Një ditë për tu shijuar

Print

Titulli: Një ditë për tu shijuar (pjesa 3)

Te Nehemia kapitulli 8, Bibla tregon për një ditë të shenjtë dhe të paharrueshme. Pas disa dekadash në mërgim në një tokë të panjohur, populli i Perëndisë ishte kthyer në atdheun e tyre.

Ata kishin filluar rindërtimin e qytetit  dhe të jetës së tyre shpirtërore. Por ata kishin ende ndjenja faji dhe dështimi. Një ditë ata u mblodhën të gjithë së bashku në një asamble të shenjtë. Teksa dëgjonin leximin dhe shpjegimin e Ligjit të Perëndisë, të gjithë njerëzit filluan të qanin. Ata kuptuan se sa keq ishin katandisur. Por drejtuesit e tyre i thanë: ” Kjo ditë i shenjtërohet ZOTIT, Perëndisë tuaj; mos mbani zi dhe mos qani!”.

Pastaj Nehemia u tha atyre: “Shkoni, hani, ushqime shumë të shijshme dhe pini verëra të ëmbla, dhe u çoni racione atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, sepse kjo ditë i është shenjtëruar Zotit tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i ZOTIT është fuqia juaj.”

Do të ishte normale për njerëzit që të trishtoheshin për mëkatet dhe dështimet e tyre, por Perëndia nuk donte që ata të ndaleshin aty. Ai dëshironte që ata të gëzoheshin në faljen e tij dhe në të ardhmen e re që ai po hapte për ta. Kur njerëzit e kuptuan këtë, ndaluan së qari e në vend të saj filluan të festonin.

“Atëherë tërë populli shkoi të hajë, të pijë, t’u dërgojë racione të varfërve dhe të kremtojë me hare të madhe, sepse ata i kishin kuptuar fjalët që u ishin shpjeguar.” (Nehemia 8:12)

Një ditë e shenjtë supozohej të ishte një ditë me gëzim të veçantë, dhe duke festuar në adhurim dhe mirënjohje për Perëndinë. Kur erdhi Jezusi, Ai përmbushi ligjin e shabatit dhe zbuloi frymën e vërtetë për ta shijuar ditën e Perëndisë. Jezusi erdhi për të shpëtuar mëkatarët, dhe për të nxitur festimet dhe jo për të bërë një mal me rregulla. Jezusi tha: ” Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.” (Mateu 11:28) Jezusi është burimi kryesor i çlodhjes dhe pushimit, i të Cilit shabati është një shenjë. Jezusi u tha disa legalistëve: “Shabati është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shabatin. Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i shabatit.” (Marku 2:27-28)

Një ditë e re

Pasi Jezusi u kthye në qiell dhe ungjilli i tij u përhap, Fryma e Shenjtë iu shfaq kishës  duke thënë se nuk ishte nevoja të mbaheshin ceremoni të caktuara dhe ditë festash.

Këto gjëra kanë qenë tregues të pushimit të përjetshëm të Perëndisë, por realiteti i plotë është shfaqur në Krishtin. Disa gjëra në ligjin e Dhjatës së Vjetër, nuk hyjnë më në punë sepse Krishti i përmbushi ato. Megjithatë, modeli i një dite të veçantë në shtatë ditë, mbetet një ligj i vlefshëm. Ky model është rrënjosur, në javën e parë të botës. Kur Perëndia përfundoi punën e Tij krijuese në gjashtë ditë, të shtatën ditë u çlodh. Ky model është rregulluar  shumë kohë para se Perëndia t’ i jepte Izraelit ceremoni dhe rregulla specifike.

Për më tepër, modeli i një dite pushim në javë, gjendet te Dhjetë Urdhërimet, të cilat mbeten pohimi përcaktues i ligjit moral të Perëndisë. Çdo urdhërim tjetër mes dhjetë të tjerëve mbetet në fuqi dhe normativ, dhe do të dukej çudi nëse ky urdhërim i veçantë nuk do të praktikohej më.

Urdhërimi praktikohet ende, por kuptimi është pasuruar qysh kur erdhi Jezusi. Në fakt, ajo ditë ka kaluar në një tjetër ditë, për shkak të asaj që Jezusi ka bërë. Shabati i Dhjatës së Vjetër, ishte dikur në ditën e shtatë të javës, në nder të krijimit fillestar të Perëndisë, e po kështu për të festuar çlirimin prej skllavërisë. Por bashkë me Jezusin erdhi një shpëtim më i madh dhe një krijim i ri, e po kështu erdhi një ditë e re festimi: dita e parë e javës në vend të ditës së fundit, pra e diela në vend të së shtunës.

Shpëtimi përfundimtar dhe një krijim i ri, erdhi në jetë të Dielën në mëngjes. Pasi vdiq në kryq për të paguar për mëkatet e botës, Jezusi u ngrit prej së vdekurish ditën e parë të javës. Para se Jezusi të ngrihej në qiell, Ai iu shfaq dishepujve dhe i ndihmoi të kuptonin shumë gjëra në një mënyrë të re në dritën e ringjalljes së Tij. Kisha kuptoi se ringjallja ishte një ngjarje më e madhe se sa krijimi fillestar i botës dhe se të qenit i shpëtuar prej mëkatit dhe marrja e jetës së përjetshme, ishte një shpëtim akoma më i madh se shpëtimi gjatë të cilit Izraeli u shpëtua prej Egjiptit. Fitorja e Jezusit, mbi vdekjen e bëri ditën e parë të javës ditën kryesore për ta shijuar. Kjo u konfirmua nga një ngjarje tjetër e madhe, që ndodhi po ashtu ditën e parë të javës. Shtatë javë pas të dielës së ringjalljes, Krishti i ngritur që ishte ulur në fron, dërgoi Frymën e Shenjtë me fuqi të madhe mbi kishën.

Atë ditë Pentakosti, ishte po ashtu ditë e diel.

Ndryshimi i ditës së pushimit  nga e Shtuna tek e Diela, është i dukshëm në pika të ndryshme të Dhjatës së Re. Sipas apostullit Gjon , dishepujt e Jezusit ishin mbledhur bashkë ditën e parë të javës, pothuajse një javë pas ringjalljes. (Gjoni 20:19,26) Më vonë, teksa njerëzit nga kombet e tjera mësuan për Jezusin, edhe ata i caktuan takimet e tyre të adhurimit ditën e diel. Veprat 20:7 thotë: ” Por ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën….” Ata adhuruan dhe festuan Darkën e Zotit atë të diel, e po kështu e dëgjuan së bashku Fjalën e Perëndisë. E diela ishte po ashtu dita kur populli i Zotit jepte ofrimet. Te letra e parë drejtuar Korintasve 16:2 Bibla thotë: ” Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë aq sa mundet sipas të ardhurave të tij…” Edhe atëherë kur rrethanat apo përndjekja i privoi të krishterët nga mundësia për të adhuruar së bashku me të tjerët, ata e ruajtën gjithsesi të dielën si Ditën e Zotit, në adhurimin e tyre personal. Miku i Jezusit, Gjoni, ishte në mërgim, në burgun e një ishulli kur shkroi Zbulesën 1:10 “Isha në Frymë ditën e Zotit…”

Bibla na tregon se Fryma e Shenjtë e drejtoi kishën ta bënte të dielën ditën e adhurimit. Në këtë mënyrë, kisha e nderon Krishtin e ringjallur si burimin e shpëtimit dhe si Zotin  e krijimit të ri dhe, dallon po ashtu besëlidhjen e re dhe më të mirë në Krishtin, prej besëlidhjes së hershme të Mojsiut. Në vend që ta quanin atë shabat, dita e re për kënaqësinë e Perëndisë quhet “Dita e Zotit”, bazuar te emri i Zotit Jezus.

Mbaje të shenjtë

E filluam këtë program me Zanafillën dhe ndoqëm përgjatë Biblës këtë ditë të bekuar të Perëndisë. Të krishterët tani adhurojnë në një ditë të re, (sh. i. p pra jo të shtunën por të dielën) për shkak të Krishtit, por modeli një dite pushimi në javë, është ngulitur në mënyrën se si jemi krijuar dhe, mbetet te Dhjetë Urdhërimet. Perëndia caktoi një ditë, si ditë të shenjtë, dhe ai na urdhëron ta mbajmë atë të shenjtë.

Perëndia e bekoi këtë ditë me qëllim që ajo të jetë bekim për ne. Secili prej nesh ka nevojë për një ditë të ndarë mënjanë, për tu çlodhur nga rrëmuja dhe lodhja e javës, si një ditë për tu gëzuar dhe për ta marrë veten e për tu ripërtërirë.

Po ashtu ne kemi nevojë për një ditë të veçantë që populli i Perëndisë të mblidhet së bashku në të njëjtin orar, për ta adhuruar Atë, për të dëgjuar Fjalën e Tij, teksa lexohet apo predikohet në kishë. Gjithashtu ne shkojmë në kishë që të lutemi me të tjerët, të japim ofertat dhe të marrim Darkën e Zotit.

Tani nëse më lejon, le të hyjmë në detaje disi më personale. Si e kalon kohën të dielave? A kalon kohë për të pushuar dhe shijuar mirësinë e Perëndisë? Apo mendon se do të rrënohet gjithçka nëse ti e ndal punën për një çast? A je shërbëtor i një Perëndie të hirshëm, apo je skllav i një plani shumë kërkues? A le vend në jetën tënde për të shijuar frytin e krijimit dhe lirinë e shpëtimit? A gëzon mirësinë e Perëndisë me njerëzit e tjerë në kishë çdo javë dhe a e shtrin këtë edhe në jetën e përditshme, në lutjet e tua personale dhe në leximin e Biblës? Cakto një ditë të plotë çdo javë për tu fokusuar te Perëndia dhe pushuar në Krishtin. Ndikimi i kësaj do të duket në jetën e përditshme, e kjo do të pasurojë marrëdhënien tënde me Zotin.

Respektimi i së Dielës është shenjë se i përket Perëndisë. Pushimi gjatë ditës së diel të ndihmon të pushosh në Perëndinë çdo ditë. Ti mbështetesh në Krijuesin tënd, jo vetëm në përpjekjet e tua, për të plotësuar nevojat e tua. Ti e merr shpëtimin përmes veprës së përsosur të Krishtit dhe jo përmes veprave të tua. A vlen kjo për ty? A ke gjetur në Jezusin gëzimin dhe paqen, kënaqësinë dhe sigurinë? Ai thotë: “Ejani tek unë dhe unë do t’ju jap çlodhje.” Si po i përgjigjesh ti ftesës së Tij të dashurisë? Pusho në Krishtin me anë të besimit dhe lere besimin tënd të përtërihet dhe gjallërohet në mënyrë të veçantë çdo të diel.