Një lidhje qiellore

Print

Titulli: Një lidhje qiellore! (pjesa 1)

Mendoje pak këtë situatë. Je beqar dhe babai mendon se ka ardhur koha të martohesh. Por Ai nuk do që të marrësh një njeri çfarëdo. Ai ka në mendje një person për ty. Kështu që, çfarë bën ai? Thërret personin më të besuar që punon për të, krahun e tij të djathtë, dhe i thotë të gjejë një nuse për ty.

Aspak romantike apo jo?! A do doje që babai të vendoste se me kë do të kaloje jetën? A do të doje që Zv. Presidenti i biznesit të babait të gjente një person të veçantë për ty?

Pjesa më e madhe prej nesh nuk e zgjedh kështu dashurinë e zemrës së tyre apo jo? Ndoshta kjo mund të vlente për njerëzit e kulturave të mëparshme, kur bëheshin martesa përmes njohjeve familjare, por jo për ne sot. Ne besojmë tek liria e zgjedhjes personale, te romanca, dashuria me shikim të parë! Ne jemi modernë! Jemi të përparuar! Sigurisht që nuk mund të lejojmë prindërit, të përfshihen në zgjedhjen e partnerit martesor. Jo, brezi i sotshëm për të zgjedhur partnerin mbështetet te gjërat romantike, frekuenton bare të rinjsh, dhe nxjerr njoftime në gazeta, apo përdor internetin për njohje.

Ndoshta, po ta mendojmë mirë,  nuk ka qenë dhe aq keq dikur. Ndoshta ne sot qeshim me kulturat ku mblesëria është e theksuar. Ndonëse në Shqipëri vazhdon si fenomen, por jo aq i theksuar si dikur. Ti si mendon, më mirë të lejosh prindërit që të bëjnë mblesëri për ty, apo të zgjedhësh mënyra të tjera të “përparuar” si, njohja me anë të internetit, njoftimeve në gazeta, a në bare. A je pro “njohjeve” në sediljen e pasme të makinës, apo dhurimit të luleve tepër të shtrenjta? Mendon se me këto metoda do të gjesh njeriun e duhur? Vërtetë, ato janë metoda kaq romantike dhe të përparuara. Por a janë ato më të mira se mblesëria e prindërve?

Pas gjithë këtyre metodave moderne që përmenda, dua t’ju tregoj një histori që flet për disa zakone me të cilat nuk jemi mësuar: tradita të lashta, fise të mëdha, klane fisnore, deve të etura, unaza për në hundë. (Me sa duket historia po përsërit veten, moda e unazës në hundë është kthyer sërish. Gjithsesi, në historinë tonë dua të flas për disa gjëra të tjera që duken të çuditshme për veshët modernë. Nuk është e thënë që të gjitha këto gjëra të imitohen sot. Por në thelb të historisë është diçka që nuk duhet të dalë asnjëherë nga moda, diçka që duhet të jetë në thelb të procesit të lidhjes. Kjo është lutja.

Në një çast të rëndësishëm në historinë tonë, një burrë lutet kështu “O Zot, Perëndi më jep sukses… lejo të jetë ajo vajza që ti ke zgjedhur.” Kjo duhet të jetë lutja e çdo personi që po kërkon partnerin apo partneren e jetës. Po afron Shën Valentini. Disa prej jush po vrasin mendjen se me kë do të kalojnë jetën, e ndoshta po vrisni mendjen se çfarë duhet të bëni për këtë. Po nuk ka asgjë më të rëndësishme se zgjedhja e personit që Perëndia ka zgjedhur për ty, e për këtë ke nevojë të lutesh. Nëse dëshiron një lidhje të bërë në qiell, ti ke nevojë për ndihmën e Perëndisë së qiellit.

A je lutur ndonjëherë që Perëndia të sigurojë partnerin, partneren e duhur për ty, për fëmijët e tu, apo për një mik tëndin të dashur? A je lutur ndonjëherë, “Zot, le të jetë ajo që ti ke caktuar për mua”? Historia që ka përmendur këto fjalë, është disi e pazakontë, ajo përfshin tradita të lashta të lidhjes mes dy njerëzve, metoda që ndoshta ju sot nuk doni t’i imitoni. Ti ndoshta nuk ke dëshirë që nëna a babai të zgjedhin një partner për ty. Por si thua, sikur ta zgjedhë Perëndia partnerin për ty? Si thua sikur ti lutesh Perëndisë, dhe të lidhesh me atë person që Perëndia do sigurojë për ty? Kjo ndodh edhe në historinë që do të shikojmë sot, dhe mirë është që kështu të ndodhë edhe në jetët tona, historitë të cilat janë duke u shkruar pikërisht tani.

Parime bazë

Te Zanafilla 24, Bibla tregon se si Isaku, Biri i Abrahamit , u bë me grua.

Ati Abraham dëshironte të sigurohej që i biri të merrte gruan e duhur, kështu që ai thirri shërbëtorin kryesor, njeriun që drejtonte gjithë pronat e tij, dhe e vuri të betohej në emrin e Perëndisë, që të gjente një grua për Isakun, por jo çdo lloj gruaje. Ajo duhet t’i përkiste një fisi njerëzish që e adhuronin Zotin, Perëndinë e qiellit dhe tokës. Në kërkimin e kësaj gruaje duheshin respektuar disa rregulla.

Vite më parë, Perëndia thirri Abrahamin, që të largohej prej familjes së tij dhe prej të afërmve, dhe të shkonte në një tokë të re, që Zoti do t’i jepte atij dhe pasardhësve të  tij, bëhet fjalë për Tokën e Kannanit. Megjithatë, në Kanaan nuk kishte gra që të adhuronin Perëndinë e vërtetë, kështu që gratë për Isakun duhet të vinin, nga larg, nga toka e vjetër. Atje më në fund, do të gjente gra të fisit të Abrahamit, që e njihnin emrin e Zotit. Shërbëtori i Abrahamit duhet të ndërmerrte një udhëtim të gjatë në atë zonë, në kërkim të një vajze të veçantë për Isakun.

Por del një problem. Le të themi, që shërbëtori e gjen gruan, po sikur ajo të mos dojë të largohet prej aty?

Atëherë unë i thashë zotërisë tim: “Ndofta gruaja nuk do të dojë të më ndjekë”.

Por ai u përgjigj: “Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëj të mbarë udhëtimin tënd, dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga farefisi im dhe nga shtëpia e babait tim.

Do të lirohesh nga betimi që më ke bërë kur të shkosh tek afëria ime; dhe po të jetë se nuk duan të ta japin, do të lirohesh nga betimi që më ke bërë”.

Abrahami ishte plotësisht i bindur se Isaku do të gabohej rëndë po të martohej me një grua që nuk adhuronte Perëndinë e vërtetë, dhe ishte i bindur se po të martohej Isaku me vajzën e gabuar,  me siguri ajo do ta largonte atë prej atij vendi të vjetër dhe ai do të hiqte dorë prej destinacionit që Perëndia i kishte premtuar pasardhësve të Abrahamit. Abrahami ishte i bindur për këto parime dhe, e dinte se po të qëndronin në këto parime, ndërsa kërkonin një grua për Isakun, Perëndia do të përgatiste rrugën dhe do të siguronte gruan e duhur për të. Po të mos e bënte Perëndia këtë, kërkimi do të merrte fund. Do të ishte më mirë për Isakun të vazhdonte jetën si beqar se sa të martohej me një grua pagane, apo një grua që do ta largonte atë prej vendit që i kishte dhënë Perëndia.

Vini re se kjo u hoq si mundësi, që para se të fillonte kërkimi, para çdo lutjeje për një drejtim të veçantë. Ky është një mësim i rëndësishëm për ne. Së pari ji ngulmues për parimet e tua; vetëm atëherë mund të lutesh për më shumë ndihmë specifike në gjetjen e partnerit të jetës.