Një ditë për tu shijuar

Print

Titulli: Një ditë për tu shijuar (pjesa 2)

Shijimi i ditës së Zotit

Kalo të paktën një ditë në javë për të pushuar dhe për ta shijuar. Nëse nuk e ke atë kohë, atëherë gjeje. Nëse je tepër i zënë për të kaluar kohë me Perëndinë, atëherë je me të vërtetë tepër i zënë. Gjej kohë për kënaqësinë tënde. Gjej kohë edhe për Perëndinë. Mos e bëj këtë sepse të them unë. Por bëje se e thotë Perëndia. Java prej shtatë ditësh, më një ditë të ndarë mënjanë, është modeli i Krijuesit, që ka thurur jetën e kësaj bote qysh prej fillimit. Po kështu, Dhjetë Urdhërimet, janë shkruar në gur prej vetë Perëndisë.

Një arsye pse Perëndia e la mënjanë këtë ditë për kënaqësinë e Tij ishte që të shijonte krijimin. Edhe Krijuesi vetë, nuk u mor thjesht me punë, me punë, me punë. Gjatë gjashtë ditëve të krijimit të tij, thotë Zanafilla, Perëndia pushoi dhe pa se gjithçka kishte bërë ishte i mirë. Të njëjtin shembull duhet të ndjekim për punën tonë: ta bëjmë mirë atë dhe të shijojmë atë ndjenjën e arritjes pasi e kemi bërë. Puna është e mirë, por vjen një kohë kur duhet të mbyllim punën e javës dhe të ndalojmë. Bibla thotë: “Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia e mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë pushoi nga gjithë vepra që kishte kryer.” Këtë bëri Krijuesi ynë, e këtë na thotë që të bëjmë edhe ne.

Perëndia bëri një sërë gjërash të bukura, për kënaqësinë e Tij, dhe për kënaqësinë e njerëzve që krijoi. Pse duhet të bënte ai kaq shumë gjëra të mira nëse askush nuk do të gjente kohë për t’i vlerësuar dhe shijua ato? Dhe pse duhet të punosh natë e ditë, nëse nuk ke mundësi të shijosh frytin e punës tënde? Shijoje krijimin e mirë të Perëndisë, sikurse bëri Krijuesi vetë.

Një tjetër arsye për pushimin javor, përveç shijimit të krijimit, është shijimi i lirisë së shpëtimit. Te Ligji i Përtërirë 5:15, pasi i urdhëroi Izraelitët që të ruanin të shenjtë ditën e shabatit duke pushuar, Perëndia tha:

“Dhe mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe që Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me një dorë të fuqishme dhe vepruese; prandaj Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të respektosh ditën e shtunë.” Izraelitët kishin qenë skllevër në Egjipt, për shumë vite, pa pasur as pushime vjetore e as një ditë pushim. Më pas Perëndia i shpëtoi ata dhe i çliroi prej skllavërisë. Por pse t’i shpëtonte ata nëse sërish do t’i ktheheshin skllavërisë pa pushim, njëzetë e katër orë në ditë, shatë ditë të javës? Pse duhet t’i shpëtonte ata nëse do të skllavëroheshin sërish prej planeve të tyre dhe jo prej egjiptasve? Perëndia dëshironte që populli i Tij të kishte një ditë pushim me qëllim që të shijonte lirinë dhe të kujtonte se kush i kishte bërë ata të lirë.

Po kështu Ai dëshironte të sigurohej se ata nuk do t’i trajtonin të tjerët sikurse egjiptianët i kishin trajtuar ata. Pjesë e qëllimit të Perëndisë në urdhërimin e shabatit është: “që të pushojë edhe shërbëtori dhe shërbëtorja jote ashtu si ti.” Dita e pushimit që ka caktuar Perëndia është njëlloj për të gjithë. Nuk ka ndryshim mes imigrantëve dhe vendësve, nuk ka dallim mes shefave dhe shërbëtorëve, askush nuk jep urdhra dhe askush nuk i bindet urdhrave në ditën e pushimit.  Në këtë ditë ka vetëm njerëz të barabartë të krijuar sipas imazhit të Perëndisë, që janë bërë njëlloj të lirë me anë të shpëtimit të Perëndisë. Cilado qofshin ndryshimet në statusin social, Perëndia i dha fund atyre ndryshimeve, për të pakën një ditë çdo javë, dhe tregoi se ato ndryshime Perëndia nuk i llogariste fare. Urdhërimi i shabatit, i dha çdonjërit një mundësi të barabartë, të ripërtërihet e të qetësohet prej realitetit se Perëndia ishte Zoti i gjithçkaje të barabartë. Nëse njerëzit do ta merrnin seriozisht këtë fakt në ditën e shabatit, kjo do të transformonte mënyrën se si ata e trajtonin njeri- tjetrin në ditët e tjera të javës. (Isaia 58)

Në fakt, edhe kafshët do të shijonin bekimet e shabatit. Ndonëse të pabarabartë me njerëzit, kafshët u krijuan prej Perëndisë dhe janë planifikuar të ndajnë përfitimet e çlirimit dhe shpëtimit të njerëzimit prej Perëndisë. Pra Perëndia ngulmoi që edhe kafshët e punës duhet të bënin një ditë “pushim” që ta marrin veten. (Eksodi 23:12)

Me pak fjalë, Perëndia institucionalizoi një ditë të veçantë bekimesh, në mënyrë që populli i tij dhe gjithë krijesat të mund të shijonin rregullisht frytet e krijimit të tij dhe lirinë e shpëtimit. Mbi të gjitha, ai dëshironte që ata të gëzoheshin më Të, si Perëndia i tyre, dhe po ashtu të ndaheshin mënjanë për Të.

Zoti i shabatit

Me qëllim që të shijoni plotësisht Ditën e Zotit, dhe ta nderoni Perëndinë, bëjeni atë një ditë festimi dhe gëzimi.

Kini kujdes të paktën prej dy rasteve që të vjedhin gëzimin që mund ta çojnë dëm Ditën e Zotit.

Diçka që e vjedh gëzimin, është të mbulohesh deri në fyt me aktivitetet e përditshme që të fokusojnë aq shumë sa që çdo ndërprerje do të dukej shqetësuese. Te Amosi, një libër i Biblës, Perëndia qortoi tregtarët që me zor prisnin të mbaronte dita e shabatit që të mund të shisnin sërish mallrat e tyre, e të bënin para.

Këta njerëz, e panë shabatin si asgjë më shumë se sa një humbje kohe që dëmtonte fitimet e tyre. Obsesioni i tyre me paratë jo vetëm që u dha atyre qëndrimin e gabuar për Ditën e Zotit, por njëkohësisht i ktheu në njerëz të pandershëm që donin të mashtronin klientët e tyre. (Amosi 8:5)

Shumë tregtarë sot kanë të njëjtin qëndrim. Në fakt, ata jo vetëm që ankohen për Ditën e Zotit; por e shpërfillin tërësisht atë dhe vazhdojnë me biznesin e tyre si zakonisht. Dyqanet qëndrojnë hapur shtatë ditë të javës për të shtuar të ardhurat. Fabrikat punojnë pa pushim, dhe nuk ndalojnë asnjë ditë të javës. Në këtë mënyrë fabrika nuk do të jetë kurrë pa punë dhe do të prodhojë sa më shumë të ardhura. Pse duhet ta mbyllësh biznesin Ditën e Zotit, që njerëzit të mund të shkojnë në kishë? “Ndërkaq”, thua ti “po ta mbaj hapur dyqanin mund të bëj shumë para?” Ose mendon se nuk ke pse të shkosh në kishë nëse ke ende punë për të bërë. Një biznesmen miliarder, tha dikur se besimi nuk është një mënyrë efiçiente për përdorimin e kohës.

Nëse je një pronar biznesi, apo menaxher dhe je mbushur me dashurinë dhe Frymën e Krishtit, ti nuk do t’i trajtosh punonjësit e tu pa mëshirë. Ti nuk do të kërkosh prej tyre gjithë kohën dhe energjinë. Në vend të kësaj do të respektosh ditët pushim që punonjësit i duhet, për të shkuar në kishë, por edhe për të kaluar kohë me familjen. Përndryshe ti do tu vjedhësh atyre gëzimin. Ti jo vetëm që i vjedh gëzimin njerëzve të tjerë, por as veten tënde nuk e ndihmon kështu.

Shumë njerëz që e shtyjnë veten në veprimtari pa pushuar, duke mos pasur kohë për të adhuruar Perëndinë, përfundojnë në njerëz të stresuar, të rraskapitur, të divorcuar, madje edhe vdesin nga një pushim zemre. Diçka që na e vret gëzimin, është kur e shohim pushimin, adhurimin e Perëndisë, si një pengesë për biznesin tonë.

Në ekstremin tjetër është vrasësi i dytë i gëzimit. Ndërkohë që disa njerëz e kanë shpërfillur ditën e Zotit plotësisht, të tjerët bien në kurthin e kundërt, dhe marrin ditën e shabatit si më të rëndësishmin në gjithçka. Ata e kthejnë atë ditë në një ditë me rregulla që duhen bërë e nuk duhen bërë, në vend që të jetë një ditë festive e mbushur plot me gëzim. Përgjatë Biblës, një ditë e shenjtë, supozohej ajo që kishte gëzim të veçantë dhe festë, një ditë adhurimi dhe falënderimesh për Perëndinë.

Ndoshta kur mendon për një ditë të shenjtë, ti priresh ta mendosh atë si një ditë të trishtuar, të mërzitshme, një rast solemn ku buzëqeshja është e ndaluar. Por Bibla tregon se një ditë e shenjtë është një ditë gëzimi, një ditë për të festuar.