Tema sot është mjaft interesante. “A janë pak ata që do të shpëtohen?” Nëse ke sado pak dhembshuri për njerëzit që po humbin pa Krishtin, atëherë ndihesh keq edhe sikur një njeri i vetëm që mund të shkojë në ferr.
Çfarë mund të bësh t’i për të ndihmuar këta njerëz? A të ngacmon ideja se një shumicë njerëzish mund të humbasin? Por kur disa njerëz dëgjojnë për ferrin, u duket kaq e tmerrshme kjo gjë saqë nuk duan të kenë fare të bëjnë me Krishterimin, nëse ky mëson se shumë njerëz do të humbasin. Të tjerët, nuk i kthejnë plotësisht shpinën Krishterimit, por këta njerëz i përshtatin bindjet e tyre duke thënë se ndoshta mund të shpëtohen pa Jezusin, ose hedhin poshtë idenë e ferrit dhe thonë se në fund të gjithë do të shpëtohen.
” A janë pak ata që do të shpëtohen?” Ti mund ta bësh këtë pyetje për arsye të dhembshurisë, ose për mirësjellje. Ty personalisht mund të duket bindës mesazhi i Biblës, por kush je ti që thua se ti ke të drejtë, ndërsa shumë njerëz të tjerë e kanë gabim?
A nuk duket ky pohim i ashpër apo arrogant. Dhe nëse nuk je fare i krishterë, pse duhet të bëhesh, nëse kjo përfshin arrogancën dhe mungesën e tolerancës?
Mirësjellja a nuk duhet vallë të pranojë legjitimitetin e këndvështrimeve të tjera? Shumë njerëz në këtë botë besojnë në rrugët e tjera të shpëtimit, përvese në Jezusin. A mund ta kenë gabim gjithë këta njerëz?
” A janë pak ata që do të shpëtohen?” Dhembshuria dhe mirësjellja, mund të nxisë që të bësh këtë pyetje, por edhe sikur ta bësh, mos po e bën veç prej kuriozitetit? Dhe ky nuk është kuriozitet i sinqertë por kuriozitet sa për të kaluar kohën? Është më e lehtë të qëndrosh ulur dhe të bësh pyetje, se sa t’i përgjigjesh ftesës së Perëndisë dhe të fillosh të bësh atë që të thotë Ai. Nëse nuk je i krishterë, ndoshta ke dëshirë të debatosh statistikat në lidhje me faktin sa shumë apo sa pak njerëz do të shpëtohen dhe më pas të përballesh me mëkatin tënd dhe me nevojën personale për një Shpëtimtar. Dhe nëse je i Krishterë, mund të të pëlqejë të kalosh kohë me diskutime se çfarë ndodh me njerëzit që nuk dëgjojnë për Krishtin.
Kjo është pak më e lehtë se sa të kalosh kohë, energji dhe para për të bërë pjesën tënde, duke u siguruar që sa më shumë njerëz të jetë e mundur të dëgjojnë për Krishtin.
“A janë pak ata që do të shpëtohen?” Ndoshta e bën këtë pyetje thjesht nga frika. Shumë prej nesh janë frikacakë. Ne kemi frikë nga shumë gjëra, por më shumë frikë kemi nga pakica. Në fakt, më shumë i trembemi faktit e të qenit pakicë se sa të qenit i pa shpëtuar. Asgjë nuk na tremb më shumë se sa dalja kundër rrymës, të qenit mes atyre pak njerëzve që nuk bëjnë si gjithë të tjerët. Fëmijët frikësohen prej presionit të shokëve. Politikanët frikësohen prej sondazheve, madje edhe predikuesit shpesh kanë frikë se mos duken demode. Shumë njerëz ndërrojnë bindjet fetare ashtu siç ndërrojmë një veshje: ne veshim atë që është në modë, atë që preferohet nga të gjithë.
Sepse kush dëshiron të jetë i çuditshëm?!
Si frikacakë që jemi, shumica prej nesh dëshirojmë që të jemi pjesë e shumicës. Ne nuk mund ta durojmë idenë se e vërteta më e madhe në univers, mund ti përkasë një pakice njerëzish. Ne as nuk mund ta mendojmë se duhet ta ndajmë mendjen, pa verifikuar më parë se sa shumë apo sa pak njerëz bien dakord me ne. Ne do të preferonim të orientoheshim drejt turmës.
Prandaj kur Jezusi vjen me deklaratat e tij për shpëtimin, ti ndoshta nuk kënaqesh vetëm me faktin a është e vërtetë kjo apo jo? Ti ndoshta dëshiron të pyesësh se sa njerëz të tjerë pajtohen me Të dhe e pranojnë.
Dhe nëse zbulon se shifrat janë të vogla për pëlqimin tënd, atëherë ti mund ta kesh të vështirë të pranosh Jezusin.
“A janë pak ata që do të shpëtohen?” Këtë pyetje mund ta bëjmë për arsye të ndryshme, për: dhembshuri, mirësjellje, kuriozitet, frikë, apo një ndërthurje të këtyre. Por përgjigja cila është?
Çfarë thotë Jezusi?
A nuk do të ishte mirë që të shkoje te Jezusi ti vetë dhe ta pyesje Atë drejtpërdrejt: “Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?” Mirë e beson ose jo, ti mund ta bësh këtë, ose mund të dëgjosh përgjigjen ndërkohë që dikush tjetër e pyet Jezusin në vendin tënd? Te Luka 13 Bibla thotë se dikush e Pyeti Jezusin: “A janë pak ata që do të shpëtohen?” Jezusi u përgjigj:
“Dhe ai kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke mësuar, e kështu po i afrohej Jeruzalemit.
23 Dhe një njeri e pyeti: “Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?”. Ai u tha atyre:
24 “Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden.
25 Kur i zoti i shtëpisë është çuar dhe ka mbyllur derën, ju atëherë, që keni mbetur jashtë, do të filloni të trokitni në derë duke thënë: “Zot, Zot, na e hap”. Por ai, duke u përgjigjur, do të thotë: “Nuk e di nga vini”.
26 Atëherë do të filloni të thoni: “Po ne hëngrëm dhe pimë me ty dhe ti mësove ndër rrugët tona”.
27 Por ai do thotë: “Unë po ju them se nuk di nga vini; largohuni nga unë, të gjithë ju që bëni paudhësi”.
28 Atje do të jetë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh, kur të shihni Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa ju do të dëboheni përjashta.
29 Dhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu dhe nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në mbretërinë e Perëndisë.
30 Dhe ja, disa ndër të fundit do të jenë të parët, dhe disa nga të parët do të jenë të fundit.” (Luka 13:22-30)
Kjo ishte përgjigja e Jezusit për pyetjen: “Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?” Por çfarë lloj përgjigjeje është kjo? Ky njeri i bën Jezusit një pyetje të thjeshtë, por Jezusi nuk pranon të japë një përgjigje të thjeshtë. Në vend të kësaj ai i bën bisht pyetjes dhe i pyet të pranishmit se çfarë do të bënin ata si individë.
Dhe nëse ata presin që të kuptojnë nga fjalët e Jezusit përgjigjen e pyetjes, Ai duket se po i ngatërron ata qëllimisht. Së pari ai flet për derën e ngushtë dhe njerëzit që mbeten jashtë duke bërë të kuptueshme se jo të gjithë njerëzit do të shpëtohen. Më pas Ai flet për njerëzit që vijnë nga çdo drejtim, nga lindja, perëndimi, veriu dhe jugu, duke e bërë që të duket sikur çdo njeri shpëtohet, përveç një pakice të pafat. Atëherë Jezus, kush është kjo pakicë? A janë pak apo shumë ata që do të shpëtohen? A mund ta dimë përgjigjen?
Kështu pyesin ata njerëz. Por Jezusi nuk përgjigjet.
Në fakt Ai thotë: “Nuk është puna juaj kjo! Boll vratë mendjen për shifrat e të shpëtuarve dhe sigurohuni që ju vetë të jeni të shpëtuar.” Sepse e dini, shpëtimi nuk është çështje statistikash. Cilado qofshin shifrat, ajo gjë që keni më shumë nevojë të dini është se në qiell çdo person do të kalojë në portën qiellore një për një. Dera është e ngushtë. Ti nuk mund të shtyhesh për të hyrë si turmë. Prandaj bëj çfarë ke në dorë, që të kalosh përmes asaj dere të ngushtë.
Mendo sikur shkon në një stadium apo në një ngjarje të rëndësishme dhe në derën kryesore ka një kalim të ngushtë me një tub metalik përpara që pengon hyrjen e shumë njerëzve. E kam fjalën për ato dyert që lejojnë vetëm kalimin e një personi, ndoshta keni parë një të tillë në aeroporte apo supermarkete. Në këto lloj rrugësh është e pamundur që njerëzit të hyjnë në turma, veç një për një.
Pra ti kalon vetë përmes këtij kalimi dhe duhet të tregosh biletën tënde. Nëse nuk ke një biletë, ti nuk mund të hysh brenda. Ti nuk mund t’i thuash kontrollorit të biletave “Unë kam ardhur këtu me një turmë njerëzish dhe ata kanë bileta por unë nuk kam.” Kështu nuk ke për të kaluar askund. Të duhet një biletë për veten tënde.
Tani fakti që do të kalosh përmes një dere i vetëm nuk tregon aspak se sa njerëz do të jenë atje. Mund të jenë pak njerëz, por mund të jetë edhe një turmë e madhe. Ti nuk ke për ta mësuar këtë derisa të hysh vetë brenda.
Por ndërkohë, e rëndësishme është të hysh brenda. Nëse je me të vërtetë i emocionuar që të hysh në një ngjarje të caktuar, ti dëshiron të jesh i pranishëm , pavarësisht se sa e madhe do të jetë turma. Ti je i interesuar për ngjarjen dhe aspak për statistikat e pjesëmarrjes.
Imagjino sikur të qëndroje para portës kryesore të një stadiumi, pa bërë asnjë hap përpara dhe t’i thoshe kontrolluesit të biletave se nuk do të hysh brenda nëse nuk të tregon më parë numrin e plotë të njerëzve që do të jenë brenda. Ai do të shikonte në mënyrë të çuditshme dhe do të thoshte: “çfarë po thua? Ke ardhur për këtë ndeshje apo jo? Ndaje mendjen. Do të hysh brenda apo jo?
Dera për të hyrë në përjetësi është e ngushtë. Po, ajo është e ngushtë, thotë Jezusi. Atje mund të kalohet veç një për një. Ti qëndron para Perëndisë si individ, dhe fati yt i përjetshëm varet në marrëdhënien tënde personale me Të. Kjo nuk do të thotë se familjet dhe miqësitë, marrëdhëniet në kishë nuk vlejnë. Këto marrëdhënie mund të jenë një bekim dhe një inkurajim për ty. Por mos mendo se mund të hysh në portën qiellore duke u shtyrë në një turmë. Të duhet një biletë personale, para se Perëndia ta mbyllë derën përgjithmonë. Sa për pyetjen se sa njerëz mund të hyjnë në qiell, nuk ke për ta zbuluar asnjëherë derisa të kesh hyrë brenda vetë.