Më kujtohet historia e djalit të një mikut tim. Ai ishte adoleshent dhe kishte filluar një punë verore si shpërndarës picash. Ai kishte bërë shumë shokë aty në dyqan, të cilët vinin shpesh për ta takuar e për të biseduar me të, ndërkohë që ai merrte porositë apo lante perimet e picave. Këta djem nuk ishin as shoqëria e kishës apo e shkollës, pra ishin jashtë rutinës së zakonshme.
Ai i pëlqente shumë shokët e rinj dhe ata e pëlqenin shumë atë. Ai nuk u foli atyre për besimin e tij, por as ata nuk e kishin pyetur për besimin.
Por një ditë, krejt papritur, njëri nga ata e pyeti: “Niku, ti je ndryshe nga ne, mos vallë je i krishterë, a shkon në një kishë të krishterë?” Ai shtangu në vend. Nuk dinte si të përgjigjej. Ai nuk dëshironte të ishte ndryshe nga të tjerët. Ai dëshironte të qëndronte me të tjerët, me turmën. Gjithë jetën e tij ai ishte njohur si një nga fëmijët e kishës, më vonë si një fëmijë misionari, e më pas si djali i një predikuesi. Ai ishte gjithmonë një nga ata, një nga njerëzit e tjerë. Tani ai thjesht dëshironte të përziheshe me të tjerët.
Në pasigurinë e adoleshencës dhe dëshirës për tu ndier i pranuar, ai nuk dëshironte të ishte ndryshe. Ndaj për të mos iu përgjigjur pyetjes ai menjëherë mori picën e porositur dhe doli prej dyqanit.
Po, edhe Pjetri dëshironte të përzihej me të tjerët. Por fjalët e vërteta të thëna nga vajza e vogël në mes të njerëzve që i rrethonin nuk mund të hidhen poshtë nga fjalët e rreme dhe refuzuese të Pjetrit. Shumë shpejt fjalët e vajzës së vogël u bënë refreni i njerëzve që thoshin: “Me siguri ti je një nga ata sepse ti je një galileas.” Pjetri është ndryshe dhe të gjithë njerëzit e dinë këtë. Ndoshta tani është koha për disa fjalë të guximshme, rreth së vërtetës, nga ana e Petrit.
Ndoshta është koha për një rrëfim të guximshëm, për një Po të madhe! Ai është një nga dishepujt, një ndjekës i Jezus Krishtit, Birit të Perëndisë së Gjallë. Ndoshta miku im Niku mund të kishte shprehur me guxim besimin e tij të krishterë, në dhomën e pasme të dyqanit të picerisë. Por ai nuk e shprehu besimin, as Pjetri nuk e shprehu.
Në vend të kësaj, Pjetri i cili pak më parë kishte përdorur gjuhën ligjore dhe atë formale për të shprehur mohimin e tij, tani po përdor gjuhën e thjeshtë, të shëmtuar dhe profane të mallkimeve. Ai shpall mallkime për veten dhe thotë: “ Nuk e njoh, nuk kuptoj çfarë thua.”
Frazeologjia origjinale e përdorur në greqisht, është paksa e vështirë në këtë tekst, por shprehja që ai përdor për të thënë se nuk e njeh “këtë njeri”, faktikisht është një mënyrë për të thënë një lloj mallkimi mbi Jezusin. Sikurse e thashë fjala në greqisht ka dy kuptime. Por Pjetri nuk ka aspak në mendje të shprehë diçka me dy kuptime.
Në fjalët e ashpra që përdor, ai mohon se e njeh Zotin dhe Perëndinë e tij, të cilit i referohet si ” këtë njeri për të cilin po flisni.” Për ta shprehur qartë refuzimin e Pjetrit, në mënyrë që edhe ne sot ta dallojmë se çfarë po thotë Pjetri po citoj kuptimin e fjalëve të tij në gjuhën greke: “Qofsha i mallkuar nëse e njoh këtë burrë.”
Pjesa më e keqe e këtij mohimi të trefishtë, është se vetëm disa orë më parë, teksa ndodhej në dhomën e sipërme, gjatë darkës së Pashkës, Jezusi i kishte paralajmëruar ata se Pjetri do ta mohonte atë tre herë para se gjeli të kishte kënduar dy herë.
Mohimi i tij kishte qenë i parashikueshëm. Ai ishte profetizuar. Pjetri kishte qenë i paralajmëruar, por ai dështoi gjithsesi. Pas mohimit të tretë të Pjetrit, gjeli këndon për herë të dytë. Pjetri aty ndihet i rrënuar dhe fillon të qaj[.
Pjetri qëndron para Perëndisë pasi ka dënuar veten e vet. Ai qëndron para nesh si dikush që ka dënuar veten. Sapo e kuptojmë rëndësinë e krimit të Pjetrit, ne dëshirojmë të shmangim dështimin dhe mëkatin e Pjetrit. Ndaj kur e lexojmë këtë tekst, mendojmë për veten: “Unë duhet të sillem më mirë se Pjetri; unë nuk mund t’ia lejoj vetes dhe nuk duhet të dështoj si ai.”
Ne predikuesit kur predikojmë këtë pjesë të Biblës, e paralajmërojmë bashkësinë për këtë mëkat, pra i themi: “Kujdes me mohimin e Shpëtimtarit”! Ne vazhdojmë të zgjerojmë predikimin duke u ndalur tek ndjenja e turpit për të dëshmuar besimin tonë!
Më pas u themi besimtarëve se duhet të jemi të guximshëm, të patrembur për t’i folur të tjerëve për besimin tonë. Ne nuk duhet të frikësohemi. Ne duhet të flasim me guxim. Ne nuk duhet të jemi si Pjetri!
Sigurisht që gjithë këto udhëzime të rëndësishme janë të sinqerta. Por nuk ndihmojnë shumë. Nuk na ndihmojnë shumë se ne tashmë e dimë se nuk duhet ta mohojmë Jezusin. Kjo nuk është një ide e re. Sigurisht, ti nuk mund ta mohosh Zotin dhe Perëndinë tënd, por ja që Pjetri e mohoi. Pjetri e mohoi, ndonëse Jezusi e paralajmëroi atë paraprakisht, ju kujtohet kur Jezusi tha: “ Shikoni dhe lutuni që të mos bini në tundim” por Pjetri dështoi gjithsesi. Dua të bëj një pyetje: Nëse Pjetri dështoi edhe pse e kishin paralajmëruar paraprakisht, pse duhet të mendojmë ne se do t’ia dalim mbanë? Më kupton se ku e kam fjalën? Nëse Pjetri, Shkëmbi, ky njeri guximtar u rrënua, si mund të mendojmë ne se do t’ia dalim mbanë?
Për më tepër, edhe sikur të mos dështojmë si Pjetri, të gjithë ne kemi pikat tona të dobëta.
Ndoshta ne jemi si ata njerëzit që rrethonin Pjetrin, pasioni i të cilëve ishte të vinin në dukje falsitetin e të tjerëve.
Ja vlen të kujtojmë se ndonëse vajza shërbëtore dhe të tjerët po thonin të vërtetën rreth Pjetrit, e vërteta e tyre nuk ishte aspak më tepër shpenguese se falsiteti i fjalëve të Pjetrit. Sikurse na kujtojnë edhe Shkrimet, “Gjithë veprat tuaja të drejta janë si një rrobë e ndotur.” Para Zotit ” Të gjithë kanë mëkatuar dhe kanë rënë nga lavdia e Perëndisë.”
Pra ku na nxjerr e gjithë kjo histori? Të them të drejtën ne të gjithë i ngjajmë Pjetrit, dhe kjo gjendje nuk është aspak e këndshme.
Po pse nuk ka më shpresë, nuk ka më hir? Pjesa që lexuam nuk tregon më shumë për këtë, në fakt fjalët e fundit të Pjetrit janë këto fjalë mallkimi, që regjistrohen në ungjillin e Markut, pikërisht mohimi i tij ndaj Zotit.
Pjetri përmendet edhe një herë nga Marku por kjo është veç një referencë kalimtare. Fjalët e fundit të Pjetrit, në ungjillin e Markut janë fjalë të mohimit mallkues.
Megjithatë nuk kemi mbaruar ende. Ne mund të gjejmë shpresë në fjalët: “ atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë…” Unë e di se këto fjalë në fillim nuk duken shumë të mira. Fundja fundit, fjalët që kujtoi Pjetri ishin veçse për dështimin dhe refuzimin. Sidoqoftë, Pjetri kujtoi, “Fjalët e Jezusit.” Ndonëse kuptojmë nga konteksti i këtyre fjalëve se ka një farë dënimi, a janë fjalët e Jezusit gjithmonë ose kryesisht fjalë dënuese?
Jo nuk janë, as këto fjalë nuk janë dënuese.
Ajo që dua të theksoj këtu, është se Jezusi paralajmëroi refuzimin e Pjetrit për qëllime shpenguese. Ai nuk parashikoi
mohimin e Pjetrit, për të poshtëruar apo dënuar atë, në vend të kësaj Ai foli fjalën e tij për ta bërë të përulur e për ta shpenguar Pjetrin.
Pjetri kuptoi më së miri se ai kurrë nuk do ta ndiqte Zotin dhe as nuk do të drejtonte vetëm me fuqinë e vet. Po teksti e le Pjetrin vetëm duke qarë me hidhërim për mëkatin e tij, por kjo bën që Pjetri të mbështet me përulësi në fuqinë shpenguese të Jezusit. Ky është Lajmi i Mirë.
Por ka më shumë. Fjalët e ungjillit të Markut, në lidhje me apostullin Pjetër nuk përfundojnë këtu. E di që thashë se fjala e fundit e Pjetrit në ungjill është mohim mallkues, por fjalët e fundit për Pjetrin thuhen në ditën e ringjalljes së Jezusit.
Një engjëll i sjell fjalën e fundit dishepullit të dështuar, të thyer dhe, të përulur të Jezusit.
Fjala është e thjeshtë por e thellë. Engjëlli, i shfaqet një gruaje te varri, dhe i thotë se Jezusi është ngritur dhe më pas thotë: ” Por shkoni dhe u thoni dishepujve të (Jezusit) dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile: ‘atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë.'” A sheh Lajmin e Mirë këtu? Pjetri, ky dishepull i përulur i Jezusit, përzgjidhet ndër shumë të tjerë, si personi i cili mund të kujtonte fjalët e vërteta të Jezusit.
Po, në të kaluarën fjalët e vërteta të Jezusit parashikonin dështimin e Pjetrit, por tani engjëlli e fton Pjetrin dhe të tjerët për të kujtuar fjalët e vërteta të Jezusit për të parashikuar ringjalljen. Kur Pjetri kujtoi këto fjalë të ringjalljes, gëzimi i madh ka mbushur shpirtin e tyre!
Njerëz të Zotit, sfida për mua sot është t’iu kujtoj fjalët e Jezusit. Po kjo do të sjellë pak dhimbje dhe pranim të sinqertë të dështimeve personale. Fjalët e Jezusit do të na përulin ne. Për shembull, lexo Markun 10:17-34. Në histori, një djalë i pasur e pyet Jezusin se çfarë duhet të bëjmë për të marrë jetën e përjetshme. Jezusi i përgjigjet këtij djali, duke i thënë që të shesë pronat e tij dhe ta ndjekë Atë.
Kjo thirrje për dishepullizim vetësakrifikues tregon shumë përulësi. Kur dishepujt dëgjuan këto fjalë për herë të parë kuptuan se sa poshtë kishin rënë nga modeli që Jezusi u kishte dhënë. Besoj se ky shembull përulësie te prek edhe ty, e të kujton se sa poshtë ke rënë, si dishepull i tij. Ti nuk mund t’i kuptosh fjalët e Jezusit, e t’i lejosh ato t’i flasin realisht zemrës sate, derisa të jesh përballur sinqerisht me dështimin tënd.
Në të njëjtën kohë ti nuk mund të dëgjosh sinqerisht fjalët e Jezusit dhe t’i lejosh ato ti flasin zemrës tënde, pa u përballur sinqerisht me Shpëtimtarin tënd. Shpëtimtari ynë e bën të qartë se shpëtimi nuk vjen për shkak se ne nuk dështojmë asnjëherë.
Shpëtimi nuk vjen për shkak se jemi dishepuj të mirë.
Shpëtimi vjen kur lemë pas frikën që na bën të ndihemi fajtorë, kur harrojmë gjithë pretendimet e tjera që kemi, dhe vijmë te Shpëtimtari ynë.
Pra me Pjetrin, sot ne do të biem në gjunjë dhe do të kujtojmë fjalët e Jezusit. Po, me siguri do të ketë pak vajtim. Por në fund fjalët e Jezusit flasin për ringjalljen dhe jetën. Kujtoni fjalët e Jezusit dhe jetoni.
AMEN
