Gjatë njëzetë viteve të mia si pastor gjithmonë kam eksploruar të vërtetat e pandryshueshme të ungjillit në mënyra praktike dhe që lidhen drejtpërdrejtë me jetën reale.
NË KËRKIM TË JETËS SË VËRTETË
Në fakt nëse ka një stinë të vitit gjatë së cilës ndihemi më të shkëputur nga jeta reale, kjo është koha e Krishtlindjes. Unë kam vënë re se bisedat për “Krishtlindjen”, janë kthyer në biseda “për ditët e pushimit”.
Ndoshta e keni dëgjuar atë këngën “Kjo është koha më e bukur e vitit…” në anglisht është “This is most uondëfëll tajm ov dhë jië”. Besoj se e keni dëgjuar. Por a është e vërtetë se kjo është koha më e bukur e vitit? Gjatë shërbesës sime si pastor, kam zbuluar se kjo kohë pushimesh është e bukur, por jo për të gjithë njerëzit, ndoshta as për ty.
E vërteta është se kjo stinë e vitit është e vështirë për shumë prej nesh. Këto ditë kam takuar një mikun tim që është konsulent pastorësh. Ai tha se ritmi i punës për të nuk bie aspak në këtë kohë të vitit. “Shumë njerëz gëzohen në këtë kohë të vitit”, tha ai dhe, njëkohësisht “shumë njerëz mërziten në këtë kohë të vitit”.
Tani pse ndodh kështu?
Ndoshta sepse kjo stinë më shumë se çdo stinë tjetër e vitit na shkëput prej realitetit dhe na shtyn të hyjmë në një botë joreale të zbukuruar me drita dhe xhingla, që nuk janë gjë tjetër veçse fasadë. Kjo është stina kur ne nxitemi të lëmë pas shqetësimet dhe problemet tona. Nuk e di për ty. Por unë nuk mund t’i harroj lehtë problemet e mia.
Disa prej nesh po e kalojnë Krishtlindjen pa praninë e një njeriu të dashur. Dje ne si familje vizituam varrin e një personi të dashur, që na ka munguar shumë gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar. Dhe tani ka një vend bosh në tryezë. Dhe gjithë fokusi në këtë stinë të vitit është tek takimet familjare që na kujtojnë anëtarin e familjes që nuk është më mes nesh.
Ndoshta ne vetë apo dikush që e duam shumë ka përjetuar një ndarje. Dhe tani Krishtlindja po vjen plot me kujtime të familjes që mblidhej rreth e rrotull pemës.
Por këtë vit kjo nuk ka për të ndodhur, familja nuk do të mblidhet më rreth saj. Këtë vit do të ketë shumë festa. Por sa më shumë afrohet dita e tyre aq më shumë e ndien dhimbjen përbrenda.
Ndoshta nuk ke asnjë nga problemet më lart. Problemi yt është se paratë nuk dalin. Ngushtimin e buxhetit të familjes e tregojnë blerjet e pakta në këtë stinë. Kompania juaj ka pasur shkurtime dhe pagat janë ulur goxha. Ti thjesht po ia del deri në fund të muajit. Tani ti po pyet veten se ku do t’i gjesh paratë për të blerë dhuratat për poshtë pemës. Ti nuk guxon t’i shohësh më kartat e kreditit. Por nuk dëshiron as të zhgënjesh fëmijët e tu. Ti ke frikë se faturat do të bëhen pirg pas Krishtlindjes.
Ndoshta në këtë kohë ti po përballesh me depresionin. Lëvizjet e humorit të shoqërojnë në çdo moment. Ndërsa tani që ka ardhur stina e Krishtlindjes dhe të gjithë duken shumë të gëzuar ,ti dukesh shumë i mërzitur. Kjo e bën gjendjen tënde emocionale të duket akoma më të pazakontë. Sa më shumë qeshin të tjerët, aq më shumë qan ti. Duket sikur të gjithë janë të lumtur veç teje.
Ndoshta ti je duke dëgjuar këtë program dhe je larg shtëpisë. Ti je në një vend tjetër, apo sapo ke filluar një punë të re në një qytet të panjohur. Ndoshta ti je duke shërbyer në forcat e armatosura, në një cep të botës, ku njerëzit ëndërrojnë vetëm paqe. Ty të ka marrë malli për shtëpinë, për aromën dhe melodinë e saj. Ndoshta ti ëndërron një Krishtlindje me borë, por atje ku ti banon nuk bie kurrë borë. Ti dëshiron të kthehesh në shtëpi për Krishtlindje, por kjo është e pamundur.
Por në këtë stinë të vitit ajo çka na ka prekur është zhgënjimi i plotë. Ti doje ta besoje me të vërtetë se Krishtlindja është kohë fantastike për tu gëzuar. Ajo sjell një gëzim që asnjë stinë tjetër nuk mund ta sjellë, por ja që nuk është kështu për ty. Ti kishe shumë shpresa për këtë vit, se do të ishte një kohë gëzimi. Ndoshta gëzimi do të ishte më pranë, me një festë më shumë, një dhuratë më shumë, a disa dekorime më shumë në pemë. Por ti nuk i beson më këto gjëra.
Nuk beson se ato mund të të sjellin gëzim. Ti e di shumë mirë se kur festa të ketë mbaruar, nuk do të ndihesh aspak i gëzuar por i rraskapitur. Kjo stinë nuk ka për të realizuar premtimet që mendoje.
Dhe ti ndihesh si Grinçi në përrallën klasike të Doktor Seussit. (Grinch -Dr. Seuss’ classic tale). Ti dëshiron të vjedhësh Krishtlindjen dhe ta heqësh prej kalendarit. Ndoshta ti ndihesh si një miku im, i cili festoi Krishtlindjen për herë të parë pa bashkëshorten e tij. Pas Krishtlindjes më tha “Jam i lumtur që mbaroi festa”, sikur të thoshte, shyqyr që iku se nuk po duroja më.
Po sikur të humbasim thelbin e kësaj feste? Po sikur synimi i Krishtlindjes të jetë që ta ngadalësojmë ritmin, t’i shohim problemet në sy, dhe të zbulojmë se Krishtlindja ofron përgjigjet që kemi qenë duke kërkuar për një kohë të gjatë?
NJË VËSHTRIM MË I NGUSHTË PËR KRISHTLINDJEN
Kemi folur deri tani se si priremi të shkojmë drejt mohimit në këtë stinë festash. Pra kemi këtë nocion të çuditshëm se Krishtlindja është ajo kohë e vitit, kur duhet t’i fshehim gjithë problemet tona. Nëse mendon kështu, atëherë le të shikojmë më nga afër në Bibël, sa e vërtetë është kjo. Çuditërisht, ne do të zbulojmë se lajmi i Krishtlindjes nuk zgjidh problemet e të gjithë njerëzve. Nëse dëshiron të dish të vërtetën, shpallja e lindjes së Krishtit do të sillte vite më pas rilindjen e shumë njerëzve.
Le të shohim së bashku se çfarë kuptimi kishte Krishtlindja për një personazh kyç në historinë e Krishtlindjes, e kam fjalën për Jozefin nga Nazareti. Jozefi është fejuar me një vajzë të re, me ermin Maria. Dhe disa muaj para Krishtlindjes së parë, Jozefi zbulon se mesazhi i Krishtlindjes, po ngatërrohet me jetën e tij në një mënyrë që nuk i kishte shkuar asnjëherë nëpër mend. Shkruesi i ungjillit, Mateu, e shpreh kështu lindjen e Jezusit: “Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Frymën e Shenjtë.
Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas.”
Shpallja e një lindjeje të tillë po ia vjedh jetën Jozefin. Pse? Sepse po e fut atë në një botë skandalesh. Nusja e tij po pret një fëmijë, dhe Jozefi nuk është babai i fëmijës.
Ç’është më e keqja, Maria po i tregon të gjithëve një histori të pabesueshme, për engjëllin dhe ngjizjen hyjnore. Jozefi mund të dalë në përfundimin e vetëm se nusja e tij ose është gënjeshtare e lindur, ose i ka ikur mendja fare. I gjendur në këtë skandal, ai planifikon të kërkojë divorcin me Marinë.
Sigurisht që ai na çudit më pas me ato që bën. Pse çuditemi me Jozefin? Sepse Mateu na tregon se Maria është zotuar se do të martohet me Jozefin.
Jozefi dhe Maria janë të fejuar, pra nuk janë martuar ende. Çiftet e fejuara sot ndahen tërë kohës dhe, nuk kanë nevojë për një vendim gjykate për ta bërë ndarjen zyrtare. Atëherë, pse flasin për divorc, Maria dhe Jozefi që nuk janë martuar ende?
Sepse në ditët e Jozefit, martesa ishte një ngjarje në dy etapa. Etapa e parë ishte fejesa. Çiftet e fejuara shkëmbenin betimet me shoqi shoqin, zotime që ne sot i bëjmë në martesa. Pra një fejesë e shekullit të parë lidhej zyrtarisht. Por pas fejesës, çifti jetonte i ndarë në shtëpinë e prindërve të tyre. Vetëm pas një viti, kur çifti kishte bërë gjithë sistemimet e nevojshme në shtëpinë e tyre të re, ata caktonin ditën e dasmës. Pas festimit të madh dhe në shoqërinë e një vargu të madh njerëzish, dhëndri e merrte nusen në shtëpinë e re. Pas kësaj vinin ditët e festimit dhe gëzimit, kohë kur çifti i ri ftonte gjithë fshatin për të marrë pjesë në gëzimin e tyre.
Por çfarë ndodh me Jozefin dhe Marinë? A ndahet Jozefi prej Marisë, apo merr përsipër përgjegjësinë e foshnjës që nuk është i tij? Për të gjitha këto na ndiqni herën e ardhshme.