Më vjen mirë që jeni afruar pranë radios për të dëgjuar këto dy histori të vërteta. Siç e dëgjuat, bëhet fjalë për një burrë të moshua dhe një vajzë të re. Meqenëse isha pastori i tyre, i takoja shpesh që të dy, dhe bisedoja me ta.
I kisha dëgjuar historitë e tyre njëherë, dy herë, tre herë dhe gjithmonë ishin të njëjtat gjëra. Ata përsërisnin vazhdimisht dhimbjen, turpin dhe zemërimin.
Më dukeshin njëlloj si Adami dhe Eva që humbën pafajësinë në kopshtin e Edenit, humbën mundësinë për të marrë nga pema e jetës. Kështu më dukeshin edhe këta njerëz, që kishin humbur aftësinë për të marrë më të mirën nga jeta, për ta shijuar jetën.
Hiri, shpresa dhe shërimi, dukej sikur nuk ekzistonte për ta.
Historitë e jetës sonë, të cilat i kemi shkuar vetë, janë ato që na rrethojnë dhe i japin kuptim jetës sonë.
Këto histori shpesh ndihmojnë për t’i dhënë formë personit tonë, atij që ne përfaqësojmë.
Ndonjëherë historitë tona janë publike, ndonjëherë janë personale.
Ndonjëherë janë pozitive, plot me energji, shpresë dhe jetë, herë të tjera janë plot zemërim, keqardhje dhe dëshpërim. Historitë tona na japin formë, po kështu formojnë këndvështrimin tonë për jetën dhe për Perëndinë.
Siç e thashë edhe më lart, ne të gjithë mbartim histori negative, dhe kujtime të hidhura, biseda të kota që na shkojnë nëpër mend, ose mendime të këqija për jetën, që i ndajmë me të tjerët. Kjo gjë mund të na tronditë dhe ti japë formë ekzistencës sonë.
Çështja është nëse historia jonë nuk është e bukur, a ka shpresë për ne? A mund të rishkruhen historitë tona?
Kam një Lajm të Mirë për ty sot. Isaia 11:1-11, thotë se Perëndia vjen për popullin e tij të munduar dhe mëkatar për t’i thënë se historia e tyre mund të rishkruhet.
Po, Zoti na thotë se historia jonë mund të rishkruhet.
Megjithëse shumë nga ne mund të mendojnë se Isaia 11 tregon një histori të bukur, sepse është një histori që e dëgjojmë për Krishtlindje, është historia që na drejton për tek lindja e Jezus Krishtit, Mesias. Dua të them se historia mbyllet me Lajmin e Mirë por nuk fillon kështu.
Historia fillon me një pamje të shëmtuar të një trungu plak.
Shumë prej nesh që dëshirojnë të kapërcejnë këtë pjesë hidhen direkt tek Lajmi i Mirë, që është Jezus Krishti, filizi, dega e re që del nga ky trung plak.
Ne njerëzit zakonisht duam të përqendrohemi tek gjërat e mira. Ne nuk duhet të nxitojmë për të kaluar tek filizi.
Sepse nëse do ta bëjmë këtë, atëherë asnjëherë nuk do të kuptojmë se si e rishkroi Perëndia historinë tonë…
Dhe për më tepër nuk do të kuptojmë pse ishte i nevojshëm rishkrimi i historisë sonë.
Prandaj do të kalojmë pak kohë sot për të studiuar këto vargje.
Para se të nxitojmë për tek pema e re e jetës, le të kalojmë pak kohë me trungun.
Në kohën e profetit Isaia, historia e Izraelit flet për një trung.
Pema që kishte qenë populli i Perëndisë, Izraeli, ishte ndarë, ndarë në dy mbretëri Izraeli dhe Juda.
Tani Isaia në mënyrë profetike na lë të kuptojmë se pema është plotësisht e tharë.
Pra kjo pemë nuk ka më jetë, është tharë.
Nëse i kushtoni vëmendje vargjeve do të kuptoni se Isaia nuk përmend këtu filizin e Davidit por filizin e Jeseut, babai i tij i panjohur nw atë kohë. Profeti nuk thotë se një filiz do të dalë prej trungut të Davidit.
Ndoshta kështu do të kishte qenë një metaforë më e mirë, si mendon ti?
Davidi tek e fundit ishte mbreti i famshëm i Izraelit.
Çdo mbret dëshironte të ishte si Davidi, çdo drejtues dëshironte të ishte si Davidi.
Atëherë përse nuk merr Davidin si pikë referimi?
Sepse ai dëshiron që ne të kuptojmë se tani ai është veç një trung.
Jeseu nuk kishte bërë asgjë të veçantë, por përmes birit të Jeseut, Davidit kishte bërë shumë.
Prandaj nuk ka asgjë të veçantë me këtë trung, përveç faktit se Perëndia do të nxjerrë prej tij një filiz.
Të themi të drejtën, linja mbretërore e Davidit, nuk ka qenë dhe aq mbresëlënëse gjatë kohës së Isaias.
Po mund të përmendim Ezekian, një prej mbretërve nga linja e Davidit, gjatë kohës së Isaias, i cili ishte një mbret i mirë dhe i druhej Perëndisë aq shumë sa solli reformat e nevojshme në besim.
Por Ezekia u pasua prej Manasit, i cili ishte jetëgjatë në fron dhe shumë i lig si mbret.
Pra në kohën e Isaias, nuk kishte se për çfarë ta mburrje linjën e Davidit.
Pra Perëndia vjen përmes Isaias dhe thotë se linja e Davidit tashmë do të shërbejë si një trung dhe, këtu nuk e përmend fare emrin e Davidit, vetëm të Jeseut.
Përmendet vetëm trungu, trungu i Jeseut.
Pra populli i Perëndisë nuk shërben më për asgjë, kanë vdekur në kuptimin figurativ të fjalës, pra kanë mbaruar.
Kjo gjendje e popullit të Perëndisë tashmë është e dukshme kur Perëndia e thërret Isaian për shërbesën e tij profetike, shiko kapitullin 6 tek Isaia.
Isaia thotë kur shikon Zotin, ” I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra.”
Isaia e dinte se ai dhe populli i tij ishin thjesht trungje.
Atëherë Zoti i jep fjalën e parë Isaias dhe ajo nuk është e mirë.
Kjo është një fjalë asgjësimi, jo vetëm për mbretërinë e Veriut por edhe për atë të jugut.
I gjithë Izraeli do të shkatërrohet. Perëndia në këtë kapitull vazhdon të pohojë se gjithë Izraeli do të shkatërrohet, asgjë nuk do të ngelet, veç trungjeve që dikur kishin qenë pemë.
Rishkrimi i historive tona prej dorës së Perëndisë fillon me trungje dhe me shkatërrime.
Pyes veten: “a janë vallë trungjet pjesë e historisë tënde?”
Ndoshta ndjehesh si një trung i pavlerë në jetën shpirtërore apo fizike.
E kam fjalën këtu për ato gjëra që janë bërë plagë e jetës sonë, që duket sikur nuk i kapërcejmë dot.
Ndoshta kjo plagë mund të jetë një padrejtësi që të është bërë ty nga vetë miku yt, ose më keq akoma nga motra apo vëllai yt.
Ju kujtohet burri i moshuar që përmendëm pak më lart, në hyrjen e programit?
Mund të them se është njeriu më i hidhëruar që kam njohur në jetën time.
Shkoja vazhdimisht në shtëpi për ta takuar, meqenëse isha pastori i tij. Ky burrë ishte ofenduar nga gruaja, vëllai dhe drejtuesit e tjerë të kishës.
Pra njerëzit e dashur dhe kisha e kishin zhgënjyer.
Në të vërtetë mendoj se e kishin tepruar me këtë njeri sepse nuk po ndodhte shërimi i shpirtit të tij.
Sa herë që e takoja ai fillonte të fliste me të njëjtat fjalë.
Fillonte dhe më tregonte me detaje të hollësishme gjithçka, sikur të ishte hera e parë që dëgjoja. Pavarësisht se kjo mund të ishte e disata herë, ishin të njëjtat fjalë, e njëjta dhimbje, i njëjti zë vajtues, i njëjti ton zëri si herën e parë, madje edhe gjestet dhe mimika e fytyrës së tij ishin njësoj.
Historia e dëshpërimit dominonte jetën e tij vazhdimisht dhe dukej sikur nuk kishte fund. Ajo jo vetëm që ia përziente mendimet në kokën e tij, por ai shfryhej në çdo bisedë publike me ata që donin të dëgjonin historinë e tij.
Megjithëse disa prej njerëzve shprehnin keqardhje, dhe vite më vonë ata që e kishin lënduar i kërkuan falje, ky burrë më vjen keq ta them por nuk e mori dot më veten.
Pse e them këtë? Sepse ai u mbyll në shtëpinë e tij dhe jetoi si njeri i vetmuar, i ndarë nga bota. Jeta e tij ishte një trung.
Pra pyetja është si mund të ndryshojë një jetë e shkatërruar? SI mund të kalojmë prej trungut, tek hiri i Perëndisë?
Si mund të kalojmë nga gjendja që jemi tek pozicioni që Perëndia dëshiron që të kemi?
A ka shpresë që historia jonë të rishkruhet? A ka shpresë që të gjejmë Pemën e Jetës?