Fillojmë pa humbur kohë me temën tonë. Bibla na sfidon që të besojmë se tri personat hyjnorë kanë të njëjtën natyrë hyjnore. Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë nuk janë i njëjti person, por janë të bashkuar në të njëjtën qenie. Ata dallojnë nga njëri-tjetri, por nuk janë të ndarë dhe as nuk janë të pavarur nga njëri-tjetri. Të tre ndajnë të njëjtën natyrë hyjnore dhe janë të bashkuar në një qenie hyjnore. Kështu kanë qenë qysh prej përjetësisë, në të kaluarën, pikërisht tani, dhe kështu do të jenë në të ardhmen e përjetshme.
Ne e kemi zakon t’i mendojmë personat si individë të ndarë, kështu që e kemi vështirë të mendojmë tri persona në një. Por pse të mendojmë se Perëndia mund të reduktohet në nivelin tonë dhe të kuptohet sipas botëkuptimit tonë? Perëndia jo vetëm që është personal, Ai është më shumë se sa kaq. Perëndia nuk është vetëm një Person por një bashkim personal i tri Personave hyjnorë.
Misteri i faktit që Perëndia është një, lidhet me një tjetër fakt të mrekullueshëm, atë që Perëndia është dashuri, një dashuri që ka bashkuar përgjithmonë personat e Trinitetit me njëri-tjetrin.
Në asnjë mënyrë nuk mund të kuptojmë apo përshkruajmë plotësisht këtë bashkësi të Atit, Birit, Frymës së Shenjtë, duke qenë se Perëndia kapërcen çdo krahasim tokësor, që mund të përdorim. Por mbase mund ta kuptojmë paska këtë dashuri unifikuese nëse sjellim shembullin e një burri dhe një gruaje, që kanë shijuar një martese të gjatë dhe të dashur. Ndonjëherë të dy kanë të njëjtin mendim në të njëjtën kohë, ose e dinë si ndihet personi tjetër pa folur qoftë edhe një fjalë. Ata kanë qëndruar së bashku kaq gjatë, duke e dashur njëri tjetrin aq shumë, duke e njohur njëri- tjetrin aq mirë, sa që ata pothuajse gjithmonë mendojnë, ndiejnë dhe veprojnë si një person i vetëm.
Tani merre këtë shembull dhe shumëzoje atë pafundësisht. Dashuria mes Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, është tej mase më e madhe se dashuria mes burrit dhe gruas. Jo vetëm kaq, por Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë kanë ekzistuar së bashku në harmoni të përsosur, jo thjesht për disa dekada, por për tërë përjetësinë. Kur Bibla thotë “Perëndia është dashuri”, këtë mund ta themi jo për shkak se Perëndia është i dashuruar me ne, por edhe sepse qenia e brendshme e Perëndisë karakterizohet prej dashurisë së përjetshme që bashkon Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë. Tri personat hyjnorë, kanë qenë përgjithmonë të bashkuar prej dashurisë së tyre të përbashkët, dhe po ashtu dashuria është në thelb të qenies së tyre. Do të kthehemi sërish në studio pas çastit muzikor.
Perëndia i Arkadisë?
Është e pamundur të kesh një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë teksa je pjesë e një feje e cila mohon Trinitetin dhe nuk pranon Krishtin si Zot. Unë kam dëgjuar që disa njerëz thonë:” Edhe pse disa njerëz nuk besojnë në Jezusin, të paktën të gjithë ne besojmë në të njëjtin Perëndi.” Apo s’është kështu?
Por si mund të refuzojmë Jezusin dhe të jemi në një raport të drejtë me Perëndinë Atë. Jezusi shpalli: ” Kush më urren mua, urren edhe Atin tim.” (Gjoni 15:23) Ne nuk besojmë të gjithë tek i njëjti Perëndi. Çdo fe që refuzon Trinitetin, refuzon Perëndinë, sepse Triniteti është Perëndi. Nuk ka Perëndi tjetër veç Atit, Birit dhe Frymës.
Nuk e di se sa prej jush e kanë ndjekur serialin televiziv amerikan “Joana e Arkadisë”. Në të bëhet fjalë për një vajzë që takon Perëndinë në forma të ndryshme njerëzore Ajo flet me perëndinë dhe kryen detyrat që i caktohen. Disa njerëz, përfshi këtu shumë të krishterë nëpër botë e shohin këtë shfaqje si një ndihmë e madhe për publikun, ndryshe prej shumë programeve të tjera, dhe atyre i pëlqen tematika shpirtërore e tij. Por ky spektakël është shumë më i keq, për shumë arsye, krahasuar me spektakle të tjera që janë të mbushura me skena seksi dhe dhune. Është diçka e keqe të shfrytëzosh seksualitetin njerëzor, dhe të lartësosh shkatërrimin e jetës njerëzore, por më keq akoma është të zvogëlosh Perëndinë e mrekullueshëm dhe të mohosh Personin e Tij të vërtetë.
Në një nga episodet e serialit televiziv “Joana e Arkadisë”, personazhi që luan “Perëndinë” thotë se ai është Perëndia i Biblës dhe i çdo besimi tjetër.
– “Jam i njëjti Perëndi”, thotë ai.
Por a është i njëjtë Perëndia i Biblës me atë të besimeve të tjera? Bibla thotë se Jezusi është Zot dhe tregon se Perëndia është trinitet, ndërsa besimet e tjera nuk bien dakord me këtë. Askush nuk është i njëjtë me Perëndinë e Biblës!
Seriali“Joana e Arkadisë” ka një rregull që Perëndia nuk do të identifikohet me asnjë fe të veçantë. Me sa duket producentët e programit i tremben më shumë faktit se ofendojnë teleshikuesit e tyre se sa faktit që fyejnë Perëndinë. Perëndia i këtij spektakli televiziv është një zgjedhje stilistike dramatike për të eksploruar problemet dhe zgjedhjet njerëzore. Kjo qasje mund të tërheqë një audiencë më të gjerë, dhe mund të sjellë më shumë para me reklamat, por mohon Perëndinë e vërtetë, Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë.
Bibla na paralajmëron kundër bërjes së imazheve të Perëndisë por ky program televiziv sjell çdo javë një imazh të ndryshëm të Perëndisë. Bibla thotë se Perëndia, Biri, mori natyrë njerëzore vetëm një herë, në personin e Jezusit, por tek “Joana e Arkadisë” Perëndia shfaqet në shumë forma të ndryshme njerëzore. Kjo është një dramë interesante. Por njëkohësisht është herezi dhe blasfemi. Fakti që shumë njerëz që shkojnë në kishë e pëlqejnë këtë shfaqje është një simptomë që tregon se sa larg Biblës, Fjalës së Perëndisë, kanë shkuar disa shoqëri apo kisha.
Neve na pëlqen pothuajse çdo version i Perëndisë përveç Perëndisë që ka Bibla. Ne jemi dembelë dhe nuk na pëlqen të studiojmë Shkrimin e të mendojmë për Trinitetin. Do të parapëlqenim që teologjinë ta merrnim përmes Hollivudit. (sh,i.p pra filmave)
Të lidhesh me Perëndinë
Me qëllim që të kemi një marrëdhënie të shëndetshme me Perëndinë, ne duhet të dimë se kush është Perëndia dhe si të vijmë tek Ai. Jezusi thotë, ” Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6), po ashtu Ai thotë, ” Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq pranë vetes …” (Gjoni 6:44) Shpëtimi është një vepër që përfshin Atin dhe Birin. Dhe Ati dhe Biri nuk bëjnë asgjë pa praninë e Frymës së Shenjtë. “Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij.” (Romakëve 8:9)
Çdo person i Trinitetit është i rëndësishëm në veprën e Shpëtimit dhe në themelimin e mbretërisë së dashurisë së Perëndisë. Përfundimisht, qëllimi i Perëndisë është që njerëzit e Tij të bëhen një në dashuri, në një mënyrë që reflekton disi unitetin e dashurisë brenda Trinitetit. (Gjoni 17:11) Perëndia është dashuri, si në dashurinë e përjetshme që personat e Trinitetit kanë për njëri tjetrin, ashtu edhe në mënyrën se si Ai lidhet me njerëzit e tij.
Nuk ka asgjë më të mrekullueshme, apo më të nevojshme se të tërhiqesh në besimin e gjallë, drejt këtij Perëndie të mrekullueshëm. Unë lutem që teksa kam ndarë me ty atë që Perëndia thotë për veten, Zoti të ka tërhequr drejt njohurisë së shpëtimit.
Nëse ti je tashmë i krishterë, nëse rrëfen se Perëndia është një, në tri persona, nëse je pagëzuar në emër të Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, shpresoj që tani të jesh mbushur me gëzimin që e njeh Perëndinë dhe, të duash ta njohësh Atë më mirë. Në mendjen tonë nuk mund të kuptojmë plotësisht të vërtetat e thella, të cilat Perëndia trinitet i zbulon për veten. Por në zemrat tona me mund të përulemi në adhurim para madhështisë dhe misterit të këtyre tre personave të mrekullueshëm, të përjetshëm që bashkohen në një perëndi të përsosur , i Cili tejkalon tërë imagjinatën dhe përshkrimin njerëzor.
Dhe ne mund të presim me padurim ditën kur nuk do të shohim në mënyrë të turbullt, por do të shohim qartë dhe drejtpërdrejtë , e do të kemi tërë përjetësinë për të shijuar jetën dhe dashurinë e Trinitetit të bekuar.
Këtu kemi përfunduar edhe temën tonë për Perëndinë Trinitet. Shpresoj të jeni inkurajuar sado pak. Ju ftoj të na ndiqni herën e ardhshme me një tjetër temë interesante. Mirë u dëgjofshim!