Më i larti

Print

Titulli: Më i larti (pjesa 1)

Kur shqiptarët të shkojnë për të votuar, do të zgjedhin njeriun më të fuqishëm në katër vitet e ardhshme.  Presidenti në vendin tonë nënshkruan vendime dhe politika të cilat ndikojnë shumë popullin.

Një kolegu im amerikan më tregoi diçka interesante në lidhje me pikëpamjen e tij për presidencën amerikane.

Ai më tha: Në 5 qershor të vitit 2004, një miku im po mbikëqyrte një grup adoleshentësh në një ekskursion.

Miku im e dëgjoi një lajm flesh dhe ia përcolli menjëherë grupit: “Hej kalamaja, unë sapo dëgjova lajmin se Ronald Regan vdiq!” Adoleshentët pyetën:”Kush është ky?”

Kjo tregon se sa pak e lexojnë historinë disa prej të rinjve të sotëm. Po ashtu kjo ngjarje tregon se fama zhduket si avulli, pushteti nuk zgjat përgjithmonë. Vetëm njëzetë vite më parë, Ronald Regan u rizgjodh në një mandat të dytë si president, duke fituar 49 nga 50 shtetet asokohe. A kishte njeri më të famshëm dhe më të fuqishëm se Regani? Ai ishte një gazetar sportiv. Ai u shfaq në më shumë se pesëdhjetë filma. Ai ishte një personalitet televiziv. Ai ishte në krye të Kalifornisë, shtetit më të madh, për tetë vite. Ai u zgjodh dy herë president nga dy prej elektorateve më të mëdha në historinë dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara për tetë vite radhazi. Regan ndryshoi politikën dhe ekonominë amerikane, po ashtu ndryshoi botën. Shkalla e popullaritetit të tij sipas sondazheve, kur ai u largua nga pozicioni i Presidentit ishte më e lartë se çdo president tjetër në historinë amerikane. Por njeriu, i cili dominonte lajmet para shumë vitesh, tani nuk është më mes nesh. Kur jeta e tij mbi tokë mori fund, shumë të rinj nuk ia dinin as emrin.

Në të vërtetë, erdhi një fazë në jetën e Reganit kur as ai vetë nuk e dinte se kush ishte. Sëmundja e Alzajmerit ia shkatërroi mendjen.

Njerëzit që kandidojnë për president përbëjnë lajmin apo bujën e momentit. Por humbësi i zgjedhjeve do të harrohet shumë shpejt, pothuajse brenda pak ditësh. Madje dhe fituesi nuk do të kujtohet më pas disa gjeneratash, me përjashtim të disa studiuesve. Kjo kohë zgjedhore duket tepër e rëndësishme për ne si popull. Megjithatë edhe njeriu më i fuqishëm në botë nuk ka një pushtet që do të zgjasë për shumë gjatë. Zgjedhja e votuesve për një president nuk do të ketë aq shumë rëndësi sa marrëdhënia e tyre me Perëndinë.

Djali i porosisë së Perëndisë

Te Danieli 4, Bibla na kthen tek historia e një mbreti i cili ishte njeriu më i fuqishëm në tokë por jo thjesht për katër vite, por për dyzetë vite. Ndoshta ai mund të ketë qenë njeriu më i fuqishëm që ka ekzistuar ndonjëherë.

Nebukadnetsari. Po bëhet fjalë pikërisht për atë. Ai kishte një emër të madh, një ushtri të madhe, një mbretëri të madhe dhe një ego të madhe. Nebukadnetsari ishte mbreti i perandorisë babilonase.

Në vitet e hershme të sundimit të Nebukadnetsarit, Babilonia kishte dy rivalë kryesorë në epërsinë botërore: Asirinë dhe Egjiptin. Por në vitin 612 p.K. Babilonia shkatërroi kryeqytetin asirian të Ninives dhe tërhoqi territore asiriane në perandorinë babilonase që po përparonte. Vetëm Egjipti mbeti një sfidues i rëndësishëm. Në vitin 605 p.K. ushtritë e Babilonisë sipas urdhrit të Nebukadnetsari, u përplasën me forcat e Egjiptit në betejën e madhe të Karkemish.

Prej aty ishte vetëm thjesht një çështje përvetësimi dhe zotërimi të pushteteve më të vogla. Midis këtyre ishte kombi i Judës dhe kryeqyteti i tij Jeruzalemi. Nebukadnetsari pushtoi kombin dhe kur ata nuk deshën t’i nënshtroheshin, ai shkatërroi Jeruzalemin, masakroi shumë njerëz, e shumë të tjerë i çoi në mërgim.

Babilonia qëndroi e pamposhtur si e vetmja superfuqi në botë, ndërsa Nebukadnetsari qëndroi i pa sfiduar si një sundues absolute. Për dyzetë vitet e ardhshme ai do të ishte njeriu më i fuqishëm në tokë.

Nebukadnetsari ishte një gjeni ushtarak dhe një monark i fuqishëm por jo vetëm kaq. Ai rigjallëroi ekonominë Babilonase dhe realizoi projekte ndërtimi të mahnitshme. Ai e rrethoi qytetin me mure të mëdhenj. Ai ndërtoi Kopshtet e varur të Babilonisë (Hanging Gardens of Babylon), një prej shtatë mrekullive të botës antike. Nuk është çudi që kur Nebukadnetsari hodhi vështrimin nga qyteti tha: ” Nuk është kjo Babilonia e madhe, që unë ndërtova si seli mbretërore me forcën e pushtetit tim dhe për lavdinë e madhërisë sime?” (4:30)

Pasi mundi Niniven, Egjiptin dhe Judën, Nebukadnetsari mburrej me madhështinë  e Babilonisë dhe rolin e tij në të. Ai nuk e kuptoi se para se Babilonia të shkatërronte Niniven, atëherë kur Ninive ishte qyteti më i fortë në botë, profetët Mikea, Nahumi, dhe Zakaria kishin deklaruar se shkatërrimi i Ninives do të ishte një formë ndëshkimi nga Perëndia. Nebukadnetsari mendoi se fitorja e Babilonisë mbi Egjiptin ishte arritje e tij personale ushtarake. Ai nuk e dinte se disa profetë të ndryshëm kishin deklaruar kohë më parë, gjykimin e Perëndisë mbi Egjiptin. Nebukadnetsari mendoi se ishin ushtritë e tij të pandalshme, ato që kishin  rrëzuar Judën dhe Jeruzalemin. Ai nuk e kuptoi se Habakuku dhe Jeremia si edhe profetët e tjerë kishin parashikuar shkatërrimin e Jeruzalemit shumë përpara se kjo të ndodhte, si gjykim i Perëndisë ndaj ligësisë së tij.

Nebukadnetsari ishte krenar për pushtetin e tij por ai ishte veçse, djali që kreu porosinë e Zotit. Tashmë vite më parë Perëndia kishte deklaruar qëllimet e tij përmes profetëve të tij, por mbreti mburravec nuk njihte asnjë prej atyre profecive. Ai mendoi se kishte bërë gjithçka vetë. Ai shpërfilli Perëndinë më të lartë, dhe ra në gënjeshtrën, se: “Unë jam më i larti”.

Është e lehtë që një politikan të mendojë kështu, po aq e lehtë është që edhe një komb të mendojë të njëjtën gjë. Në një bisedë me një mikun tim amerikan mësova se vendi i tij e shihte veten si një superfuqi botërore, suprem në raketa, para dhe ndikim. Ai vazhdoi duke thënë se ky lloj pushteti çon shumë shpejt në krenari, largon mirënjohjen ndaj Perëndisë dhe ndjenjën e obligimit ndaj Perëndisë.

Shumë njerëz që e dëgjojnë këtë program tani mund të mendojnë se kombi i tyre është më i fuqishmi, më i miri.

Kur kam qenë në Kanada vite më parë, mësova se kanadezët e konsideronin vendin e tyre më superior se të gjithë të tjerët. Edhe Nigeria ka burime natyrore të mëdha, ndoshta edhe popullsinë më të madhe në Afrikë edhe nigerianët mund të jenë krenarë për statusin e tyre mes shteteve të Afrikës. Është shumë mirë ta duash vendin tënd dhe ta falënderosh Perëndinë për bekimet, por është krejt ndryshe të mburresh dhe t’i marrësh tërë meritat për vete e të shpërfillësh Perëndinë.

Të gjithë ne jemi nën rrezikun e krenarisë dhe sjelljes që thotë se unë “unë jam më i larti”, sa herë që shijojmë suksesin, si në marrëdhëniet kombëtare apo në arritjet personale.

Në rast se ti ke sukses si drejtues ushtarak, si intelektual, apo artist, nëse je i zoti në financa apo biznes, ti ndoshta tundohesh që të mendosh: “Unë jam njeri i zoti. E bëra vetë, dhe kam të drejtën të bëj çfarë të dua.” Por kush të dha aftësitë dhe mundësitë që ke? Perëndia e bëri. Suksesi yt është thjesht një pjesë e vogël në një plan më të madh. Detyra jote është t’i besosh Zotit, ta nderosh Atë dhe ta kënaqësh Atë dhe të mos e përgëzosh veten se sa i paparë je.

Nëse ngulmon në mendimin tënd se “Unë jam më i larti” atëherë duhet të dëgjosh se çfarë i ndodhi mbretit Nebukadnetsar. Ai zbuloi në mënyrën më të keqe, se kush ishte realisht më i larti. Kjo është një prej historive më magjepsëse dhe argëtuese që gjenden në Bibël.