Një jude për johebrenjtë
Pse duhet të ndalemi kaq gjatë tek fakti që Jezusi ishte jude. Sepse është e rëndësishme për judenjtë, që të dinë se Jezusi është njëri prej tyre, në vend që ata të qëndrojnë larg Tij për shkak të një keqkuptimi. Po ashtu, po theksojmë faktin që Jezusi ishte jude në mënyrë që johebrenjtë ta marrin seriozisht prejardhjen e Jezusit.
Nëse ti je një i krishterë johebre, mund të thuash: “Unë nuk jam jude. Pse duhet të më interesojë mua prejardhja judease e Jezusit? Ajo që ka rëndësi është se Ai ishte njeri ashtu si unë, dhe erdhi për të shpëtuar njerëzit nga çdo komb. Fakti që Ai ishte jude është thjesht një shënim në fund të faqes.” Miku im nuk është ashtu, nuk është thjesht një çështje pa rëndësi. Kjo gjë është shumë e rëndësishme, sepse përcakton mënyrën se si ti lidhesh me popullin jude, e po ashtu si lidhesh me Jezusin.
Historikisht, disa prej johebrenjëve e shpërfillën faktin se tërë ndjekësit e Tij të parë ishin judenj, dhe rezultati ishte i tmerrshëm: persekutim i popullit jude, madje edhe një vrasje masive. Ata i përmendin judenjtë si vrasës të Krishtit dhe pretendonin se Perëndia dëshironte që të vriteshin judenjtë. Nëse përndjekësit e Jezusit do të ishin fokusuar më pak tek fakti se disa judenj ndihmuan në vrasjen e Jezusit dhe, në vend të kësaj të fokusoheshin te fakti se Jezusi vetë ishte jude, ata do të kishin qenë më tolerantë ndaj judenjve, e nuk do t’i kishin keqtrajtuar ata. Po të ishin mbajtur fort pas faktit se të krishterët e parë dhe apostujt e Dhjatës së Re ishin judenj, ata do ta kishin parë se bekimi i Perëndisë për johebrenjtë erdhi përmes judenjve, dhe ata do të ishin lutur për popullin hebre të Zotit, në vend që ta përndiqnin atë. Po ta kishin marrë seriozisht Fjalën e Zotit do ta kishin ditur atë që Jezusi tha:
” Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: “Lavdia e Tij më ka dërguar te kombet që ju kanë plaçkitur, sepse ai që ju prek juve prek beben e syrit të tij.” (Zakaria 2:8), Kështu do të kishin frikë, e nuk do t’i bënin ndonjë të keqe popullit të zgjedhur dhe të çmuar të Zotit.
Disa thonë se vetë Dhjata e Re është anti-semitike, por kjo është marrëzi. Dhjata e Re është shkruar prej popullit jude dhe shumë prej saj i adresohet lexuesit jude – është pro judease dhe jo anti-semitike. Disa thonë se Dhjata e Re është anti-semitike sepse ajo thotë se populli jude ndihmoi në kryqëzimin e Jezusit, por ky është thjesht një fakt historik. Dhjata e Re po ashtu thotë se ushtarët romakë e kryqëzuan Jezusin në kryq, por kjo nuk do të thotë që Dhjata e Re është kundër italianëve.
Bibla thjesht pohon atë që ndodhi. A është filmi Brejvhart kundër Skocisë sepse shfaq, disa zyrtarë skocezë të frikësuar që tradhtojnë Uilliam Uollis? Sigurisht që jo. Uollis vetë ishte skocez. Në të njëjtën mënyrë, Dhjata e Re tregon se disa zyrtarë judenj organizuan vdekjen e Jezusit, por Jezusi vetë ishte jude. Një libër i shkruar prej judenjve dhe për judenjtë do të ketë disa keqbërës judenj, por tërë heronjtë janë po ashtu judenj, përfshi këtu heroin kryesor, Jezusin vetë. Nuk ka mundësi që të quhet anti-semitik, një libër i cili ka në qendër një jude , si Birin e Perëndisë dhe Shpëtimtarin e Botës. Pse është e rëndësishme që të theksojmë se Jezusi ishte jude? Sepse kështu të krishterët johebrenj mund të lidhen me judenjtë.
Kjo është pa aq e rëndësishme për mënyrën se si johebrenjtë lidhen me Zotin. Pohimi më i rëndësishëm jude për besimin, pohon “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.” (Ligji i Përtërirë 6:4) Nuk ka vetëm një perëndi për judenjtë dhe një tjetër për jo judenjtë. Nuk ka shumë perëndi të ndryshëm por vetëm një krijues dhe Zot të qiellit dhe tokës. Perëndia i Izraelitëve, Perëndia i Cili ia zbuloi veten Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, Perëndia i Cili veproi përmes Mojsiut, Deborës, Davidit dhe Esterit, është i vetmi Perëndi që ekziston. Ky Perëndi nxorri popullin e Izraelit dhe ju zbulua atyre në mënyra te mrekullueshme dhe të veçanta që nuk i ishte shfaqur asnjë kombi tjetër. Izraeli ishte kombi i vetëm përmes të cilit Perëndia do tu sillte bekimin dhe shpëtimin tërë kombeve të dheut. Kur Jezusi erdhi, Ai nuk përfaqësoi një perëndi të ri; ai erdhi mes judenjve duke përfaqësuar Perëndinë e Izraelit, Perëndinë e vërtetë.
Ky Perëndi ka një plan për historinë dhe për botën. E ky plan është një program i vazhdueshëm që shpaloset hap pas hapi, nuk është një plan i ngatërruar me përshtatje dhe fillime. Fakti që Jezusi ishte jude dhe jo prej një kombi tjetër tregon vazhdimësinë e planit të Perëndisë. Pasi Perëndia zgjodhi judenjtë si fokus i zbulesës së Tij të veçantë, ai vendosi që zbulesa dhe shpëtimi i tij më i madh do të lindte mes judenjve, dhe jo në një komb tjetër. Sikurse Jezusi vetë e tha: “Sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.” (Gjoni 4:22) Kjo ishte ujdia e vetme, që ai emri i të cilit do të ishte Shpëtimtari,do të ishte një person jude. Emri i Jezusit është në greqisht, dhe përkon me ermin Jeshua, apo Joshua, i cili do të thotë Zoti shpëton. Lindja e Jezusit, apo Jeshuas në një familje hebrease ishte për të qëndruar në unitet me veprën e vazhdueshme të Perëndisë, në shpalosjen e planit të Tij të shpëtimit mes popullit jude.
Fakti që Jezusi ishte jude, është i rëndësishëm në ruajtjen e vazhdimësisë midis Shkrimeve të shkruara para ardhjes së Jezusit dhe shkrimeve të shkruara pas Tij. Ndjekësit e Jezusit shpesh flasin për Biblën në dy pjesë kryesore: Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e re. Dhjata e Vjetër konsiston në librat e Mojsiut dhe profetëve dhe shkrime të tjera të shenjta që datojnë para kohës së Jezusit. Dhjata e Re konsiston në përshkrimet e ungjijve për jetën e Jezusit dhe tek letrat e shkruara prej apostujve të Jezusit për të shpjeguar më tej domethënien e Jezusit.
Kur ndjekësit e Jezusit flasin për Dhjatën e Vjetër dhe Dhjatën e Re, fjala “i vjetër” nuk do të thotë, se Dhjata e Vjetër është një pjesë e vjetruar e Biblës. Ndjekësit e Jezusit nuk e mohojnë shkrimin hebreas të cilin Perëndia ia dha judenjve para se Jezusi të lindte; ata i përqafuan këto Shkrime të Dhjatës së Vjetër ashtu siç bëri edhe Jezusi vetë. Jezusi përshkroi cilësinë më të madhe të Dhjatës së Vjetër kur tha: ” dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë ” (Gjoni 10:35) Ai tha për Dhjatën e Vjetër ” Ju hetoni Shkrimet … dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua. (Gjoni 5:39)
Në dekadat e para pasi Jezusi u kthye në qiell, Zoti frymëzoi apostujt për të prodhuar shkrime të shenjta shtesë, të cilat realisht formuan Dhjatën e Re. Por këto libra nuk kundërshtonin Shkrimet më të vjetra, as nuk i bënin ato të vjetruara. Librat e Dhjatës së Re, përmbushën Shkrimin e Shenjtë dhe shfaqën plotësinë e planit të Perëndisë, i cili kishte filluar të shpalosej në shkrimet më të vjetra. Ceremonitë, sakrificat dhe ritualet e caktuara, të Dhjatës së Vjetër nuk kërkohen më, qysh prej kohës kur Jezusi i ka përmbushur ata duke u sakrifikuar vetë në kryq. Por leximi i këtyre gjërave është shumë ndërtues sot për të kuptuar se çfarë ka bërë Jezusi për hatër të judenjve dhe johebrenjëve.
Johebrenjtë të cilët shpërfillin prejardhjen judease të Jezusit, priren të bëjnë gabimin e tyre më të madh sepse i kushtojnë pak vëmendje zbulesës madhështore të Perëndisë në Dhjatën e Vjetër. Ata po ashtu keqkuptojnë shumë shkrime të Dhjatës së Re, nëse harrojnë se ato Shkrime, u shkruan që të gjitha prej autorëve judenj, dhe portretizojnë Jezusin si Mbret të judenjve dhe përmbushjen premtimeve të Perëndisë për popullin e Tij të zgjedhur. Me qëllim që johebrenjtë të njohin unitetin e Perëndisë, rrugët e Perëndisë dhe Fjalën e tij më mirë, kur lexojnë Biblën duhet të pyesin:”Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur?”
Kësaj pyetje do ti përgjigjemi herën e ardhshme në pjesë ne tretë të temës sonë Jezusi për judenjtë. Deri atëherë kalofshi sa më bukur dhe Zoti ju bekoftë.