Te libri i Zanafillës, thuhet se Perëndia shpenzoi gjashtë ditë për të krijuar universin dhe çdo lloj krijese. Më pas Shkrimet thonë:
“Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer. Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.” (2:2-3)
Pra java prej shtatë ditësh e ka fillesën te java e parë e historisë dhe, dita e pushimit është ide e vetë Krijuesit. Çfarë nënkuptojmë kur themi se Perëndia pushoi? A mori Ai një sy gjumë? Jo, Perëndia, nuk dremit, as nuk fle.” (Psalmi 121:4) Ai nuk ka nevojë asnjëherë për një pushim që të rifitojë energjitë.
Perëndia ka energji dhe pushtet të pafund.
“Perëndia i përjetësisë, ZOTI, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarsia e Tij është e panjohshme.” (Isaia 40:28) Cilado qoftë arsyeja e Krijuesit për pushimin, kjo nuk do të thotë se Ai ishte i rraskapitur dhe kishte nevojë ta merrte veten.
Po kështu pushimi i Krijuesit, nuk do të thoshte se Perëndia hoqi dorë nga gjithçka dhe e la botën vetë. Nëse Perëndia nuk do ta mbante atë çdo çast, bota do të rrëzohej menjëherë. Perëndia asnjëherë nuk ndalon së kujdesuri për krijesat e Tij dhe, së mbajturi botën në kontroll, por Perëndia pushoi “nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.” Puna krijuese e Perëndisë konsistonte në bërjen e gjërave të reja fringo, që nuk kishin ekzistuar asnjëherë më parë. Nga fundi i ditës së gjashtë, Perëndia kishte përfunduar punën e tij krijuese. Universi ishte pajisur mirë me gjithçka dhe ishte plotësisht funksional. Krijesat mund të begatojnë dhe të shumohen brenda rendit që i ka caktuar Perëndia, pa mrekulli të reja. Në këtë pikë, mund të themi se ndërkohë që Perëndia mbante gjithçka, Ai pushoi nga gjithë vepra e Tij krijuese.
Pse veproi Perëndia në këtë mënyrë? Si Perëndi i plotfuqishëm, Ai mund të kishte bërë gjithçka në gjashtë sekonda, por Ai përdori gjashtë ditë për këtë. Ai mund të kishte përfunduar krijimin e gjithçkaje, pa lënë mënjanë një ditë pushim, por ditën e shtatë Ai pushoi dhe, e bekoi duke e bërë një ditë të shenjtë. Pse? Perëndia e bëri këtë, jo vetëm për përfitimin e vet, por për të gjithë njerëzit që Ai krijoi sipas imazhit të Tij dhe dëshironte t’i modelonte sipas vetes. Te Dhjetë Urdhërimet, Perëndia i tha popullit të Izraelit të ndiqte modelin që Ai vetë kishte caktuar:
8 Mbaje mend ditën e shabatit për ta shenjtëruar.
9 Puno gjashtë ditë dhe në ato bëj të gjithë punën tënde;
10 por dita e shtatë është shabat, e shenjtë për ZOTIN, Perëndinë tënd; mos bëj në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua;
11 sepse në gjashtë ditë ZOTI krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj ZOTI e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë. (Eksodi 20:8-11)
Sulmimi i ditës së Perëndisë
Më vjen keq ta them këtë, por shumë njerëz e kanë sulmuar ditën e Perëndisë. Kjo ndodh, në dy nivele: në atë intelektual dhe praktik. Në nivelin intelektual, shumë njerëz e refuzojnë pohimin se Perëndia krijoi gjithçka në gjashtë ditë sepse ata mendojnë se shkenca ka provuar të kundërtën. Në nivelin praktik, njerëzit bëjnë siç u pëlqen dhe, nuk e lënë ditën e shtatë për të pushuar apo adhuruar Perëndinë.
Sulmi intelektual pohon se njerëzit janë më të zgjuar se sa Perëndia. Teoritë e ndryshimit të vazhdueshëm merren më seriozisht se sa Bibla. Disa njerëz mendojnë se shkenca ka provuar përtej çdo dyshimi, se krijesat kanë evoluar gradualisht, gjatë miliona viteve. Pra ata mendojnë se Bibla e ka gabim kur thotë se Perëndia krijoi botën dhe krijesat në të, vetëm për gjashtë ditë. Të tjerët, që ende besojnë te Krijuesi, nuk e thonë hapur se Bibla e ka gabim; ata thjesht ngulmojnë që Bibla nuk mund ta ketë pasur me të vërtetë fjalën për gjashtë ditë, dhe kur thotë gjashtë ditë, çdonjëra prej atyre “ditëve” zgjati miliona apo miliarda vite.
Ky lloj të menduari ka shumë probleme. Një problem është të pretendosh se origjina e gjërave mund të shpjegohet duke projektuar në të shkuarën e largët proceset e tanishme. Por cilat janë modelet e tanishme për aktivitetin krijues të Perëndisë? Pas muzikës do të flasim për këtë.
Por modelet e tanishme të Perëndisë për mbajtjen dhe mbështetjen e botës së Tij janë shumë ndryshe prej aktivitetit krijues të Perëndisë, për prodhimin e gjërave krejt të reja të çdo lloji, në gjashtë ditët e krijimit. Po kështu, mallkimi i mëkatit, ka ndryshuar botën, ajo nuk është më si dikur (mos të përmendim faktin se mëkati po kështu ka shtrembëruar fuqinë tonë të shqyrtimit dhe të arsyetimit). Pra është gabim të mendosh se çdo teori shkencore, për origjinën e tokës, të projektuara nga njerëzit e gabueshëm në të tashmen për të kaluarën, është më e saktë se sa përshkrimi i pagabueshëm i Perëndisë për krijimin.
Një tjetër problem për ata që e mohojnë krijimin e botës në gjashtë ditë, është se java jonë e punës është modeluar sipas javës së punës së Krijuesit. Nëse gjashtë ditë ishin realisht miliarda vite, ne do të na duhej të punonim për miliarda vite para se të vinte koha e pushimit. Ne nuk do t’ia dilnim kurrë! Pra le të pranojmë thjesht atë që Perëndia thotë në Bibël.
Dhe jo vetëm kaq, ta pranojmë Atë që Perëndia thotë; dhe të veprojmë sipas saj. Pasi jemi marrë me sulmin në anën intelektuale, tani duhet të merremi me sulmin që bëhet në anën praktike.
Sulmi praktik, për ditën e Zotit, pohon se koha jonë është koha jonë, mund ta përdorim si të duam. Në vend që të lemë një ditë për tu çlodhur, për tu ripërtërirë në miqësi me Perëndinë, ne e mbushim ditën e Zotit me pazare, shitje, punë në fabrikë, punë në zyrë, punë në fermë, detyrat e shkollës, apo punë kopshtarie. Nëse bëjmë një kohë pushim pra ndalojmë së punuari, ne mund të jemi aq të zënë duke vrapuar pas lojërave, apo gjërave të tjera që na pëlqen t’i bëjmë, sa që nuk gjejmë kohë për të shkuar në kishë, as për të adhuruar Perëndinë, as për tu lutur apo për të lexuar Shkrimet, a për të kaluar kohë me popullin e Perëndisë. Askush, themi ne, as vetë Perëndia nuk mund të më tregojë se çfarë duhet të bëjmë me kohën tonë.
Urdhërimi i shabatit shkelet ndoshta më shpesh se çdonjëri prej Dhjetë Urdhërimeve. Por nëse ti shkel ditën që Zoti e ka krijuar për pushim, ti po shkel veten tënde. Ti nuk mund të refuzosh modelin e Perëndisë, pa fyer Perëndinë dhe pa dëmtuar veten. Kur ti e mbush jetën me punët e tua, njëzetë e katër orë pa pushim, shtatë ditë të javës, pasojat nuk i vuan vetëm ti vetë, por vuan edhe Perëndia. Ti punon dhe shqetësohesh, planifikon dhe djersitesh çdo ditë, pa pushuar apo pa u gëzuar në Perëndinë, ose pa rifreskuar shpirtin dhe trupin tënd. Jeta bëhet një barrë në vend që të jetë bekim.