Një fund i çuditshëm

Print

Titulli: Një fund i çuditshëm (pjesa 1)

1 Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin.

2  Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli.

3  Dhe thonin në mes tyre: “Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?”.

4  Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.

5  Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura.

6  Dhe ai u tha atyre: “Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin nazarenas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë.

7  Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë”.

8  Dhe ato dolën shpejt dhe ikën nga va-rri, sepse i zuri tmerri dhe habia; dhe nuk i thanë asgjë kurrkujt, sepse kishin frikë.

9  Tani Jezusi, pasi ishte ringjallur në mëngjesin e ditës së parë të javës, iu shfaq së pari Marisë Magdalenës, nga e cila pati dëbuar shtatë demonë. (Marku 16: 1-8)

Sa herë që ka zgjedhje te reja politike apo presidenciale, të gjithë ne fillojmë të diskutojmë se kush do të jetë drejtues i mirë apo i përshtatshëm për kandidaturën e caktuar: një burrë, një grua, një politikan i ri, apo një i vjetër, një demokrat, një socialist, apo një kandidat i pavarur? Kush e di. Askush nuk e di cili është më i përshtatshmi. E vetmja gjë që dimë është se kemi nevojë për një udhëheqje të mirë, por nuk është e lehtë ta gjesh atë.’

Në fakt, shumë njerëz do të thoshin se në botën tonë ka një mungesë udhëheqësish. Nëse shikon në internet, apo nëse kërkon në Google (gugëll) fjalën “mungesë udhëheqësish”, aty do të gjesh artikuj pafund në gazeta, në faqe të ndryshme, në blogje, madje edhe foto, të cilat paraqesin faktin e mungesës së udhëheqësisë. Gjithcka, duke filluar nga politika tek feja, nga biznesi tek jeta familjare, nga lindja në perëndim, dhe nga veriu në jug, kudo vërehet një mungesë e udhëheqësisë së duhur. Kur unë lexoj se ka mungesë udhëheqësish,  e miratoj atë plotësisht duke tundur kokën.  Nga përvoja ime mund të them se vërtetë ka një mungesë udhëheqësish në botë sot.

Por kur unë lexoj Biblën, gjej se ka pasur edhe atje një mungesë udhëheqësish njerëzor.

Mungesa e udhëheqësisë është një epidemi që ka vazhduar gjatë gjithë historisë së arrestimit, gjyqit dhe kryqëzimit të Krishtit. Këtë informacion mund ta gjeni në kapitujt 14 dhe 15 te ungjillit të Markut.

Ndoshta ajo që na habit më shumë është mungesa e udhëheqësisë mes dishepujve të Jezusit.

Ata dështojnë; dështojnë në mënyrë të mjerueshme që të gjithë, me përjashtim të një grupi: që janë gratë. Janë gratë ato që qëndrojnë besnike gjithmonë.

Marku na prezanton me këto gra besnike, para se të fillojë historia e mëngjesit të Pashkës.

Në kapitullin pesëmbëdhjetë Marku na flet për këto gra. Ai thotë te vargu 40 dhe 41 se disa gra besnike po shihnin së largu Jezusin duke vdekur.

Vargu 41 na tregon se këto gra kishin kohë që ishin ndjekëse të Jezusit.

Ato kishin qenë mbështetja financiare e shërbesës së Jezusit, duke u kujdesur për Të dhe dymbëdhjetë dishepujt.  Duke parë besnikërinë e tyre, ndoshta pikërisht këto gra mund të ishin një burim i mirë udhëheqësish. Sigurisht që të shkuarit pas këtyre grave mund të duket një ide e mirë. Me siguri ato duken shumë besnike dhe drejtuese shumë të mira… veçanërisht kur krahasohen me shembujt e tjerë të udhëheqësisë së dështuar.

Por dymbëdhjetë dishepujt janë shumë ndryshe prej këtyre grave besnike. Këta njerëz mendohet të jenë drejtues, por dishepujt karakterizohen prej mungesës së udhëheqësisë, në të gjithë historinë, e vuajtjes dhe vdekjes së Jezusit.

A ju kujtohen dështimet e tyre…?  Tre dishepujt që ishin njerëzit më të afërt për Jezusin, pra Jakobi, Gjoni dhe Pjetri, të tre këta flenë gjumë atëherë kur mendohej se duhet të luteshin. Ndërsa Juda një prej të dymbëdhjetëve, e tradhton Jezusin. Si një tufë frikacakësh të gjithë dishepujt e braktisën Jezusin dhe ia mbathën kur Ai u arrestua, madje njëri prej tyre u largua lakuriq në errësirën e natës.

Pjetri, shkëmbi, harroi gjithë premtimet e Tij mburravece dhe e mohon Zotin tre herë. Të dymbëdhjetë dishepujt, e zhgënjyen Jezusin, ndërsa gratë duket se qëndrojnë besnike. Tek Marku15:47 ne lexojmë se janë pikërisht këto gra, dy prej tyre, të cilat e shohin Jezusin të shtrirë në varr.

Ku janë burrat? Nuk duken askund.

Pra nuk çuditemi kur shohim që mëngjesin e Pashkës të njëjtat gra shfaqen te varri.

Burrat mund të flenë nëse duan, por këto gra po përmbushin rolin e tyre si drejtuese duke u kujdesur për trupin e Jezusit.

Ato marrin rrugën për te varri, por janë të shqetësuara se si do ta lëvizin gurin e madh të atij varri, të vendosur në hyrje të asaj shpelle varr.

Por drejtuesit e mirë nuk e lenë shqetësimin t’i pengojë ata. Ata vazhdojnë punën, të fokusuar në misionin e tyre. Fakti i thjeshtë është se në mes të dështimeve të dishepujve të tjerë, gratë duken si super yje. Çdo gjë duket pozitive dhe e mirë.

Pra çfarë ndodh kur gratë shkojnë te varri?  Një djalosh të cilin në ungjijtë e tjerë e gjejmë si engjëll, takohet me këto gra tek varri dhe u thotë atyre se Jezusi, është ringjallur ashtu siç kishte thënë.

Gratë shkojnë për t’i treguar dishepujve të tjerë dhe Pjetrit se Jezusi është gjallë. Me siguri gratë, këto drejtuese që kanë fituar admirimin tonë do të besojnë fjalët e Tij dhe do të shkojnë tu thonë dishepujve të tjerë,  këtë shpresojmë ne të paktën! Por jo, ato nuk veprojnë aspak si drejtuese!

Në fakt, nëse i shikojmë më nga afër, këto gra, zbulojmë se ato alarmohen kur shikojnë varrin bosh.

Ndoshta alarmohen për faj të engjëllit. Engjëjt i alarmojnë gjithmonë njerëzit.

Por më pas vargu 8 në tekstin tonë, duket si një bombë.  Lexojmë se këto gra dridhen nga frika dhe habia.  Edhe pse dëgjojnë Lajmin e Mirë të ringjalljes së Jezusit, ato habiten.

Ato dolën nga varri dhe u larguan, u larguan aspak në bindje ndaj engjëllit , për t’i treguar dishepujve atë që panë, por u larguan për të mos thënë asgjë të tjerëve.

Lexojmë se ato: “nuk i thanë asgjë kurrkujt.”  Në fakt, në tekstin origjinal, në gjuhën greke, Marku në ungjillin e tij përdor mohimin e dyfishtë, për të përcjellë sa më mirë heshtjen e grave.

Një përkthim fjalë për fjalë do të ishte,”Ato nuk i thanë asnjë gjë askujt.”  Asnjë gjë askujt. Pse? Sepse ishin të frikësuara.

Çfarë na bën të mendojmë se ka mungesë udhëheqësish në këtë tekst?  Nëse dymbëdhjetë dishepujt dështuan e po kështu edhe gratë, atëherë çfarë duhet të bëjmë ne?

Mendoj se ajo që duhet të bëjmë është t’i kthehemi tekstit biblik, e të shohim se çfarë na thuhet atje.

Por kjo është pjesë e problemit. Pjesa e më e çuditshme e historisë së pashkës, është se të gjitha dorëshkrimet më të vjetra dhe më të besueshme të ungjillit të Markut, tregojnë se ky ungjill është drejt fundit.

Aq sa mund të konceptojë dituria më e madhe, ungjilli i Markut, në kapitullin 16 dhe vargu 8 përfundon me një varg që thotë se gratë dridheshin nga frika dhe ishin të habitura. Ky ishte një fund befasues dhe i dhimbshëm!

Po është e vërtetë se në shumë prej Biblave tuaja, do të gjeni në fund më të detajuar, ose një shënim shtesë që shpjegon se ky fund nuk ishte ndoshta pjesë e tekstit origjinal.

Në fakt, Bibla në Versionin Standard i Rishikuar, e mbyll ungjillin e Markut, pikërisht këtu tek kapitulli 16 vargu 8 dhe pjesën tjetër shtesë thjesht e vendos në një shënim në fund të faqes.

Ndërsa Versioni Ndërkombëtar i Biblës, shton një rresht pas vargut 8 ku thuhet se “dorëshkrimet më të besueshme janë ato që nuk kanë pjesën shtesë. Atëherë çfarë duhet të bëjmë me këtë?

Ajo që duket shumë qartë në tetë vargjet e para të këtij kapitulli, është se këto vargje janë Fjala e frymëzuar e Perëndisë që i është përcjellë Markut me anë të Frymës.  Diçka tjetër shumë e qartë që edhe Biblat tona mundohen të shpjegojnë me anë të shënimeve në fund të faqes, është se nuk jemi të sigurt për vërtetësinë e vargjeve të tjera që vijojnë pas vargut 8.

Pra ku na çojnë të gjitha këto? Mendoj se tek vargu 8. Provat tregojnë se Marku kishte për qëllim që ta mbyllte ungjillin e tij te vargu 8. Sa fund i çuditshëm!