Ti ndoshta nuk ke nevojë të përdorësh të njëjtat fjalë si te Kantiku i Kantikëve, por sigurohu që ti përcjellësh gruas mesazhin e dashurisë. Lavdëroje gruan tënde vazhdimisht. Shprehja dashurinë vazhdimisht me puthje dhe intimitet fizik. (1 Kor. 7:4) Bëje që të ndihet e bukur. Kur Perëndia të jep fëmijë, lejo që gruaja ta dijë se ti ende e do si nuse dhe se dashuria jote për të është akoma më e madhe dhe më e thellë, sidomos tani që ajo është nëna e fëmijëve të tu.
Diçka tjetër që mund të bësh është të mendosh se për çfarë ka nevojë një nënë kur ushqen foshnjën me gji. Ajo tani ka nevojë të ushqehet më shumë se sa kur ishte vetëm. Ajo ka nevojë për ushqim të mirë dhe për një sasi më të madhe. Përndryshe foshnja do të vuajë dhe nëna vetë gjithashtu. Ki parasysh këtë jo vetëm për ushqyerjen e trupit por edhe të shpirtit. Fëmijët marrin shumë nga një nënë, kështu që ajo ka nevojë për një burrë i cili siguron më shumë inkurajim, më shumë butësi, më shumë drejtim, më shumë pasion më shumë gëzim se kurrë më parë. Një baba, duhet të gërmojë thellë, për të qenë drejtuesi dhe instruktori kryesor i fëmijëve të tij dhe ai duhet të japë nga vetja që të ushqejë e të kujdeset për nënën e fëmijëve të tij. Nëse një burrë e bën këtë, gruaja e tij do të begatojë, fëmijët e tij do të begatojnë dhe Ai vetë do të begatojë.
Vlerësuar prej Krishtit
Një nënë ka nevojë që bashkëshorti ta vlerësojë dhe ta gëzojë atë. Në fakt, ajo ka nevojë për një burrë, i cili paraqet dashurinë e Jezus Krishtit vetë. Bibla thotë:
” Sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.” Kjo përfshin udhëheqjen, por edhe sakrificën. Shkrimet thonë: ” Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të.” Ashtu si Jezusi dha jetën e tij që ta bënte kishën një nuse vezulluese për vete, po kështu edhe burri duhet të japë nga jeta e tij që ta bëjë nusen e tij vezulluese. Ashtu si Krishti i quan të krishterët gjymtyrë të trupit të tij, po kështu edhe një bashkëshort duhet të kujdeset për gruan siç kujdeset për trupin e tij.
Nëse një burrë nuk është ndjekës i Krishtit dhe nuk është vetësakrifikues si Krishti, ai do të bënte mirë të tregohej i zgjuar dhe ta donte gruan e vet dhe ta trajtonte si duhej. Pse? Sepse nëse i bën mirë asaj i ka bërë mirë vetes. ” Kështu burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten.
Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse bën edhe Zoti me kishën.” (Efesianëve 5:28-29) Nuk është mirë të neglizhosh gruan dhe nevojat e saj; është marrëzi. Është njëlloj si të lesh pa ngrënë stomakun tënd apo të plagosësh këmbën tënde. Një njeri që e ka mendjen në rregull nuk do të mundohej të lëndonte trupin e tij apo jo? Një burrë që e ushqen gruan e tij me frymën e dashurisë, udhëheqësisë dhe inkurajimit, nuk po ndihmon vetëm atë, por edhe veten.
Sa më shumë që ajo ndihet e dashur, aq më e dashur bëhet. Sa më shumë që vlerësohet, aq më vlerësuese bëhet ajo ndaj tij. Sa më shumë e ndërton ai atë, aq më shumë përfiton ai. Sa më e lumtur është ajo, aq më të lumtur do ta bëjë burrin. Pra është normale për një burrë të kujdeset për gruan dhe familjen, edhe sikur të mos e bëjë atë për hir të Krishtit.
Por nëse vërtetë dëshiron të jesh bashkëshorti që plotëson nevojat e gruas tënde, si dhe të jesh babai që plotëson nevojat e fëmijëve të tu, atëherë ke nevojë për Krishtin në jetën tënde. Është e vështirë për ty ta drejtosh familjen si duhet. Në fakt jo vetëm që është e vështirë, por është e pamundur. Nuk mund t’ia dalësh mbanë vetë. Ti ke nevojë për fuqinë e dikujt tjetër. Ti ke nevojë për fuqi prej Perëndisë. Ti ke nevojë për Frymën e Krishtit që të jetojë dhe të punojë në ty, duke të bërë ty, bashkëshortin dhe babanë që Perëndia të ka thirrur të jesh. Si kreu i familjes tënde, thirrja jote nuk është as më shumë dhe as më pak, se t’i shpalosësh gruas dhe fëmijëve të tu jetën dhe realitetin e vetë Krishtit Jezus.
Perëndia e projektoi martesën për të portretizuar marrëdhënien mes Krishtit dhe kishës. Kështu që ti si burrë po tregon diçka për Krishtin në mënyrën se si reagon ndaj gruas dhe fëmijëve. Nuk e fsheh dot. Ti ose do të shpalosësh të vërtetën për Krishtin ose do të thuash gënjeshtra për Krishtin. Cilado qoftë nga të dyja, ti për ta je një portret i Krishtit, do apo nuk do ti.
Nëse nuk e vlerëson gruan tende, po i dërgon asaj mesazhin se Krishti nuk e vlerëson kishën e tij. Nëse nuk kujdesesh për mirëqenien e gruas tënde, ti po i dërgon asaj mesazhin se Krishti është i pakujdesshëm. Nëse ti nuk je besnik, po i dërgon mesazhin se Krishti nuk është besnik. Nëse nuk e do, ti po i dërgon mesazhin se Krishti nuk është i dashur. Nëse je i ashpër, po i përcjell mesazhin se Krishti është i ashpër. Nëse nuk e drejton gruan me dituri dhe nuk i mëson familjes tënde fjalën e Perëndisë, ti po i përcjell mesazhin se Krishti nuk i drejton njerëzit e Tij dhe nuk kujdeset ashtu si mendojnë ata. Nëse je një bashkëshort i keq, ti po thua gënjeshtra njëra pas tjetrës, për Jezus Krishtin dhe, e bën të vështirë për gruan dhe fëmijët që të dëgjojnë të vërtetën e Krishtit. Po kështu ua bën të vështirë të jetojnë në fuqinë e Krishtit. Sa e tmerrshme nëse jeta jote shpall gënjeshtra për Krishtin!
Nga ana tjetër, nëse je një bashkëshort i perëndishëm, ti po tregon të vërtetën e Krishtit. Nëse e vlerëson gruan, ti po i përcjell mesazhin se Krishti dha jetën e Tij për ne. Nëse je besnik ndaj gruas po i përcjell mesazhin se Krishti është besnik. Nëse kujdesesh për gruan me ëmbëlsi dhe butësi, ti po i dërgon një mesazh për dashurinë e Krishtit. Nëse e drejton familjen në Shkrime dhe lutje, ti po dërgon mesazhin për udhëheqjen e mençur të Krishtit. Nëse je një bashkëshort i perëndishëm, fjalët e tua dhe shembulli yt e ushqejnë gruan dhe fëmijët me të vërtetën dhe fuqinë e Krishtit. Çfarë privilegji ta bësh Krishtin real në familjen tënde!
Ndoshta ju burra mund të kundërshtoni kur dëgjoni këto fjalë se duhet t’i bëni gratë tuaja të ndihem të vlerësuara dhe të bukura dhe mund të thoni: “Por ajo nuk është e bukur! Nëse do të kisha një grua të mirë, do ta trajtoja mirë. Por unë nuk mund të shtirem sikur gruaja ime është e bukur kur ajo nuk është.” Në rregull, ke të drejtë. Ndoshta gruaja jote nuk është aq e mrekullueshme. Por para se ta akuzosh atë aq shumë, dëgjo këtë këshillë: Shikohu në pasqyrë, miku im! Para se të ankohesh duke thënë se ajo nuk është nëna dhe gruaja që duhet të ishte, shihe me kujdes veten. A je ti bashkëshorti dhe babai që duhet të ishe? A e ushqen dhe e gëzon gruan tënde si të ishte trupi yt? A e inkurajon atë? A i drejton dhe i rrit fëmijët e tu sipas mënyrës së Zotit? A mund ta shohë familja jote Krishtin në Ty? Apo jeta jote tregon gënjeshtra për Krishtin? Do të jem i hapur me ty: nuk njoh shumë burra të shkëlqyer që kanë gra të këqija. Mund të ketë disa por jo shumë. Zakonisht një burrë i perëndishëm dhe i zgjuar, ka një grua dhe familje të bekuar. (Psalmi 128)
Por thjesht supozo sikur je një prej atyre rasteve të rralla: ti ke qenë një bashkëshort i mirë megjithatë gruaja jote nuk është aq e dashur dhe e lavdërueshme. Epo nëse gruaja jote nuk është ashtu si duhet të ishte, edhe nëse problemet e saj nuk janë për fajin tënd, është përgjegjësia jote ta ndihmosh të rritet dhe të lulëzojë.
Kujto këtë se ti si bashkëshort je thirrur të shpalosësh Krishtin. A e deshi Krishti nusen e tij, kishën, për shkak se ajo ishte e përsosur para se ai ta shpëtonte atë? Jo, ajo kishte shumë dobësi.
Por Krishti sakrifikoi veten që ta bënte atë rrëzëlluese dhe të pa të metë.
Ai mori përgjegjësi për njerëzit e dashur, ndonëse nuk duheshin akuzuar për mëkatin e tyre. Dashuria dhe udhëheqja e tyre i transformoi ata. Si burrë që je ti duhet të ndjekësh udhëheqjen e Krishtit. Fokusoje dashurinë te gruaja dhe bëj çdo sakrificë për të fituar zemrën e saj, tregoi se sa shumë e do dhe e vlerëson, bëje një nuse rrëzëlluese.