Një filiz i ri nga një pemë e vjetër

Print

Titulli: Një filiz i ri nga një pemë e vjetër (Pjesa 2) Krishtlindje

A keni pyetur ndonjëherë si mund të ndryshojë një jetë e shkatërruar? Si mund të kalojmë prej trungut, tek hiri i Perëndisë?

E vërteta e hidhur është se ne si popull i Perëndisë dimë si mund të jetë jeta e një trungu.

Ndoshta historia jonë nuk ka shkatërrime. Ndoshta historia jote nuk është kaq ekstreme. Por mendoj se edhe në jetën tënde ka shkatërrim, ndoshta në marrëdhënie me të tjerët. Ndoshta  dikush ka mëkatuar ndaj teje dhe kjo të mundon shumë.

Ne dimë diçka për trungjet. Ndoshta trungu yt mund të jenë fjalët e pakujdesshme dhe të ashpra që i dëmtojnë marrëdhëniet në atë pikë sa nuk mund të ndreqen më.

Ndoshta këto fjalë janë bërë historia jote, trungu yt.

Ndoshta mësuesi i fillores të ka thënë se je i trashë, se nuk merr vesh fare, e fjalë të tjera si këto.

Këto fjalë janë bërë historia jote, janë trungu yt.

Ndoshta historia jote është kjo tjetra. Prindërit kanë abuzuar me ty. Pavarësisht terapisë dhe kujdesit që mendohej se do të ndihmonin ta merrje veten, apo të rifilloje jetën, të rishkruaje historinë tënde, ti nuk ia dole mbanë.

Ose historia jote nuk është e bukur sepse ti e ke shkruar me mendime negative, një histori e mbushur me mëkate ndaj Perëndisë, me dyshime, mallkime dhe rebelime ndaj Tij.

Ndoshta kjo është historia jote, ndoshta ti nuk mund ta falësh veten, dhe nuk je i sigurt as për faljen e Perëndisë.

Megjithëse në teori ti beson në hirin e Perëndisë, ndoshta historia jote negative, trungu yt personal, ndeshet me hirin e Perëndisë.

Ky është realiteti i jetës pa hirin e Perëndisë, pa lulëzimin e pemës së jetës , aty ku prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva jetonin para se të dëboheshin prej kopshtit të Edenit.

Perëndia i largoi ata nga pema e jetës dhe nga kopshti, për shkak të mëkatit të tyre që ishte mosbindja, ngrënia e frytit të ndaluar.

Pema e jetës humbi. Dhe siç përshkruhet tek Isaia 11 duket se kjo pemë është ende e humbur.

Në fakt pema shfaqet e thatë, ajo ka mbetur veç një trung.

Po ashtu si Izraeli dhe Juda edhe ne dimë diçka rreth trungjeve.

Pra pyetja është si mund të ndryshojë një jetë e shkatërruar? Si mund të kalojmë prej trungut, tek hiri i Perëndisë?

Si mund të kalojmë nga gjendja ku jemi, tek pozicioni që Perëndia dëshiron të kemi?

Por nëse shikoni me kujdes historia e Isaias 11 nuk dominohet prej trungut të thatë.

Trungu është vetëm një rresht, vargu hyrës. Isaia menjëherë sjell para dëgjuesve të parë përshkrimin nga trungu deri tek Mesia, të cilin e njohëm si Zotin dhe shpëtimtarin tonë, Jezus Krishtin. Mesia, është realiteti që përshkruhet tek Isaia 11, premtimi i ardhjes së Krishtit është realitet. Kjo është arsyeja përse ne shpesh e dëgjojmë këtë pjesë në kohën e Krishtlindjes, në shumë kisha të krishterë.

Nëse duhet të lëvizim nga dhimbja e trungut tek shpresa e Mesias, duhet të kuptojmë se ai është Shpëtimtari, Krishti, Mesia hyjnor për të cilin flet Isaia, Ai nuk është vetëm një drejtues, një mbret njerëzor.

Disa fjala specifike që ai përdor këtu tek kapitulli 11, vargjet 1 deri 3, flasin për natyrën e filizit, personin që do të dalë prej trungut.

Ky person është i mbushur me Frymën e Shenjtë.

Këtu përmendet tre herë fjala Frymë. Na thuhet se ai person do të vijë me urtësi dhe me njohuri.

Me fjalë të tjera ky person do të ketë njohuritë më të mira të mbretit David dhe urtësinë më të madhe të mbretit Solomon.

Mbi të gjitha ky person, ky filiz i ri që del nga trungu, do të jetojë në njohurinë dhe frikën e Zotit.

Atëherë kush është ai person që ka këtë natyrë?

A e ka pasur këtë natyrë mbreti David gjatë jetës së tij?

Ai ishte një njeri sipas zemrës së Perëndisë, por ai nuk mund të jetonte në përsosmëri, Davidi mëkatoi.

Mbreti Solomon kishte mençuri por dështoi disa herë.

Ka vetëm një person me këtë natyrë, Zoti ynë dhe shpëtimtari, Jezus Krishti.

Që jetoi gjithmonë në Frymë, me urtësi, me njohuri, në frikën dhe në njohjen e Perëndisë, Atit.

Vargjet 4 dhe 5 tregojnë veprimet e këtij personi, të filizit që doli nga trungu i thatë, i pemës së vjetër.

Filizi i ri, nuk do ta gjykojë këtë me sytë apo veshët e tij.

Me fjalë të tjera, ai nuk ka përse të përdorë instrumentet normalë njerëzorë, për të qenë një gjykatës i mirë dhe i drejtë.

Isaia na ka treguar se Izraelitët gjithmonë dëgjonin por asnjëherë nuk kuptonin, gjithmonë shikonin por asnjëherë nuk dallonin.

Por personi që Isaia po flet këtu tek kapitulli 11 nuk do të jetë një izraelit i thjeshtë, apo një qenie e thjeshtë njerëzorë.

Ky person do të kujdeset për njerëzit në nevojë, për të varfrit, më mirë se çdo ta bënte një mbret tjetër apo qeveri tjetër në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Më në fund, në vargjet 6-11 zbulojmë rezultatet e mrekullueshme të veprës së Mesias.

Një botë e re do të vijë, një botë ku do të kemi siguri të plotë, madje edhe mes kafshëve më të egra dhe më të rrezikshme; një botë ku edhe foshnjat do të jenë të lira dhe të sigurta për të luajtur me Kobrën; një botë ku filizi i ri do të mbushet me njohurinë e Zotit; një botë ku gjithë mbetja e popullit të Zotit, të shpërndarë gjithandej do të kthehet sërish te Perëndia.

Kjo pamje shpresëdhënëse shihej shumë qartë nga profeti Isaia, në kohën e tij. Por kishte diçka që ai e priste me padurim: pema e thatë e Izraelit dhe e Judës !

Ne sot mund të shohim dhe të përkrahim plotësisht vizionin e Mesias i cili erdhi, nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tonë.

Atëherë, pse jetojmë shpesh në një trung të thatë, apo me një trung të thatë? Mendoj se ne, njolloj si Izraeli dhe Juda, shpesh refuzojmë të jetojmë sipas historisë që Perëndia  dëshiron të shkruajë për jetën tonë.

Historia e tij është historia e shpengimit, e planifikuar posaçërisht për ata që kanë pasur një jetë të shkatërruar, për ata që nuk kanë pasur asgjë në historinë e tyre, veç një trung.

Perëndia e ka rishkruar historinë tonë, a jemi gati të pranojmë skenarin e Tij?

Populli i lashtë i Perëndisë, të cilit i shkruan Isaia nuk dëshironte të pranonte rishkrimin e Perëndisë.

Ata bënë dy gabime të mëdha. Së pari nuk arritën të kuptonin se ishin veçse trungje.

Së dyti, ata  nuk arritën të kuptonin se profetë, si Isaia, po u  tregonin atyre rrugën e kthimit për tek pema e jetës.

Këto dështime nënvizojnë faktin se njerëzit po injoronin profecinë e Isaias (kapitulli 6), ku ai thotë se njerëzit dëgjojnë por nuk kuptojnë, gjithmonë shikojnë por nuk dallojnë.

Këto dështime ishin të dyfishta dhe çuan në këtë realitet të vetëm: shumë njerëz humbën në robëri, hidhërim, dhe dëshpërim.

E njëjta gjë është edhe sot.

Shumë prej nesh kanë mbetur rob të dhimbjes, hidhërimit dhe dëshpërimit. Por nuk duhet të ishte kështu.

Ndoshta je kureshtar të dish se çfarë ndodhi me vajzën e re që folëm në hyrje të programit sepse për burrin e moshuar tashmë ju tregova se u mbyll në dëshpërim dhe vetmi.

Por çfarë ndodhi me vajzën e re?

Pothuajse në të njëjtën kohë që takoja burrin e moshuar që bënte një jetë të vetmuar, i tronditur prej tradhtisë, hidhërimit dhe zemërimit, po kështu takoja edhe këtë vajzë të re të tronditur prej historisë negative të tradhtisë, mëkatit, turpit dhe ndarjes.

Aq sa dija në aftësitë e mia të kufizuara si pastor që jam, dëgjova me shumë vëmendje çdo fjalë të saj. U mundova të flisja me dashuri, dhembshuri, dhe me përkujdesje për të dy këta persona. Megjithatë burri i moshuar nuk donte të dëgjonte, nuk pranoi asnjë nga fjalët apo veprimet e mia.

Sa keq që jeta e tij mbeti një trung!

Ndërsa vajza e re, përjetoi ndryshim në jetën e saj. Më kujtohet si tani çasti kur ndryshoi krejtësisht. Një ndryshim që nuk ndodhi në sajë të një formule magjike, as në sajë të fjalëve që fola, apo dhembshurisë që tregova unë.

Sigurisht që ky ndryshim krejt i papritur nuk ndodhi për shkak të saj.( sepse kur e takova ajo ishte e dëshpëruar dhe pa shpresë)

Po atëherë si ndodhi?

I bëra asaj të njëjtën pyetje dhe mu përgjigj: “unë thjesht vendosa se ishte detyrë e Perëndisë të falë dhe të shërojë, ndërsa detyra ime është ti kërkoj falje Perëndisë, të fal të tjerët dhe të shërohem.”

Me fjalë të tjera, ajo ndaloi përpjekjet për të ndrequr veten dhe të tjerët, dhe ia la Perëndisë ta bënte këtë.

Isaia dëshironte që dëgjuesit e tij të kuptonin realitetin e thellë dhe jetë ndryshues se vetë, pa Perëndinë, ata ishin veç trungje.

Por me Perëndinë edhe trungjet mund të transformohen.

Dëshiroj që të dëgjoni të njëjtin mesazh edhe sot.

Po është e vërtetë se ne vetë jemi të humbur.

Nuk mund të gjejmë gjithmonë jetën, shpresën dhe gëzimin,

Në fakt disa nuk i gjejnë asnjëherë ato. Por nëse kthehemi tek filizi i Perëndisë që vjen prej ekzistencës së trungut, atëherë do të zbulojmë pemën e jetës. Do të gjejmë Jezus Krishtin.

Pra cila do të jetë historia jote? Do të jetë historia e burrit të moshuar që përfundoi në dhimbje dhe dëshpërim, apo historia e shpresës dhe shërimit?

A do të flasë historia jote për trungun apo për filizin, për shpresën dhe hirin që gjendet tek Mesia.

Çfarë do të dominojë historinë e jetës tënde?