Një për një

Print

Titulli: Një për një (pjesa 2)

“Bëj çdo përpjekje për të kaluar përmes derës së ngushtë”, thotë Jezusi ” po ju them se shumë do të mundohen të hyjnë por nuk do të munden. Sapo pronari i shtëpisë hyn brenda dhe mbyll derën, ti do të mbetesh te dera duke trokitur e duke u lutur: ‘Zotëri hape derën për ne.’ Por ai do të përgjigjet, ‘as të njoh dhe as e di se nga vjen.”

Nëse e gjen veten jashtë duke kërkuar për këtë derë, nuk  ke pse përmend fare se ku ke lindur, apo se kë njohe në jetë. Po kështu nuk do të hyjë në punë as fakti se e dije diçka rreth Jezusit apo mësimeve të tij.

Jezusi i tha kështu atyre që po e dëgjonin:

“pastaj ti do të thuash: ‘Ne hëngrëm dhe pimë në një tryezë me ty dhe ti dhe mësim në rrugët tona.’ Më i afërt se kaq nuk mund të jesh apo jo, të hash e të pish në një tryezë me Zotin dhe të dëgjosh atë me veshët e tu. Por si përgjigjet Jezusi? “Unë nuk ju njoh. largohuni nga unë, të gjithë ju që bëni paudhësi!”

Të qenit familjarë me Jezusin nuk do të thotë asgjë. Ti duhet ti përgjigjesh Jezusit. Nëse mbetesh një i paudhë dhe nuk vjen te Jezusi për faljen dhe një mënyrë të re jetese, atëherë pavarësisht se sa familjar do të jesh ti me Jezusin, pavarësisht se çfarë prejardhje familjare ke, apo njohuri nga Bibla, a pavarësisht se në çfarë kishe shkon, apo në çfarë veprimtarish fetare shkon, asnjë prej këtyre nuk do të ndihmojë ti përgjigjesh Krishtit duke vendosur besimin tek ai përfundimisht. Fetë e ndryshme kanë këndvështrimin e tyre për Jezusin, por këto fe nuk do të ndihmojnë që të shpëtohesh nëse nuk e prezantojnë Jezusin si Birin e Perëndisë, të vetmin shpëtimtar për mëkatet e njeriut.

E vetmja rrugë shpëtimi prej mëkateve është me anë të besimit në Jezusin.

Prandaj mos mëso veç diçka të thjeshtë për Jezusin. Përgjigju atij. Mos qëndro duke vështruar përreth duke e parë nga larg derën e ngushtë. Bëj çdo përpjekje për të hyrë në të, para se dera të mbyllet dhe koha e hirit të Perëndisë të përfundojë dhe të ikë mundësia për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë.

Ti duhet të hysh personalisht dhe duhet të hysh tani. Më vonë mund të jetë tepër vonë.

Ende i pakënaqur?

Ja se si i përgjigjet Jezusi pyetjes: “A janë pak ata që do të shpëtohen?” Ti mund të mos jesh i kënaqur me përgjigjen. Ti mund të jesh ende kureshtar. Por Jezusi është shumë herë më i interesuar që të shpëtojë ty sesa të kënaqë kuriozitetin tënd. Teksa je duke bërë këto pyetje për shifrat, Jezusi vazhdon të të ftojë që të kalosh përmes derës së ngushtë. Sapo të jesh në qiell do të kesh mundësinë të shohësh vetë se sa e madhe është turma.

Nëse frika e të qenit ndryshe nga të tjerët, të shtyn të pyesësh se sa njerëz e ndjekin Jezusin, atëherë më vjen keq, por Jezusi nuk do të mundohet të të bindë ty me statistika, rezultate sondazhesh, dhe as unë nuk dua ta bëjë këtë. Duhet ta kuptosh mirë se Perëndia merret me njerëzit një nga një. Ti do të takohesh me Jezusi vetë për vetë. Besoji Jezusit si Zot, jo se të thonë miqtë apo familja, apo në bazë të asaj që thonë sondazhet për të.

Por besoji sepse ka arsye shumë më tepër fisnike për ti besuar Atij. Ndoshta mirësjellja apo ndjeshmëria jote të bën të mos ndihesh mirë me faktin se Jezusi është e vetmja rrugë. Ti fillon të bësh aritmetikë në kokën tënde dhe më pas përfundon duke menduar se shumë njerëz të zgjuar nuk e shohin Jezusin si të vetmen rrugë shpëtimi. A nuk duket arrogante që të thuash se ti e ke mirë ndërsa ata e kanë gabim?

Po, zakonisht është mirë të jesh i hapur për opinionet e të tjerëve dhe të mos ngulmosh gjithmonë në faktin se mënyra jote është e vetmja mënyrë. Por në këtë rast, nuk është çështja nëse e ke mirë apo gabim, por nëse Jezusi ka të drejtë.

Ti mund të jesh kaq i etur të pajtohesh me këdo që ke rrotull teje aq shumë sa që i vetmi me të cilin nuk bie dakord është Zoti Jezus Krisht. A nuk do të ishte e tmerrshme që teksa mundohesh që tu pëlqesh të gjithëve, përfundon duke e quajtur gënjeshtar Birin e Perëndisë. Unë nuk mund të mendoj diçka më të ashpër dhe më arrogante se sa kjo. Kjo do të thotë se ti di më shumë se Jezusi, se ti di më shumë se Dikush që di gjithçka. Më keq akoma, kjo do të thotë të refuzosh personin më të dashur në univers, Personin që derdhi gjakun e Tij dhe dha jetën e Tij për të treguar rrugën për në qiell.

Po dhembshuria? Ndoshta ti ndihesh tepër i shqetësuar për njerëzit që rrezikojnë ferrin. Nëse Jezusi është e vetmja rrugë, atëherë çfarë do të ndodhë me njerëzit që nuk kanë dëgjuar asnjëherë për Jezusin? Çfarë do të ndodhë me njerëzit që u rritën me një fe tjetër?

Çfarë do të ndodhë me njerëzit që dëgjuan për Jezusin por nuk e morën asnjëherë seriozisht Atë? A nuk do të mërziten njerëzit e dhembshur nëse vetëm pak njerëz do të shpëtohen?

Më vjen mirë që ke dhembshuri për të tjerët, por më lejo të pyes: A mendon me të vërtetë se je më i dhembshur se Perëndia? A mendon se Perëndia do të shkatërrojë njerëzit vetëm se i pëlqen argëtimi? Nëse po, atëherë ke shumë për të mësuar rreth Perëndisë. Bibla thotë se “Perëndia është dashuri”. Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.” (Psalmi 103:8) Nëse dikush bie nën zemërimin dhe gjykimin e Perëndisë, kjo nuk do të jetë se mungon dhembshuria por sepse ia kanë kthyer shpinën Perëndisë.

Jezusi refuzon t’i përgjigjet pyetjes sonë për shifrat, edhe sikur të nxitet nga dhembshuria Ai nuk pranon të thotë shifra. Jezusi refuzon që të na lejojë të deshifrojmë dhembshurinë e Perëndisë në statistika. Jezusi refuzon të plotësojë idenë se ne jemi në gjendje të gjykojmë rrugët e Perëndisë. Perëndia është gjykatësi im. Nuk jam unë gjykatësi i tij. Perëndia nuk ka nevojë për miratimin tim për sa i takon numrit të njerëzve që Ai ka vendosur të shpëtojë. Unë, kam nevojë për miratimin e Tij para se të shpëtohem.

Prandaj kur pyes: “Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen? Çfarë do të bësh me këtë apo atë grup njerëzish?” Jezusi përgjigjet: “Nuk është puna jote. Ti nuk je Gjykatësi i tokës, por është Perëndia. Thjesht sigurohu që të hysh përmes derës së ngushtë dhe tregoju sa më shumë njerëzve për derën e ngushtë. Lërja Perëndisë në dorë pastaj. Lëre Perëndinë të shqetësohet për statistikat. “Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?” (Zanafilla 18:25)

Surpriza hyjnore

Është pak me rrezik të hamendësosh se si do të gjykojë Perëndia një njeri apo klasë të caktuar njerëzish. Thjesht shiko se si reagoi Jezusi për njerëzit më të admirueshëm dhe të respektueshëm të kohës së Tij, njerëz që pritej nga të gjithë që të shkonin në qiell. Jezusi i quajti ata thjesht mëkatarë. Dhe si i’u përgjigj Jezusi atyre që ishin më të korruptuarit, më të neveritshmit, e që të gjithë mendonin se nuk do t’ia dilnin? Ai i pranoi ata me fjalë të ngrohta faljeje dhe me një fillim të ri. Për shkak se Jezusi është Ai që është, qielli do të jetë plot me surpriza.

Shumë prej atyre që hëngrën në një tryezë me Jezusin dhe dëgjuan me veshët e tyre fjalët e Tij, nuk do të mungojnë në qiell, ndërsa njerëz që priteshin të pranoheshin nga lindja dhe perëndimi, veriu dhe jugu, do të mirëpriten të festojnë në mbretërinë e Perëndisë.

“Dhe ja, disa ndër të fundit do të jenë të parët, dhe disa nga të parët do të jenë të fundit.”

Tek e fundit, gjithë përllogaritjet tona dhe parashikimet janë të kota, për faktin e thjeshtë se Perëndia është Ai që është. Nga ana tjetër, Zoti është i shenjtë dhe i drejtë dhe Ai nuk e toleron aspak mëkatin. Ai urren çdo lloj mëkati, shumë më tepër se sa mund ta imagjinojmë ti edhe unë. Perëndia kundërshton plotësisht dhe përjetësisht ligësinë, e çfarëdo lloji qoftë ajo. Ne mund të pyesim: “çfarë do të ndodhë me gjithë ata njerëz të varfër dhe të pafajshëm?” Por në dritën shkëlqyese të shenjtërisë së Perëndisë, nuk ekzistojnë “njerëz të pafajshëm.” Bibla thotë: ” Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur.” (Isaia 64:6) Edhe ata që na bëjnë përshtypje si njerëzit më të mirë, janë gjithsesi mëkatarë të këqij që nuk kanë të drejtë të kërkojnë asgjë prej Perëndisë. Pastërtia absolute e Perëndisë do të thotë se Ai mund të marrë njerëzit më të mirë të tokës dhe t’i dërgojë ata drejt e në ferr dhe të mos e ketë fare problem për ta bërë.

Nga ana tjetër, Perëndia është kaq i dashur, kaq i mëshirshëm, kaq i mirë, kaq i hirshëm, kaq i mëshirshëm sa që mund të falë dhe të afrojë pranë vetes mëkatarët më të tmerrshëm. Perëndia është kaq i shenjtë sa që mund të dënojë më të mirin nga ne, por Ai është kaq i dashur sa që mund të shpëtojë më të keqin prej nesh.

Zoti Jezus Krisht, la mënjanë lavdinë e Tij për të jetuar mes mëkatarëve dhe Ai sakrifikoi jetën e Tij për të shpëtuar armiqtë e Tij. Kjo është arsyeja përse çdo i krishterë mund të jehojë fjalët e apostullit Pal: ” Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. ” (1 Timoteu 1:15) Ja se përse shërben kjo: ta shohësh veten si mëkatarin më të keq dhe të kthehesh te Jezusi për t’i besuar Jezusit si Shpëtimtarit.

Kur vjen te Jezusi, kur qëndron te dera e ngushtë, është si emocionuese ashtu edhe tmerruese. Ti nuk mund të fshihesh në një turmë. Ti qëndron vetëm në praninë e Gjykatësit, shenjtëria e të cilit të tregon mëkatin e frikshëm dhe të shpifur. Në të njëjtën kohë ti qëndron në praninë e Shpëtimtarit kaq të dashur, Atij që derdhi gjakun e jetës së tij për të larë mëkatet e tua dhe për ta mbushur jetën tënde me dashuri, gëzim dhe paqe. Para asaj dere të ngushtë, në praninë e këtij Jezusi, do t’i lesh pas turmat. Lër pas gjithë bagazhet dhe kualifikimet e tua. Hyr brenda, duke u bazuar tërësisht në biletën që Krishti bleu për ty me gjakun e tij.

A janë pak ata që do të shpëtohen? Vetëm Perëndia e di dhe, Ai nuk po thotë se sa shumë do të shpëtohen.

Perëndia po thotë se nuk ka rëndësi se sa i mirë je ti sipas mendimit tënd, ti ke nevojë të shpëtohesh; dhe nuk ka rëndësi se sa i keq mendon se je, ti mund të shpëtohesh. Pra bëj çdo përpjekje për të kaluar përmes derës së ngushtë, asaj dere që i lejon njerëzit të hyjnë vetëm një për një.

Interesante si temë apo jo? Shpresoj të jeni nxitur sado pak për të kërkuar Perëndinë që zbulohet në Bibël, Jezusin, të vetmen rrugë shpëtimi.