Vazhdojmë sot me temën. “Lidhjet qiellore” Në këtë pjesë të dytë dua të rikujtoj: Asnjëherë mos e konsidero mundësinë për tu lidhur me dikë që nuk beson ashtu si ti. As mos merr mundimin të dalësh në takime njohjeje me një person të tillë. Nëse je i krishterë dhe po del me dikë që nuk është i krishterë, apo nuk beson fare në zot, as mos u mundo t’i lutesh Perëndisë, për ta pyetur nëse është personi i duhur për ty apo jo. Sepse nuk është. Personin e duhur nuk mund ta gjesh duke kërkuar në turmën e gabuar. Nuk mund ta gjesh një lidhje të përshtatshme për veten, mes njerëzve që nuk janë drejtuar për në qiell. Bibla thotë: “Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin?” (2 Korintasve 6:14)
Isaku ishte një person i ndarë mënjanë, fëmija i premtimit, që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit dhe Sarës. Vetëm përmes Isakut dhe pasardhjes së tij, Perëndia do të zbatonte planin e Tij të veçantë në botë dhe do bekonte gjithë kombet. Vetëm përmes linjës së Isakut, Perëndia do të ngrinte një popull për veten, dhe përmes tij do të vinte edhe Shpëtimtari i botës. Isaku ishte nën besëlidhjen e Perëndisë, dhe ai kishte nevojë për një grua që do ta ndihmonte atë të zbatonte atë besëlidhje deri në brezin tjetër.
Një grua e paperëndishme mund ta dëmtonte marrëdhënien e Isakut me Perëndinë, e më keq se kaq, ajo mund të largonte fëmijët e tyre prej Perëndisë. Edhe sot, të krishterët kanë nevojë për një shok apo shoqe jete që do ta ndërtojë atë në besim, dhe jo ta shkatërrojë. Ne kemi nevojë për partnerë, që do të na ndihmojnë t’i rrisim fëmijët nën premtimet e besëlidhjes së Perëndisë, njerëz që do t’u përçojnë bekimet e Perëndisë njerëzve përqark dhe mbarë botës. Për hir të Perëndisë, për të mirën tënde dhe për hir të fëmijëve që mund të kesh, ti duhet të qëndrosh fort tek parimi që të martohesh vetëm me dikë që ka të njëjtin besim me ty.
Parim i dytë, që Abrahami i mëshoi është një parim që edhe ne duhet ta mbajmë. Abrahami ngulmoi që nuk mjaftonte vetëm gjetja e një gruaje të perëndishme për Isakun; ajo duhet të ishte një grua, që me preferencat e saj nuk do ta largonte Isakun prej vendit dhe thirrjes së tij. Isaku nuk mund të shkonte për të jetuar në vendin e saj, sipas kushteve të saj. Perëndia kishte plane për Isakun në tokën e premtuar, kështu që çdo vajzë që nuk do dëshironte të shkonte në vendin e tij, nuk do të ishte personi i duhur për Isakun.
Ti mund të kesh ndjesinë që Perëndia të fton në një vend të caktuar apo në një lloj pune. Pastaj takohesh me një person i cili është një i krishterë i mirë, por zgjedhjet e të cilit nuk përshtaten me thirrjen tënde, dhe ai nuk dëshiron të shkojë në drejtimin që duhet të shkosh ti. Edhe sikur të kesh tërheqje për të, ky nuk është personi i duhur për ty, të paktën nëse thirrja e Perëndisë ka përparësi për ty. Ti duhet të lidhesh me dikë që mund të jetë partneri yt në vendin që Perëndia të vendos, nuk mund të lidhesh me dikë që dëshiron të jetë diku tjetër.
Qëndro i patundur në parimet e tua. Dije se për çfarë lloj personi ke nevojë. Bashkëshortja jote e ardhshme duhet ketë të njëjtin besim me ty, dhe ajo duhet të jetë në gjendje të mbështesë çdo thirrje të veçantë që Perëndia ka për ty. Nëse Perëndia dëshiron që ti të martohesh, ai do të sigurojë atë lloj personi. Nëse nuk e ka siguruar ende do të thotë se nuk do që të martohesh, ose duhet të presësh edhe pak. Qëndro beqar derisa Perëndia të sjellë në jetën tënde personin që pajtohet me parimet e tua, që çfo anëtar i besëlidhjes së Perëndisë duhet ti miratojë. Më mirë beqar dhe të duash të martohesh, se sa i martuar dhe të duash të jesh sërish beqar.
Të lutesh për drejtim
Le të kthehemi edhe një herë tek historia jonë te Zanafilla 24. Me parimet bazë në mendjen e tij për gjetjen e një nuse për Isakun, shërbëtori i Abrahamit ngarkoi dhjetë deve me gjithë të mirat dhe u nis drejt qytetit ku jetonte fisi i vjetër i Abrahamit. Kur mbërriti atje, ai i lidhi devetë pranë një burimi, jashtë qytetit. Ai ishte në vendin e duhur, po kërkonte mes njerëzve të duhur, por si do ta kuptonte se cila ishte vajza e duhur për Isakun?
Ai bëri atë që do të bënte çdo person tjetër në një situatë të ngjashme me këtë. Ai u lut. Ai tha:
” O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, të lutem bëj që sot të kem mundësinë të kem një takim të lumtur, trego dashamirësi ndaj Abrahamit, zotit tim!
Ja, unë po rri pranë këtij burimi ujërash, ndërsa bijat e banorëve të qytetit dalin për të mbushur ujë.
Bëj që vajza së cilës do t’i them: “Ah, ule shtambën tënde që unë të pi” dhe që do të më përgjigjet: “Pi, dhe kam për t’u dhënë për të pirë edhe deveve të tu”, të jetë ajo që ti ja ke caktuar shërbyesit tënd Isak. Nga kjo unë do të kuptoj që ti ke treguar dashamirësi ndaj zotërisë tim.” (v. 12-14)
Ai burrë po lutej për një shenjë të veçantë. Shumë vajza mund të jenë aq të sjellshme sa t’i japin një gotë ujë një të panjohuri. Por sa prej tyre do të ofroheshin vullnetare që të shuanin etjen e dhjetë deveve, kur një deve pinte më shumë se tetëdhjetë (80) litra secila? Nëse Perëndia do ti përgjigjej lutjes së atij burri duke e drejtuar tek një vajzë që do të bënte diçka të pazakontë, atëherë ai do të kishte shenjën e tij.”Të jetë ajo që ke caktuar ti.” Dhe çfarë ndodhi?
Ai s’kishte mbaruar së foluri, kur, ja, doli Rebeka me shtambën në shpatullën e saj… Vajza ishte shumë e bukur, e virgjër dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur kurrë. Ajo zbriti në burim, mbushi shtambën e saj dhe u ngjit përsëri lart. Atëherë shërbyesi vrapoi në drejtim të saj dhe i tha: “Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote.”
Rebeka tha, “Pi, zotëria im”… “Sapo mbaroi së dhëni ujë për të pirë, tha: “Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, deri sa të ngopen me ujë”. Me nxitim e zbrazi shtambën e saj në koritë, vrapoi përsëri te burimi për të mbushur ujë për të gjithë devetë e tij.
Ndërkaq ai njeri e sodiste në heshtje, për të mësuar në qoftë se Zoti e kishte bërë të mbarë apo jo udhëtimin e tij.
Kur devetë mbaruan së piri, njeriu mori një unazë floriri për hundën që peshonte gjysmë sikli dhe dy byzylykë me një peshë prej dhjetë siklesh ari për kyçin e dorës së saj, dhe tha:
“Bijë e kujt je? Ma thuaj, të lutem. A ka vend në shtëpinë e babait tënd për ne, që ta kalojmë natën?”.
Ai zbuloi se, kjo vajzë e re dhe punëtore ishte prej fisit të Abrahamit. Po ashtu kuptoi se në shtëpinë e saj do të kishte ushqim boll edhe për devetë si edhe një strehë ku të kalonin natën. Shërbëtori u ul dhe e adhuroi Zotin dhe e falënderoi për mirësinë dhe besnikërinë si edhe që ju përgjigj lutjeve të tij.
Më pas Bibla përshkruan me një të qeshur të madhe se si familja e Rebekës e kapërceu tërë situatën.
Rebeka u kthye dhe u tregoi se ç’kishte ndodhur. Vëllai i saj Labani i pëlqenin gjërat e shtrenjta dhe çdo gjë tjetër që kishte lidhje me paratë. Labani i hodhi një sy asaj unazës së artë dhe byzylykëve të florinjtë, dhe mendoi se ky ishte njeriu i duhur për Rebekën. Ai vrapoi për të takuar shërbëtorin e Abrahamit dhe e bekoi atë në emrin e Zotit dhe tha:” Hyrë, i bekuar nga Zoti! Pse rri jashtë? Unë kam përgatitur shtëpinë dhe një vend për devetë”.
Shërbëtori i Abrahamit shkoi te shtëpia, u kujdes për devetë, i dha për të ngrënë, i lau dhe pastaj ngulmoi se nuk do të fuste asnjë kafshatë në gojë pa i treguar më parë qëllimin e vizitës së tij.
Ai i tregoi se si Perëndia e kishte bërë Abrahamin të pasur dhe se si Perëndia e kishte bekuar Abrahamin dhe Sarën me një djalë, Isakun, dhe se tani Isakut i duhej një nuse.
Ai i tregoi lutjen që kishte bërë dhe se si Perëndia i ishte përgjigjur ndërsa ai ishte ende duke u lutur. Më pas ai thirri Rebekën dhe e pyeti atë nëse donte të takonte Isakun dhe të martohej me të.
Babai i Rebekës dhe vëllai i saj u përgjigjën duke thënë se kjo ishte nga Zoti. Kush ishin ata që të thoshin po ose jo? Sigurisht që Rebeka donte të shkonte. Megjithatë mëngjesin tjetër, kur shërbëtori i Abrahamit donte të largohej me Rebekën, vëllai dhe nëna donin që ajo të qëndronte me ta për dhjetë ditë të tjera. Por shërbëtori tha se donte të nisej sa më shpejt. Zoti iu përgjigj lutjeve të tij, dhe ai nuk dëshironte të linte Isakun në pritje. Ata e pyetën Rebekën nëse edhe ajo donte të shkonte me të, dhe ajo tha “po”. Më pas familja i dha bekimin dhe e nisi për rrugë.
Çfarë ndodh më tej kur Rebeka takon Isakun? A dashurohet ai me të?