Ne jemi pluhur

Print

Titulli: Ne jemi pluhur (pjesa 1)

Unë kam njohur kohë të arta në jetën time. Unë jam bashkëshort dhe baba i katër fëmijëve që kanë mundur të jetojnë. Unë kam shëndet të mirë, dhe gëzoj privilegjin t’i shërbej si pastor popullit të Perëndisë.

Unë kam shumë arsye për ta lavdëruar në kulm Perëndinë. Besoj se edhe ti ke. Unë nuk e di se cilat janë bekimet e tua më të mëdha në jetë, por jam i sigurt se ti ke plot.

Të gjithë ne kemi. Sidoqoftë, në jetën tonë ka edhe gjëra të tjera, të errta. Unë vetë kam përjetuar kohët më të vështira në jetën time. Sot nuk jetojnë të gjithë fëmijët tanë të lindur; dhe ndonjëherë unë nuk jam bashkëshorti që duhet të isha.

Unë kam provuar terapinë e rrezatimit dhe e kam parë me sytë e mi kimioterapinë të futet në venat e mia.

Nga ana tjetër të qenit pastor ka sfidat e veta. Unë kam kaluar pjesën time në gropën e thellësive të mia dhe thellësive të njerëzimit të thyer. Por nuk jam i vetmi, besoj se edhe ti ke kaluar. Sërish unë nuk e di se ku apo çfarë mund të jetë gropa jote sot, por jam i sigurt se edhe ti i njeh thellësitë.

Por le të mos mendojmë për një çast për këto gjëra dhe, le të shkojmë te lartësitë, me të cilat fillon psalmi 103.

Kur Psalmisti thotë, “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.” ai po thotë se dëshiron të lavdërojë Perëndisë nga thellësia e shpirtit të tij. Ai dëshiron që lavdërimi të jetë i plotë, nga brenda jashtë. Dhe ka një arsye për këtë lavdërim të plotë. Ai e di se Perëndia i Tij është i veshur me të gjitha bekimet. Ai fal. Ai shëron. Ai shpengon. Ai kurorëzon. Ai kënaq. Perëndia na jep dashuri, dhembshuri, dhe gjëra të mira, kaq shumë, sa të mund të përtërihemi vazhdimisht në forcë.

Unë përfytyroj se të gjithë ju keni përjetuar të gjitha llojet e bekimeve në jetë.

Ndoshta një fëmijë që është shëruar, apo ngrohtësia që keni provuar kur keni njohur dashurinë falëse të Perëndisë. Psalmi na tregon se të gjitha rrugët e mira të Perëndisë, i janë bërë të njohura popullit të Tij. Ai është i dhembshur, Ai është i hirshëm, Ai është i ngadaltë në zemërim, Ai ka dashuri me bollëk.

Çfarë Perëndie! Nuk është çudi që Psalmisti është i mbushur me lavdërim. Unë e di, ti e di, ne të gjithë e dimë se kemi mjaftueshëm arsye për ta lavdëruar Perëndinë!

Pasuritë e mëdha të lavdërimit të Perëndisë janë përmbledhur në fjalët e mëposhtme, te vargjet 10-13:

Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.

Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.

Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.

Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.

Këto fjalë lirike lavdërimi jehojnë njëlloj edhe në veshët tanë. Ne kalojmë periudha në jetë, kur gjithçka duket se po shkon mirë. Këto janë ato kohëra kur të gjitha notat janë “dhjeta,” gjithë vlerësimet janë pozitive, bursa është lart, sezoni i ndeshjeve të skuadrës mbyllet me fitore dhe, qiejt nuk kanë asnjë re.

Kjo është koha kur fjalët e Psalmistit janë kaq kuptimplota për ne. Këngët e lavdërimit në fillim të adhurimit na vijnë kaq ëmbël gjatë këtyre kohërave. Perëndia vetë duket lehtësisht i arritshëm, i dashur dhe përmbushës.

Ta jetosh jetën në lartësitë e mirësisë dhe përmbushjes e bën të lehtë t’i këndosh Perëndisë fjalë dhe këngë lavdërimi.

Por psalmi nuk na le te lartësitë. Në vend të kësaj, në mënyrë të pashpjegueshme, pikërisht përpara kulmit të lavdërimit, psalmi jep një notë që duket e çuditshme dhe jashtë kësaj melodie. Papritur thyerja dhe pluhuri, mbushin këtë skenë të lavdërimit. Me pak fjalë, “drejtimi i rrotave ndryshon” dhe makina jonë e lavdërimit ngecet në pluhur.

Pas shumë vargjeve dhe pamjeve dramatike, ne mbetemi në pluhur. Pra është thjesht pluhur! Psalmisti nuk është i gatshëm të harrojë thellësitë. Ai nuk është i gatshëm të na lerë në lartësi. Ai na çon në thellësitë e pluhurit dhe vdekjes.

 

Për familjen time dhe për mua, viti 1995 filloi me një premtim shumë të madh dhe me lavdërime, por papritur “rrotat ndërruan drejtim”.

Unë u sëmura, u sëmura shumë keq. Pas disa muajsh vizitash dhe diagnozash të gabuara në shumë doktorë, unë zbulova se kisha Histocitozë (Hystiocytosis X), një gjendje e rrallë që shkaktonte rritjen e një tumori të madh në kokën time, që gërryente kockën e mbetur të mastoidit duke shkatërruar funksionin e kanaleve të veshit të mesëm dhe të brendshëm. Unë humba gjithë dëgjimin, në njërin vesh, pjesën më të madhe të ekuilibrit, si edhe flokët e mi, për shkak të trajtimit me rreze. Por ndërkohë ne po prisnim fëmijën tonë të tretë dhe, kjo gjë na gëzonte, në mes të këtij shqetësimi.

Më pas ultratingulli tregoi se zemra e bebes nuk rrihte. Një ditë më vonë, pak para se rrezatimi im të fillonte, vajza jonë e tretë, Anxhela, vdiq në barkun e nënës. Atë çast u preva nga çdo forcë.

Unë e marr me mend se edhe ti ke pasur kohë të vështira në jetë, kur je prerë nga çdo forcë. Ndoshta ti vetë po bën një terapi rrezatimi pikërisht tani. Ndoshta edhe ty të kanë rënë flokët dhe doktori të ka thënë se ke shumë pak shanse për jetën ndonëse ke bërë kimioterapinë. Disa prej jush që po na dëgjojnë tani, po shohin karrigen bosh, ku më parë ulej bashkëshorti apo bashkëshortja juaj. Mund të jetë edhe lajmi tjetër që e premtja tjetër është dita jote e fundit e punës.

Ndoshta doktori sapo të ka telefonuar dhe të ka thënë se trajtimi kundër fertilitetit nuk ka funksionuar ose ndoshta ke dëgjuar atë fjalën kërcënuese të ” rishfaqjes.”

Në një periudhë gjashtë vjeçare sëmundja ime u shfaq pesë herë: një tumor në mastoidin e majtë, dy në mastoidin e djathtë  dhe dy në hijen e majtë. Çdo herë tumoret i përgjigjeshin trajtimit, por dukej sikur sa herë që mbaroja me një trajtim, shfaqej një tjetër dhe duhet ta filloja sërish.

Gjatë po kësaj periudhe gruaja ime, pati vështirësi me dy shtatzëni të tjera. Të dyja përfunduan në dështime.