Ju kujtoj edhe njëherë referencën për programin tonë sot. Historia e të paralizuarit nga Kapernaumi, që mund ta gjeni te Marku kapitulli 2. Folëm herën e kaluar për gjërat që ndodhën dhe ato që nuk ndodhën në këtë histori.
Tani, dëshiroj të ndalemi te:
Katër miqtë që e mbartën atë.
Vini re vargun 3, te kapitulli 2 i Markut:
“që po e bartnin katër vetë.” Zakonisht kur lexojmë këtë histori dhe e studiojmë me shumë vëmendje, fokusohemi te Jezusi, i Cili mundësoi këtë shërim si Biri i Perëndisë, dhe kjo gjë na mahnit.
Ose bëjmë këtë tjetrën: mahnitemi se si i paralizuari u shërua dhe, gëzohemi shumë për të.
Ose irritohemi me mësuesit e ligjit, që vështruan gjithë ngjarjen dhe kundërshtuan këtë vepër shërimi.
Pra ky është qëndrimi ynë në shumicën e rasteve. Ne harrojmë personat kyç në këtë histori.
Po, është e vërtetë se Jezusi bëri shërimin. Por këta katër miq, janë personat që mundësuan mbërritjen te shtëpia e Jezusit për të marrë shërimin, sikurse do ta shohim. Ata përbënin një skuadër shumë të mirë dhe strategjike; ata përbënin lidhjen mes këtij njeriu nevojtar dhe fuqisë shëruese të Jezusit.
Ata na tregojnë se duhet punë skuadre që gjërat të bëhen si duhet. Por çfarë duhet për tu bërë një skuadër e tillë?
Pikërisht për këtë do të flasim sot. Më lejoni t’ju tregoj katër karakteristika të rëndësishme të kësaj skuadre.
Së pari, ata nuk ishin egoistë. Njerëzit që i çojnë të tjerët te Krishti nuk duhet të jenë egoistë, ose në të kundërt nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë.
Mendoni pak për këta katër djem. Unë nuk i njoh se kush janë, por mendoj se duhet të kenë pasur gjëra të tjera interesante për të bërë. Ndoshta ata ishin njerëz të zënë me shumë punë, ashtu si ne. Ndoshta ata duhet të shkonin në punë, duhet të plotësonin nevojat familjare, apo të bënin pazaret, me pak fjalë një listë me gjëra “për tu bërë”.
Ndaj ata shumë mirë mund të kishin thënë: “Do të doja shumë të të ndihmoja, por më duhet merrem me punët e mia, kam këtë dhe atë punë për të bërë. Ndoshta e lemë për një ditë tjetër, si thua?” Sa shpesh e themi ne këtë!
Por nuk i dëgjojmë këto fjalë këtu. Ata lanë punën që ishin duke bërë, e panë njëri-tjetrin në sy dhe thanë: “Le të bëjmë diçka për të, tani”. Kështu pra u kujdesën për të, e vunë në vig dhe e çuan para Jezusit, pavarësisht planeve që kishin për atë ditë.
Së dyti, ata ishin njerëz shumë krijues. Ata kaluan pengesa të mëdha, vetëm prej dëshirës për ta çuar këtë djalë te Jezusi. Së pari ai nuk mund të ecte, kështu që duhej gjetur mënyra për të shkuar atje.
Kjo ishte pengesa e parë. Ata nuk mund të hynin në shtëpi, sepse tashmë ajo ishte mbushur plot.
Por si mund të futej një i paralizuar në një dhomë ku me zor mund të hynte duke u shtyrë, një njeri normal që mund të ecë! Gjithsesi katër djemtë nuk hoqën dorë. Ata nuk thanë: “Shiko, ne duam të të ndihmojmë, por duket e pamundur, është e kotë të mundohemi.” Me krijimtari dhe ngulmim, ata e vranë mendjen derisa gjetën një zgjidhje. Zgjidhja do të ishte kjo: do të vendosnin shkallët nga jashtë, dhe do ta hipnin në çati edhe vigun.
A mund të imagjinoni sa u çuditën njerëzit brenda në shtëpi, që po dëgjonin Jezusin ashtu ngjeshur njëri pas tjetrit, ndërkohë që dëgjohet një zhurmë nga çatia, pastaj ca goditje dhe disa të çara në çati dhe, në fund drita e diellit shfaqet, pikërisht mbi kokat e tyre, dhe diçka fillon të zbresë poshtë me një vig. Ndërkohë të gjithë njerëzit shikojnë njëri- tjetrin dhe thonë: “Uuauu? Nuk më besohet!”
Kjo është mendje mprehtësi! Kjo është krijimtari!
Kujt ti ketë shkuar në mendje një plan kaq krijues?! Asgjë nuk do t’i pengonte për të realizuar punën e tyre. Pra ne mund të mësojmë shumë prej tyre.
Në përpjekjet tona për të arritur të tjerët për Krishtin ne dorëzohemi shumë shpejt dhe themi: “Nuk mundemi” dhe, ndoshta shumë prej metodave të përdorura sot nuk funksionojnë më, por nëse është kështu atëherë duhet të rrisim krijimtarinë tonë që puna të realizohet dhe ne të arrijmë qëllimin.
Ne duhet të themi në zemrën tonë: “Gjej një mënyrë, krijo një mënyrë dhe, mos hiq dorë derisa ta kesh gjetur!”
Pra katër djemtë nuk ishin krenarë dhe ishin krijues. Tani më lejoni të shtoj një tipar tjetër. Ata bashkëpunonin me njëri- tjetrin. Tani besoj se pamja në sytë e tu po qartësohet më shumë.
Nëse ishte vig, dhe vigu mbartej prej katër njerëzve, na shkon në mendje mendimi se në çdo anë të vigut kishte një djalë.
Dhe po kështu kur mendojmë se vigu ulet, përfytyrojmë se kjo është bërë më litarë dhe duhet të ketë pasur katër litarë, nga një për çdo anë.
Tani, le të luajmë pak me imagjinatën tonë, si thoni?
Le të mendojmë se këta djem dëshironin ndihmonin të paralizuarin, por nuk po binin dakord se ku ta çonin: njëri thoshte ta çonin te Jezusi, tjetri te Gjon Pagëzori, më pas dikush thoshte se në lagjen aty pranë ishte një mësues hebre që kishte besim shërues. Pra me pak fjalë mendo sikur ata të mos binin dakord.
Nëse do të ishte kështu, i paralizuari nuk do të merrte ndihmën që kishte nevojë, sepse këta djem nuk po binin dakord.
Ose mendo sikur ata po e ulin të paralizuarin poshtë, secili duke mbajtur litarin e tij, dhe njëri prej tyre nuk është i vëmendshëm, por hedh sytë rrotull.
Po të ishe në vend të të paralizuarit, a do t’i zije besë katër djemve që do të ulnin vigun me litarë, pa treguar kujdesin e duhur!?
Bashkëpunimi mes katër djemve bëri që ata ta ulin me kujdes të paralizuarin dhe, jo thjesht ta linin atë të binte nga çatia në tokë! Ai mori ndihmën e nevojshme për shkak të bashkëpunimit të tyre.
Dhe tani më lejoni t’ju tregoj diçka tjetër, karakteristikën e tyre të katërt. Ti mund ta lexosh këtë në vargun 5 te kapitulli 2 i Ungjillit të Markut.
Ata ishin njerëz me besim. Mos e kalo këtë shumë shpejt pa i kushtuar shumë vëmendje. Jezusi nuk thotë se kur pa “besimin e tij” ( pra në njëjës). Por ai thotë “besimin e tyre”, që është në shumës.
Kjo është shumë e rëndësishme. Jezusi nuk shikon vetëm të paralizuarin por edhe katër miqtë.
Ata ishin njerëz të besimit dhe Jezusi e shikon këtë dhe, shërimi vjen sepse ATA ishin njerëz besimi.
Njeriu u shërua sepse Jezusi u përgjigj sipas besimit të tyre. Kjo është çudia më e madhe në gjithë historinë!
Duhet besim për të qenë një skuadër që i sjell të tjerët te Krishti. Fryma e Shenjtë, po thotë këtu se plotësimi i nevojave të disa njerëzve varet nga fakti se ku i çojmë të tjerët.
Dhe kjo na bën që të mendojmë disa pyetje, apo jo? A ka shërime që nuk ndodhin sepse ne si grup, nuk kemi besim, apo nuk kemi besimin e nevojshëm?
- Pra ka një parim të madh për kishën në këtë histori. Dhe parimi është ky: Për të pasur një shërbesë të mirë duhet një skuadër.
Kjo pamje që shikojmë këtu, te Marku 2 është e mrekullueshme.
Një njeri i thyer është në mes të një shoqërie me njerëz të thyer, por që disa e shfaqin ndërsa disa e mbulojnë thyerjen e tyre.
Dhe të gjithë kishin nevojë të përjetonin fuqinë e Jezusit. Dhe tani një grup njerëzish po bashkëpunon pa krenari, me krijimtari, besim dhe në një mendje për të sjellë mikun e tyre te Jezusi.
Kjo është një pamje shumë e goditur, që tregon se si duhet të jetë kisha. Dhe kjo është e kundërta e marrëdhënieve të thyera që ekzistojnë në shumë kisha sot. Po për një shërbesë duhet punuar në skuadër.
Tani, mendo për formimin tënd shpirtëror. Çfarë apo kush të ndihmoi të vish te Krishti. Kush të ndihmoi të rritesh në Të, dhe të solli deri në këtë pikë ku je sot?
A e ke ndonjë ide se sa e madhe ishte skuadra e njerëzve që morën pjesë?
Unë nuk e kam idenë se sa shumë njerëz u deshën për të më bërë ky që jam sot, për t’i dhënë formë personit tim, për të më formuar shpirtërisht. Unë e di se kanë ndikuar prindërit e mi, familja e gjerë, hallat dhe tezet. Po kështu ka ndikuar pastori, kisha, shkolla, mësuesit dhe shumë të tjerë, ndoshta me qindra vetë, kanë ndihmuar në formimin tim shpirtëror në Krishtin.
Unë mendoj se kjo mund të jetë e vërtetë për çdonjërin prej nesh. Mendo për ata njerëz besnikë që na kanë ndihmuar të bëhemi këta që jemi.
Do të ishte mirë për çdonjërin prej nesh të bënim një listë, së paku në mendje, për njerëzit kyç, që Perëndia ka përdorur si anëtarë të një skuadre, që të kanë sjellë ty te Krishti. Ne nuk duhet t’i harrojmë ata.
Dhe pasi të kemi bërë listën e njerëzve, duhet të falënderojmë Perëndinë për çdonjërin prej tyre. Dhe pse jo do të ishte mirë t’i shkruanim disa prej tyre, një letër falënderimi.
Kishat e krishtera ku ne shkojmë, janë pak a shumë të njëjta, ato kanë një ose më shumë pastorë.
Kisha jonë ka më shumë se një pastor. Jam i sigurt se kështu është edhe kisha jote. Ndërsa në disa kisha të tjera kisha ka anëtarët e skuadrës drejtuese, por sigurisht që nuk duhet të lemë pa përmendur drejtuesit e tjerë, pleqtë, mësuesit, këshilluesit, drejtuesit e të rinjve etj. Pra është një skuadër njerëzish që drejton gjithë shërbesën e fëmijëve, të të rriturve dhe të rinjve.
Për të qenë të sinqertë, në kisha sado të mëdha apo të vogla, gjithmonë ka një skuadër njerëzish që punojnë për të realizuar shërbesën e përcaktuar.
Thjesht mendo pak, të njëjtën pamje në gjithë bashkësitë e qytetit tënd, dhe përgjatë vendit tënd, e kudo në botë. Me siguri që duhet një punë skuadre.
Dhe nëse duhet punë skuadre për shërbesën tonë, apo të arritur të tjerët në bashkësinë tonë, kjo është po aq e vërtetë për të arritur njerëzit tanë të njohur për Krishtin, apo njerëzit në punë që shpesh na nxjerrin bërryla, apo fqinjët tanë, në lagje, në qendra argëtimi.
Kjo gjë nuk arrihet vetëm me anë të një personi. Duhet ndikimi i shumë njerëzve, që një punë të përfundohet.
E dini, historia jonë sot ka një kthesë dhe një surprizë të çuditshme. Kjo është diçka shumë e mirë për kishën e sotme.
Ne ngelëm duke thënë: “Ja Jezusi, Biri i Perëndisë, i Cili bën gjëra të mëdha, ja dhe i paralizuari që u shërua.”
Por kur e shikojmë më nga afër, kuptojmë se si ndodhi e gjitha kjo. Dhe habitemi kur mësojmë se për ta arritur këtë u desh puna e një skuadre, katër miq të krishterë të mbushur me besim, që u bënë shërbëtorë për të përmbushur punën e shërbesës.
Pra do të ishte mirë për ne të ishim më të vetëdijshëm për të gjithë ata njerëz të mbushur me besim, që Perëndia i ka përdorur për të na bërë këta që jemi sot.
Meqë ra fjala a e ke falenderuar Perëndinë së fundmi për ta? Dhe a ia ke shprehur personalisht atyre këto falënderime? Apo ke menduar tu dërgosh atyre një kartolinë falënderimi? Mbrapa çdo personi fshihet një skuadër e madhe që i ka shërbyer.
Dhe unë mendoj se duhet ta pranojë se ka shumë njerëz që nuk janë të vetëdijshëm për këtë.
Por në të njëjtën kohë duhet të bëjmë disa pyetje, se si po u shërbejmë ne të tjerëve.
Ne duhet të pyesim veten se çfarë anëtar skuadre jemi?
Dhe me sa skuadra të ndryshme po punojmë ndërkohë? Dhe më pas të mendojmë se sa shumë njerëz do të përjetojnë plotësinë e Krishtit për arsye se ne jemi kujdesur për ta.
Dhe tani në fund të kësaj historie, dëgjo diçka shumë të thjeshtë por sfiduese.
Pyetja është kjo. A je pjesë e trupit të Krishtit? A je pjesë e këtij komuniteti njerëzish që dëshirojnë t’i sjellin njerëzit te Krishti? Atëherë mos i lër njerëzit e tjerë ta bëjnë gjithë punën, bëj edhe ti pjesën tënde! Duaj dikë! Kujdesu për dikë. Dhe nëse është e nevojshme mbart dikë!