Dua ta filloj duke sugjeruar një tjetër synim që ndoshta nuk është në listën tënde, por duhet të jetë prioriteti numër një i çdokujt: të bëhesh një adhurues më i mirë. A do të doje ta njihje Perëndinë më mirë, ta doje më shumë, dhe ta nderoje Atë më shumë se sa e bën tani? Unë nuk e di se sa shpesh mendon se çfarë lloj adhuruesi je, por me siguri ti mendon për Perëndinë dhe reflekton se çfarë adhuruesi dëshiron Ai që ti të jesh.
Jezusi thotë: ” Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.” (Gjoni 4:23) Pa dyshim që Perëndia po kërkon adhurues. Pyetja është, a po e kërkon ti Perëndinë? A është qëllimi yt të bëhesh më shpirtëror dhe të marrësh më shumë njohuri, që të mund të adhurosh Perëndinë në “ frymë dhe në të vërtetë”? Nëse dëshiron të kesh një marrëdhënie të gjallë me Perëndinë dhe të bëhesh një adhurues më i mirë, t’i duhet të kesh një marrëdhënie të përditshme me Perëndinë, një model adhurimi të përditshëm.
Një model adhurimi i përditshëm
Ndoshta nuk e ke idenë se çfarë përfshin adhurimi i përditshëm. Ndoshta adhurimi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e jetës tënde, dhe askush nuk ta ka shpjeguar ndonjëherë as nuk e ka modeluar në ty. Unë do të shpjegoj se çfarë përfshin adhurimi i përditshëm, ndoshta kjo do të ndihmojë ty.
Teksa rritesha, prindërit e mi na drejtonin ne fëmijët në një adhurim të përditshëm familjar. Para se të hanim mëngjesin babai dhe nëna, thoshin një lutje falënderimi. Pas mëngjesit, ata lexonin një varg nga Bibla, më pas lexonin një meditim të shkurtër për atë pasazh biblik dhe e mbyllnin me një lutje. Kjo kohë e leximit të Biblës dhe e lutjes ishte prioriteti numër një në familjen tonë. Ndonjëherë ne ishim vonë me mëngjesin dhe autobusi i shkollës mund të vinte para se të kishim mbaruar. A thua e anashkalonim ne leximin e Biblës dhe lutjen, edhe pse ishim vonë? Jo, nëse ishim vonë, prindërit e mi, lexonin vargun e Biblës njëherë dhe, më pas vazhdonin me mëngjesin. Nëse shihnim autobusin e shkollës që afrohej, dhe ishim duke ngrënë, rrëmbenim diçka nga tavolina dhe e hanim rrugës për në shkollë, ose thjesht linim pa ngrënë diçka nga mëngjesi, në vend që të humbitnim adhurimin e familjes.
Në mbrëmje, luteshim para se të hanim. Pas darke, uleshim bashkë për të lexuar diçka nga Bibla, ose lexonim shpjegimin e një vargu biblik përmes një libri meditimi dhe, në fund e mbyllnim me një lutje. Ky model adhurimi familjar nga mëngjesi në mbrëmje, nuk është se na merrte shumë kohë: rreth pesë minuta në mëngjes, dhe pesë minuta të tjera në darkë. Kjo kohë nuk prodhonte ndonjë përvojë emocionale të paparë. Ishte thjesht një kohë e qetë për të dëgjuar Perëndinë që flet përmes Shkrimeve, e më pas je ti që i flet Atij përmes lutjes.
Por ta fillosh ditën në këtë mënyrë dhe ta mbyllësh në po këtë mënyrë, i jep gjithçkaje një tjetër frymë. Po kështu përgjatë viteve, kjo na ndihmoi të fitonim shumë njohuri nga Bibla, që asnjë shkollë apo seminar nuk do të na i mësonte aq mirë.
Unë jam rritur me prindër, të cilët e adhuronin Perëndinë në Frymë dhe në të vërtetë. Prej tyre mësova adhurimin e përditshëm në familje, e po kështu mësova adhurimin e përditshëm personal. Shembulli i prindërve ishte ajo që më mësoi adhurimin personal. Ata asnjëherë nuk e bënin për tu dukur, kohën personale me Perëndinë, por ndonjëherë kur çohesha herët, e gjeja babain ulur në gjunjë duke u lutur, para se të zgjonte pjesën tjetër të familjes. Edhe nëna ime, ishte një person i lutjes dhe i leximit të Biblës. Duke ndjekur shembullin e tij, unë fillova të lutem personalisht, si fëmijë, zakonisht para se të flija. Kur isha i madh aq sa mund të lexoja, prindërit e mi më dhanë një Bibël personale dhe unë kaloja disa minuta çdo natë duke lexuar Biblën vetë.
Unë nuk vij nga një familje predikuesish apo studiuesish të Biblës. Unë vij nga një familje e thjeshtë fermerësh që duhet të punojnë e të përballen me sfida si gjithë të tjerët. Prindërit e mi dhe familja jonë nuk ishte e përsosur në çdo aspekt. Ndonjëherë ne debatonim, acaronim njëri-tjetrin, dhe merrnim vendime të gabuara. Megjithatë e donim njëri-tjetrin dhe e dinim se Perëndia ishte qendra e familjes sonë. Edhe tani, kur vizitojmë prindërit e mi apo prindërit e gruas sime, e dimë se do të kalojmë bashkë me ata kohën e përditshme të adhurimit.
Ku e gjetën prindërit e mi, modelin e tyre të adhurimit familjar dhe personal? Sigurisht që nuk e panë në ëndërr. Ata e morën këtë model, prej prindërve të tyre, pra prej gjyshërve të mi. Të dy prindërit e mi janë rritur me një adhurim të përditshëm familjar dhe me prindër që jo vetëm drejtuan fëmijët e tyre në adhurim, por kalonin po ashtu kohë vetëm në adhurim.
Tani që kam krijuar familje vetë dhe kam gruan e fëmijët, ne hamë mëngjesin bashkë, shoqëruar më pas me leximin e Biblës dhe lutje. Po kështu pasi hamë darkën, kalojmë një kohë në leximin e Biblës, në diskutim dhe lutje. Modeli që ndjekim është i ngjashëm me atë që jam rritur unë, me disa ndryshime të vogla. Në shtëpinë tonë ne kalojmë kohë në lutje, gjatë së cilës nuk lutemi vetëm unë dhe gruaja por luten të gjithë fëmijët. Ne zakonisht këndojmë një këngë lavdërimi së bashku. Por modeli bazë është ai që unë kam mësuar qysh fëmijë: çdo ditë ne si familje kalojmë kohë për të dëgjuar Perëndinë dhe për t’i folur Atij si familje dhe, po kështu kemi kohën tonë personale të adhurimit.
Me anë të ofrimit të këtij modeli të adhurimit personal dhe në familje, unë dëshiroj t’ju jap një pamje të shkurtër të adhurimit të përditshëm dhe t’ju ndihmoj të ndërtoni këtë lloj modeli në jetën tuaj. Unë kam një rrugë të gjatë për të bërë, për ta njohur Perëndinë më mirë dhe për ta adhuruar atë ashtu siç e meriton. Por unë mund të them sinqerisht se adhurimi i përditshëm, si familje dhe si individ, është thelbësor në nderimin e Perëndisë dhe rritjen në besim. Nëse dëshiron ta njohësh më mirë Perëndinë, ta duash atë më shumë dhe ta nderosh atë plotësisht, gjatë këtij viti dhe gjithmonë, bëj një përkushtim që të flasësh me Të e ta dëgjosh në baza të përditshme.
Çdo marrëdhënie e shëndetshme përfshin të folurin dhe të dëgjuarin e vazhdueshëm, këtu nuk përjashtohet as marrëdhënia jote me Perëndinë. Nëse nuk flet çdo ditë me Perëndinë dhe nuk e dëgjon Atë çdo ditë, marrëdhënia jote me Të nuk ka për tu forcuar. Por nëse gjen kohë për ta dëgjuar Perëndinë në gjërat që Ai thotë në Bibël, e ti thuash atë që ke në zemër me anë të lutjes dhe adhurimit, ti ke mjaft arsye pse të presësh që marrëdhënia jote me Perëndinë do të përparojë, përtej nivelit që është tani. Mos lejo asgjë që të pengojë ta adhurosh Perëndinë përditë, në shtëpinë tënde, në frymë dhe në të vërtetë.