Nëna të lumtura

Print

Titulli: Nëna të lumtura (pjesa 1)

Pa humbur kohë fillojmë me temën. Për çfarë kanë nevojë nënat? Çfarë duhet bërë që nënat të lulëzojnë, të begatojnë dhe të jenë të lumtura? Mund të përmendnim shumë gjëra, por një nga gjërat më kryesore është kjo: nënat duhen të ndihen të vlerësuara.

Një nënë që ndihet e vlerësuar mund të përballojë pothuajse gjithçka. Ajo mund të mposhtë një ushtri sherresh dhe lëndime zemre. Por nëse një nënë ndihet e pavlerësuar dhe jo e dashur, shteron nga fuqitë. Shpirti i saj thahet. Ajo ndihet bosh dhe e pavlerë. Një nënë duhet vlerësuar, lavdëruar, nderuar, falenderuar, inkurajuar, gëzuar dhe dashuruar.

Te Fjalët e Urta 31, Bibla përshkruan një grua të ” virtytshme” e cila “vlen më shumë se sa margaritarët” dhe thotë se një grua e tillë “duhet lëvduar.” Ja se çfarë shkruhet për të:

“Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:

“Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato”.

Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.

I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.” Fjalët e Urta 31:28-31

Një nënë e lumtur është ajo që vlerësohet prej burrit të saj, vlerësohet prej fëmijëve, vlerësohet prej komunitetit. Ata duhet ta vlerësojnë atë në zemrat e tyre, por njëkohësisht duhet ta lavdërojnë hapur.

Nënat e mira duhet të ndihen të vlerësuara, por shumë prej tyre nuk ndihen të vlerësuara. Pse jo? Një problem është se nënat rrallëherë lavdërohen në “portat e qytetit”. Portat e qytetit përfaqësojnë drejtuesit e shoqërisë. Çfarë vlerësohet në portat e qytetit në ditët tona? A i venë rëndësi politikanët dhe drejtuesit e bizneseve të qenit nënë? Jo, politika sociale investon shuma të mëdha për kujdesin ndaj fëmijëve që nënat të mund të kalojnë më shumë kohë me karrierën e tyre dhe më pak kohë me familjet.

Po revistat, shfaqjet televizive dhe filmat e respektojnë nënën? Jo, media është kryesisht armiqësore ndaj atyre që e vendosin familjen në vend të parë.

Po kolegjet dhe universitet a i inkurajojnë vajzat që kanë si ambicie kryesore rritjen e fëmijëve dhe mbështetjen e burrit të tyre? Jo, institucionet arsimore, fokusohen te karriera, jo te familja.

Shumë grave të reja të arsimuara, u imponohet mendimi se vetëm një dështake do ta donte bashkëshortin dhe fëmijët më shumë se karrierën. Më vonë, kur shumë prej këtyre grave martohen dhe bëhen nëna, kjo pikëpamje e ulët për mëmësinë mund të vazhdojë t’i përndjekë ato.

Është e vështirë për një nënë kur shoqëria nuk e vlerëson apo lavdëron mëmësinë, madje është akoma më e vështirë nëse fëmijët e saj nuk e vlerësojnë atë. Një nënë e cila bekohet dhe përgëzohet prej fëmijëve të saj mund të ndihet e vlerësuar edhe sikur shoqëria në gjerësi të dobësojë mëmësinë. Megjithatë, nëse fëmijët e saj nuk e nderojnë dhe nuk tregojnë se sa vlerë ka ajo për ta, atëherë gjithë përpjekjet e saj si nënë mund të duken të kota.

Por ka një arsye tjetër akoma më të madhe, përse shumë nëna nuk ndihen të vlerësuara: bashkëshortët e tyre nuk i përgëzojnë dhe nuk i nderojnë ato. Kjo gjë e dëmton një grua apo një nënë më shumë se çdo neglizhim i shoqërisë apo i fëmijëve. Asnjë njeri nuk mund të bëjë më shumë për të ndërtuar një grua, apo për ta dërmuar atë se sa vetë bashkëshorti i saj.

Pra teksa eksplorojmë se çfarë duhet bërë që një nënë që të ndihet e vlerësuar dhe e lumtur, le ta fillojë me rolin e bashkëshortit. Menjëherë pas muzikës.

E vlerësuar prej bashkëshortit

Me qëllim që një nënë të jetë e lumtur, ajo duhet të jetë jo vetëm një nënë që derdh energjinë e saj në familje por një grua që merr dashuri, drejtim dhe forcë prej burrit të saj.

Një nënë ka nevojë për një burrë, me të cilin ajo krenohet dhe ndihet e krenuar. Fjalët e Urta 31 flet për një grua të shkëlqyer me fjalët: “burri i saj nderohet” dhe se” Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo” dhe e “lëvdon atë.”

Nëse shikon një nënë të zymtë dhe të këputur dhe pyet përse është kështu? Ta them unë arsyen: ndoshta burri i saj e ka neglizhuar atë. Ka mundësi që ai e ka braktisur gruan dhe fëmijët.

Jeta bëhet e vështirë për një nënë beqare. Jo vetëm që është e vështirë për një person që të bëjë punën e dy personave, jo vetëm që është e vështirë për nënën të bëjë rolin e babait, i cili duhet të ishte i pranishëm, por është një barrë shumë e rëndë për nënën të mos ketë një burrë me të cilin të krenohet dhe të ndihet e krenuar.

Nënat beqare nuk janë të vetmet që përballen me këtë betejë. Shumë nëna janë martuar por kanë një bashkëshort, ideja e të cilit për drejtimin e gruas dhe familjes i ngjan ndërrimit të kanaleve të televizorit me telekomandë. Ai mund të kalojë tre orë duke parë një ndeshje, por nuk gjen pesë minuta për ta dëgjuar gruan, apo për të drejtuar fëmijët. Ai mund të brohorasë për skuadrën e tij të preferuar, ndërsa gruas së vet asnjë fjalë të mirë nuk ia thotë në vesh.

Ai mund të gjejë kohë për të dalë me kolegët, apo për të pirë një birrë me shokët, ndërsa për gruan dhe fëmijët nuk e gjen kohën që të hanë rregullisht darkë bashkë.

Nëse një burrë e rreh gruan apo e shkatërron me fyerje dhe zënka, me shumë mundësi është një bashkëshort i ndryë. Edhe sikur të mos jetë abuziv, të jetë i padëmshëm, një njeri i butë, gjithsesi burri mund ta shterojë fuqinë e gruas së tij duke e neglizhuar atë. Ai mund ta dëshpërojë atë duke mos i treguar aftësinë për drejtim dhe duke mos fituar respektin e saj. Mëmësia mund të jetë e mjerueshme për një grua, bashkëshorti i së cilës nuk e gëzon atë dhe nuk merr drejtimin për rritjen e fëmijëve.

Mos po tregohem tepër i ashpër me burrat dhe shumë i mirë me gratë? Ndoshta po. Unë e di që gratë nuk janë të përsosura dhe e di se është e vështirë të jesh bashkëshort dhe baba.

Por kjo nuk e ndryshon faktin se përgjegjësia për kujdesin ndaj nënës dhe fëmijëve i takon burrit. Sipas planit të Perëndisë, burri është kreu i gruas dhe i familjes. Nëse je bashkëshort dhe baba, faji të mbetet ty. Si po e drejton familjen tënde? A po bën gruan të ndihet e vlerësuar? Çfarë hapash po ndërmerr për ta bërë atë të lumtur?

Gruaja jote duhet të dijë se ajo nuk është vetëm nëna e fëmijëve të tu, që plotëson dëshirat e tyre të shumta. Ajo ka nevojë të dijë po ashtu se është gruaja e një burri që e vlerëson atë dhe e inkurajon. Ajo ka nevojë të dijë se ” Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo…” (Fjalët e Urta 31:11) dhe ndjen respekt dhe nder për të. Ajo ka nevojë të dëgjojë lëvdata prej burrit për gjërat e shumta që bën, si grua dhe nënë, të dijë se burri i dallon aftësitë dhe përpjekjet e saj. Ajo ka nevojë të dijë se i duket tërheqëse dhe e bukur atij.

Ndonjëherë një nënë mund të ndihet si skllave, teksa mundohet të plotësojë gjithë nevojat e fëmijëve. Ndërrimi i pelenave, fshirja e hundëve, larja e rrobave, përgatitja e vakteve, ndarja e zënkave të fëmijëve, sigurimi se i kanë bërë detyrat e shtëpisë- të gjitha këto aktivitete, janë një pjesë e mirë dhe kuptimplotë në formimin e personave të çmuar. Por këto gjëra mund t’ia marrin frymën një nëne nëse bashkëshorti i saj është thjesht një fëmijë më shumë që kërkon gjëra. Barra është akoma më e rëndë nëse nëna punon jashtë shtëpie e kur kthehet i duhet të bëjë edhe tërë punët e shtëpisë. Një nënë e ngarkuar me punë ka nevojë edhe për ndihmën e burrit me fëmijët. Po kështu gruaja duhet të dijë se është dashuria e jetës së burrit, që ai çmendet për të.

Nëse je bashkëshort dhe baba, sigurohu që romanca të mos shuhet në martesën tuaj, kur fëmijët të vijnë në jetë. Lexo një pjesë nga libri Kantiku i Kantikëve dhe thuaja gruas: ” Ti je e bukur, mikja ime, ja, je e bukur!” “Zëri yt është i këndshëm dhe fytyra jote është e hijshme.” ” Ti më ke rrëmbyer zemrën me një shikim të vetëm të syve të tu.” (1:15, 2:14, 4:9)

Shumë të ëmbla këto fjalë.