Ndihem i sigurt

Print

Titulli: Ndihem i sigurt (pjesa 1)

Dua ta filloj me një ngjarje që ndodhi, disa muaj më parë, në kohën kur në lagjen tonë pati të shtëna me breshëri, kur një burrë me ç’rregullime mendore po gjuante me armë zjarri kalimtarët e rastit. Një polic që dëgjoi krismat u afrua në skenën e ngjarjes. Ai u trondit kur mbërriti, sepse dy prej viktimave ishin gruaja dhe vajza e tij e vogël. Pak më vonë e pyetën për atë ditë. Ai tha: “Kam qarë aq shumë sa nuk më kanë mbetur më lot!”

Më erdhi shumë keq për këtë burrë, dhe menjëherë në mendje më erdhi mendimi: “Ti mendon se nuk të kanë mbetur më lot…por e vërteta është se ndonjëherë duket sikur lotët nuk na mbarojnë.”

Po, ndodh ndonjëherë që derdhim shumë lot, madje ndonjëherë besimi shoqërohet me lot.

Ne derdhim lot, për hir të frikës dhe lëndimit. Besimi ynë i krishterë nuk na mbron prej kësaj. Prandaj ka kohë kur burri edhe gruaja thjesht mbajnë njëri tjetrin dhe qajnë së bashku.

Ndonjëherë miqësia më e mirë shprehet në derdhjen e lotëve. Por ka edhe herë të tjera kur të krishterët që adhurojnë dhe lëvdojnë zotin bashkë, derdhin lot. Kjo na bën që të shikojmë këtë psalm që sapo lexuam me sy më realistë dhe të jemi me këmbë në tokë.

Ky është një psalm me shumë lot. Ky psalm pranon se kjo botë  ka devijuar prej planit që Perëndia kishte, për botën, si një vend pa ligësi. Përkundrazi jeta shpesh bëhet e vështirë, ne përjetojmë frikë, sepse ëndrrat shkatërrohen.

Dhe ky është një psalm që pranon se jemi qenie të ndjeshme dhe emocionale.

Ne me të vërtetë e ndjejmë dhe e shprehim dhimbjen.

Ne nuk qëndrojmë “stoikë”, si njerëz që nuk i shprehin emocionet. Ne jemi njerëz që qajmë.

Kështu ndjehej Davidi kur shkroi këtë psalm. Ai po jetonte në një botë si kjo, në një botë ku gjërat nuk shkojnë gjithmonë mirë.

Dhe ai po pranonte se ishte një djalosh me ndjenja të thella, në të cilin frika dhe lotët shfaqeshin menjëherë.

Para se të shikojmë me vëmendje, këto fjalë, më lejo të them se Davidi ishte një njeri i Perëndisë që e pranonte se shpesh derdhte lot.

Tek psalmi gjashtë, për shembull, ai thotë se “…Unë jam sfilitur duke psherëtirë; çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lot mbi shtrojën time.” (Psalmi 6:6) Dhe po kështu në të tjerët, sepse tek Psalmi 42 psalmisti thotë, “Lotët e mi, janë ushqimi im ditë e natë…”

Dhe kur mbreti Ezekia ishte i sëmurë, Perëndia i tregon atij se ai kishte dëgjuar jo vetëm lutjet e tij por ia kishte parë edhe lotët.

Pra duket qartë se Davidi ishte në shoqëri të mirë, kur pohon se po derdhte lot.

Numërohen disa përvoja në jetën e Davidit, kur këto fjalë dhe këto lot, shkonin shumë bashkë.

Por kur shikojmë nëntitullin e këtij Psalmi, zbulojmë se fjalët e kishin burimin tek një ngjarje që përshkruhet tek psalmi 34.

Davidi është vajosur si mbret, por Sauli, që ishte ende në fron kërcënonte se do të shkatërronte Davidin.

Pra Davidi, i trembur se i kërcënohej jeta, u mundua të jetonte si ikonjito, i panjohur, mes Filistenjve.

Ai u soll si i çmendur, kur e nxorën përpara mbretit. Prandaj mbreti e dëboi… dhe ai i shpëtoi për fije vdekjes.

Ai u drejtua në shkretëtirë dhe jetoi nëpër shpella, dhe pak nga pak mblodhi disa miq rreth vetes. Me këto përshkrime në mendje, dëgjoni këto fjalë:

“Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sepse njerëzit do të donin të më përpijnë; më luftojnë vazhdimisht me sulmet e tyre.

Armiqtë e mi do të donin vazhdimisht të më përpijnë. Po, janë të shumtë ata që më luftojnë në kryelartësinë e tyre.

Ata i shtrembërojnë vazhdimisht fjalët e mia; gjithë mendimet e tyre synojnë të më bëjnë të keq.

Mblidhen tok, rrinë në pritë; ruajnë hapat e mia, në pritje që të më marrin jetën.”

(vargjet 1,2,5,6)

Ai kishte frikë për jetën dhe sigurinë e vet. Dhe më pas ai na fut në jetën e tij private dhe pranon para nesh se lotët ishin pjesë e jetës së tij.

Ndonjëherë lotët vijnë sepse ne ndiejmë dhimbje; ndonjëherë vijnë se kemi frikë.

Davidi ishte i frikësuar. Nuk ndihej i sigurt. Por ajo që dua të veçoj në fjalët e tij është lutja që ai i drejton Zotit. Mund ta gjeni tek vargu tetë. Dëgjoni se çfarë thotë:

“Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime;

vendosi lotët e mia në calikun tënd;

a nuk i ke regjistruar në librin tënd?”

Teksa dëgjoni Davidin që flet hapur për lotët, mendoj për privilegjin që kemi shpesh ne si pastorë.

Ne mund të hyjmë në përvojat personale të njerëzve dhe, të shkojmë atje në emër të Krishtit.

Kështu ne i njohim më nga afër besimtarët e kishës sonë. Unë qëndroja para bashkësisë së besimtarëve të dielën dhe duke i  vështruar kuptova shumë gjëra që njerëz të tjerë nuk mund t’i kuptonin.

Unë mund të kuptoja se kush kishte qarë për sëmundjen e të afërmit të vet, para një jave; mund të kuptoja edhe atë tjetrin që kishte derdhur lot vetmie, edhe atë tjetrin që kishte derdhur lot për frikën e të qenurit i panjohur, që askush tjetër nuk e dinte.

Dhe unë mund të shihja një person që nuk shfaqte emocione në adhurim; dhe sërish një tjetër person që i shkëlqenin sytë.

Por mendoj se Davidi do të ndihej rehat mes këtij grupi.

Folëm pra se ndonjëherë ndihemi të pasigurt dhe të frikësuar! Këtë mesazh e shprehin lotët tanë që janë të pashmangshëm. Por çfarë duhet të bëjmë në një botë me lot? Cila është rrugëzgjidhja për të qenë të sigurt? Na ndiqni në programin e radhës.