Lidhjet na bashkojnë por ndonjëherë edhe na ngatërrojnë

Print

Titulli: Lidhjet na bashkojnë por edhe na ngatërrojnë: Konflikti (pjesa 1)

Sot e pashë të arsyeshme të ndalemi tek Konflikti që shpesh vjen si rezultat i pritjeve të gabuara.

Nga njëra anë, mund të ketë pritje reale. Nga ana tjetër, mund të ketë pritje joreale.

Pra le të themi se ne presim që tjetri të përmbushë nevojat tona më të thella, çka paraqet nevojën tonë për tu njohur prej Perëndisë, Krijuesit tonë.

Mbështetja te njerëzit e tjerë për të gjetur plotësi do të sjellë veç zhgënjim.

Por ka pritje të tjera qe dhe pse janë reale mund te rezultojnë të gabuara. Për shembull, ti ndoshta ke pritur që partneri yt të mbajë rrobat në dollap dhe jo ti hedhë ato mbi dyshemenë e dhomës së gjumit.

Ndoshta ti ke pritur që bashkëshorti yt të festojë Krishtlindjen ashtu siç e ke festuar ti në familjen e prindërve.

Ndoshta ti prisje që bashkëshortja jote të shtrydhë pastën e dhëmbëve nga fundi drejt fillimit, ashtu siç e bën ti, ndaj ti i thua “Shiko e dashur, nuk bëhet kështu. E shtyp nga fundi dhe gradualisht derisa del lart…”

Ne zhgënjehemi kur nuk plotësohen pritjet tona. Atëherë ndoshta shohim të nevojshme se duhet ta ndihmojmë partnerin apo partneren ta korrigjojë këtë pikë të dobët të karakterit; fundja fare ne e duam këtë person. Dhe kështu hyjmë në konflikt.

Konflikti mund të ndodhë mbi shumë fushë beteja, përfshi këtu personalitetin, kulturën familjare, vlerat, bindjet e besimit, qëndrimet, gjendjen shpirtërore, dështimet, arritjet, nevojat seksuale, presionet shoqërore, sëmundjet. Po kështu si tw rritim  fëmijët,  si ti disiplinojmë ata, si të kursejnë paratë, si ti shpenzojnë paratë… këto janë vetëm disa shembuj.

Ashtu siç ka shumë fushëbeteja të konfliktit po kështu, ka shumë armë për ta luftuar atë.

Autori dhe këshilluesi, doktor Everet Uorthinton (Dr. Everett Worthington) liston një sërë shembujsh në udhëzuesin e tij satirik,  ‘Si të sulmojmë ndyrësinë dhe si të fitojmë” (“How to Fight Dirty and Win.”)

Për shembull, një armë e mirë  që mund të përdorësh është kontrolli e mendjes.

Pyete partnerin apo partneren se çfarë mendojnë në të vërtetë. “Oh e dashur ti nuk je e zemëruar, thjesht je pak e irrituar.”

Ose provo armën tjetër: shmangien. Sa herë konfrontohesh sill në bisedë çdo shpërqendrim të mundshëm për të shmangur fajin që partneri ka nxjerrë në pah.

Një tjetër armë është bomba me sahat, kur ve re një problem, mbaje shënim. Nëse janë mbledhur aq shumë probleme sa s’mban më, atëherë shpërthe papritur.

Të duket e njohur kjo? Është kaq e njohur për ty sa të ve në siklet?

Përgjithësisht reagimet e njerëzve ndaj konfliktit mund t’i vendosim në tri kategori kryesore.

E para është grindja. Ne mund të grindemi me fjalë, mund të bërtasim në shtëpi, apo të pëshpëritim diçka me inat në vende publike.

Fjalët mund të hidhen si një breshëri e fortë armësh ose si gjuajte therëse me shënjestër.

Ne mund t’i përdorim fjalët si shpatë për të shpuar partnerin apo partneren, për ta prerë, për ta zvogëluar partnerin dhe për ta vënë atë në vendin e duhur. Njëlloj si fjalët ne mund të përdorim edhe dhunën fizike.

Kjo grindje zakonisht pasohet me një sërë shfajësimesh dhe keqardhje.  Ne themi: “më vjen keq e dashur, nuk e di se ç’më kapi.”

Nëse e vini re me kujdes se këtu i hidhet faji diçkaje tjetër për të shmangur përgjegjësinë, pra ‘nuk isha unë, por se ç’më kapi.’

Mënyra e dytë se si reagojmë ndaj konfliktit është arratisja.

Sërish dua të theksoj se kemi dy lloje arratisjesh.

Kemi arratinë jo fizike, që tenton të zgjidhë gjërat pa u larguar fizikisht por duke u tërhequr disi nga biseda. Kjo ndryshe quhet largimi verbal.

Ti thjesht ndalon së foluri me atë person me qëllim që ta nxjerrësh nga jeta jote.

Një strategji tjetër afatgjatë është largimi emocional. Pra raporti në martesë fillon të ftohet të bëhet më i largët, dhe komunikimi kufizohet në gjërat që duhen biseduar, që “punët” brenda martesës të ecin.

Por veç formave jo fizike të arratisë, janë edhe format fizike.

Ndonjëherë kur ndodh konflikti në familje, njëri nga partnerët përplas derën dhe del jashtë.

Ose në vend të kësaj thjesht ndërron ambient, shkon nga njëra dhomë tek tjetra. Por ka nga ata që dalin për vrap, ose për një xhiro me makinë, madje edhe shkojnë larg në udhëtim.

Reagimi i tretë ndaj konfliktit është pajtimi.

Siç mund ta dini ky është reagimi më i pëlqyer. Por do të merremi pak më vonë me veçantitë e pajtimit.

Për të kuptuar më mirë rrënjët e konfliktit në martesë apo në raportet e tjera të rëndësishme, duhet të gjejmë rrënjët, pra fillesat e problemit.

Ne duhet të kthehemi edhe një herë në kopshtin e Edenit. Aty është vendlindja e krenarisë egoiste njerëzore, aty ku ne dëshiruam për herë të parë që të kishim kontrollin e gjërave.

Adami dhe Eva besuan fjalët e gjarprit, se mund të ishin njëlloj si Perëndia dhe hëngrën frytin e ndaluar.

Dhe tani ne kemi trashëguar nga prindërit e parë natyrën mëkatare, ndaj u ngjajmë shumë atyre. Edhe ne sot dëshirojmë që të zëmë vendin që i takon Perëndisë në fronin e jetës sonë.

Kësaj Pali i referohet si mënyra e kotë e të jetuarit të johebrenjëve. Mund ta gjeni këtë te vargjet 17-19 tek Efesianëve 4.

Ai ka në mendje njerëzit që nuk e njohin Perëndinë. Ata janë të verbuar në njohjen e tyre, janë të humbur.

Ata janë të ndarë prej plotësisë së jetës me Perëndinë, kështu që mundohen ta plotësojnë këtë duke qenë padronë të vetes.

Pali na mëson se rrënja e humbjes së tyre është zemër ngurtësia: ” të errësuar në mendje, të larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre.” Rrjedhimisht ata nuk kanë zemër për të tjerët, vetëm për veten. Për ta vetja vjen e para.

Prandaj kur ata humbin ndjeshmërinë ndaj të tjerëve e zëvendësojnë këtë  me kujdesin për veten.

Dhe vetja bëhet një perëndi i uritur për adhurim, që gjithmonë kërkon më shumë e më shumë. Vetja sapo zë fronin nuk kënaqet kurrë.

Nëse kjo është prirja jonë njerëzore dhe mëkatare, nuk çuditem që marrëdhëniet tona kanë fërkime! Ne e dëgjojmë krenarinë që na flet apo pëshpërit diçka në vesh, sidomos kur jemi në situata konflikti: “Hej ti nuk duhet ta tolerosh këtë idiotin të të flasë kështu.”

Kështu ne bindemi se rëndësi ka vetja ime, pra unë.

Krenaria mëkatare gjithmonë ia ve fajin dikujt tjetri. Pastorët që merren me këshillim martesor dëgjojnë shpesh një nga këto të dyja ose, të dyja: “Gruaja nuk do të flasë”. Ose “gruaja nuk më dëgjon.”

Askush nuk më ka thënë ndonjëherë, “Pastor, problemi në martesën tonë qëndron tek fakti se unë nuk dua të bisedoj dhe as të tregoj se si ndihem.” Ose, “Problemi në martesën tonë është se pavarësisht se çfarë do të më thotë unë nuk dua ta dëgjoj.”

Si të gjejmë një rrugëdalje prej krenarisë egoiste? Pali thotë se zgjidhja është të mos qenit egoistë dhe nxjerrja e Krishtit në pah. Këtë mund ta lexoni në vargjet 20- 24.

Këtu kërkohet një ribërje ekstreme, thotë Pali. Po çfarë të bësh me veten e vjetër dhe egoiste?

Hiqe qafe! Personi i vjetër veç telashe të sjell!

“që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që prishet sipas epsheve mashtruese.”

Në vend të kësaj, vazhdon Pali, vishuni me veten e re. Po si ndodh kjo?

Pra nevojitet që të merrni një qëndrim të ri të mendjes suaj. Keni nevojë të ndryshoni të menduarin dhe të mendoni si duhet. Vetëm kështu mund të vishini një vete të re, ne jemi krijuar që t’i ngjajmë më shumë Perëndisë.

Pas transformimit të lidhjes sonë i vjen radha frymës pajtuese.

E vërteta është se konfliktet në vetvete nuk e shkatërrojnë martesën. Shumë njerëz kanë kaluar konflikte të ndryshme, nga falimentimi financiar, në tradhti, e deri në mospasje fëmijësh dhe martesa e tyre ka mbijetuar.

Të tjerë kanë kaluar pak a shumë në të njëjtat gjëra dhe martesa e tyre është shkatërruar plotësisht. Cili është sekreti?

Ingredienti i sekret për një martesë të gjatë është fryma pajtuese. Çfarë është kjo?

Fryma pajtuese, në një marrëdhënie, apo martesë, është ajo që kërkon gjithmonë t’i ndreqë gjërat, e të përmirësojë lidhjen.

Zakonisht ata që arrijnë pajtimin janë njerëz të rrënjosur në përulësi, e kundërta e krenarisë.

Para së gjithash duhet të pranosh konfliktin tënd me Perëndinë, pra mëkatin tënd!

Mos harro se çfarë ka bërë Krishti që ti të ishe i lirë.

Fryma e pajtimit vjen natyrshëm kur ne jemi imitues të Perëndisë, ashtu si Krishti na deshi dhe dha veten e Tij për ne.

Ja një këshillë e vlefshme nëse je në një  konflikt: prano se je pjesë e problemit.

Në fakt për hir të rritjes në përulësi, pse të mos e pranosh se  problemi je ti!

Mos harro se çfarë u tha Jezusi dishepujve: ” Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk vë re trarin në syrin tënd?

Ose, si i thua vëllait tënd: “Më lër të të heq lëmishten nga syri yt”, dhe ja trari është në syrin tënd?

Hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj do të shikosh qartë të nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.”

Pranimi se ti je pjesë e problemit e bën më të lehtë, zgjidhjen dhe gjithashtu ndërhyrjen e Frymës së Shenjtë me pëshpërima.

Besoj se kupton për çfarë e kam fjalën!

Për shembull kur je përfshirë në një konflikt Perëndia të flet: “Qetësohu! Mendohu mirë. Fal. Bëj paqe. Harroje krenarinë. ”

Dëgjoje Frymën e Shenjtë kur të flet!

Këtu duhet të ndalemi dhe të mbajmë shënim diçka shumë të rëndësishme. Nuk po ju them që të lejoni t’ju keqtrajtojnë.

Perëndia nuk ka krijoi që të ndihemi të abuzuar. Ti je krijuar sipas imazhit të Perëndisë dhe je i denjë për të marrë respektin që të takon. Nëse je në një marrëdhënie abuzive, atëherë duhet ta pranosh atë dhe të largohesh.