Nëna të lumtura

Print

Titulli: Nëna të lumtura (pjesa 3)

E vlerësuar prej fëmijëve

Një nënë që është e vlerësuar prej një bashkëshorti që i ngjan Krishtit, dhe që e njeh Krishtin vetë, mund të përballojë çdo sfidë që i sjell të qenit nënë. Megjithatë të qenit nënë bëhet edhe më i bukur nëse fëmijët e saj e vlerësojnë atë. Kur një nënë e shikon fëmijën e saj duke buzëqeshur dhe dëgjon fjalët “të dua, faleminderit që je një mami kaq e mirë” atëherë ajo është e lumtur si nënë. Fëmijët e vegjël shpesh janë më të aftë se adoleshentët në shprehjen e vlerësimit. Por nëse je adoleshent, thuaji mamit tënd sa shumë rëndësi ka ajo për ty. Ndërsa për ne që jemi të rritur dhe tashmë nuk jetojmë më me prindërit, le të vazhdomë t’i nderojmë ata. Kur kthen kokën pas, shikon se sa mirë ke marrë përkujdesjen e nënës teksa rriteshe. Mirë, atëherë, përfito nga koha e humbur duke e falenderuar dhe lavdëruar atë tani.

Bibla u thotë fëmijëve të çdo moshe: nderojeni nënën tuaj. (Eksodi 20:12)

Është marrëzi të çnderosh dhe të përçmosh nënën tënde, dhe ti sjellësh brenga. Mos u bëj i marrë. Në vend të kësaj, gëzoje zemrën e nënës tënde. (Fjalët e Urta 15:20, 10:1, 23:25) Jeto në një mënyrë që ajo të kënaqet që është nëna jote.” Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume.” (Fjalët e Urta 31:28)

E vlerësuar prej komunitetit

Ashtu siç vlerësohet prej bashkëshortit dhe fëmijëve, një nënë duhet vlerësuar dhe prej komunitetit. Siç e thotë edhe Bibla: ” I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.” (Fjalët e Urta 31:31) Shoqëria duhet të respektojë familjen mbi ekonominë. Një nënë duhet të nderohet më shumë për atë që bën për bashkëshortin dhe fëmijët se sa për atë që bën për punëdhënësin e saj.

Një shoqëri e cila nuk e nderon mëmësinë mund të pengojë të qenurit nënë. Kjo mund të pengojë gjithashtu gratë e reja pa fëmijë që të përgatiten për të qenë gra dhe nëna. Shumë vajza të reja shkojnë në shkollë fillore, nëntëvjeçare, të mesme, universitet dhe studime pasuniversitare dhe rriten me një sfond ku të qenit nënë nuk duket se ka shumë rëndësi për ta.

Ato kalojë vit pas viti nga një klasë te tjetra, por askush nuk i mëson se si të menaxhojnë familjen dhe si të rritin fëmijët.

Një nënë e re më tregoi se kur ishte në shkollë të mesme, u ndie shumë e fyer kur një person i njohur i tha që kur të martohej me shumë mundësi do të bëhej një nënë e zgjuar shtëpiake. Dhjetë vite më vonë, ajo u bë pikërisht ashtu, një nënë e zgjuar shtëpiake dhe ishte shumë e lumtur për këtë. Por ajo luftoi me ndjenjat e saj për të mos u ndier inferiore për ndjekjen e kësaj rruge. Kur u bë nënë, kishte shumë gjëra për të mësuar rreth të qenit nënë që askush nuk ia kishte mësuar apo gjëra që ishin quajtur të parëndësishme për tu mësuar.

Shoqëria në përgjithësi duhet t’i nderojë më shumë nënat dhe kisha në veçanti duhet të jetë një komunitet që i këshillon nënat dhe i ndihmon ato ta shohin amësinë si një thirrje fisnike.

Bibla e projekton amësinë si diçka të bukur, si një mënyrë të admirueshme për ta jetuar shpëtimin e saj dhe jetën e re në Krishtin.(1 Timoteu 2:15)

Dhe Bibla i nxit gratë e moshuara në kishë që kanë përvojë në rritjen e fëmijëve edhe në menaxhimin e familjes që të bëhen mentore për nënat më të reja. ” Që t’i mësojnë të rejat të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre, të jenë fjalëpakë, të dëlira, t’i kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet.” (Titi 2:4-5)

Nëse je një grua më e moshuar, ti mund të thuash: “unë i rrita fëmijët e mi. Tani le t’i rritin vetë fëmijët e tyre. Unë kam  gjëra më interesante për të bërë se sa drejtimi i grave më të reja. Le të mësojnë vetë si të rritin fëmijët.” Por kjo është diçka egoiste. Bibla u thotë grave të moshuara: “që t’i mësojnë të rejat.”

Mos e kundërshto hapur Biblën. Gratë e reja kanë nevojë për mentorë, dhe askush nuk është më i përshtatshëm që të jetë mentor se sa një grua që ka përvojë në rritjen e fëmijëve dhe që e do burrin e saj prej vitesh.

Ky theksim mund të duket i çuditshëm për disa njerëz. Disa kisha përfshijnë gratë në kaq shumë aktivitete saqë i pengojë ato të kujdesen për familjet e tyre. Do të ishte turp nëse kisha nuk do të bënte asgjë më shumë se shoqëria në vlerësimin e nënave dhe ndërtimin e modeleve të shëndetshme të amësisë. Kishat  duhet të gjejnë mënyrën për të mentoruar dhe forcuar nënat. Kishat duhet të gjejnë gjithashtu mënyra për të mentoruar të burrat e rinj, që të jenë bashkëshortë të perëndishëm, të drejtojnë familjen dhe të vlerësojnë  gratë e tyre.

E vlerësuar prej Perëndisë

Unë shpresoj që ky mesazh i sfidon burrat, fëmijët dhe drejtuesit në kishë dhe në shoqëri, që t’i vlerësojnë nënat. Shpresoj që t’ju ketë inkurajuar edhe ju nënave, që të ndiheni të vlerësuara.

Por për disa nëna, një mesazh si ky, mund të jetë i dhimbshëm dhe dëshpërues. Pse? Më lejoni t’ju tregoj histori, për një grua që kam takuar para pak kohësh. Do ta quaj atë Drita. Drita, kishte jetuar për shumë vite në një martesë as të mirë dhe as të keqe, me një bashkëshort pasiv, që përfshihej shumë pak në familje.

Ai nuk e drejtonte familjen, bënte shumë pak për të ndihmuar fëmijët dhe tregonte gjithmonë e më pak afeksion për gruan e tij. Për vite me radhë Drita e pranoi këtë si diçka normale. Ajo nuk i njihte mësimet e Biblës dhe nuk kishte parë martesa të tjera më të mira se e saja.

Por më pas u bashkua me një kishë, e cila theksonte se si bashkëshortët duhet të drejtonin dhe të vlerësonin gratë e tyre. Ajo pa atje martesa të mrekullueshme. Kjo gjë e bëri që martesa e saj t’i dukej akoma më e dhimbshme.

Drita qante teksa fliste me mua. Ajo tha se me shumë mundësi do të largohej prej asaj kishe, se  kur dëgjonte mësimet e Fjalës së Perëndisë dhe shikonte ato familje të lumtura, situata e saj dukej akoma më të dëshpërueshme.

Ndoshta ti je si Drita. Ti po dëgjon këtë program dhe diçka brenda teje fillon të trazohet. Ti thua  sa mirë të kesh një familje si kjo, por ti nuk e ke, kështu që trishtohesh më shumë se më parë.

Më lejo të të them këtë. Edhe sikur njerëzit rrotull teje mos të të vlerësojnë, gëzohu në vlerësimin që Zoti ka për ty. Përqendroje zemrën tënde te Krishti dhe se çfarë mendon Ai për ty. Jeta e bashkëshortit tënd duhet të shfaqë Krishtin, por nëse jeta e Tij nuk e bën këtë por thotë gënjeshtra për Krishtin, mos i beso ato gënjeshtra, besoji Krishtit. Kërkoji Frymës së shenjtë të jetojë në ty dhe të shkëlqejë në ty. Kultivo” njeriun e fshehur të zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë.” (1 Pjetri 3:4) Kjo mund të fitojë bashkëshortin tënd për Zotin, dhe me siguri do ta kënaqë Perëndinë. Në fund, nuk do të ketë rëndësi se çfarë mendojnë njerëzit e tjerë. Por çfarë mendon Perëndia për ty. Dhe Perëndia vlerëson çdo grua që e nderon Atë. “Gruaja që ka frikë nga Zoti do të përlëvdohet.” Ndaj mos u mërzit nëse vlerësohesh prej të tjerëve ose jo, por kërko lavdërimin që vjen prej Perëndisë dhe gjeje lumturinë tek Ai.