Jam shumë i gëzuar që do të flasim për këtë temë jo shumë të dëgjuar, por mjaft interesante. Do të flasim për të burgosurit. Besoj se ke njohuri të përgjithshme për burgun. Për shembull pritet që gjëra të këqija të ndodhin kur shkon në burg. Nuk ke më liri. Nuk mund të shkosh më ku të duash. Nuk mund të bësh plane. Je gjithmonë nën kërcënimin e bandave të burgut, të sulmeve racore, dhe përdhunimeve homoseksuale. Dhe këto janë thjesht probleme brenda burgut. Por ka akoma.
Ato që mund të shqetësojnë më shumë janë problemet jashtë burgut. Nëse je i martuar, ndoshta të pret divorci kur të dalësh. Nëse ke fëmijë, ata do të rriten nga të tjerët. Familja të viziton rrallë, ose nuk të viziton fare sepse jetojnë shumë larg, ose thjesht nuk dëshirojnë të takohen me ty.
Ndoshta ti je ndër ata të burgosur që nuk ka pasur asnjë vizitor, apo nuk ka marrë asnjë letër. Nëse dëshiron të flasësh me njerëzit e tu, je i detyruar të bësh një telefonatë që i faturohet personit që merr.
Kur operatori e pyet personin nga ana tjetër: “ A pranon të paguash” përgjigja mund të jetë “Jo, nuk pranoj.” Kështu ti mbetesh me receptorin në dorë dhe me një dhimbje në zemër.
Kur aplikon për lirim me kusht, të duhet të kesh një punë që të të lirojnë. Por si mund të gjesh një punë kur ti nuk di as të shkruash një aplikim të mirë apo kur nuk ke kualifikimet e duhura? Edhe sikur të kesh disa aftësi, shumë biznese nuk kanë qejf të punësojnë një ish të burgosur.
Sa keq, apo jo? Pa rrugëdalje, i vetmuar, dhe i pashpresë. Por ndoshta nuk mund të jetë dhe aq keq sa duket.
Si mund të ketë shpresë një njeri që e di se e pret vdekja? Pak muzikë dhe kthehemi sërish në studio!
Dikush më shkroi dhe më tha se: “Doja të vrisja veten kur hyra në fillim në burg. Por atë ditë kisha hapur radion dhe po kontrolloja kanalet, kur dëgjova një mesazh për Jezusin. Pasi e dëgjova deri në fund ia dhashë jetën time Krishtit dhe tani dua që të jetoj dhe të ndaj dashurinë e Perëndisë me të tjerët, që kanë qenë ashtu si unë në burg”. Edhe një njeri që e di se e pret vdekja mund të ketë një të ardhme. Një vrasës i dënuar me vdekje ishte në pritje të ekzekutimit kur më shkroi këtë letër ku thoshte:“ Unë e di që jam në radhën e vdekjes, por po ashtu e di se që kur njoha Jezusin jam edhe në radhën e jetës”.
E njëjta gjë u ka ndodhur shumë të burgosurve të tjerë. Kështu që nëse të kanë mbyllur brenda, po të them edhe ty këto fjalë: mos mendo se je një dështak apo dështake. Mos mendo se nuk do të jesh më i lumtur.
Perëndia nuk të ka harruar, as populli i Perëndisë nuk të ka harruar. Zoti Jezus mund ta ndryshojë jetën tënde, duke e bërë atë një jetë që ia vlen të jetohet. Ai i bën të burgosurit të lirë. Kur Jezusi eci në këtë tokë, tha: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve…” (Luka 4:18-19) Jezusi është miku i të burgosurve. Nëse je në burg, duhet të dish këtë.
Një zemër për të burgosurit
Por edhe sikur të dish që nuk je në burg, duhet të dish se Jezusi është miku i të burgosurve. Bibla zbulon se Jezusi i ka për zemër të burgosurit. Jezusi e merr personalisht trajtimin që u bëjmë të burgosurve, pra ti duhet të shfaqësh dashuri ndaj tyre ashtu siç do të bëje me vetë Jezusin.
Jezusi thotë se në Ditën e Gjykimit ai do t’i ndajë të gjithë njerëzit në dy grupe. Një grup Ai do ta mirëpresë në mbretërinë e Tij të gëzimit, ndërsa tjetrin do ta çojë në ferr. Ndër shumë gjëra të tjera që Jezusi do tu thotë atyre që do të shkojnë në qiell është: “Unë isha në burg dhe ti erdhe për të më vizituar”. Kur këta njerëz ta pyesin se kur e kanë vizituar Jezusin në burg, Mbreti do tu përgjigjet: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.” Ndërsa një prej gjërave që do tu thotë njerëzve që shkojnë në ferr është: “Isha në burg dhe nuk erdhët të më shihni.” Ata do të pyesin:” Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe nuk erdhëm te ti?” Mbreti Jezus do të përgjigjet: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”. (shiko Mateu 25:31-46) Pra Jezusi e merr personalisht trajtimin që u bëjmë të burgosurve: atë që u bëjmë atyre, ia kemi bërë edhe Atij.
Pra edhe sikur të mos jesh në burg, ti ke nevojë të dëgjosh mesazhin e Biblës për Jezusin, mikun e të burgosurve. Te Hebrenjëve 13:3 Bibla thotë: “Kujtoni të burgosurit si të ishit të lidhur bashkë me ta.” Bibla tregon për disa të burgosur që ishin hedhur brenda për hir të besimit të tyre në Jezusin. Zoti dëshiron që të kujdesemi edhe për të burgosurit kudo nëpër botë, që janë trajtuar me pa të drejtë, veçanërisht ata njerëz që qeveria e tyre i persekuton sepse besojnë në Jezusin. Por a janë ata të vetmit të burgosur që Perëndia dëshiron që ne të kujdesemi? Pra a duhet të kujdesemi vetëm për heronjtë e besimit të cilët janë përndjekur prej autoriteteve të këqija? Jo, Jezusi dëshiron që të kujdesimi edhe për të burgosurit që e meritojnë të jenë në burg për shkak të krimeve të tyre.
Jezusi u identifikua me mëkatarët, vdiq për mëkatarët dhe u ringjall sërish për mëkatarët. Unë kam po aq nevojë për faljen e mëkateve të mia, sa ai krimineli që ka nevojë për faljen e Jezusit.
Njerëzit në qeli nuk janë të vetmit që gjenden në burg. Bibla thotë: “Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t’u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezu Krishtit”. (Galatasve 3:22) Pra nëse Jezusi nuk do t’ia dinte për të burgosurit, të gjithë ne do të fundoseshim, sepse të gjithë ne jemi të burgosur të mëkatit. Nëse Jezusi është i gatshëm të jetë miku im ndonëse jam i burgosur i mëkatit, atëherë ai është po aq i gatshëm të jetë mik i çdo mëkatari, përfshi këtu edhe ata pas qelisë.
Përballja me faktet e dhimbshme
Tani më lejoni që tu flas direkt personave që janë në burg, ndërkohë që dëgjojnë edhe të tjerët jashtë burgut.
Kur them se Jezusi është miku i të burgosurve, nuk dua që të mendoni sikur krimi nuk ka rëndësi. Unë nuk dua t’ju gënjej e as të luaj me ju. Jezusi nuk është vetëm një rrugëzgjidhje e shpejtë që të bën të ndihesh më mirë. Nëse vërtetë fillon ta njohësh Jezusin, mund të ndihesh më keq për disa gjëra, para se të fillosh të ndihesh më mirë. Do të duhet të përballesh seriozisht me krimet e tua pa nxjerrë justifikime.
Ndoshta ke pasur një jetë të vështirë. Ndoshta shumë gjëra të kanë dalë kundër, por nuk ishte për fajin tënd. Nëse ti ngjan me këta të burgosur, ndoshta nuk ke pasur figurën atërore që të ndihmonte të tregoje se si të ishe i zgjuar dhe i mirë. Ose ti mund të jesh rrahur dhe trajtuar në mënyrë mizore që në moshë të re. Nëse ke vuajtur nga gabimet e të tjerëve me shumë mundësi je i prirur edhe ti vetë të gabosh. Kjo është e vërtetë por prapë nuk është justifikim. Ti gjithsesi duhet të marrësh përgjegjësinë e asaj që ke bërë. Mos ua hidh fajin prindërve apo shkove që të futën në telashe. Ata do t’i japin llogari Perëndisë për veprimet e tyre ndërsa ti për të tuat. Zemra ime vuan për ty që ke pasur një të kaluar me probleme. Dua të them se ti nuk je një njeri kot dhe, se Perëndia shqetësohet për ty dhe të mirëpret krahëhapur. Bibla thotë: “Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte”. (Psalmi 27:10) Ti duhet të dish se ke shumë vlerë për Perëndinë. Por njëkohësisht ti duhet të mbash përgjegjësinë e veprimeve të tua dhe të mos ua hedhësh fajin të tjerëve për mëkatet e tua.
Ti duhet të përballesh me dëmin që ke bërë dhe me lëndimin që ke shkaktuar. Kjo gjë mund të jetë e dhimbshme.
Dikur një njeri që po vuante burgim të përjetshëm shkroi: “Pjesa më e vështirë nuk janë trazirat apo dhuna racore në burg. Pjesa më e vështirë ishte përballja me të mbijetuarit e viktimës(pra me familjarët) dhe njohja e faktit se sa keq kishte ndikuar krimi im jetët e tyre”.