Kurthi i sporteve

Print

Titulli: Kurthi i sporteve (pjesa 1)

Sportisti i parë me të cilin dua t’ju prezantoj ishte njeriu më i shpejtë në botë. Ai e dashuronte vrapimin. Ai shpresonte shumë që të fitonte një medalje olimpike ari. Por lajmi që mori ia hidhëroi zemrën: xhirot kualifikuese të njëqind metërshit ishin caktuar ditë të diele.

Njëqind metërshi ishte ngjarja e tij e madhe dhe kishte kohë që i priste olimpiadat, por Erik Lidëll nuk do të vraponte ditë të diele. Ai e donte shumë Perëndinë dhe e nderonte të dielën si ditë adhurimi dhe çlodhjeje. Trajnerët dhe qeveria i bënë presion atij që të vraponte dhe të linte takimin e kishës vetëm këtë herë, por Eriku refuzoi. Ai vendosi Perëndinë para gjithçkaje. Ndërsa vrapuesit e tjerë vraponin në garat e njëqind metërshit, Eriku e kalonte ditën e Zotit në kishë.

Megjithatë, Eriku nuk u kthye prej olimpiadave duar bosh. Ai u kthye në shtëpi me integritetin e tij dhe marrëdhënien me Perëndinë. Po ashtu me vete mori edhe diçka tjetër: një medalje ari dhe një rekord botëror. Eriku nuk vrapoi në garën e njëqind metërshit, për të cilin ishte trajnuar, në vend të kësaj hyri në garën e katërqind metërshit dhe vrapoi më shpejt se ç’kishte vrapuar ndonjë tjetër para tij. Kjo ka ndodhur  rreth nëntëdhjetë vite më parë, në Lojërat olimpike të Parisit në vitin1924. Fitorja e Erikut më vonë ishte fokusi i filmit “Qerret e zjarrit”, që fitoi edhe çmimin Oskar.

Pasi fitoi medaljen e arit, Erik Lidëll u trajnua për shërbesë ungjillëzuese dhe shkoi si misionar në Kinë.

Çfarë ndodh më pas, e ndjekim pas një çasti muzikor.

Situata u bë tepër e rrezikshme atje në vitet dyzet, por Eriku nuk u largua. Njeriu i cili kishte mjaft integritet për ta vendosur vullnetin e Perëndisë para sporteve, kishte po ashtu kurajë për të vënë vullnetin e Perëndisë para sigurisë vetjake. Eriku vazhdoi punën e Perëndisë, mes popullit kinez. Realisht ai përfundoi në një kamp të burgosurish. Ai vdiq atje nga një tumor në kokë. Ai ishte veç dyzetë e tre vjeç.

Tani dua t’ju flas për një sportist tjetër i cili vdiq prej kancerit në tru, në moshën dyzetë e tre vjeç. Ndryshe nga Erik Lidëll,  perëndia i këtij atleti ishin sportet.

Ai nuk ndalte para asgjëje, donte vetëm fitoren. Ai të gjitha ndeshjet i kishte ditë të diel.  Pozicioni i tij ishte mbrojtës fundor në Ligën Kombëtare të Futbollit. Futbollisti Lajl Al-zado realizoi gjithçka që kishte ëndërruar: ai ishte në krye të klasifikimeve e, u nominua Lojtari mbrojtës i vitit dhe fitoi super kupën.

Ai nuk mund t’i kishte bërë këto gjëra pa luajtur të Dielën, po ashtu nuk do të mund t’i kishe arritur këto fitore pa përdorur steroidet. Steroidet e bënë atë më të madh, më të fortë, dhe më agresiv në fushë. Steroidët ishin kundër ligjit, por sportet kishin shumë më tepër rëndësi se ligji. Steroidet rrezikuan shëndetin e tij, por për të sportet kishin më shumë rëndësi se sa shëndeti. Steroidët i shkaktuan lëkundje të humorit të cilat i shkatërruan marrëdhëniet, por për të sportet kishin më shumë rëndësi se sa marrëdhëniet.

Gruaja e dytë e Alzados tha se Lajl ndonjëherë e gjuante me grushte nga inati dhe ishte e pamundur të jetohej me të, për shkak të ndryshimeve të humorit.

Derisa mbushi të dyzetat, Lajl Alzado, kishte qenë i martuar katër herë.

Më pas pati kancer në tru dhe, vdiq në moshën 43 vjeçare, i bindur se steroidët e vranë atë. Kush pati një qëndrim më të mirë ndaj jetës, Erik Lidëll apo Lajl Al-zado? Kush ishte më i zgjuari, sportisti i cili vendosi Perëndinë të parin, apo ai që donte që asgjë të mos ia pengonte fitoren? Cila pikëpamje, është më tipike sot?

Sportdashësit

Sa herë ka lojëra olimpike disa prej atletëve fitues mund të thonë se ishte Zoti që i ndihmoi të fitonin. Por a do të refuzojë ndonjëri prej jush që është sportist të mos garojë të dielën, për të respektuar ditën e Zotit, ashtu siç bëri Erik Lidëll? Shumë familje që e duan sportin, pretendojnë se e duan Perëndinë,  por sa herë që ka një përplasje mes kishës të dielën dhe një sporti, çfarë zgjedhin ata? Kur prindërit e anashkalojnë të dielën që një dhjetë vjeçar të mos humbasë stërvitjen apo një lojë futbolli, ata nuk janë duke rritur një Erik Lidëll të ri.

Një baba i krishterë na tregon përvojën e tij. Ai shkruan: “Një ditë i thashë trajnerit, se çuni im nuk do të luante të dielave, dhe ai u duk i habitur. Pastaj i thashë: ‘E di si po më dukesh, sikur askush  nuk t’i ka thënë këto fjalë më parë!’ Ai mu përgjigj: të them të drejtën askush nuk më ka thënë këtë që po më thua ti. Askush.'”

Një shkrimtar i revistës amerikane Sports Illëstrejtid (Sports Illustrated) thotë:

“Sportet pothuajse e kanë përpirë të dielën. Çdo sportist luan të dielën. Dita e madhe për sportistët që duan golfin dhe tenisin është e diela.

Futbolli nëpër kolegje filloi të luhej ditët e diela. [Një rast ishte me basketbollin] kur tetë ndeshje të turneut të NCAA-së u luajtën ditën e diel. Tani gjithmonë e më shumë skuadrat e sportistëve të rinj, luajnë të dielën, kur fushat janë më të lira dhe prindërit janë të gatshëm t’i shoqërojnë fëmijët.”

Kreu i një  shoqate futbolli thotë: “Nuk na vjen aspak mirë për këtë gjë, por me oraret e zëna gjatë javës, e diela mbetet e vetmja ditë e lirë për të bërë këto gjëra. Nëse një njeri udhëton dy shtete larg, s’ka kuptim që të mos luhet ditën e diel.”

Sipas Rik Rejllit (Rick Reilly), institutet fetare mund të mbushin ditën e diel me veprimtari sportive ashtu si gjithë të tjerët. Skuadrat e softbollit të Notre Damit luajnë më shumë ndeshje ditën e diel se ditët e tjera.

Në disa fusha të JMCA-së (YMCA) (që do të  thotë shoqata e të rinjve të krishterë) sponsorizon sportet e të rinjve ditën e diel.

E vërteta është se edhe Rik Rejlli, i do sportet. Ai siguron jetesën me shkrimet e tij për sportin. Ai ka marrë tetë herë çmimin shkrimtari i vitit. Ai nuk është fanatik fetar që ta ruajë të dielën të shenjtë. Megjithatë Rick Rejlli thotë: “Thjesht më vjen keq për këta fëmijë, që nuk bëjnë asgjë veç sporteve të organizuara, që ia marrin frymën njëzetë e katër orë në ditë, shatë ditë të javës! Edhe Perëndia e bëri një ditë pushim. Fëmijët mund të qajnë nga gëzimi kur i thonë se e kanë një ditë pushim, që nuk do të luajnë sport. Nëse nuk e kalojnë atë ditë në kishë,  ndoshta do ta kalojnë  për të mësuar më mirë emrat e vëllezërve dhe motrave të tyre.” (Sports Illustrated, 26 Prill, 2004)

Shumë prej nesh janë sportdashës. Ne nuk e trajtojmë të dielën si të shenjtë; i trajtojmë sportet si të shenjta. Kështu është kudo nëpër botë.

Në Amerikë për shembull, në vitin 2004, zyrtarët e ligës së Bejsbollit, shpallën planin për të vendosur reklamat e një filmi në bazat e shumë fushave. Fansat u tmerruan dhe reaguan: “Ç’është ky komercializëm në fushë?!”. Kjo do të dhunonte  pastërtinë e sportit! Protesta ishte kaq e fortë, sa që zyrtarët që njoftuan lajmin e tërhoqën mbrapsht dhe bazat mbetën të bardha dhe të paprekura prej reklamave. Mes tmerrit dhe bërjes së parave prej reklamave në baza, a e ngriti njeri zërin në favor të lojtarëve që detyrohen për para të luajnë edhe të dielën, ditën e Zotit?

A kundërshtoi njeri shitjen e biletave dhe birrës në ditën e Zotit? A kundërshtoi njeri mbushjen e stadiumeve në vend të adhurimit të Perëndisë në kisha? Me sa duket bazat janë tepër të shenjta për reklamat e filmave, por dita e Zotit nuk është tepër e shenjtë për ta dendur atë me sporte komerciale. Do të ishte çudi nëse nuk do të ishte kaq e trishtueshme.

Këtu minutave tona u ka ardhur fundi. Herën e ardhshme do të flasim për sportin si

një mënyrë argëtimi. Sportet mund të sigurojnë një argëtim të pastër dhe të mirë si edhe përfitime të tjera. Fëmijët rriten më të shëndetshëm kur merren me ushtrime se sa kur rrinë ulur pa bërë asgjë. Sporti i bën mirë çdo moshe.