Lexoni se çfarë thotë Pali tek letra e Efesianëve 5 vargjet 15 deri 21
Është një paragraf ku çdo pohim dhe çdo fjali e thjeshtë kërkon vëmendje të veçantë.
Ja disa nga gjërat që thuhen aty:
- Jini shumë të kujdesshëm se si jetoni dhe sigurohuni që po jeteoni me urtësi.
- Shfrytëzoni sa më shumë cdo mundësi që ju jepet sepse ditët janë të liga.
- Mos u dehni me verë, por mbushuni me Frymën e Shenjtë të Perëndisë.
- Kur mblidheni bashkë, inkurajoni njëri tjetrin me anë të këngëve.
- Jini gjithmonë falenderues për gjithçka që keni në emër të Zotit Jezus Krisht.
Dhe a e vutë re se në mes të atyre parimeve të mëdha, ai vendos edhe këtë pohim të rëndësishëm.
“Shikoni të ecni me kujdes, jo si të marrët, por që të kuptoni se cili është vullneti i Zotit.” Çfarë fjalie! Ajo përfshin gjithçka që unë edhe ti duhet të dimë!
Teksa po mendon për të më lejo të theksoj disa nga gjërat që përfshihen në të.
Pali kishte një zakon që të shkruante në këtë mënyrë; pra të mbushte fjalinë me mendime të thella.
Dhe ne e kuptojmë atë më mirë, kur kalojmë kohë duke e studiuar me kujdes.
Nëse e shikon me vëmendje këtë fjali për shembull. Mendoj se do të zbulojmë të paktën katër pohime që fshihen pas saj. Ndaj para se të flasim për vullnetin e Perëndisë është mirë të ndalemi tek këto katër pohime më parë.
Së pari, Perëndia është Personal.
Pali po flet për Perëndinë këtu sikur të ishte një qenie po aq personale sa unë edhe ti.
Ai nuk është një forcë e panjohur diku atje në galaktikë.
Ai nuk është një qenie e largët dhe e zakonshme me të cilin nuk mund të komunikojmë. Ai nuk është një kompjuter sovran dhe qiellor që nxjerr programe.
Jo ai është një person. Ai mendon, ai ndjen, ai vepron, ai gëzohet, trishtohet dhe emocionohet kur hyn në një raport miqësor me ne.
Së dyti, ky Perëndi personal ka vullnet. Po ka vullnet..
Pali përmend frazën:” vullneti i Zotit”
Ai ka dëshira; ai ka plane, ai merr pjesë në zgjedhjen e kursit të kozmosit, të historisë së botës, dhe të jetës sonë.
Ai nuk është Perëndi që do të thoshte: “të bëhet çfarë të bëhet!”. Ai ka një vullnet dhe një plan.
Së treti, ai e bën të njohur vullnetin e tij, të paktën një pjesë të madhe të tij. Ai na e tregon edhe neve vullnetin e tij.
Vini re se si Pali flet për “njohjen” e vullnetit të Zotit. Ai nuk do të thoshte këtë, nëse Perëndia nuk do të kishte me të vërtetë një vullnet. Ai na i bën të ditur në mënyrë që të jemi në gjendje ta ngulisim në mendjen tonë.
Pas kësaj kemi edhe diçka tjetër. Kemi idenë e marrëzisë.
Marrëzia është e kundërta e njohjes së vullnetit të Zotit. Kështu thotë Pali:
“Por mos u bëni si të marrë por kuptoni se cili është vullneti i Zotit.”
Ti ke dy mundësi, ose të kërkosh vullnetin e Perëndisë, ose të jesh i marrë. Kjo shpjegohet kështu:- është marrëzi të mos interesohesh në njohjen e vullnetit të Zotit dhe në të njëjtën kohë, nëse nuk kuptojmë vullnetin e Zotit do të bëjmë marrëzira.
Teksa e vazhdojmë këtë bisedë për vullnetin e Zotit, duhet të theksojmë se ka disa nivele dhe dimensione të vullnetit të Perëndisë. Njëlloj siç ndodh me jetën tonë.
Për shembull ti ke disa plane në jetën tënde. Plane të ndryshme në fusha të ndryshme të jetës:
Ti dëshiron që të zhvillohet puna dhe karriera jote, ti ke një plan financiar, ti ke plane për martesën tënde, çfarë lloj martese do të kesh;
Ka një vlerë dhe sistem moral përmes të cilit do të jetosh; ti ke një ide se si do të mbash një marrëdhënie të mira dhe kuptimplota me miqtë e tu. Nuk janë të gjithë miqtë njëlloj.
Po kështu është edhe me Perëndinë.
Teksa mundohemi të ndjekim vullnetin e Perëndisë, mund të bëjmë gabime, ndaj është e rëndësishme të mbajmë mend këto nivele të ndryshme apo fusha të ndryshme të jetës ku na drejton Ai.
Së pari, ekziston vullneti kozmik ose sovran i Perëndisë.
Ai e krijoi këtë botë, sipas planit të tij, ndaj ka edhe plane për drejtimin e gjithë kozmosit dhe gjithë historisë.
Pali në fjalimin e tij në Athinë e përshkroi Perëndinë si “personin që krijoi botën dhe gjithçka në të” dhe “ai është Zoti i qiellit dhe i tokës”. (Veprat 17:24)
Pastaj ekziston edhe vullneti në një tjetër nivel, Vullneti i shpëtimit. Ai është Perëndia që dëshiron ti shpëtojë njerëzit. Po ai dëshiron që të besojmë në Jezus Krishtin, sepse vetëm kështu mund të shpëtohemi prej mëkatit.
Pali i shkroi pastorit të ri Timoteut një ditë, (I Timoteu 2:3) se Perëndia “dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të vijnë në njohjen e së vërtetës.”
Dhe së treti vjen njohja e vullnetit moral dhe etik të Perëndisë.
Ai ka vendosur standarde etike dhe morale të pandryshueshme sipas të cilave duhet të jetojë një shoqëri e drejtë dhe e qëndrueshme.
Ti i gjen këto parime morale dhe etike në ligjin e Perëndisë, në Dhjatën e Vjetër dhe kudo në Bibël. Për shembull shumë prej tyre i gjen këtu në letrën drejtuar Efesianëve.
Dhe në fund ekziston vullneti personal dhe individual i Perëndisë.
Kjo përfshin detajet dhe planet e jetës sonë: shkollën ku do të mësojmë, karrierën që do të ndjekim, me kë do të martohemi dhe, qindra gjëra të tjera që ne hasim përditë.
Dua të theksoj se në të gjitha këto gjëra ne jemi të lirë të zgjedhim çfarë të duam, por ndërkohë besojmë se edhe Perëndia ka një plan për ne.
Prandaj mbaji mend këto gjëra: vullnetin e tij sovran, vullnetin e tij për shpëtimin, vullnetin e tij moral dhe etik, dhe në fund vullnetin personal ose individual.