Në lartësinë e duhur

Print

Titulli: Në lartësinë e duhur (pjesa 1)

Një rrëfim për dy zotërinj

Qysh prej dhjetë vitesh unë takohem çdo muaj me tre pastorë të tjerë dhe hamë mëngjesin bashkë. Por jo vetëm kaq. Ne ndajmë gjëra nga jeta jonë. Këmbejmë mendimet për një libër që kemi lexuar gjatë atij muaji. Lexojmë romane, libra autobiografikë apo historikë për dekadat e kaluara. Pra lexojmë pak nga të gjitha.

Në një prej diskutimeve të fundit që patëm, mësuam shumë rreth politikanit të njohur amerikan Xhon Adams. Adamsi ishte një prej themeluesve të Amerikës. Sinqerisht, nuk dija asgjë rreth tij. Me siguri ai nuk ishte aq i njohur sa Tomas Xhefersoni. Diku nga fundi i jetës së tyre, Xhefersoni dhe Adamsi u bënë miq të ngushtë. Por nuk kishin qenë miq më parë. Xhefersoni dhe Adamsi kishin filozofi politike shumë të ndryshme. Ata madje kishin këndvështrime shumë të ndryshme përsa i përket njerëzve. Më lejoni t’jua shpjegoj më mirë këtë.

Ndoshta e di se Tomas Xhefersoni, shkroi Deklaratën e Pavarësisë së Amerikës. Sigurisht që kjo e bëri të njohur si ‘njeriu që kishte dëshirë të shkruante të zezën mbi të bardhë’.

Ndërsa në biseda të zakonshme, Xhefersoni nuk fliste shumë. Ai nuk donte të bënte armiq. Ai shmangte konfrontimin. Kur Deklarata e Pavarësisë u paraqit për diskutim në parlamentin amerikan, Xhefersoni nuk bëri pothuajse asgjë për ta mbrojtur atë.

Delegatët të cilët mendonin se këndvështrimet e tij ishin ekstreme po e sulmonin. Xhefersoni nuk thoshte asgjë. Ndërsa Xhon Adamsi, ishte personi që u çua dhe mbrojti Deklaratën. Adamsi e mbrojti me zotësi Deklaratën. Ai ishte aq elokuent, sa që në një rast kur delegatët mbërritën me vonesë për një takim, kryesuesi i Kongresit iu lut Adamsit që të përsëriste fjalimin e tij ndonëse kishte zgjatur një orë plot.

Adamsi ishte një lider. Por kjo gjë i kushtoi shtrenjtë. Adamsi nuk ishte mik i të gjithëve. Ndërkohë që Xhefersoni kishte miqësi me të gjithë, Adamsi zbuloi se marrëdhëniet e tij me kolegët shpesh ishin të acaruara. Gatishmëria e tij për të mbajtur një qëndrim e bëri atë të padëshiruar në shoqërinë e atyre që mendonin ndryshe nga ai për të ardhmen. Xhon Adamsi ishte një njeri i cili mësoi nga përvoja e dhimbshme se nuk mund t’i kënaqte të gjithë njerëzit.

PO TI?

Çfarë mendon? Teksa mendoj për këta dy politikanë, kam kuptuar se shumë prej nesh i ngjajnë më tepër Xhefersonit se Adamsit. Ashtu si Xhefersoni, ne dëshirojmë ti bëjmë të gjithë të lumtur, apo që ti kemi miq të gjithë njerëzit.

Le ta them më mirë se: jemi njerëz që duan të kënaqin të tjerët. A je ti një njeri që dëshiron tu pëlqejë të tjerëve?

Tani ndoshta duhet të shpjegoj se çfarë dua të them me këtë. A të duket ndonjëherë sikur një zë brenda teje të thotë se detyra jote në jetë është ti bësh njerëzit e lumtur? A jeton me mendimin se duhet të kënaqësh njerëzit e rëndësishëm dhe të parëndësishëm në jetën tënde. Se nëse të tjerët nuk janë të kënaqur me ty, ti ke dështuar?

Në librin e tij “Gënjeshtrat që ne besojmë.”, Doktor. Kris Thurman, një psikolog i njohur, shkruan për mënyrat si tundohemi të shtrembërojmë të vërtetën. Thurman na tregon se ne kemi mënyrën tonë se si i pranojmë të gjitha llojet e dështimeve që bëjnë kërdinë në jetën tonë. Dhe ndër gënjeshtrat e shumta besojmë se hyn edhe kjo: “Unë duhet të kem dashurinë e të gjithëve, miratimin e të gjithëve.”

Po ti vetë çfarë mendon? A mendon se ke dështuar në rast se gjithë të tjerët rreth e qark teje nuk të buzëqeshin apo nuk miratojnë mënyrën tënde të jetesës? “Unë duhet të kem miratimin dhe dashurinë e të gjithëve.” Ndoshta ti mendon se ka shumë arsye për të pasur këtë mendim. Sigurisht që gjejmë arsye për shumicën e gënjeshtrave. Sepse në secilën ka nga pak të vërteta që i bën ato të besueshme. Ne themi me vete: “Bibla thotë se duhet të bëj gjëra të mira.” Sigurisht, kjo është e vërtetë. Dhe më pas themi: “Njerëzit që bëjnë gjëra të mira vlerësohen.” Ky parim i përgjithshëm është i mirë. Nëse i bashkon të gjitha këto mendime së bashku arrin në përfundimin se: “Po të jem njeri i mirë, të gjithë do të më duan, të gjithë do të miratojnë atë që mendoj dhe bëj.”

Për më tepër ka diçka brenda nesh që na shtyn ta besojmë këtë gënjeshtër. Ji i sinqertë. Ne të gjithë vdesim të na dëgjohet fjala. Apo nuk është kështu?

Ne kërkojmë miratim. I duam shumë komplimentet. Në fakt, shumë prej nesh u duhen një mori komplimentesh për të ekuilibruar një vërejtje kritike. Ne i harrojmë shumë shpejt komplimente që na kanë bërë miqtë. Por ajo që na mbetet në mendje janë gjërat negative që janë thënë apo bërë ndaj nesh, nga njerëz që nuk i respektojmë. Kritikat që na bëjnë të tjerët për veten apo për veprimet tona lenë shenja në shpirtin tonë. Kritikat të lëndojnë. Askujt nuk i pëlqen të marrë kritika, apo jo? Ne dëshirojmë që të gjithë të na miratojnë, të na pëlqejnë e të na thonë “të lumtë”. Ne duam t’i kënaqim të tjerët.

Por a mund t’i kënaqim të gjithë? Kjo është çështja, apo jo?! Gënjen veten nëse mendon se mund të kesh dashurin dhe miratimin e të gjithëve. Me të vërtetë. Sepse harron që ne si njerëz kemi kufizimet tona. Shumë njerëz dëshirojnë gjëra të ndryshme prej nesh! Pra ne dëshirojmë të kënaqim të gjithë. Por nëse themi “të gjithë” kjo përfshin një grup shumë të madh njerëzish. Fjala “të gjithë” përfshin miqtë e tu, bashkëshortin a bashkëshorten, fëmijët e tu, shefin dhe kishën tënde dhe në një mori njerëzish që as i njeh fare.

Si mund të kënaqësh të gjithë njerëzit? Ti punon mbi orë shtesë në punë për të kënaqur shefin, por kjo gjë e zemëron shumë gruan tënde. Ti merr disa ditë pushim për të kaluar kohë me bashkëshortin dhe fëmijët ndërsa shefit i ngrihen nervat që nuk e dorëzove projektin e madh në kohë. Ti heq dorë prej korit të kishës për tu marrë me takimin e fëmijëve, dhe drejtuesi i korit ankohet duke thënë se mungesa e zërit tënd prej tenori i prishi shumë punë.

Kështu që ti kthehesh në kor, por drejtuesi tjetër i fëmijëve thotë se fëmijët nuk janë në humor qëkur u largove ti. Pra çfarëdo që të bësh, dikujt do ti ngelet qejfi, nuk mund ti kënaqësh të gjithë.

Sikurse e ka thënë dikush: ” E gjithë bota është kritikuese dhe ti je lodhur sw dëgjuari rishqyrtimet.” Disa mendojnë se jemi tepër konservatorë, disa se jemi tepër liberalë. Disa mendojnë se jemi shumë seriozë e të tjerë se jemi shumë të qetë. Disa njerëz mendojnë se ne flasim shumë e të tjerë thonë se nuk flasim sa duhet. Disa mendojnë se jemi tepër fanatikë për shijet e tyre, ndërsa të tjerë mendojnë se ne duhet të jemi më të përkushtuar në çështjet shpirtërore.

Në fund fare shumë prej nesh, shndërrohen në kameleonë. A i njeh kameleonët? Kameleonët kanë një aftësi të mahnitshme, që bëhen një me ambientin ku kalojnë. Ata e ndryshojnë ngjyrën që të mos dallohen lehtë. Kështu veprojnë shumica prej nesh. Ne ndryshojmë ngjyrë për tu përshtatur me terrenin social. Sepse dëshirojmë të përshtatemi. Po, duam dëshpërimisht të përshtatemi.

Për ne ka shumë rëndësi mendimi i miqve tanë. Në fakt ne gjithmonë vrasim mendjen se çfarë janë duke menduar të tjerët, që të shkojmë mirë me ta. Ne dëshirojmë të themi gjëra që i bëjnë njerëzit e tjerë të lumtur. Ne dëshirojmë ta bëjmë fqinjin tonë të buzëqeshë. Sepse në sytë tanë nuk ka krim më të madh, sesa të mos pëlqehesh, të mos pranohesh apo të mos marrësh dashurinë e të tjerëve.

Nëse kjo është përqasja jote në jetë, atëherë mund të të them dy gjëra për veten tënde. Së pari, ti shpesh ndihesh i mjerë. Sepse realisht je. Sepse e ke dorëzuar veten në duart e njerëzve të tjerë. Ti ke lejuar njerëzit e tjerë, ndoshta njerëzit që as i njeh as i respekton që ta ndikojnë a modelojnë jetën tënde. Ti nuk je duke jetuar sipas thirrjes tënde, por sipas asaj që të tjerët mendojnë se duhet të jetë thirrja jote. Kështu ti lëkundesh mes fajit dhe zemërimit. Them faj, sepse asnjëherë nuk arrin atë që të tjerët presin nga ti. Dhe zemërim sepse të ka ardhur në majë të hundës me njerëzit që të thonë tërë kohës se çfarë duhet të bësh. Ti lëkundesh mes fajit dhe zemërimit. Faj- zemërim. Zemërim- faj. Nuk shkohet jeta kështu!

Por më e keqja fare është ajo që po të ndodh në jetën shpirtërore. Diçka e tmerrshme ka ndodhur me përkufizimin që ti ke për Perëndinë. E vërteta është se ti ke lejuar opinionin e njerëzve të ta drejtojë jetën. Ti e ke bërë gjykatën e opinionit njerëzor Perëndinë tënd. Mos të dukem shumë i ashpër? Nuk mendoj kështu.

Gjithçka që merr fokusin e jetës tënde është Perëndia yt. Dhe në rast se jeton për të marrë komplimente nga njerëzit e tjerë, nëse jeton që të pëlqesh nga të gjithë, atëherë e ke zgjedhur Perëndinë tënd. Ti e ke vendosur në fron Perëndinë tënd.

Por si mund ta shmangim këtë problem? Ne nuk jemi të fortë sa duhet për të kundërshtuar presionin e shokëve.

Ne nuk jemi të fortë sa duhet për t’i bërë ballë opinionit publik. Çfarë mund të bëjmë? Ne mund t’ia nisim duke i vënë veshin zërit të Jezusit për bindje. Por sa keq që koha kaloi kaq shpejt dhe minutave tona për sot i erdhi fundi.