Një marrëdhënie e përditshme

Print

Titulli: Një marrëdhënie e përditshme (pjesa 2)

Pse nuk mjafton adhurimi i përjavshëm?

Ndoshta adhurimi i përditshëm duket diçka e tepruar. Ti mund të mendosh se të shkuarit në kishë njëherë në javë, mjafton dhe, se adhurimi i përditshëm është i pamundur. Ti ke shumë gjëra të tjera për të bërë. Nuk ke mundësi që ta bësh adhurimin e përditshëm pjesë të jetës tënde të përditshme. Ti nuk ke mundësi ta mbledhësh gjithë familjen për të ngrënë një vakt së bashku, e jo më të kalosh një kohë adhurimi bashkë. (shënim: pastor është ironike kjo)Veç kësaj, pse ta lexosh Biblën përditë? Pse të lutesh kaq shpesh? Të merresh pak me besimin është mirë, por jo ta teprosh!!! Pse nuk mjafton adhurimi i përjavshëm në kishë?

Të paktën dy gjëra janë gabim përsa i përket shpërfilljes së adhurimit të përditshëm dhe zgjedhjes së adhurimit të përjavshëm në kishë. Së pari, nëse kjo është e vetmja kohë që e adhuron Perëndinë, kjo është një shenjë se diçka nuk shkon në marrëdhënien tënde me Perëndinë. Së dyti, nëse kishat përbëhen kryesisht nga njerëz të cilët marrin pjesë vetëm në shërbesat javore, por nuk adhurojnë Perëndinë në jetën e tyre të përditshme, në shtëpi, atëherë takimet e kishës bëhen të cekëta shpirtërisht.

Le të fillojmë me problemin e parë. Shpërfillja e adhurimit të përditshëm në shtëpi është shenjë se ti je shpirtërisht i sëmurë, dhe më e keqja se je i vdekur shpirtërisht.

Ti mund të kesh një farë besimi, por ti nuk ke një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë e gjallë. Ti mund të kesh një shtytje emocionale njëherë në kaq kohë në kishë, por ti nuk e jeton jetën me ndjenjën se Perëndia është gjithmonë me ty, duke të drejtuar, të korrigjuar, apo inkurajuar, e komunikuar me ty. Ti nuk adhuron në Frymë dhe në të vërtetë. Si mund të adhurosh në frymë nëse  e shpërfill apo e injoron Perëndinë shumicën e kohës, gjatë javës? Si mund të adhurosh në frymë dhe në të vërtetë, kur ti rrallë e dëgjon zërin e Perëndisë dhe nuk e di se çfarë thotë Ai në Bibël apo kush është Ai? Nëse ti e njeh Atë dhe do, adhurimi bëhet pjesë thelbësore e jetës tënde të përditshme. Nëse e vetmja kohë adhurimi për ty është ajo në kishë, miku im kjo nuk është gjë e mirë, është fatkeqësi.

Kjo fatkeqësi shtohet akoma më shumë kur kishat ushqejnë pasionet e të sëmurëve shpirtërorë apo njerëzve që janë të vdekur shpirtërisht, që neglizhojnë adhurimin e përditshëm  në shtëpi dhe janë të interesuar vetëm për takimet javore të kishës. Ky është problemi i dytë i madh i fokusimit vetëm te adhurimi i përjavshëm në kishë: adhurimi gjatë javës merr tatëpjetën. Kishat fillojnë të synojnë emëruesin e përbashkët më të vogël.

Ata nuk synojnë dhe aq të sjellin besimtarët në adhurim te Perëndia, se sa të organizojnë ngjarje për njerëzit që preferojnë argëtimin në vend të adhurimit.

Disa kisha pohojnë se kanë si synim “orientimin e besimtarëve që janë në kërkim”. Me këtë dua të them se zakonisht ata mundohen të lidhen me njerëzit e tjerë që nuk kanë gjetur ende vendin e tyre në një kishë. Kjo mund të jetë diçka e mirë, por kishat nuk duhet të harrojnë se kush është Kërkuesi më i madh ndër të gjithë. Sipas Jezusit, Perëndia vetë, është një kërkues, Perëndia po kërkon adhurues të vërtetë të cilët do ta adhurojnë atë në frymë dhe të vërtetë. Nëse një numër shumë i madh njerëzish, janë të interesuar që të marrin atë që kanë nevojë vetëm në takimin javor nga kisha dhe, jo duke u bërë adhurues të përditshëm të Perëndisë në shtëpitë e tyre, dhe nëse kishat i projektojnë shërbesat e tyre për të tërhequr këta njerëz dhe për të plotësuar preferencat e tyre, këto kisha nuk do të kultivojnë atë lloj adhurimi që kërkon Ati, atë adhurim, ku zemrat janë të mbushura me Frymën e tij, ndërsa mendjet me të vërtetën e Tij. Kësisoj shërbesat e kishës kthehen në shfaqje për të kënaqur njerëzit dhe aspak në takime adhurimi ku nderohet Perëndia.

Kisha si këto mund të mbushen plot të dielave, por ato janë të cekëta. Ato mund të jenë plot me njerëz, por janë bosh, sepse nuk kanë adhurues të vërtetë.

Një vizitor britanik, në Amerikën e Veriut u pyet që të jepte  opinionin e tij për kishat në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Ai u përgjigj se shumë kishat në Amerikën e Veriut janë të pasura, kanë shumë pjesëmarrje, janë të mirë organizuara dhe efiçiente. Por tha ai, e gjitha kjo pamje i kujtonte Anglinë, në fund të viteve 1800, kur kishat e suksesshme shërbenin si një “ jastëk kundër impaktit të rëndë të Perëndisë së gjallë.”  Ai tha: ” Më duket se, jastëku i efiçencës dhe prosperitetit fetar është ende duke bërë punën e tij të rehatshme por fatale. Por ajo që më trondit më shumë është karakteri i predikimit që dominon në kishat tona.” Shumica e predikuesve, tha ai, përçojnë mesazhin: ‘ më lejo të sugjeroj se si të jesh i mirë.’  Ata nuk po shpallin ungjillin e shpëtimit me anë të besimit në Jezus Krishtin.”

Këto shënime janë bërë në vitin 1940, por ato janë të vërteta sot, më shumë se kurrë më parë. Në vitin 1949 Piter Eldërsvelld (Peter Eldersveld), folësi i një shërbese radiofonike, raportoi komentet e këtij vizitori. Ja se çfarë kishte vërejtur ai:

“Është me të vërtetë mahnitëse që me gjithë besimin tonë dhe historinë e gjatë të mësimdhënies dhe predikimit, ne kemi shkuar kaq larg Perëndisë së vërtetë. Në të vërtetë, ashtu siç e thotë edhe kritiku ynë, ne kemi një besim i cili është si një ” jastëk kundër impaktit të fortë të Perëndisë së gjallë.” E dini është gjë shumë e keqe të kesh besimin e gabuar. Ne jemi afruar kaq shumë me Perëndinë, ose të paktën kështu duket, megjithatë ne e kemi humbur Atë plotësisht, thjesht sepse kemi refuzuar, shpërfillur, apo dështuar perceptimin e zbulesës më të madhe rreth Tij… Ne kemi humbur Perëndinë sepse nuk kemi parë Jezusin.”

Numërimi në vend të peshimit

Dhjetë vite pas bërjes së këtyre vëzhgimeve, Piter Eldërsvelld (Peter Eldersveld) komentoi në vitin 1959 mbi atë që ai e quajti: ” një standard tipik modern, që përbën sukses, duke e krahasuar gjithçka në termat e numrave të thjeshtë, të numërosh në vend që të peshosh.” Sot duket shumë më e zakonshme se më parë:” të numërosh në vend që të peshosh.”

Është e thjeshtë për kishat të bëjnë statistika se sa anëtarë ka në këtë kishë apo atë kishë, sa marrin pjesë në shërbesat e të dielës, sa të rinj i janë shtuar kishës, sa para po dhurohen, e kështu me radhë.

Numërimi është i zakonshëm, peshimi është më pak i zakonshëm. Kush e peshon nëse njerëzit po afrohen më shumë me Perëndinë, apo nëse po bëhen më shumë të ngjashëm me Krishtin.

Kush e peshon nëse martesat e tyre janë më të forta dhe shpirtrat e tyre më të fuqishëm? Kush e peshon rritjen në njohurinë biblike, dhe të jetuarin në shenjtëri? Rezultati i ” numërimit në vend të peshimit” është ky: kisha të cekëta të përbëra nga njerëz të cilët nuk peshojnë shumë shpirtërisht.

Por jo vetëm kaq. Ka ende për të thënë. Si mund të fillojmë një marrëdhënie të përditshme adhurimi me Perëndinë? Sa kohë do t’i mbajë njerëzit në kishë zakoni, zbavitja dhe aktivitetet e ndryshme, nëse këta nuk janë duke kërkuar Perëndinë dhe as nuk po e gjejnë Atë atje? për të gjitha këto na ndiqni herën e ardhshme.