Po sot do të flasim për Jonin. Joni ishte pronar i vetes. Ai ishte i ri dhe beqar dhe kishte një apartament të gjithin vetëm për vete. Joni ishte pak i çrregullt dhe, apartamenti i tij shpesh ishte rrëmujë. Rrallëherë e rregullonte krevatin, ndaj batanijet dhe çarçafët zakonisht ishin të parregulluara tërë ditën. Lavamani dhe banaku i kuzhinës ishin plot me një pirg enësh të palara, dhe kutish fast fudi. Dyshemeja ishte si një rrugë me pengesa, mbuluar me rroba dhe gjëra të tjera që Joni kishte hedhur përtokë dhe nuk ia ndjente që t’i mblidhte. Një herë në kaq kohë Joni lodhej prej rrëmujës dhe vinte pak rregull, por shumicën e kohës i pëlqente të bënte sa më pak pastrime dhe mbledhje gjërash të mundej. Fundja fare, ky ishte avantazhi i të pasurit një apartament të gjithin vetëm për vete.
Diçka tjetër që Joni pëlqente në të pasurin e apartamentit të vet ishte se ai mund të bënte çfarë të dëshironte. Ai pëlqente të shikonte video dhe shfaqje pornografike në televizorin kabllor. Hera herës atij i pëlqente të merrte gra të ndryshme në shtëpi për të kaluar natën me to.
Kur ftonte një vajzë për të dalë me të, ai zakonisht mundohej të pastronte apartamentin dhe të rregullonte krevatin, thjesht për të qenë i përgatitur në rast se vajzës i mbushej mendja të kthehej në shtëpinë e tij. Jonit po ashtu i pëlqente të pinte duhan. Duke pasur apartamentin e tij, ai mund të bënte gjithfarë gjërash pa i marrë leje askujt.
Joni pa me shumë përparësi të pasurit e një vendi të vetin, por kishte një disavantazh të madh që apartamenti ishte i shtrenjtë. Qiraja ishte më e lartë nga sa mund të përballonte Joni. Ai po mbetej mbrapa gjithmonë e më shumë me pagesat, dhe pronari i shtëpisë po i thoshte se do ta nxirrte prej shtëpie nëse nuk gjente një mënyrë për të larë qiranë. Pasi u mendua mirë se çfarë duhet të bënte, Joni vendosi të kërkonte një shok dhome për të ndarë qiranë. Ai nuk kishte miq të ngushtë në atë zonë,
kështu që nxori një njoftim në gazetë.
Vetëm një person iu përgjigj njoftimit. Kur Joni zbuloi se kush ishte ky person, u trondit. Doli se ishte Petrika, një djalë i ri që dëshironte të ndante qiranë e shtëpisë me Jonin. Ai vinte nga një prej familjeve më të pasura dhe më të fuqishme të vendit. Babai i Petrikës ishte një drejtues qeveritar. Familja kishte pasuri të mëdha dhe investime të ndryshme. Petrika do të studionte në një universitet elitar aty pranë, por për disa arsye, ai nuk donte të jetonte në një vilë fantastike. Në vend të kësaj, ai dëshironte të jetonte në një vend të zakonshëm me një njeri të zakonshëm dhe Joni ishte personi që ai zgjodhi.
Kur shoku i ri i dhomës erdhi, gjërat ndryshuan për Jonin. Petrika nuk ishte zhuls; atij i pëlqenin gjërat e pastra dhe të rregullta. Petrika punonte shumë që ta mbante apartamentin të rregullt, dhe fare pak kohë u desh që Joni të ndihej në siklet që ishte rrëmujaxhi, krahasuar me Petrikën. Ai punoi së bashku
me Petrikën për ta mbajtur vendin të pastër, për të rregulluar krevatin çdo mëngjes, dhe për t’i vënë gjërat në vendet e tyre.
Petrika po ashtu ishte shumë i sjellshëm, një person me moral të lartë. Ai mendonte se pornografia ishte diçka e shpifur; ai mendonte se gratë duhen trajtuar me respekt; ai mendonte se nuk duhet të biesh në shtrat me një grua nëse nuk vendos se do të jesh përgjithmonë i martuar me të. Ai po ashtu mendonte se shkelja e ligjit ishte e gabuar dhe truri dëmtohej nga prirja e duhanit.
Por me Petrikën si shok dhome, Joni filloi ta shohë sjelljen e vjetër në një tjetër dritë. Ai fshiu stacionet
kabllorë me pisllëqe, sepse i vinte turp të shikonte ato ndyrësira kur ishte në një dhomë me Petrikën. Joni nuk merrte më femra në shtëpi, po ashtu as drogë.
Fillimisht Joni i bëri këto ndryshime sepse ishte i mahnitur, madje dhe pak i frikësuar prej Petrikës. Ai nuk donte t’i bënte përshtypje të keqe një njeriu kaq të rëndësishëm, dhe sigurisht që nuk donte të bënte asgjë që do ta shtynte Petrikën të largohej dhe të mos e ndihmonte më me qiranë. Ndonjëherë Joni e qortonte Petrikën që e bënte të ndihej keq për zakonet e tij të vjetra dhe hera herës vazhdonte të bënte gjëra që dukshëm, e mërzisnin Petrikën. Por me kalimin e kohës, Joni i bënte këto gjëra gjithmonë e më pak.
Pas një farë kohe, nuk ishte mahnitja dhe as frika ndaj Petrikës që e ndikoi Jonin. Ai filloi ta pëlqente atë stil të ri jetese, dhe po ashtu Petrikën. Ai pëlqente miqësinë me të, bisedat, mirësinë, urtësinë dhe inkurajimin e tij. Ai pëlqente të takohej me familjen e Petrikës dhe rrethin e ngushtë të miqve të tij. Ndonëse ishin të pasur dhe të rëndësishëm, ata nuk ishin mospërfillës apo mburravecë. Ata ishin njerëz të zgjuar, interesantë, kishe qejf të rrije me ta. Në fillim Joni u ndie në siklet me ta, por në fund zbuloi
se po bëhej gjithmonë e më shumë si ata dhe po përshtatej. Joni ishte një person i ri, falë personit të ri që jetonte me të.
Kur Perëndia vjen të banojë me ty
Ajo që i ndodhi Jonit është një shëmbëlltyrë, një shembull i asaj se çfarë ndodh kur Perëndia vetë vjen të
banojë me ty. Kur ti je duke jetuar vetë, pa Perëndinë në jetën tënde, ti mund të ndiesh lirinë për të bërë çfarë të duash. Por pas një farë kohe, ti mund të zbulosh se thjesht nuk mund të vazhdosh ashtu vetëm. Ti përballesh me gjëra që nuk mund ti menaxhosh vetë; ti ke nevojë për ndihmën e dikujt tjetër. Ti ke
nevojë për ndihmën e Perëndisë, që Ai të vijë dhe të jetojë me ty.
Por pse duhet të vinte Perëndia të jetonte me ty? Mund të duket e vështirë që kuptosh arsyen se pse një njeri i pasur, i fuqishëm dhe me moral si Petrika do të donte të jetonte me një djalë të një rangu më të ulët, siç ishte Joni. Akoma më e vështirë është të kuptosh se përse, Perëndia i shenjtë dhe i plotfuqishëm, do të zgjidhte të jetonte me mëkatarë të një klasi të ulët, si puna jonë.
Pavarësisht nëse e kuptojmë ne ose jo, e vërteta është se Perëndia dëshiron të jetojë me ne. Askush nuk është tepër i ulët për të qenë mik me Perëndinë. Zoti Jezus Krisht erdhi në tokë dhe jetoi mes nesh dhe, vdiq mbi kryq për të paguar një borxh të madh. Ai pagoi çmimin për mëkatin njerëzor, një borxh që ne nuk do të ishin në gjendje ta paguanim asnjëherë vetë. Për më tepër, Krishti vjen te ne në personin e Frymës së Shenjtë, jo vetëm që të jetojë me ne, por të jetojë në ne. Ky shok i ri dhome, jo vetëm
që jeton në të njëjtën shtëpi me ty; por Ai jeton brenda teje.
Menjëherë pasi Fryma e Shenjtë bën banesën e Tij në zemrën tënde, ti nuk do të jesh më i njëjti. Ti do të kesh burimet për të përballuar sfidat e jetës dhe do të bëhesh një person krejt ndryshe. Fillimisht ti mund të ndryshosh për shkak të turpit dhe frikës së mos ofendon Perëndinë, por pas një farë kohe, do të ndryshosh më shumë prej dashurisë dhe miqësisë. Ti do të duash të shmangësh mëkatin, jo thjesht se ky
mund të shkaktojë turp apo dhimbje, por sepse e trishton Frymën e Shenjtë. Ti do të përpiqesh të kënaqësh dhe nderosh Frymën e Shenjtë, jo thjesht se duhet kështu, por sepse ti e do këtë dhe sepse Ai do të ndihmojë që ta bësh.