Do të ndalemi edhe sot te martesa e Jozefit me Marinë. Një martesë, sipas stilit të shekullit të parë, ishte pika kulmore e një çifti jude që do të kalonin jetën së bashku. Por përkushtimi i VËRTETË midis nuses dhe dhëndrit kishe ndodhur shumë kohë para martese, në kohën e fejesës. Kjo ishte arsyeja pse ndarja gjatë fejesës ishte sikur të kërkoje divorc.
Kthehemi sërish te Jozefi. Ai po planifikon të ndërmarrë këtë hap. Dhe kush mund ta akuzojë atë? Njerëzit e fshatit mund të kujtojnë se fëmija është i tij, por ai e di se kjo nuk është e vërtetë. Këto trillime qesharake të Marisë, po e bëjnë edhe atë të duket qesharak. Ai do të kërkojë divorcin. Por do ta bëjë këtë duke kombinuar drejtësinë dhe mëshirën. Ai do të divorcohet më të pa bërë shumë bujë. Ai mund të kishte bërë një deklaratë të hapur tradhtie. Ai mund ta kishte shfrytëzuar këtë për tu dukur si shenjtor në kurriz të Marisë. Fundja është e drejta e tij ligjore. Por ai do të zgjedhë një rrugë tjetër. Ai do të organizojë një ndarje të qetë. Ai do ta marrë një pjesë të turpit mbi vete. Kjo është një pikë që na ndihmon të kuptojmë më shumë historinë e Jezusit!
Dhe më pas engjëlli Gabriel mbërrin dhe përmbys planet e mirë menduara të Jozefit. Gabrieli e fton Jozefin për ta kanalizuar drejtësinë dhe mëshirën e tij në një tjetër drejtim. Ai i thotë: “A dëshiron të jesh i drejtë dhe i mëshirshëm Jozef ? Atëherë merre Marinë në shtëpinë tënde. Merre Marinë për grua. Më pas Jozef merr përgjegjësinë e fëmijës! Mbaje atë nën krahun tënd, Jozef.”
Por a do ta bëjë Jozefi këtë? Po, ai e bën këtë duke i vënë emrin fëmijës, e duke e quajtur si të vetin. Kur Jozefi i vë emrin fëmijës, tregon se do të marrë përgjegjësinë e fëmijës së Marisë. Ai do ta fusë fëmijën në linjën e tij familjare. Por në fakt nuk e zgjedh ai vetë emrin e fëmijës. Sepse emri tashmë i është vënë prej Atit të vërtetë të fëmijës: “Ti do ta quash atë Jezus”, thotë Gabrieli, “sepse ai do të shpëtojë popullin e tij prej mëkateve të tyre”.
Jozefi me siguri, është çuditur prej kësaj epifanie engjëllore. Ky njoftim duhet ta ketë lënë atë të habitur. Por si mund të ndodhë kjo? Dhe përgjigja është e thjeshtë: “Sepse ajo çka është ngjizur brenda saj është nga Fryma e Shenjtë.” “Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.”
NJË KËNDVËHTRIM I KRISHTERË
Njoftimi i kësaj na sjell ballë për ballë me përgjigjen që Krishtlindja na jep për shqetësimet dhe problemet. Kjo është koha më e mirë për tu përballur me faktet, qofshin këto fakte apo dështime të dhimbshme, ngatërresa apo mëkate. Pse? Pse duhet të sillesh kaq ashpër me veten në këtë kohë të vitit? Sepse një fëmijë do të lindë. Një fëmijë, emri i të Cilit është: “Perëndia është me ne”. Nuk ka stinë më të mirë të vitit se sa kjo për tu përballur me jetën reale, për t’i parë gjërat ashtu siç janë! Ko lidhet shumë me faktin e ardhjes së këtij fëmije.
Më lejo të pyes: si mendon, pse erdhi Jezusi? Pse Krishtlindja? Pse mori trajtë njerëzore Biri i Perëndisë?
Disa thonë, se erdhi për të zbuluar të vërtetën. A nuk ishte Jezusi një rabin i mrekullueshëm? Po, por Perëndia nuk kishte pse të vinte në mish për të na mësuar rreth jetës. Perëndia ka qenë duke i mësuar popullit të Tij rreth jetës që nga koha e Abrahamit dhe Mojsiut. Disa thonë se Ai erdhi të shërojë të sëmurët.
A nuk ishte Jezusi një shërues i fuqishëm? Po, por Perëndia nuk kishte pse të vinte në mish për të shëruar të sëmurët. Eliseu bëri mrekulli pas mrekullie, madje edhe ngriti të vdekurit me anë të fuqisë së Frymës së Perëndisë. Perëndia nuk kishte pse të lindte si një foshnjë në një grazhd të Betlehemit, për të na mësuar apo shëruar ne.
Po, në fakt është diçka që Perëndia nuk mund ta bënte pa ardhur më parë në mish. Ai nuk mund të përjetonte dhimbjen, varfërinë dhe vështirësitë po të mos kishte ardhur në mish. Pra ai nuk mund të kuptonte çfarë është vuajtja, po të mos kishte ardhur si Perëndia i mëshiruar në trajtë njerëzore. Pa qenë ashtu si ne, ai nuk do të mund të vdiste dot. Dhe Perëndia i mëshiruar në një njeri, u lind që të vdiste. Ai u lind që të merrte mbi vete thyerjen, fajin dhe turpin tonë. Krishti erdhi që të përballej në mënyrë vendimtare me të gjitha këto gjëra që ne duam t’i mënjanojmë apo largojmë në kohën e Krishtlindjes. Ti mund ta kuptosh se çfarë ndodh në Krishtlindje vetëm nëse shikon rrugën nëpër të cilën Jezusi do të udhëtojë. Kjo rrugë do ta çojë atë në Egjipt, në Nazaret, dhe kudo nëpër Palestinë. Por do të përfundojë veç disa kilometra prej Bethlehemit. Në një kodër në Jeruzalem. Në kryq. Vetëm nëse e kupton që kjo rrugë të çon në Kalvar, do të kuptosh se pse koha e Krishtlindjes është një kohë e shenjtë.
Ti mund ta kuptosh grazhdin e Betlehemit, vetëm nëse e kupton kryqin.
Sepse Ai është perëndia Emanuel “Perëndia me ne”. Ai është i vetmi që, sikurse e deklaron edhe profeti, mori plagët tona dhe mbarti paudhësitë tona.
“Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.
Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.” (Isa. 53:5,6)
Tani e kuptojmë se çfarë po ndodh në Krishtlindje. Jezusi ka lindur në vendin tonë. Ne e meritojmë turpërimin e stallës. Ne e meritojmë përulësinë e një grazhdi stalle.
Por është Krishti Ai që e merr mbi vete gjithë turpin. Dhe Ai vazhdon të marrë mbi vete paudhësitë dhe dobësitë tona, madje edhe fajin, që të kemi paqe me Perëndinë dhe një të ardhme. Ai e merr gjithçka mbi vete që ne të mund të jetojmë.
Tani dua të ndalem në një histori tjetër reale. Vendi ishte Aushvici (Auschëitz). Nazistët sapo kishin përzgjedhur një numër të burgosurish që po vdisnin urie. Një prej këtyre ra në tokë dhe filloi të lutej: “Jam i martuar” pëshpëriti ai. Kam fëmijë. Ju lutem kini mëshirë.”
Pikërisht në atë çast Atë Maksimilian Kolbe, një prift françeskan, bëri një hap përpara. Një roje zgjati menjëherë armën për të qenë gati nëse hapeshin telashe. Por Kolbe kishte vetëm një kërkesë për t’i bërë oficerit drejtues. “Zotëri”, tha ai “më merrni mua në vend të këtij njeriu. Do të qëndroj unë në qelinë e mosushqyerjes.”
Kërkesa e tij u pranua. Dhe Kolbe u vendos në një bunker të nëndheshëm dhe u la atje derisa vdiq.
Unë nuk e di nëse do ta kisha bërë atë që bëri Kolbe. Por di këtë. Të njëjtën gjë si Kolbe, bëri edhe Jezusi për ne, për të gjithë ata që e vendosin besim në Të. Dhe vepra e zëvendësimit, e mbartjes të mëkateve dhe lëndimeve tona, qëndrimi i tij në kryq në vendin tonë, fillon shumë kohë para Kalvarit. Gjithçka fillon me ngjarjet e Krishtlindjes. Një fëmijë ka lindur. Emri i të cilit do të thotë:”Perëndia me ne.”
PËR KË ERDHI KRISHTI?
Ja pse miqtë e mi, Krishti nuk erdhi për të fortët, por për të dobëtit. Ne mendojmë të kundërtën. Se Krishtlindja është për njerëzit e mirë. Për ata që e stolisin shtëpinë e tyre me zbukurimet e modës së fundit. Krishtlindja është për ata që mund të hanë ushqimet më të zgjedhura dhe, të festojnë në restorantet më të mira në këtë periudhë të vitit. Ne mendojmë se Krishtlindja është për ata që kanë aq shumë para sa tu blejnë fëmijëve gjithçka që ju do zemra për Krishtlindje. Por e gjitha kjo është lustra e Krishtlindjes. Sepse Krishtlindja nuk është për të fortët. Krishtlindja është për të dobëtit.
Isaia e pohon shumë mirë këtë. Ai pohon: Se nuk do ta shuaj kandilin që bën tym. Çfarë është kandili? Më lejo ta ilustroj:mbaj në dorë një qiri të ndezur. Fryje flakën. Ajo që të mbetet në dorë është kandili që bën tym. Por ne nuk e mendojmë këtë. Kandilat që bëjnë tym duhen hequr.
Ti edhe unë jemi kandila që bëjnë tym. Nuk bëjmë flakë. Jo, do t’ia rrisnim shumë vlerat vetes po të mos mendonim kështu. Nëse do ta mendonim se jemi si flakë të zjarrta, thjesht do të gënjenim veten. Ne jemi kandila që bëjnë tym. Ti mendon se Perëndia me gishtat e tij do të fikte edhe tymin dhe do të na jepte fund?! Nuk është kështu. Ai vjen me zjarrin e Frymës së Tij për të rindezur zjarrin në jetën tonë. Dhe kush e bën të mundur këtë? Është Biri i Tij, Jezus Krishti, i mishëruar në mish, për shpëtimin tonë.
Ky mesazh në këto ditë Krishtlindjeje është për ata që mendojnë se janë të dobët. Për ata që janë të tunduar të dorëzohen në jetë. Për ata që nuk e dinë se çfarë gabimesh kanë në këtë Krishtlindje, sepse në vend që të ndihen në majë të botës, ndihen si njerëzit më të ulët dhe më të mjerë. Krishtlindja është për ata që mendojnë se stina e Krishtlindjes, do t’i shpërfillë sepse janë në dhimbje, apo se një i dashuri i tyre është sëmurë dhe po vdes, apo për dikë që po përballet me probleme të mëdha. Këta janë njerëzit për të cilët ka ardhur Krishti. Këta janë kandilat që bëjnë tym.
Dhe ky është lajmi i Krishtlindjes: “Perëndia është me ne. Perëndia është me ty! Ne kemi parë lavdinë e Tij në fytyrën e Jezusit, ne kemi parë hirin e Perëndisë.
Studiuesi skocez Tomas Torrans (Thomas Torrance )tregon se kur ishte kapelan në ushtri, ai mbante dorën e një nëntëmbëdhjetë vjetari që po vdiste, dhe vite më pas kur ishte pastor në Aberden (qyteti i tretë më i madh i Skocisë). Ai vizitoi një prej anëtarëve më të moshuar të bashkësisë së tij. Ata të dy bënë të njëjtën pyetje: “A është Perëndia me të vërtetë si Jezusi?” Ai i siguroi që të dy se Perëndia është me të vërtetë si Jezusi. Nëse ke parë fytyrën e Jezusit, ke parë fytyrën e vetë Perëndisë.
Unë të ftoj ty sot t’i afrohesh grazhdit dhe ta shohësh Jezusin në fytyrë. Dhe në fytyrën e Krishtit, shiko fytyrën e Perëndisë. Shiko thellësitë në të cilat Ai shkoi për të forcuar dhe inkurajuar ty. Shiko dashurinë që do të hyjë në njerëzim që të na sjellë falje, shpresë dhe shërim. Shiko mrekullinë e Perëndisë: dashurinë! Dhe beso.