Fryma na flet përgjatë faqeve të Biblës, e cila është shkruar nën drejtimin e vetë Frymës. Kur lexojmë Biblën, Fryma ngulit të vërteta të ndryshme në zemrat tona dhe na ndihmon ta dëgjojmë atë teksa na flet neve personalisht. Fryma po ashtu nxit mendime të caktuara në mendjet tona, për tu përballur me situata të veçanta në jetën tonë. Nëse qëndrojmë të vëmendshëm, do të dëgjojmë zërin dhe shtytjen e tij të lehtë. Ne e pikëllojmë Frymën dhe shpërfillim fjalët e Tij në Bibël, ose nuk ia vëmë veshin drejtimit të Tij në jetën tonë të përditshme. Ne e nderojmë Frymën, ashtu si psalmisti, ne duam të dëgjojmë zërin e Tij dhe të konsiderojmë Fjalët e Perëndisë, më të ëmbla se mjalti dhe më të çmuara se ari. (Psalmi 19:10)
Komunikimi përfshin dëgjimin; po ashtu edhe të folurin. Ai përfshin të folurin me Perëndinë në lutje dhe të shprehurin e asaj që mendojmë në zemrat tona. A ka nevojë Perëndia që ne t’i flasim, që Ai të mësojë se çfarë mendojmë ne? Jo, Zoti tashmë na njeh plotësisht. Ai i di mendimet tona, para se ne t’i flasim ato, Ai madje i njeh mendimet tona para se t’i mendojmë ato! Nëse Perëndia e di tashmë se çfarë mendojmë, para se t’ia themi atij, atëherë pse duhet t’i flasim Atij përmes lutjes? Mirë, nënat dhe baballarët e zgjuar shpesh mund të thonë se çfarë i shqetëson fëmijët e tyre, apo çfarë i emocion ata, por prindërit gjithsesi, dëshirojnë që fëmijët e tyre t’i flasin dhe t’i tregojnë atyre mendimet, dëshirat dhe ndjenjat e tyre. Është mirë për fëmijën dhe një kënaqësi për prindin, edhe sikur fëmija të jetë duke thënë diçka që prindi tashmë e di. Kështu që edhe sikur Fryma të dijë gjithçka për ne, është për të mirën tonë dhe për kënaqësinë e tij ta shprehim veten në lutje. Dhe nëse nuk dimë se çfarë të themi ndonjëherë, Fryma do të flasë për ne në mënyra që asnjë gjuhë njerëzore nuk mund ta shprehë, por të cilën Perëndia e kupton plotësisht. (Romakëve 8:26-27)
Pa dyshim, që komunikimi është një pjesë jetësore e nderimit të Frymës së Shenjtë. Dëgjimi i asaj që Ai deklaron në Bibël dhe asaj që Ai pëshpërit në zemrat tona e nderon Frymën duke e trajtuar atë si këshilluesin më të besuar. Bisedimi me Perëndinë dhe zbrazja e zemrës tonë në lutje e nderon Frymën e Shenjtë duke e çmuar atë si Dëgjuesin dhe Mikun e përsosur.
Pjesëmarrja
Me përjashtim të pranimit dhe komunikimit, mënyra e tretë jetësore për të nderuar Frymën e Shenjtë është pjesëmarrja. Nëse ti merr pjesë në shenjtërinë dhe misionin e Frymës, ti po e nderon Atë. Por nëse e kundërshton ndikimin e Tij të shenjtë apo mundohesh të arrish gjërat pa fuqinë e Tij, ti e pikëllon Atë.
Nuk është rastësi që Fryma është quajtur Fryma e Shenjtë. Karakteri i tij është i shenjtë dhe ai ka për qëllim që cilido që do të jetojmë me Të, të marrë pjesë në shenjtërinë e tij. Kjo do të thotë se në çdo gjë që ti mendon, thua a bën, ti duhet të pyesësh veten se si të ndikon Fryma e Shenjtë dhe si e ndikon Frymën e Shenjtë zgjedhja jote. A do të pikëllohet apo nderohet Ai?
A po ndan me të shenjtërinë e Tij, apo po del kundër vullnetit të Tij?
Për shembull, kur ti je duke menduar për të parë një program televiziv a një film, mos harro se Fryma e Shenjtë do të jetë duke e parë bashkë me ty. A do ta shijojë Ai atë? Apo do pikëllohet? Kur merr vendime, që përfshijnë seksualitetin, kujto se çdo gjë që bën me trupin nuk të përfshin vetëm ty; përfshin Frymën e Shenjtë që jeton brenda teje, përfshin Krishtin vetë. Kur Bibla i paralajmëron të krishterët kundër imoralitetit seksual, nuk thotë thjesht ” ju njerëz të prapë.” Shkrimet thonë: ” A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj gjymtyrë të një kurve? mos qoftë ashtu! … A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia?”. (1 Korintasve 6:15, 19) A dëshiron vërtetë që ta fusësh Krishtin në një shtëpi prostitutash, apo ta ftosh Krishtin për të joshur dikë në një takim njohjeje, apo ta marrësh me vete për të parë një film të pisët, apo të lesh Krishtin të shikojë bashkë me ty fotot e ndyra në ekranin e kompjuterit tënd? Sepse këtë je duke bërë nëse je i krishterë dhe je përfshirë në mëkat seksual.
Kjo nuk do të thotë se Perëndia sheh gjithmonë çfarëdo që ti bën. Sigurisht që Ai sheh, por jo vetëm kaq. Perëndia nuk po të spiunon ty; ai jeton në ty. Ti jo vetëm që po thyen urdhërimet e Tij; ti po i thyen zemrën. Fryma e Shenjtë, pikëllohet dhe indinjohet kur dikush për të cilin Krishti vdiq dhe tek i cili Ai jeton, e zvarrit Frymën drejt një bari, a kazinoje, a filmi të neveritshëm, a gjithçkaje tjetër që e hedh poshtë Perëndinë.
Kjo vlen edhe për tërë veprimet e tua, fjalët dhe qëndrimet. Nëse gënjen, a bën thashetheme, a i nënvlerëson njerëzit, ti po e hidhëron Frymën e Perëndisë brenda teje. Por nëse ti thua gjëra të vërteta që i ndërtojnë të tjerët, ti po e nderon Frymën dhe po merr pjesë në të vërtetën dhe shenjtërinë e tij. Nëse mban zemërim, hidhërim apo një qëndrim të keq, ti po e pikëllon Frymën. Por nëse je i mirë, i dhembshur dhe i dashur, po e nderon Frymën dhe po merr pjesë në dashurinë e Krishtit. (shiko Efesianëve 4:25-32)
Pjesëmarrja në punën e Frymës së Shenjtë, përfshin shenjtërinë personale, dhe po ashtu përfshin përdorimin e dhuratave dhe fuqisë së frymës në ty. Fryma e Shenjtë i jep çdo të krishteri talente apo dhurata për të bërë punën e Perëndisë. Zbulo se cilat janë talentet e dhëna nga Fryma e Shenjtë, bëj maksimumin me to, dhe ji i hapur dhe i etur për të marrë aftësi të tjera dhe fuqi të cilën Fryma e Shenjtë mund të zgjedhë të ta japë ty në të ardhmen. Po ashtu, respekto dhe vlerëso dhuratat të cilat Fryma mund t’i japë të krishterëve të tjerë por jo ty. Mos mendo si të parëndësishëm asnjë talent të dhënë prej Frymës.
Nderoje Frymën duke vlerësuar dhuratat e tij, në ty, si edhe dhuratat e të krishterëve të tjerë. “Ka dhunti të ndryshme,” thotë Bibla, “por e njëjta Frymë… Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore” (1 Korintasve 12:4, 14:1). Mos ndalo përdorimin e duhur të ndonjë prej dhuntive në shërbim të Perëndisë, dhe mos ji një batanije e lagur që e shuan zjarrin dhe ngazëllimin që të tjerët mund të kenë në Frymën e Shenjtë. ” Mos e shuani Frymën. Mos i përbuzni profecitë. Provoni të gjitha, mbani të mirën. Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.” (1 Thesalonikasve 5:19-22)
Fryma e Shenjtë është Ai, i Cili i jep jetë dhe fuqi çdo besimtari po ashtu edhe kishës. ” ‘Jo me fuqi, as me forcë por me anë të Frymës’ thotë Zoti i plotfuqishëm.” (Zakaria 4:6)
Ne e hidhërojmë Frymën nëse veprojmë sikur fuqia jonë të mjaftonte për t’i realizuar gjërat, apo nëse ne e shuajmë lirinë përvëluese të fuqisë së Frymës, sepse kemi frikë të dalim prej zonës sonë të sigurisë. Ne e nderojmë Frymën e Shenjtë, kur varemi në fuqinë e Tij hyjnore dhe vazhdojmë t’i kërkojmë Atij të na mbushë më shumë. Ne e nderojmë Frymën kur mbushemi me dashurinë e tij, gëzimin dhe paqen e tij, e marrim pjesë në punën e madhe të Frymës së Shenjtë, për t’ia bërë Krishtin të njohur botës.