Do t’i kthehemi sërish sot historisë së grave që shkojnë te varri. Ju kujtoj se këtë histori mund ta gjeni tek Marku 16:1-8. Sigurisht që nëse e ke lexuar të gjithë historinë, e pasionit dhe persekutimit të Jezusit, të vdekjes dhe ringjalljes së tij dhe të dështimit të gjithë dishepujve të tij, atëherë nuk duhet të çuditesh kur has një tjetër dështim këtu.
Por gjithsesi është befasuese, apo jo?! Ne dëshirojmë që Pashka të flasë vetëm për engjëjt dhe për halelujat, për tulipanët dhe lulet, apo për rrobat e bukura dhe kapelat e shtrenjta.
Ne dëshirojmë të kemi ushqime të mira dhe ëmbëlsira të shijshme. Ç’ është e vërteta nuk duam të dëgjojmë për dishepujt e dështuar, nuk duam të dëgjojmë as për gratë që u larguan, as për mungesën e udhëheqësisë, apo për heshtjen për shkak të frikës. Çfarë histori pashke është kjo, nëse nuk flasim për këto?
Sinqerisht, kjo është një histori Pashke jo shumë e këndshme, që nuk ka një fund të bukur, por flet hapur për realitetin e njeriut të rënë dhe të thyer.
Para disa vitesh një gazetë laike shkroi një artikull, në faqet e brendshme, me titullin “E ashtuquajtura ringjallje”. Historia thoshte se ringjallja e Jezusit, me shumë mundësi nuk është e vërtetë.
Artikulli vazhdonte duke cituar thëniet e disa ekspertëve fetarë, të cilët pohonin se ringjallja e Jezusit ishte e pamundur, dhe realisht e panevojshme për besimin e krishterë.
Nuk është çudi që shtypi laik, të shkruajë histori të tilla, por ajo që më bëri vërtetë përshtypje ishin thëniet e ekspertëve fetarë. Njëri prej tyre pohoi se ringjallja e trupit të Jezusit nuk kishte rëndësi. Përkundrazi, pohoi ai, “Pashka thjesht na fton të jemi në kontakt me ringjalljen e ‘hyjnisë së brendshëm’”.
O ekspert i dashur, “Për çfarë hyjnie të brendshëm e ke fjalën!?”
Në dritën e dështimit të përsëritur të dishepujve dhe pas largimit të grave nga varri bosh, unë nuk e kuptoj për çfarë hyjnie të brendshëm e ka fjalën ky eksperti fetar këtu?
Një tjetër ekspert fetar, i cili citohej në artikull, thoshte se Pashkë do të thotë “të jetosh si Jezusi.”
Por sërish unë e kam të vështirë ta kuptoj “se si mund të jetojmë sipas shembullit të përsosur të Birit të Perëndisë?” Ungjilli i Markut, na tregon se burra dhe gra si puna jonë, nuk janë të mirë sa duhet, të fortë sa duhet, besnikë sa duhet për të ndjekur shembullin e Krishtit. Nëse Shkrimet na mësojnë gjithçka rreth vetes, e kuptojmë edhe më mirë se ne kemi prirjen të tradhtojmë, të largohemi, të gënjejmë dhe të mohojmë, në vend që të ndjekim çdo shembull tjetër hyjnor, e jo më të kemi ndonjë lloj ringjalljeje brenda.
Ne nuk kemi nevojë për një pseudo ringjallje të frymës sonë, të përpjekjeve tona, apo shpresave tona. Ne kemi nevojë për një ringjallje të vërtetë nga një Shpëtimtar i vërtetë.
Nevoja jonë reale për një shpëtimtar, mund të na lërë të shqetësuar në lidhje me fundin e çuditshëm të historisë së Pashkës. Ne kemi nevojë për udhëheqje.
Ne nuk mund të kuptojmë historinë e bukur të Pashkës dhe fundin e saj pa pasur udhëheqjen e duhur. Por kudo që hedhim sytë në atë mëngjes pashke gjejmë vetëm drejtues të dështuar dhe rrënim.
Dëgjoje edhe një herë vargun 8: “Dhe ato dolën shpejt dhe ikën nga va-rri, sepse i zuri tmerri dhe habia; dhe nuk i thanë asgjë kurrkujt, sepse kishin frikë.”
Sërish dua të them: sa fund i çuditshëm!
Megjithatë, nëse vëzhgojmë mbylljen e ungjillit të Markut, ndonëse është pak e prerë, mund të themi se është ajo unike dhe befasuese.
Në skenën e fundit të ungjillit sipas Mateut, pak para se Jezusi i ringjallur të ngjitej në qiell, Mateu na tregon se disa prej dishepujve dyshuan. Mateu e përfundon ungjillin e tij me dyshimin e dishepujve.
Ungjilli i Lukës na tregon se mbrëmjen e Pashkës së parë, ndonëse Jezusi ishte ringjallur, disa prej dishepujve dyshuan.
Në fakt, Jezusi i qortoi duke i thënë: “Mjaft dyshuat.” Kësisoj, në ungjillin e Gjonit, Maria Magdalena nuk e beson lajmin e ringjalljes së Jezusit, derisa Ai e thërret atë në emër. Po kështu Thomai nuk beson derisa Jezusi shfaqet para tij me vrimat e gozhdëve në duar. E vërteta e madhe është se në të gjithë ungjijtë, mëngjesi i Pashkës nuk fillon potershëm dhe me besim, as me një grumbull njerëzish që këndojnë në korr haleluja, por me një rënkim dyshimi, frike, dështimi dhe arratisjeje.
Këtë mëngjes dua që të ndalesh dhe të tregohesh i sinqertë me veten, në lidhje me gjendjen e rënë ku ti ndodhesh. A mendon se ti do të kishe qenë më shumë besnik në krahasim me dishepujt dyshues apo gratë që u larguan në heshtje prej varrit?
Ndoshta ti je besnik, dhe ndoshta do të kishe qenë besnik në atë situatë, por të lutem ji i sinqertë me veten. Nëse do të jetoje në atë kohë a do të ishe ti një drejtues të cilin njerëzit mund ta ndiqnin me besim?
A do të ishte ti një nga ata drejtues që shkoi tek varri dhe më pas u kthye duke shpallur me guxim ringjalljen e Krishtit?
Unë nuk e di si do t’i përgjigjeshe ti por di përgjigjen time. Unë kam frikë se do të radhitesha ndër ata që heshtën, dhe u drodhën nga frika dhe dyshimi.
Qysh prej një viti, mbaj në zyrën time një pjesë qeramike nga një poçe e thyer. Të dielave para pashkës së kaluar, besimtarët e kishës mbanin një të tillë për të kujtuar natyrën tonë të thyeshme si njerëz, për të kujtuar se sa të thyer jemi pa Krishtin.
Unë shpesh vështroj pjesën time të thyer. Dhe në këto momente që po flas,e kam në xhepin tim. Po, kjo më kujton se jam i thyer, por nuk është kjo arsyeja përse e mbaj në xhepin tim sot atë pjesë të thyer.
E mbaj sepse në të kam shkuar disa vargje që më kujtojnë pashkën, disa fjalë që na largojnë vëmendjen prej natyrës sonë të rënë e na drejtojnë te Krishti dhe udhëheqja e tij.
Ja se për çfarë e kam fjalën. Dëgjoje edhe një herë vargun 7. Engjëlli i thotë gruas se Jezusi “po i pararend” dishepujt në Galile. Dishepujt, duhet ta kenë ditur se Jezusi po shkonte atje sepse ua kishte thënë këtë gjë disa ditë më parë.
Te Marku 14, pak orë para se Jezusi të kryqëzohej, u kishte thënë dishepujve të Tij, “… Por, mbasi të ringjallem, unë do t’ju pararend në Galile.” Tani engjëlli i thotë grave që të kujtojnë fjalët e Tij:”Do ta gjeni atje, sikurse ju tha Ai.”
A mund ta dëgjoni dhe të kuptoni rëndësinë e mesazhit të engjëllit?
Jezusi po shkon përpara. Këtë bëjnë edhe drejtuesit.
Ata shkojnë përpara ndërsa ndjekësit i shkojnë nga pas. Për më tepër, grave dhe dishepujve u kujtohet një gjë mjaft e rëndësishme se: Jezusi është besnik në premtimet e Tij. Ai u kishte thënë se do të ngrihet nga vdekja. Dhe e bëri vërtetë. Ai u tha se do të shkonte para tyre në Galile. Dhe ja ku vjen engjëlli dhe u thotë se do të ndodhë kështu. Për më tepër, engjëlli i jep gruas premtimin e madh se Dishepujt do të shohin Jezusin atje! Jezusi, drejtuesi besnik, është gjithmonë pranë ndjekësve të Tij.
Po është e vërtetë se gratë dhe gjithë dishepujt e tjerë na shkurajojnë me dyshimet e tyre, me frikën dhe heshtjen e tyre.
Po është e vërtetë se ne e zhgënjejmë veten tonë me dyshimin, frikë dhe pa përsosmërinë tonë.
Ne të gjithë i ngjajmë asaj pjesës së poçit të thyer, që unë mbaj në xhep.
POR misteri i madh i Pashkës është ky: Zoti i ringjallura na pararend! Ai është besnik edhe atëherë kur ne nuk jemi.
Fundi i çuditshëm i ungjillit të Markut na shtyn të jemi besnik ndaj shpëtimtarit të Ringjallur, sepse ku mund të shkojmë tjetër?
Ne dimë nga ungjijtë e tjerë se gratë nuk qëndruan në heshtje për një kohë të gjatë.
Jezusi fillon tu shfaqet dishepujve dyshues, frikacakë dhe të lëkundur.
Duke filluar nga Maria Magdalena deri tek grupi i dishepujve të mbledhur në mbrëmjen e Pashkës, nga Thomai te Pjetri, Jezusi, dhe grupi me pesëqind vetë sipas apostullit Pal, Jezusi u shfaqet atyre si Zoti i jetës pas vdekjes.
Ai qorton, bekon me paqe ndjekësit e Tij, ha dhe flet me ta.
Me pak fjalë, Ai i kthen ata nga dyshimi dhe frika e tyre, tek vetja e Tij.
Edhe unë, edhe ti, duhet të drejtohemi tek Ai me besimin që mund të mposhtë vdekjen.
Pra në pjesën e time të poçit të thyer unë kam shkuar fjalët: “Ai më pararend.”
Kjo më kujton se nuk është as për hir të meritës sime dhe as për hir të forcës sime, por për hir të Atij, i cili më pararend: Zoti dhe Shpëtimtari im Jezus Krishti.
Mbyllja e menjëhershme e ungjillit të Markut tregon hirin.
Kjo i le të gjitha pyetjet në këtë pikë: çfarë do të bëjnë gratë, çfarë do të bëjnë dishepujt, çfarë do të bëj unë, çfarë do të bësh ti?
Po ne e dimë se ka vetëm një drejtues besnik tek i Cili mund të gjejmë të gjitha përgjigjet e pyetjeve tona. Nëse kthehemi tek Jezusi do të gjejmë të vetmen jetë të përjetshme, që ekziston .
Pra kjo është ajo që ju sugjeroj. Gjeni diçka të thyer në jetën tuaj. Nuk është aq vështirë të gjeni diçka të tillë.
Kjo mund të jetë një shpirt i rrëzuar, besimi i thyer, apo një jetë familjare e thyer, madje edhe një vazo qeramike e thyer.
Gjej diçka të thyer. Më pas lutu. Bëj një lutje rrëfimi para Perëndisë, ku i thua Perëndisë, “Vetëm kaq ka mbetur Zot. Jam i thyer dhe kam nevojë që Ti të drejtosh jetën time.” Nëse Ti e bën këtë lutje, nuk të garantoj se si do të përgjigjet Perëndia, apo se çfarë do të bëjë Ai me saktësi. Por mund të them këtë, në emër të Shpëtimtarit të ringjallur: ai do të më pararendë. Ti thjesht duhet të ndjekësh Zotin e ringjallur. Ai është drejtuesi, i vetmi drejtues i përjetshëm që na sjell jetë. Ndiqe Atë.