Nëntë lebrozët

Print

Titulli: Nëntë lebrozët (pjesa 2)

A të kujtohet ndonjë rast kur ke jetuar në kufi dhe dukej sikur nuk kishte asnjë shpresë për ty? Ekziston një përshkrim i mrekullueshëm për këtë territor të izoluar në kryeveprën e paqartë “ Një paqe e  veçantë” e autorit Xhon Nouls.

Një student i shkollës së mesme, i cili quhej Xhin, kishte shkaktuar një aksident, në të cilin kishte mbetur i vrarë miku i tij më i mirë, Fini.

Xhini përshkruan fajin e tij, që tashmë e kishte kthyer atë në një kufomë të gjallë.

Deri tani,” thotë ai, “E kam pritur çdo ditë si një ditë të re, sikur të ishte një jetë e re, ku janë fshirë të gjitha dështimet dhe problemet e së kaluarës, ku  ekzistojnë të gjitha mundësitë për të qenë të gëzuar…

Unë fillova ta shoh se çdo mëngjes përforconte problemet e një nate më parë, se gjumi thjesht sa ndërpriste diçka, por nuk ndryshonte asgjë, sepse nuk mund të rikrijoje veten mes muzgut dhe agimit.”

A je ndier ndonjëherë kështu, kaq i pashpresë sa Xhini dhe njerëzit me lebër?

Ndoshta ishte një ngjarje që të vendosi në këtë situatë që je, ndoshta ti njëlloj si Xhini, mund të kesh përjetuar humbjen e papritur të një njeriu të dashur apo të punës, a të biznesit tënd.

Ndoshta ke jetuar për një kohë të gjatë në kufi për shkak të problemeve shëndetësore, apo je izoluar prej shoqërisë për shkak të një sëmundjeje, apo për shkak të marrëdhënieve të thyera që të bënë të ndihesh si i përjashtuar.

Atëherë Jezusi erdhi në kufirin pranë të cilit qëndroje, e dëgjoi thirrjen tënde të largët, pati mëshirë për ty dhe gjithcka ndryshoi, ndoshta sa hap e mbyll sytë.

A u kujtove që të ktheheshe për ta falenderuar Atë?

A qëndrove para këmbëve të tij për të treguar mirënjohje. A bëre një përkushtim të ri, për ta ndjekur atë? A e përkushtove veten ndaj Tij në një formë të re në shërbesë?

A e shtove kontributin tënd për hir  të kauzës së Krishtit?

A u ktheve te Jezusi për falënderim apo e evitove këtë pjesë?

Nëse të kujtohen ngjarjet e jetës tënde, atëherë mendoj se mund të vihesh në vendin e këtyre nëntë burrave. Ndoshta ti i kupton ata shumë mirë.

Pra ti e di se ndonjëherë ne i shmangim falënderimet, sepse jemi shumë të zënë me jetën tonë të re, jemi të mbuluar nga bekimet, por harrojmë personin që na i ka dhënë ato.

Herë të tjera, ne nuk kthehemi sepse merremi me shenjat që kanë mbetur nga e kaluara, apo jeta jonë e vjetër, ndoshta me gjërat që kemi humbur, marrëdhëniet e thyera, apo kujtimet e të qenurit i përjashtuar, apo efektet financiare të së kaluarës.

Mëshira e Jezusit mund të ketë zgjidhur një problem, por ka ende mijëra të tjerë që duhen zgjidhur në jetën tonë, që ne duam t’i zgjidhim, ndaj jemi shumë të zënë për tu kthyer tek Jezusi e për ta falenderuar Atë.

Ndoshta ne e shmangim falënderimin sepse ndiejmë sikur e meritojmë mëshirën e Jezusit.

Ky në fakt, është i vetmi detaj në histori që na jepet për të shpjeguar qëndrimin e të nëntëve.

Në fund të vargut 16, tek Luka 17 thuhet për lebrozin, i cili u kthye: “dhe ai ishte një samaritan.” Ai nuk ishte jude, nuk ishte pjesë e popullit të zgjedhur të Perëndisë, por një njeri me gjak të përzier, nuk ishte i përzgjedhur, por i përjashtuar. Kjo tregon se nëntë të tjerët hynin në njerëzit e zgjedhur, ndoshta kjo është arsyeja përse ata e shmangën falënderimin.

Ata si judenj, ishin fëmijë të Abrahamit, fëmijë të besëlidhjes, dhe po kështu trashëgimtarë të gjithë bekimeve që Perëndia u kishte premtuar fëmijëve të tij.

Pra ata ishin rritur si njerëz të privilegjuar, të cilët e meritonin mëshirën e Perëndisë. Dhe pasi kishin vuajtur, kaq shumë, dhe më në fund e mira erdhi në rrugën e tyre, ata ndjenë se më në fund u bë një farë drejtësie me ta.

Për vite me radhë ata ishin ankuar me profetët e tyre,  “Deri kur  o Zot? Pse po na ndodh neve kjo o Zot?”

Më në fund Perëndia vepron dhe sipas tyre bën atë që duhet të kishte bërë prej kohësh.

Më në fund Perëndia po bënte gjënë e duhur për njerëzit e tij të dashur dhe të zgjedhur.

Pra për ta, mëshira ishte diçka që e meritonin, ndërsa shërimi ishte e drejta e tyre.

Ne nuk i jemi aspak falenderues Perëndisë, nëse i themi Atij, “Perëndi, më në fund më trajtove ashtu siç e meritoj.”

Pavarësisht arsyes, unë dëshiroj të dëgjoj se çfarë do tu thotë Jezusi njerëzve, të cilët e shmangën falënderimin. Ai mund të ketë thënë:

“S’ka gjë. Nëse dëshironi të jeni kështu, ashtu qofshi!”

Por ai nuk shprehet kështu. Në fakt, nuk dëgjojmë asgjë nga ana e Tij, sepse nuk është askush aty që ta dëgjojë Fjalën e Tij. Por Ai thotë për ata, dhe për të tjerët rreth tyre,  gjë të cilën na e kap veshi kur ai i flet të vetmit lebros që u kthye.

Jezusi atëherë filloi të thotë: “A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?”

A e dëgjon zhgënjimin dhe zemërimin në fjalët e tij? A e prisje që të reagonin kështu pasi Ai i kishte shëruar, le të themi, pasi u kishte dhënë jetë?

Por Jezusi nuk tha vetëm këto fjalë. A i dëgjove mirë të gjitha fjalët që Jezusi tha? “Ku janë nëntë të tjerët?” A e dëgjon zërin e hirit këtu?

Unë e  them këtë sepse ai po bën të njëjtën pyetje që Perëndia i bëri Adamit dhe Evës, në kopshtin e Edenit kohë më parë. Pyetja e parë është e trishtueshme sepse tregon se raca njerëzore ishte larguar prej Krijuesit të vet.

“Ku jeni?” Në këtë pyetje, Perëndia zbulon zemrën e Tij kërkuese. Ti e dëgjon, këtë pyetje kudo përgjatë Dhjatës së Vjetër, teksa populli i zgjedhur i Perëndisë i ktheu shpinën Zotit, pasi Ai i kishte çliruar ata, dhe gjatë kohës kur adhuruan perënditë e rreme.

Perëndia lëndohet dhe zemërohet sa herë që ndodh kjo, por ai i kërkon ata vazhdimisht dhe i mirëpret që të kthehen.

“Ku janë nëntë të tjerët?”

Pak më parë në historinë e Lukës,

Jezusi u tregon atyre që janë mbledhur përreth tij tri histori të bukura, për gëzimin qiellor, kur një i humbur kthehet te Perëndia.

E para është për një grua e cila ktheu shtëpinë përmbys vetëm për të gjetur një monedhë të humbur. Tjetra është për një bari, cili la tufën e tij me nëntëdhjetë e nëntë dele për të kërkuar një dele që kishte humbur.

Dhe historia e fundit, më e bukura, fokusohet në një baba të lënduar, i cili pret krahë hapur djalin e tij i cili i kishte thyer zemrën Atit të vet.

Çdonjëra histori flet për dashurinë e Perëndisë për të humburit.

Historia jonë te Luka 17 tregon se Perëndia kalon në kufirin që të çon për në Jeruzalem, me të njëjtin mision, me misionin e tij që të kërkojë dhe të shpëtojë të humburit.

Edhe sikur ata të evitojnë falënderimin, Biri i Perëndisë është i gatshëm të pranojë nëntë të tjerët nëse ata do të kthehen tek Ai.

Ai jo vetëm që do t’i  pranojë, por do të bëjë më shumë se kaq. Ata të nëntë, kishin humbur shumë, duke mos u kthyer te Jezusi, ata kanë humbur shumë, vërtetë shumë.

Jezusi e përmbledh këtë në fjalët e fundit që lexuam në historinë e lebrozëve, janë ato fjalë që ai pret tu thotë mëkatërve mosmirënjohës.

“Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi” i thotë Jezusi samaritanit, çka do të thotë: “Besimi yt të shpëtoi.”

Ky lebrozi jo vetëm që ishte shëruar, por kishte filluar një jetë tërësisht të re. Besimi i tij e ktheu te Jezusi, për të ofruar falënderime, dhe tani përmes besimit të tij në Jezusin, ai kishte fituar paketën shëndetësore gjithëpërfshirëse të kujdesit të Perëndisë.

Ne nuk e dimë se si shkoi jeta për nëntë lebrozët e tjerë, sepse ata e kishin evituar falënderimin.

Por ne e dimë se besimi mirënjohës, ai besim që u ul në këmbët e Jezusit dhe e falënderoi Atë vazhdimisht, e çoi atë drejt shpëtimit jo vetëm nga lebra, por drejt shpëtimit të shpirtit të vet.

Pyes veten se sa prej nesh jetojnë në kufi të bekimeve, dhe gëzimit që Perëndia pret të na japë neve.

Ne nuk jemi të kënaqur me jetën. Ne pyesim veten se përse nuk ka më shumë, përse Perëndia nuk na bekon më shumë. Ne pyesim veten se deri kur do të durojmë këtë gjendje në jetën tonë.

Por vazhdimisht ne i thërrasim Perëndisë që të ketë mëshirë për ne, por pas një farë kohe largohemi dhe e jetojmë sërish jetën pa të.

Nëse jemi të sinqertë, ne të gjithë duhet të pranojmë se shumicën e kohës ne qëndrojmë larg Perëndisë. Ne kemi marrë shumë prej Tij në të kaluarën por tani po humbasim kaq shumë sepse harrojmë ta falënderojmë.

Sot ai po na fton ne: “Ku janë nëntë të tjerët?” Ku je ti?

Biri i Perëndisë kaloi kufirin mes zhgënjimit të Atit dhe bijve të tij mëkatarë, mes qiellit dhe ferrit, që ne të kemi gjithë bekimet, që Perëndia i ka premtuar bijve të tij.

Jezusi na fton të afrohemi pranë Tij të biem në gjunjë para Tij me besim dhe mirënjohje, vetëm kështu do të ringjallemi në besim tonë dhe do të jemi shumë mirë.

Miqtë e mi, lini dhimbjen, trishtimin, zemërimin dhe zhgënjimin dhe mëkatin në kufi dhe, afrohuni para Jezusit me mirënjohje në zemrën tuaj. “Ngrihuni, besimi juaj do t’ju shpëtojë juve plotësisht.”