve” në lindje dhe në vdekje, po ashtu jetoi si një jude mes judenjve midis lindjes tij dhe vdekjes së Tij.

Jezusi lindi në qytetin jude të Bethlehemit, dhe u rrit në qytetin jude të Nazaretit. Tërë ndjekësit e parë të Jezusit ishin judenj. Dymbëdhjetë dishepujt e parë ishin judenj.

Gratë që asistuan lindjen e Jezusit dhe apostujt e Tij ishin judenj. Jezusi shumë prej mësimeve të tij i dha në sinagoga  dhe në tempullin jude. Njerëzit shpesh i adresoheshin Jezusit si “Rabi,” termi jude për një mësues apo mentor fetar. Një prej ndjekësve të parë të Jezusit i tha Atij:” Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!”(Gjoni 1:49) Prejardhja e Jezusit si jude nuk është një shënim në fund të faqes; por është një nënvizim i rëndësishëm i portretit që jep Bibla për Të.

 

Këtu më duhet ta mbyll, sepse minutat tona mbaruan për sot, por do të flasim herën e ardhshme për këtë pjesë të rëndësishme të portretit të Jezusit: Një jude, që erdhi para së gjithash për judenjtë, por edhe për jo hebrenjtë. Për të gjitha këto na ndiqni herën e ardhshme. Deri atëherë kalofshi bukur.