1 Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u mor vesh se ai gjendej në shtëpi;
2 dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën.
3 Atëherë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.
4 Por, duke qenë se nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.
5 Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!”.
6 Por aty po rrinin ulur disa skribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin:
7 “Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?”.
8 Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: “Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?
9 Çfarë është më lehtë: t’i thuash të paralizuarit: “Mëkatet e tua të janë falur”, apo t’i thuash: “Çohu, merre vigun tënd dhe ec”?
10 Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi dhe,
11 unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!””.
12 Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: “Një gjë të tillë s’e kemi parë kurrë!”.
Unë mendoj se duhet të ketë qenë një kujtim shumë i bukur dhe i paharrueshëm për të gjithë ata që ishin të pranishëm atë ditë. Unë jam i sigurt se ka ngelur gjatë në kujtesën e tyre. Dhe jam i sigurt se vite më vonë ata do t’i thoshin njëri- tjetrit: “të kujtohet kur ishim në shtëpinë e Jezusit dhe po dëgjonin atë, kur papritur një djalosh zbriti nga e çara e çatisë ndihmuar prej shokëve të tij? Hej ajo ishte ngjarje e veçantë apo jo?!”
Sa do të doja që të isha edhe unë atje, kur kjo ndodhi. A nuk do të doje edhe ti?
C’është e vërteta kjo është një histori shumë e thjeshtë dhe shumë e drejtpërdrejtë. Ne këtu shohim vetëm faktet, pra nuk dimë fare detajet.
Ngjarja ndodh në Kapernaum, qyteti që mund ta quajmë si “ shtëpia e re” e Jezusit gjatë shërbesës së Tij.
Kapernuami është një qytet në veriperëndim të detit të Galilesë, rreth 20 kilometra, në rrugën për në Nazaret, qyteti ku Jezusi u rrit, rreth 160 kilometra në veri të Jeruzalemit. Kjo ngjarje është në fillim të shërbesës së Jezusit.
Ai sapo kishte filluar shërbesën dhe ende nuk kishte formuar skuadrën e vet të dishepujve.
Sidoqoftë, Jezusi tashmë ishte bërë shumë i famshëm. Njerëzit po vinin në turma për të dëgjuar prej tij, sikurse mund ta kuptoni në vargun 2, sepse shtëpia ishte aq plot sa nuk nxinte më njerëz.
Në këtë skenë shfaqet në histori djaloshi i paralizuar. Ne dimë shumë pak rreth tij; sepse është hera e parë që ai përmendet dhe pas kësaj historie nuk dëgjohet më për të.
Përveç kësaj, fjala “paralizë”, është një fjalë e përgjithshme që nënkupton se ai mund të ketë qenë paraplegjik, katraplegjik, apo i paralizuar në njërën anë. Këto mund të ishin shkaktuar gjatë një aksidenti , një goditjeje, apo sëmundje, a defekti në lindje.
Ne nuk kemi asnjë të dhënë për shkaktarët e gjendjes së tij. E vetmja gjë që dimë është se katër miqtë e tij e sjellin atë para Jezusit për ta shëruar.
Dhe atje ndodhën gjëra të mëdha!
- Së pari, dhe mbi të gjitha ne duhet të kuptojmë se kjo histori flet për ungjillin. Këtë e kuptojmë menjëherë.
Themi se është ungjilli, sepse një person ka nevoja të caktuara ai vjen te Jezusi dhe merr shërimin.
Ky është ungjilli i mrekullueshëm me thjeshtësinë e tij: të vijmë te Jezusi me gjithë nevojat tona, dhe të gjejmë shërim. Ky është thelbi i historisë dhe ne nuk duhet ta humbasim këtë.
Imagjino sikur je atje dhe, kjo dramë ndodh para syve të tu. Ky djalë ka qenë i paralizuar për shumë vite, ndoshta gjithë jetën, dhe tani po takon Jezusin.
Jezusi e shëron atë duke i dhuruar falje për mëkatet; ky është ungjilli. Dhe Jezusi e shëron duke i thënë që të marrë vigun e vet dhe të largohet me këmbët e veta, pikërisht para syve të turmës të mbledhur në shtëpinë e Jezusit. Ky është Ungjilli, një person i shëruar? Jo vetëm kaq por sërish i plotë.
Në këtë histori ka shumë gjëra që lidhen me Ungjillin. E para është për identitetin e Jezusit. Ai lindi dhe u rrit në lagjen dhe rrugët e Nazaretit, u rrit derisa u bë djalë, më pas u pagëzua prej Gjon Pagëzorit, dhe filloi të predikonte, shumë njerëz e ndoqën nga pas.
Por veç kësaj, ne shohim te Jezusi personin e tretë të Trinitetit, Perëndia i mishëruar në mish, i Cili zbriti në tokë të banojë mes nesh, si Biri i shenjtë i Perëndisë, plot me hir dhe të vërtetë. Pra kur thua “Jezusi është në atë shtëpi”, është njëlloj si të thuash: “Perëndia është në atë shtëpi”.
Ky është vlerësimi i parë që bëjmë në këtë histori.
Një çështje tjetër është se ky djalë është shumë nevojtar. Dhe një pjesë e nevojës së tij është e dukshme. Çdo njeri mund ta kuptojë dhe ta shohë qartë se ai nuk mund të ecë. Ajo që nuk është e dukshme është se ai është mëkatar dhe duhet të pastrohet prej mëkateve.
Pra ai sjell nevojat e tij para Jezusit, një trup të thyer dhe një frymë të thyer. Dhe për këtë arsye çdo njeri tjetër mes turmës, duhet të ketë menduar se kjo nuk është nevojshme pasi është e padukshme.
Pra nuk është një situatë ku turma mendon se edhe pse ai është në këtë gjendje, përsëri nuk ka problem. Jo nuk është kështu situata atje, sepse të gjithë janë të thyer, në një mënyrë ose në tjetrën, apo në shkallë të ndryshme.
Diçka tjetër e rëndësishme që vërejmë në këtë histori është qëllimi i mrekullisë. Jezusi do të bëjë një mrekulli dhe ne duhet të kuptojmë se qëllimi i kësaj mrekullie nuk është para së gjithash që djaloshi të ngrihet në këmbë dhe të ecë, por që Jezusi të shpalosë veten e Tij si Biri i Perëndisë, e të zbulojë fuqinë dhe lavdinë e Perëndisë.
Pra këtu është drama e ungjillit: njerëzit e thyer takohen me Perëndinë përmes Jezus Krishtit.
- Tani, nëse harrojmë për një çast çfarë ndodhi në histori, do të doja të kthehemi pak mbrapa në kohë, para se i paralizuari të shërohej.
Unë mendoj se disa vlerësime të nxituara duhen shmangur. Pse e them këtë? Sepse duhet të bëjmë disa arsyetime para se të kuptojmë domethënien e asaj që NDODHI. Pra unë dëshiroj të theksoj disa gjëra që ne mund të prisnim nga kjo situatë, por që ne nuk i shohim në histori.
Së pari, nuk kemi asnjë shpjegim se përse ky njeri ishte paralizuar. Siç ju thashë pak më parë, nuk dimë arsyet e paralizës së tij, përse dhe sa kohë kishte në këtë gjendje. Me sa duket kjo nuk është fare e rëndësishme në histori. Gjëja e rëndësishme këtu është se ai ka nevojë për Jezusin. Këtu gjejmë një mësim shumë të rëndësishëm: Kur njerëzit kanë nevojë për Jezusin, nuk ka rëndësi “arsyeja”, apo që ne vetë të dimë “arsyen”, por ajo që duhet të bëjmë është thjesht të kujdesemi për ta e ti sjellim para Jezusit.
Së dyti, vini re se këta miq, nuk bëjnë atë që ne si njerëz modernë priremi të bëjmë, kur i themi dikujt të mbledhë veten dhe të bëjë diçka për të zgjidhur situatën.
Pra ata nuk i thanë djaloshit se duhet të mësohej me këtë gjendje dhe se duhet t’ia dilte mbanë i vetëm. Pra ai ishte i shtrirë në vig.
Ata pranuan faktin se ai ishte nevojtar dhe që dikush duhet ta ndihmonte. A të vijnë ndër mend situata kur dikush pranë teje, ka pasur një nevojë të madhe, dhe e vetmja gjë që ai dëgjoi prej të tjerëve ishin fjalët: “Mos rri më, bëj diçka për veten, duhet të dalësh prej kësaj situate.”
Së treti, ata nuk i thanë atij: “Unë do të lutem për ty”.
Tani më kujtohet një kohë kur unë i thoja njerëzve këto fjalë, ndërkohë që ata kishin nevojë që unë të bëja diçka më shumë dhe jo thjesht të lutesha. Ndoshta ti ke përjetuar të njëjtën gjë.
Ti kishe nevojë për kujdesin dhe ndihmën e të tjerëve, por e vetmja gjë që more ishte klisheja e njohur:”Mirë do të lutemi për ty”. Lutja është diçka shumë e mirë, dhe nuk ka asgjë të keqe tu themi njerëzve se do të lutemi për ta, por faktikisht kjo mund të lëndojë ndonjëherë, sepse njerëzit kanë nevojë për shumë më tepër se sa thjesht lutja.
Ata kanë nevojë për ndihmën tonë, ndaj duhet të ngrihemi dhe ti mbartim drejt destinacionit, ku nevoja e tyre do të përmbushet. Pra veç lutjes njerëzit kanë nevojë për të vepruar konkretisht.
Dhe së katërti ne duhet të vemi re se Jezusi nuk vrau mendjen dhe nuk murmuriti diçka, për të pohuar vështirësinë e problemit, as nuk tha se është një problem i vështirë për tu menaxhuar.
Sa e mrekullueshme është kur mendojmë se Jezusi nuk pati këtë përqasje me të paralizuarin.
Unë jam i sigurt se ka pasur raste në jetën tonë, kur edhe ne kemi pyetur veten nëse nevojat tona personale ishin shumë të mëdha apo shumë komplekse për tu menaxhuar prej Jezusit, ndaj edhe kemi rënë në tundimin e dëshpërimit.
Por dashuria dhe fuqia e Krishtit nuk ka kufi.
Kjo histori e tregon shumë qartë këtë. Nuk ekziston asnjë nevojë njerëzore që Jezusi të mos jetë në gjendje ta plotësojë.
Dhe gjëja kryesore që dua të vesh re këtu është se Jezusi nuk tha: “Unë do të merrem me mëkatet e tua sepse ato janë gjëja më e rëndësishme, por mos u shqetëso në lidhje me paralizën. Sepse unë jam i interesuar për shpirtin tënd më shumë se çdo gjë tjetër.” Jo, Jezusi nuk i ndau nevojat nga njëra tjetra. Ai u mor me shpirtin dhe me trupin e tij.
Ai tha: “mëkatet e tua janë falur” dhe më pas tha “çohu dhe ec. Sepse kam shëruar edhe trupin tënd.”
Pra, siç mund ta kuptoni, nga kjo histori mund të mësojmë shumë gjëra, përtej asaj që nuk ndodhi.
Çfarë ndodh do ta shohim së bashku herën e ardhshme.