Misteri pas grazhdit (Krishtlindja)

Print

Titulli: Misteri pas grazhdit (pjesa 1)

Cilët është ai libër shumë i shitur që ndjek një mister, eksploron sekrete të fshehura për një kohë të gjatë dhe, zbulon të vërtetën për Jezusin?

Shumë lexues në mbarë botën mund të përgjigjen: Kodi i Da Vinçit-një roman që ka shitur me miliona kopje dhe ka bërë miliona dollarë, për autorin Dan Braun. Si çdo mister tjetër i famshëm, Kodi i Da Vinçit ofron shumë devijime të fabulës dhe shumë sekrete. Misteri kryesor i romanit, sekreti më i thellë që pretendon se zbulon, është sekreti i Jezusit të vërtetë.

Sipas këtij romani “pothuajse çdo gjë që etërit tanë na mësuan për Krishtin është e gabuar.” Kur misteri i Jezusit zgjidhet, romani del në përfundimin se Jezusi u martua. Ai dhe gruaja e tij Maria Magdalena, patën fëmijë. Këta fëmijë u çuan në Francë dhe u bënë pjesë ë linjës mbretërore.

Sipas romancierit, Jezusi jo vetëm erdhi në tokë si qenie njerëzore. Për më tepër, drejtuesit e kishës shpikën Hyjninë e Krishtit disa qindra vite pasi vdiq Jezusi. Këta drejtues dëshironin të rrisnin pushtetin e vet, kështu që e shpallën Krishtin si Perëndi dhe, bënë gjithë përpjekjet për të fshehur të vërtetën reale.

Këshilli i Niceas, i mbledhur në vitin 325, deklaroi se Jezusi ishte i vetmi Bir i Perëndisë, personi i dytë i Trinitetit të shenjtë. “Deri në atë çast të historisë”, thotë autori i Kodit të Da Vinçit, “Jezusi u vizitua prej ndjekësve të Tij si një profet i vdekshëm, si një njeri i madh dhe i fuqishëm, por një njeri gjithsesi.”

Ndërsa misteri i historisë së Den Braunit ka argëtuar me miliona lexues, dhe pohon se është shumë më tepër se argëtues. Libri pohon: “Tërë përshkrimet e dokumenteve në këtë roman janë të sakta.” Por romani përmban shumë gabime historike. Gabimet më të mëdha përfshijnë faktet se Cili është Jezusi dhe pse të krishterët besojnë se Ai është Perëndia.

Braun pretendon se ndjekësit e hershëm të Jezusit e panë atë si një njeri të madh dhe vetëm disa shekuj më vonë disa njerëz e sajuan idenë se Jezusi është Perëndi, po ashtu edhe njeri. Por Braun pati sprapsjen e tij: miqtë e hershëm të Jezusit dhe ndjekësit e Tij e njohën si Perëndi po ashtu si njeri, dhe e bënë të qartë këtë në Shkrimet e Biblës. Më vonë disa fe renegatësh sajuan një Jezus ndryshe dhe shkruan histori të reja, të cilat kundërshtonin historinë origjinale të regjistruar në Bibël, histori që mohonin se Jezusi ishte Zot.

Një gjë mund të rezultojë nga popullariteti i Kodit të Da Vinçit: më shumë njerëz mund të vrasin më shumë mendjen se Cili është Jezusi dhe të mendojnë për identitetin e Tij të vërtetë. Por nëse ti dëshiron të eksplorosh misterin e Jezusit, të duhet një udhërrëfyes më i mirë se libri i Den Braunit.

Kështu që le të bëjmë sërish pyetjen: Cili është ai libër më i shitur që ndjek një mister, eksploron sekrete të fshehura prej një kohe të gjatë, dhe zbulon të vërtetën për Jezusin? Përgjigja është: Bibla, veçanërisht libri i katërt i Dhjatës së Re, Ungjilli sipas Gjonit.

Një burim i besueshëm

Gjoni ishte miku më i ngushtë i Jezusit, dishepulli i Tij më i dashur. Gjoni nuk ishte një romancier i etur për të shitur libra e për të nxjerrë para. Gjoni e njihte Jezusin personalisht, e donte shumë atë, e pranonte Jezusin si Biri i Perëndisë, dhe dëshironte që të tjerët ta njihnin Jezusin si Birin e Perëndisë. Gjoni 20:31 shpjegon qëllimin kryesor të librit: ” Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të Tij.” (Gjoni 20:31)

Ndryshe nga përrallat e Den Braunit për Jezusin tek Kodi i Da Vinçit, të krishterët më të hershëm, përfshi këtu edhe miqtë më të ngushtë, e njihnin Jezusin si Birin e Perëndisë. Kur Këshilli i Niceas shpalli tri shekuj më vonë se Jezusi është Perëndi, ai nuk po shpikte një doktrinë të re. Ai po ripohonte atë që Gjoni dhe miqtë e tjerë të Jezusit, autorët e Dhjatës së Re, kanë thënë gjatë gjithë kohës. Këshilli po ripohonte se Jezusi ishte Zot, po ashtu edhe të vërtetën e Trinitetit për të kundër reaguar ndaj ideve të rreme të Ariusit, këtij drejtuesi fetar renegat.

Nuk ishte vetëm këshilli i Niceas 300 vite më vonë, i cili tha se Jezusi është Perëndia. Të katër ungjijtë e paraqesin Jezusin duke folur gjëra që vetëm Perëndia mund t’i thotë, duke bërë gjëra që vetëm Perëndia mund t’i bëjë. Tek ungjilli i Gjonit, ai ishte një dëshmitar në ringjalljen e Jezusit, i cili e quan Jezusin:”Zoti im dhe Perëndia im.”

Nëse nuk dëshiron ta pranosh Jezusin si Perëndi, besoj se gjithmonë  do të mundohesh të gjesh një mënyrë për ta bërë këtë. Ti mund të refuzosh Dhjatën e Re dhe, mund të fokusohesh tek ungjijtë e rremë dhe mësimet e shkruara më vonë për këtë, nga njerëzit që braktisën besimin e vërtetë. Ti mund të sajosh gjëra sipas qejfit dhe të shkruash me to një novelë, siç është Kodi i Da Vinçit. Ti mund të thuash çfarë të duash për Jezusin, por kjo nuk e ndryshon të vërtetën.

E vërteta biblike për Mari Magdalenën, është se Jezusi e shpëtoi atë prej demonëve që e kishin pushtuar. Maria e donte Jezusin si mikun dhe Shpëtimtarin e saj, dhe jo si burrë. Mari Magdalena ishte e para që pa Jezusin gjallë pas ringjalljes së Tij, por ajo as u martua e as pati fëmijë me Të. E kishte vetëm mik dhe shpëtimtar. Ndërkohë që e vërteta e Jezusit mbetet se ai është Perëndi dhe njeri. Nëse w ke bërë në plan, ti mund të shpikësh çfarë të duash për Jezusin. Por Jezusi nuk ndryshon sa herë që ndryshojnë herezitë, dhe e vërteta nuk ndryshon sa herë që shfaqet një novelë e famshme.

Gjoni është një autor të cilit mund t’i besojmë. Gjoni shkroi një ungjill të veçantë për jetën e Jezusit, dhe ai shkroi letra për të inkurajuar të krishterët dhe për të refuzuar idetë e rreme për Jezusin që po përhapeshin rreth e qark aso kohe.

Në letrën e Tij të parë, Gjoni theksoi ndryshimin mes mësuesve të rremë që asnjëherë nuk e njohën Jezusin dhe lidhjes së tij personale me Krishtin. Gjoni shkroi: ” Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës” (1 Gjoni 1:1) Shoku i Gjonit Pjetri theksoi të njëjtën gjë: ” Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij.” (2 Pjetri 1:16) Dëshmitarët ishin njerëz të besueshëm të cilët folën nga përvoja e tyre. Në krye të kësaj, ata kishin frymëzimin dhe drejtimin e Perëndisë për t’i bërë ata plotësisht të besueshëm në gjithçka që thoshin për Jezusin.

Fjala e Perëndisë dhe Biri i Perëndisë

Romancierët dhe studiuesit kanë shitur shumë libra të pavlerë në lidhje me të ashtuquajturat sekrete të Jezusit që gjasme kisha nuk dëshiron t’i tregojë.

Epo, Jezusi real është një mister i Cili mbetet i panjohur për shumë njerëz. Por mos u mundo të gjesh Jezusin e vërtetë duke dalë kundër Biblës. Shko tek Bibla, ndërmerr një udhëtim drejt zbulimit të një misteri, përtej asaj që ke parë apo imagjinuar ndonjëherë.

Problemi me studiuesit skeptikë dhe novelistët modernë është se ata hetojnë shumë në lidhje me misterin e Jezusit, por nuk hetojnë sa duhet. Problemi nuk është se ata njohin shumë sekrete por ata i mbyllin sytë dhe veshët ndaj sekretit të universit. Problemi nuk është se ata shkojnë shumë larg në histori, por që nuk shkojnë aq larg sa duhet. Ata pretendojnë se e gjejnë Jezusin e vërtetë shumë kohë përpara se të mbahej Këshilli i kishave, para se të formuloheshin doktrinat. Por Gjoni shkon shumë më larg se kaq, duke zbuluar misterin më të madh për Jezusin.

Gjoni kthehet tek ajo që ai personalisht pa tek Jezusi, apo dëgjoi prej tij, dhe shkon më larg se kaq. I drejtuar prej Zotit, Gjoni shkon më larg se sa historitë e vjetra dhe zbulon misteret më të thella. Ungjilli i Gjonit fillon duke u kthyer pas: para se kisha të përkufizonte doktrinat dhe kredot, para se të shkruhej Dhjata e Re. Ungjilli kthehet pas në kohë, para se Jezusi të predikonte ndonjë predikim, a të bënte ndonjë mrekulli, para se Jezusi të lindte në një grazhd, para se Jezusi të ngjizej në barkun e nënës së vet. Ungjilli kthehet te koha para se perandori romak Çezar Augusti të nxirrte dekretin që e sillte Marinë dhe Jozefin në Bethlehem, pak para themelimit të Romës. Ungjilli kthehet pas në kohë, para se Davidi të drejtonte Izraelin, para se Mojsiu të nxirrte skllevërit prej Egjiptit, para Abrahamit, para Noeut. Ai kthehet shumë mbrapa në kohë, shumë mbrapa, para Adamit dhe Evës, e çdo krijese tjetër njerëzore; para kafshëve, zogjve, peshqve, apo bimëve; para tokës dhe ujit; para tokës dhe qiellit; para materies apo energjisë; para çdo gjëje të krijuar; mbrapa, shumë mbrapa,  ky ungjill kaloi çdo epokë dhe u kthye atje ku filloi gjithçka. Ungjilli i Gjonit fillon duke pohuar: ” Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne.” (Gjoni 1:1, 14)

Ky Person i quajtur Fjala, nuk kishte fillim. Nuk ka pasur një çast të caktuar që ai nuk ka ekzistuar. Në fillim të gjithçkaje, kur u krijua koha dhe hapësira, Fjala ishte tashmë atje. Fjala nuk pati asnjëherë një fillim; Fjala thjesht ishte, është, dhe gjithmonë do të jetë, nuk ka fillim as fund. Ky person hyjnor, i quajtur Fjala, iu bashkua një trupi njerëzor dhe na u bë i njohur me emrin Jezus.

Por Fjala nuk filloi të ekzistonte në çastin kur foshnja Jezus lindi në një grazhd apo kur foshnja u ngjiz në barkun e Marisë. Ky ishte fillimi i jetës njerëzore të Jezusit, por jo fillimi i jetës së tij hyjnore. Fjala hyjnore, nuk kishte aspak fillim. Ky person i quajtur Fjala, ishte me Perëndinë para krijimit të kohërave, para gjithë botëve. Në fakt, ky person i quajtur Fjala, ishte Perëndia vetë, dhe ishte ky Perëndi, ky person hyjnor, i cili hyri në botën tonë si foshnja Jezus. A e njeh misterin pas grazhdit: ky mister thotë fjala është gjithmonë i gjallë.

Miq, këtu do të ndahemi bashkë, do ta vazhdojmë këtë temë herën e ardhshme. Mos harroni të na ndiqni në të njëjtën orë. Mirë u dëgjofshim!