Në lartësinë e duhur

Print

Titulli: Në lartësinë e duhur (pjesa 2)

Pali, mes një shkëmbimzjarri

Kemi folur se çfarë do të thotë të jetosh për të kënaqur njerëzit. Po kështu kemi thënë se diçka na pëshpërit në vesh se duhet të kemi miratimin e të gjithëve. Ne kemi nevojë për dikë që e kupton këtë që po na ndodh brenda nesh.

Dhe apostulli Pal është i gatshëm të na ofrojë ndihmë. Pali e di mirë se çfarë po kalojmë. Shpesh e mendojmë Palin si një person të sigurt në vetvete. Por ai vetë e pranon se ka kaluar disa beteja të ashpra për identitetin e tij. Në fakt para se të rritej në Zotin ai kujdesej që të kënaqte gjithmonë miqtë e tij. Në letrën drejtuar Filipianëve, ai përshkruan, se çfarë ishte promotori i jetës së tij: ” nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë:

5  u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise,

6  sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm.”

Pali po jetonte për të plotësuar pritjet e miqve të tij farisenj. Por Pali shpëtoi prej kësaj rutine, që ishte t’i bëje përshtypje njerëzve. Dhe bëri shumë mirë. Sepse më vonë kur do të bëhej misionar ai do të zbulonte se shumë njerëz do të kishin opinione të ndryshme për të. E njëjta gjë ndodhi edhe në Korint, kisha më problematike që Pali ishte kujdesur ndonjëherë. Nëse kishte një kishë që i shtrydhte fare pastorët, kjo ishte kisha e Korintit. Dhe nëse kishte një pastor që e provoi këtë shtrydhje si pastor themelues i kishës, ky ishte apostulli Pal!

Në kapitullin e parë të lerës së parë të Korintasve, mësojmë se kisha në Korint, ishte ndarë në katër grupe. Çdo grup valëviste flamurin e drejtuesve shpirtërorë të ndryshëm. “Dua të them këtë,” shkruan Pali, ” një prej jush thotë “unë jam i Palit”; tjetri thotë, ” jam i Apollos”; tjetri, “Unë i jam i Kefës”; ndërsa një tjetër, “unë jam i Krishtit”.

Tani, Pali e pranon se gjërat po vështirësohen shumë për të në Korint. Por kishte ende njerëz në Korint që e pëlqenin stilin e tij të thjeshtë. “Ti nuk je mishëror Pal, por neve na pëlqen kështu.”

Ndërsa shumë të tjerë po e kritikonin ashpër Palin. Disa të tjerë e pëlqenin shumë Apolon. Apolo ishte një prej oratorëve të mëdhenj të kishës së hershme. Po kështu ai ishte një njeri me urtësi të madhe. Kur e dëgjoje atë e kuptoje shumë mirë se po dëgjoje një person që di se si të komunikojë. Kishte nga ata që pasi e dëgjonin Apolon duke predikuar thoshin: “Pse nuk predikon edhe Pali si Apolo? Pal, duhet të marrësh disa leksione se si të shkruash një predikim! Rrite pak oratorinë.”

Më pas ishte edhe pala e Kefas, apo sikurse e njohim më mirë ne e Pjetrit. Ata që ishin me Pjetrin mendonin se duheshin zbatuar të gjitha ligjet e Dhjatës së Vjetër. Sigurisht, ne e dimë se Pjetri nuk do të ishte pro këtij mendimi. Pjetri e dinte se kishte marrë një vizion që të sfidonte kishën për të mirëpritur në kishë të gjithë njerëzit edhe johebrenjtë. Por njëkohësisht e dimë se Pjetri e kishte pak problem kur vinte puna tek trajtimi i gjithë njerëzve njëlloj. Dukej sikur njerëzit e kishin përdorur emrin e Pjetrit si aleat në thirrjen e tyre për të mbrojtur ritualin e ligjeve. “Shiko,” i thoshin ata Palit, “duhet t’i lesh johebrenjtë jashtë kishe nëse dëshiron që kisha jote të jetë e pastër.

Dhe në fund ishte edhe pala e Krishtit. Ky është grupi më i vështirë për tu përkufizuar. Sepse në një farë mënyre ne të gjithë duhet të ishim pjesë e kësaj pale, apo jo? Por duket sikur Pali po sugjeron se ky fraksion njerëzish po e përdorte emrin e Krishtit në mbrojte të herezisë së tyre të veçantë. Ndoshta anëtarët e palës së Krishtit, ishin shpirtrat e lirë të Korintit. Ata dëshironin ta hiqnin qafe njëherë e mirë ligjin. Ata mendonin se nuk duhej folur për të drejtën dhe të gabuarën ndërkohë që Fryma ishte në ta. Ja një prej pohimeve të tyre drejtuar Palit: “Hej Pal,” thoshin ata, “hiq ca mos-e nga predikimi yt. Ke shumë mos-e, ‘mos bëj këtë, mos bëj atë!’ “Lere Frymën të lëvizë dhe na lër të lirë t’i përcaktojmë parimet morale siç duam vetë”.

Këto pra ishin zërat drejt Palit. Njerëz që i thoshin: ” E ke gabim! Po i prish punët fare! Nuk jemi dakord me ungjillin tënd. Pal, ne nuk të pëlqejmë më ty!” Atëherë çfarë duhet të bënte apostulli?

NUK KA RËNDËSI

Por pavarësisht sulmeve që i bëjnë Pali reagon. Dëgjoni se çfarë thotë ai në kapitullin 4 të letrës së parë të Korintasve vargu 3: ” Sa për mua më intereson fort pak që të gjykohem prej jush ose prej dite gjyqi njerëzor.”

Kjo që Pali po thotë është shumë tronditëse për një pjesë nga ne që mendojnë se nëse jemi të krishterë jeta jonë do të përcaktohet nga opinioni i fqinjëve tanë. Por Pali pohon të kundërtën: “Unë nuk dua t’ia di se çfarë thonë të tjerët për mua.”

Çfarë do të thotë ai me këtë? Pali nuk po thotë se nuk e prekin fjalët e njerëzve rreth e qark. Nëse lexon midis rreshtave do të kuptosh se Pali është një njeri i lënduar thelle prej kritikave që i janë bërë. Fjalët që qarkullonin rreth Palit nëpër Korint e kishin lënduar shumë. Besoj se as ti dhe as unë nuk ndryshojmë shumë nga ai.

Gjatë kohës sime në shërbesë në shumë raste njerëzit kanë dyshuar rreth motiveve të mia, apo kanë sulmuar integritetin tim. Disa njerëz nuk pranonin të më jepnin dorën vetëm se nuk kisha mbajtur anën e tyre në një debat.

Shumë njerëz më kanë vënë epitete sepse kam refuzuar të ndjek programet e tyre të gabuara. Dhe dua t’ju them të vërtetën. Ato gjykime kanë mbetur si vulë në shpirtin tim. Më kanë lënduar. Ndonëse e kam ditur se kanë qenë kritika të gabuara, sërish më lëndojnë. Nuk kam dyshim se edhe ti ke kaluar përvoja të ngjashme. Dhe ato momente të kanë lënduar dhe frikësuar shumë. Pra Pali, nuk po thotë se është e lehtë të gjykohesh prej të tjerëve.

Por njëherazi, nuk po thotë se nuk duhet të kemi miq tek të cilët të mbështetemi, apo që do të na mbajnë të përgjegjshëm. Unë kam pasur shumë miq të mirë që më kanë mentoruar, tek të cilët mund të kërkoj këshilla urtësie dhe drejtimi. Unë kam nevojë për mentorë. Kam nevojë që tu tregojë se i kam shkatërruar fare disa gjëra. Kam nevojë që të më sjellin në vete kur bëj marrëzira. E falënderoj Perëndinë për miqtë e vërtetë që m’i thonë gjërat ashtu siç janë. Edhe ti ke nevojë për mentorë në jetën tënde. Ke nevojë për miq, që do të rrinë përkrah dhe do të ndihmojnë të punosh me majat e mprehta të karakterit tënd.

Pali nuk po thotë se kritikat nuk lëndojnë. Ai po thotë se kritikat nuk do ta pengojë rritjen e tij në karakter. Pra çfarë është duke thënë Pali? Ai po thotë se nuk do të jetojë për të kënaqur njerëzit, pra nuk do ta bëjë strumbullarin e jetës së vet. Ai nuk do të bëhet i burgosur në gjykatën e opinionit njerëzor.

Më kupton kur them se ne e gjejmë veten çdo ditë në gjykatën e opinionit njerëzor. Ne jemi GJITHMONË duke u vlerësuar prej të tjerëve. Për shefin tonë, jemi aq të mirë sa projekti ynë i fundit. Për fqinjët, jemi aq të mirë sa kemi qenë të gatshëm ti japim hua diçka së fundmi. Çdo ditë ne jemi subjekt i vlerësimit të të tjerëve.

Pali thotë: “Unë nuk kam ndërmend  ta lë jetën time të lëkundet prej opinionit të të tjerëve. Nuk kam për të lejuar që planet e të tjerëve të dominojnë jetën time. Unë do të shikoj përtej gjykatës së opinionit njerëzor. Unë do të pres miratim e Perëndisë ditën e fundit. Kur të qëndroj para Perëndisë dhe t’i jap llogari Atij për gjithçka që kam bërë.

Pali shkruan: “Por ai që më gjykon është Zoti… Ai do të nxjerrë në dritë gjërat e fshehta të errësirës dhe do të shfaqë këshillat e zemrave; dhe atëherë secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia.” Pra fjalët e fundit të Palit thonë: “Unë po jetoj për të marrë miratim e Perëndisë dhe jo miratimin e botës.”

Tani më lejoni të them se nëse je në një mendje me bindjet e Palit, atëherë po i hap derën, lirisë së vërtetë. Nëse ti jeton për të kënaqur të tjerët, i je futur një loje të kotë, lojës së budallait. Unë kam njohur shumë njerëz të shkëlqyer, të edukuar dhe jashtëzakonisht të suksesshëm. Megjithatë gjithë jetën e tyre ata kanë qenë duke u përpjekur të kënaqin të tjerët. Jeta e tyre është ndarë në shumë drejtime. Dhe ata kurrë nuk përmbushën atë që Perëndia donte për ta. Ata jetojnë me frikë, me frikën se dikush do t’i thotë: “Nuk më pëlqen ajo që bëre ti. Unë nuk të pëlqej më ty.”

Pyes veten se sa prej jush janë duke u përballur me të njëjtën dhembje. Por Pali na fton të jetojmë sipas një mënyre të re. Ai thotë: “Unë nuk do të manipulohem prej njerëzve që kam rreth e qark. Unë nuk do të jetoj për t’ia bërë qejfin atyre. Jeta ime ka Krishtin në qendër. Unë jam shërbëtori i tij. Vetëm Atë dua ta kënaq.”

Pali na fton për një stil të ri jetese. Kjo mënyrë e re ka në qendër bindjen ndaj Jezus Krishtit. Një jetë që jetohet në Krishtin pavarësisht se çfarë mendojnë njerëzit. Një mënyre jetese që e thjeshtëson jetën. Dëshira e zemrës sime është të jetoj një jetë që e nderon dhe e lavdëron Krishtin. Fundja fare, thotë Pali: “Është Zoti që më gjykon.”

NGA SHIU NË BRESHËR?

Por në çfarë telashesh e kemi futur veten?  Të jetojmë për të marrë miratimin e Perëndisë! A nuk është kjo diçka e pamundur nga ana njerëzore? Ti thua: “Unë nuk arrij tu pëlqej prindërve, fëmijëve dhe burrin tim e jo më Perëndisë. Nuk kam shanse. Si mund t’i pëlqej Perëndisë që me njeh mua si brenda ashtu dhe jashtë? Si mund t’i pëlqej Perëndisë, i Cili njeh motivet, dështimet dhe justifikimet e mia?”

Si mund të funksionojë kjo? Si mund të quhet liri kjo?

Po mund të funksionojë. Sekreti gjendet tek fakti se ne kemi të njëjtin identitet si Pali. Për Palin, Perëndia nuk është vetëm gjykatësi i tij, por edhe Shpëtimtari i tij. Pali ka zbuluar identitetin e tij në hirin e Perëndisë. Kjo është arsyeja përse Pali identifikohet si një shërbëtor i Krishtit. Një shërbëtor i Krishtit. Krishti është themeli i identiteti të Palit.

Perëndia, të cilit dua t’i pëlqej ka ardhur tek unë në Birin e tij, Jezus Krishtin. Gjykatësi hyjnor e ka gjykuar Birin e vet në vendin tim. Gjykatësi është Shpëtimtari im. Gjykimi që duhet të binte mbi mua, ra mbi Të. Që me anë të hirit të Tij, të mund ta përqendroj jetën time në Krishtin. Dhe me anë të hirit të Tij të jetoj në bindje ndaj Jezusit. Të vazhdoj jetën si bir i Tij. Ndonjëherë rrëzohem, por e di se sa herë që rrëzohem me fytyrë përtokë, ati im qiellor më ngre, më fshin pluhurin dhe më inkurajon të hedh një hap tjetër besimi në bindje. Ati im qiellor më shtyn drejt Shpëtimtarit tim, Jezusit si një model jete, frymëzimi dhe force për mua.

Me anë të hirit, unë jetoj për t’i pëlqyer Perëndisë tim! Para pak javësh jam kthyer nga një vizitë në Japoni. Atje takova një pastor i cili ishte shembulli i përsosur i asaj që ka thënë Pali. Ky pastor japonez më foli rreth konvertimit të tij dhe më tha se një prej vargjeve kyçe që e shtyu atë të bëhej pastor ishin këto fjalë të Jezusit:

“çdokush që do nënë apo atin më shumë se unë nuk është i denjë për mua; çdokush që e do birin apo bijën me shumë se unë nuk është i denjë për mua.”

Teksa më thoshte këto fjalë, kuptova sakrificën e madhe që kishte bërë për të ndjekur Krishtin. Për tu bërë pjesë e familjes së Perëndisë ai kishte hequr dorë prej miratimit të familjes. Ai kishte sakrifikuar pëlqimin e familjes së tij për hir të një dashurie më të madhe: dashurisë për Krishtin.

Ndoshta neve nuk na është dashur të bëjmë sakrifica kaq të mëdha. Por të gjithë ne kemi nevojë të ndreqim prioritetet tona. Asgjë nuk ka rëndësi më shumë se sa mendimi që ka për mua Jezusi dhe miku im.